BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/2 f. 14-19
  • «Edhe pse asnjëherë nuk e keni parë, ju e doni atë»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Edhe pse asnjëherë nuk e keni parë, ju e doni atë»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Gjërat që ata dëgjuan
  • Fryma që ai tregoi
  • Mbështetja e tij e përulur në Perëndinë
  • Të shprehim dashurinë tonë për të
  • Një Mësues i Madh na e zbulon më qartë Krijuesin
    A ka një Krijues që interesohet për ju?
  • ‘Të njohim dashurinë e Krishtit’
    T’i afrohemi Jehovait
  • Të stërvitur për të dhënë dëshmi të plotë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • «Jezui . . . i deshi ata deri në fund»
    «Eja e bëhu dishepulli im»
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/2 f. 14-19

«Edhe pse asnjëherë nuk e keni parë, ju e doni atë»

«Edhe pse asnjëherë nuk e keni parë, ju e doni atë. Edhe pse nuk e shikoni tani, ende ushtroni besim në të dhe gëzoheni shumë.»​—1. PJETRIT 1:8, BR.

1. Edhe pse askush në tokë nuk e ka parë Jezuin, si përpiqen disa njerëz fetarë të tregojnë devotshmëri ndaj tij?

ASNJË njeri i gjallë sot në tokë, nuk e ka parë asnjëherë Jezu Krishtin. Megjithatë, miliona njerëz pohojnë se e duan atë. Në Manila të Filipineve, çdo vit më 9 janar, një statujë e Jezu Krishtit me përmasat e një njeriu që mban një kryq tërhiqet nëpër rrugë, në atë që është përshkruar si manifestimi më masiv dhe më spektakular i fesë më të përhapur në vend. Turma e eksituar shkel dhe shtyn; njerëzit bile kacavirren mbi njëri-tjetrin, duke u përpjekur si të tërbuar për të prekur shëmbëlltyrën. Shumë nga ata që janë të pranishëm për të parë, tërhiqen thjesht nga vargu festiv. Megjithatë, disa prej tyre janë pa dyshim njerëz, që ndihen sinqerisht të tërhequr drejt Jezuit. Si dëshmi për këtë, ata mund të mbajnë një kryq apo mund të shkojnë rregullisht në kishë. Por, a mund të konsiderohet si adhurim i vërtetë kjo idhujtari?

2, 3. (a) Kush faktikisht mes ithtarëve të Jezuit e pa dhe e dëgjoi atë? (b) Cilët të tjerë në shekullin e parë kishin dashuri për Jezuin dhe besuan në të, edhe pse nuk e kishin parë asnjëherë personalisht?

2 Në shekullin e parë, kishte mijëra e mijëra njerëz nga provincat romake të Judesë, Samarisë, Peresë dhe Galilesë, të cilët personalisht në fakt e panë dhe e dëgjuan Jezu Krishtin. E dëgjuan tek shpjegonte të vërtetat e gëzueshme mbi Mbretërinë e Perëndisë. Ishin dëshmitarë okularë të mrekullive që kreu ai. Disa prej këtyre, u bënë dishepuj të tij të devotshëm, të bindur se ai ishte «Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë». (Mateu 16:16) Megjithatë, ata, të cilëve apostulli Pjetër u shkroi letrën e tij të parë të frymëzuar, nuk ishin ndër këta.

3 Këta persona, të cilëve u drejtohet Pjetri, ishin nga provincat romake të Pontusit, Galacisë, Kapadokisë, Azisë dhe Bitinisë, të gjitha në zonën e Turqisë së sotme. Pjetri u shkroi atyre: «Edhe pse asnjëherë nuk e keni parë, ju e doni atë. Edhe pse nuk e shikoni tani, ende ushtroni besim në të dhe gëzoheni shumë me një gëzim të papërshkrueshëm dhe të lavdishëm.» (1. Pjetrit 1:1, 8, BR) Si kishin arritur ta njihnin ata Jezu Krishtin, deri në atë pikë sa ta donin dhe të ushtronin besim në të?

4, 5. Në ç’mënyrë ata njerëz që nuk e kishin parë asnjëherë Jezuin, mësuan mjaft për të, sa për ta dashur dhe për të besuar në të?

4 Me sa duket, disa ishin në Jerusalem, kur apostulli Pjetër i dha dëshmi turmës që merrte pjesë në festën e Rrëshajëve, në vitin 33 të e.s. Pas festës, shumë dishepuj qëndruan në Jerusalem, për të marrë udhëzime të mëtejshme nga apostujt. (Veprat 2:9, 41, 42; krahaso 1. Pjetrit 1:1.) Në udhëtimet e vazhdueshme misionare, apostulli Pavël kreu një shërbim të zellshëm edhe mes njerëzve që jetonin në zonën, së cilës Pjetri më vonë i nisi letrën e parë biblike që mbante emrin e tij.​—Veprat 18:23; 19:10; Galatasve 1:1, 2.

5 Përse ata njerëz që nuk e kishin parë asnjëherë Jezuin, ishin kaq shumë të tërhequr pas tij? Përse miliona të tjerë përreth globit në ditët tona, kanë dashuri të thellë për të?

Gjërat që ata dëgjuan

6. (a) Po të kishe dëgjuar dëshminë e Pjetrit për Jezuin në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., çfarë mund të kishe mësuar? (b) Si ndikoi kjo tek rreth 3.000 personat që ishin të pranishëm?

6 Çfarë do të kishe mësuar për Jezuin, po të kishe qenë në Jerusalem, kur Pjetri foli para asaj turme festive, në vitin 33 të e.s.? Mrekullitë e kryera prej tij treguan përtej çdo dyshimi se ai ishte dërguar nga Perëndia. Se megjithëse njerëzit mëkatarë e kishin ekzekutuar Jezuin me vdekje, ai nuk ishte më në varr, por ishte ringjallur e më pas ishte ngritur lart në qiell, në dorën e djathtë të Perëndisë. Se Jezui ishte vërtet Krishti, Mesia, për të cilin kishin shkruar profetët. Se nëpërmjet Jezu Krishtit, ishte derdhur fryma e shenjtë mbi ithtarët e tij, e në këtë mënyrë ata ishin menjëherë në gjendje t’u dëshmonin njerëzve prej shumë kombeve, për gjërat madhështore që po bënte Perëndia përmes Birit të tij. Zemra e shumë prej atyre që dëgjuan Pjetrin në atë rast, u nxit thellësisht dhe rreth 3.000 veta u pagëzuan si dishepuj të krishterë. (Veprat 2:14-42) Po të kishe qenë atje, a do të ndërmerrje këtë veprim vendimtar?

7. (a) Çfarë mund të kishe mësuar, po të kishe qenë në Antioki, kur Pavli predikoi atje? (b) Përse disa persona nga turma u bënë besimtarë dhe ndanë lajmin e mirë me të tjerët?

7 Po të kishe qenë mes atyre të pranishmëve, kur apostulli Pavël mësoi në Antioki, në provincën romake të Galacisë, çfarë tjetër mund të kishe mësuar për Jezuin? Do të kishe dëgjuar Pavlin tek shpjegonte se dënimi i Jezuit me vdekje nga sundimtarët në Jerusalem, ishte parathënë nga profetët. Veç kësaj, do të kishe dëgjuar provën e dëshmisë okulare mbi ringjalljen e Jezuit. Patjetër që do të të kishte bërë përshtypje shpjegimi i Pavlit se duke ringjallur Jezuin nga vdekja, Jehovai vërtetoi se ky ishte pa dyshim Biri i Perëndisë. A nuk do të të ishte ngrohur zemra, tek mësoje se falja e mëkateve, që bëhet e mundur nga besimi në Jezuin, mund të çojë në jetën e përhershme? (Veprat 13:16-41, 46, 47; Romakëve 1:4) Duke pranuar domethënien e asaj që po dëgjonin, disa në Antioki u bënë dishepuj, duke ndarë aktivisht lajmin e mirë me të tjerët, edhe pse bërja e kësaj gjëje do të thoshte se ata do të përballonin persekutim shumë të madh.​—Veprat 13:42, 43, 48-52; 14:1-7, 21-23.

8. Çfarë mund të kishe mësuar, po të kishe qenë në mbledhjen e kongregacionit të Efesit, kur u mor letra e Pavlit drejtuar atyre?

8 Po sikur të ishe shoqëruar me kongregacionin e krishterë të Efesit, në provincën romake të Azisë, kur u mor letra e frymëzuar e Pavlit, e cila u drejtohej dishepujve të atjeshëm? Çfarë mund të kishe mësuar prej saj, për rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë? Në atë letër, Pavli shpjegonte se nëpërmjet Krishtit të gjitha gjërat në qiell dhe në tokë, do të ktheheshin prapë në përputhje me Perëndinë, se dhurata e Perëndisë nëpërmjet Krishtit shtrihej tek njerëzit e të gjitha kombeve, se personat që kishin qenë të vdekur në sy të Perëndisë, për shkak të shkeljeve të tyre, ishin bërë të gjallë përmes besimit në Krishtin dhe se si pasojë e këtij sigurimi, për njerëzit ishte përsëri e mundur që të bëheshin bij të dashur të Perëndisë.​—Efesianëve 1:1, 5-10; 2:4, 5, 11-13.

9. (a) Çfarë mund të të ndihmojë për të dalluar, nëse ti personalisht e kap domethënien e asaj që u shkroi Pavli Efesianëve? (b) Si kishte ndikuar mbi vëllezërit në provincat romake të përmendura nga Pjetri, ajo që ata kishin mësuar për Jezuin?

9 A do ta kishte thelluar çmueshmëria për të gjitha këto, dashurinë tënde për Birin e Perëndisë? A do të kishte ndikuar ajo dashuri në jetën tënde të përditshme, ashtu siç inkurajonte apostulli Pavël në kreun 4 deri 6 të Efesianëve? A do të të nxiste kjo çmueshmëri, që të shqyrtoje me kujdes përparësitë e tua në jetë? Nga dashuria për Perëndinë dhe nga mirënjohja për Birin e tij, a do të kishe bërë rregullimet e nevojshme, në mënyrë që kryerja e vullnetit të Perëndisë të ishte vërtet në qendër të vëmendjes në jetën tënde? (Efesianëve 5:15-17) Lidhur me mënyrën, në të cilën të krishterët në Azi, Galaci dhe provinca të tjera romake ishin ndikuar nga ajo që po mësonin, apostulli Pjetër u shkroi atyre: «Edhe pse asnjëherë nuk e keni parë [Jezu Krishtin], ju e doni atë . . . ushtroni besim në të dhe gëzoheni shumë me një gëzim të papërshkrueshëm dhe të lavdishëm.»​—1. Pjetrit 1:8, BR.

10. (a) Ç’gjë i kontribuoi pa dyshim dashurisë së të krishterëve të hershëm për Jezuin? (b) Si mund të nxjerrim dobi edhe ne?

10 Kishte edhe diçka tjetër që pa dyshim i kontribuoi dashurisë që ndien ata të krishterë të hershëm për Birin e Perëndisë, të cilëve iu drejtua Pjetri. Cila ishte ajo? Që nga koha kur Pjetri shkroi letrën e tij të parë, tashmë qarkullonin të paktën dy nga Ungjijtë, ai i Mateut dhe i Lukës. Të krishterët e shekullit të parë, të cilët nuk e kishin parë asnjëherë Jezuin, mund t’i lexonin këto tregime të Ungjijve. Gjithashtu, edhe ne. Ungjijtë nuk janë tregime imagjinare; ato kanë të gjitha karakteristikat e historisë më të besueshme. Në ato shkrime të frymëzuara, ne gjejmë shumë gjëra që thellojnë dashurinë tonë për Birin e Perëndisë.

Fryma që ai tregoi

11, 12. Ç’gjë nga fryma që tregoi Jezui ndaj njerëzve të tjerë, të bën ta duash atë?

11 Në fjalët e shkruara për jetën e Jezuit, mësojmë se si u soll ai me njerëzit e tjerë. Fryma që tregoi ai prek zemrën e njerëzve edhe tani, mbi 1.960 vjet pasi ai ka vdekur. Çdo njeri i gjallë është i rënduar me pasojat e mëkatit. Shumë milionë njerëz janë viktimë e padrejtësisë, luftojnë me sëmundjen apo për arsye të tjera pësojnë një zhgënjim dërrmues. Këtyre të gjithëve, Jezui u thotë: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.»​—Mateu 11:28-30.

12 Jezui tregoi kujdes të ndjeshëm për të varfrit, të uriturit dhe për ata që ishin të hidhëruar. Kur rrethanat e bënë të nevojshme, ai bile ushqeu në mënyrë të mrekullueshme turma të mëdha. (Luka 9:12-17) I liroi ata nga traditat skllavëruese. Përveç këtyre, ndërtoi besimin e tyre në sigurimin e Perëndisë për t’i dhënë fund shtypjes politike dhe ekonomike. Jezui nuk e shtypi frymën e atyre që ishin tashmë të shtypur. Me butësi dhe dashuri, ai ngriti të dobëtin me mjeshtëri. Ai i freskoi ata që ishin si kallama të thyer më dysh dhe ata që ishin si fitili i verdhemë që digjet pa flakë dhe është gati për t’u fikur. Që nga ajo kohë e deri tani, emri i tij frymëzon shpresë, edhe në zemrat e atyre që nuk e kanë parë atë asnjëherë.​—Mateu 12:15-21; 15:3-10.

13. Përse mënyra në të cilën Jezui u soll me mëkatarët i tërheq njerëzit?

13 Jezui nuk e miratoi keqbërjen, megjithatë ai tregoi kuptueshmëri ndaj njerëzve që kishin bërë gabime në jetë, por që kishin shfaqur pendim dhe ishin kthyer tek ai për ndihmë. (Luka 7:36-50) Ai ulej dhe hante me njerëz, që ishin të përçmuar në komunitet, nëse mendonte se kjo do të siguronte një mundësi për t’i ndihmuar ata frymësisht. (Mateu 9:9-13) Si rezultat i frymës që ai tregoi, miliona njerëz në rrethana të ngjashme, të cilët nuk e kanë parë asnjëherë Jezuin, janë nxitur për ta njohur dhe kanë vënë besimin në të.

14. Ç’gjë të tërheq mbi mënyrën, në të cilën Jezui ndihmoi njerëzit që ishin të sëmurë, të gjymtuar apo që kishin humbur një person të dashur?

14 Mënyra në të cilën Jezui u soll me njerëzit që ishin të sëmurë apo të gjymtuar, jep dëshmi të ngrohtësisë dhe dhembshurisë së tij, si edhe të aftësisë së tij për t’u sjellë atyre lehtësim. Kështu, kur një njeri i sëmurë që ishte mbushur me lebër iu afrua dhe i kërkoi ndihmë, Jezui nuk u zmbraps sa e pa. Po ashtu, Jezui nuk i tha burrit se megjithëse ai ndiente mëshirë për të, sëmundja ishte shumë e avancuar dhe nuk mund të bëhej asgjë për ta ndihmuar. Burri u lut: «O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh.» Pa ngurruar, Jezui zgjati dorën dhe preku lebrozin, duke thënë: «Po, unë dua, shërohu.» (Mateu 8:2, 3) Në një rast tjetër, një grua u mundua të shërohej, duke prekur pa rënë në sy thekët e rrobës së tij. Jezui u soll me të në një mënyrë dashamirëse dhe siguruese. (Luka 8:43-48) Kur u ndesh me një kortezh të përmortshëm, ai veproi me mëshirë ndaj vejushës së hidhëruar, të cilës i kishte vdekur biri i vetëm. Ndonëse Jezui nuk kishte pranuar ta përdorte fuqinë e dhënë nga Perëndia për të siguruar me mrekulli ushqim për veten, ai e përdori atë pa asnjë rezervë për të ringjallur atë njeri të vdekur dhe për ta kthyer tek nëna e tij.​—Luka 4:2-4; 7:11-16.

15. Si ndikon mbi ty leximi i tregimeve për Jezuin dhe meditimi mbi to?

15 Ndërsa lexojmë këto tregime dhe meditojmë mbi frymën që ka shfaqur Jezui, thellohet dashuria jonë për këtë njeri, i cili dorëzoi jetën e tij njerëzore, që ne të mund të jetonim përgjithmonë. Edhe pse nuk e kemi parë atë asnjëherë, ndihemi të tërhequr drejt tij dhe duam të ndjekim gjurmët e tij.​—1. Pjetrit 2:21.

Mbështetja e tij e përulur në Perëndinë

16. Kujt i kushtoi Jezui vëmendje parësore dhe çfarë na inkurajoi ai që të bëjmë?

16 Më shumë se mbi gjithçka tjetër, Jezui e përqendroi vëmendjen e tij dhe tonën në Atin e tij qiellor, në Perëndinë Jehova. Ai identifikoi urdhërimin më të madh të Ligjit, duke thënë: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:36, 37, BR) Ai i këshilloi dishepujt e tij: «Kini besim në Perëndinë.» (Marku 11:22) Kur ata ndesheshin me ndonjë sprovë të rëndë të besimit të tyre, ai i nxiste: «Lutuni vazhdimisht.»​—Mateu 26:41, BR.

17, 18. (a) Si e tregoi Jezui mbështetjen e tij të përulur tek Ati i tij? (b) Përse ajo që ai bëri është kaq e rëndësishme për ne?

17 Vetë Jezui la shembull në këto fusha. Lutja ishte një pjesë e rëndësishme e jetës së tij. (Mateu 14:23; Luka 9:28; 18:1) Kur erdhi koha që të zgjidhte apostujt e tij, Jezui nuk u mbështet thjesht në gjykimin e vet, edhe pse më parë të gjithë engjëjt në qiell kishin qenë nën mbikëqyrjen e tij. Në mënyrë të përulur, ai kaloi një natë të tërë, duke iu lutur Atit të tij. (Luka 6:12, 13) Kur u gjend përballë arrestimit dhe një vdekjeje të dhimbshme, Jezui përsëri u kthye nga Ati i tij, duke u lutur me zjarr. Ai nuk kishte pikëpamjen se e njihte mirë Satanain dhe mund të përballonte me lehtësi çdo gjë që i ligu mund të sajonte. Jezui e kuptonte se sa e rëndësishme ishte që ai të mos dështonte. Çfarë sharjeje do të kishte qenë për Atin dështimi i Jezuit! Dhe çfarë humbjeje për njerëzimin, perspektivat për jetë të të cilit vareshin në sakrificën që duhej të ofronte Jezui!

18 Jezui u lut herë pas here: kur ishte me apostujt e tij në dhomën e sipërme të një shtëpie në Jerusalem dhe madje edhe më me shumë zjarr në kopshtin e Getsemanisë. (Mateu 26:36-44; Gjoni 17:1-26; Hebrenjve 5:7) Kur vuante në shtyllën e torturës, ai nuk ua kthente fyerjen atyre që e tallnin. Përkundrazi, ai u lut në favor të atyre, që ishin duke vepruar në padije: «O Atë, fali ata sepse nuk e dinë ç’bëjnë.» (Luka 23:34) Ai e mbajti mendjen të përqendruar tek Ati i tij, «duke ia besuar veten atij që gjykon drejtësisht». Fjalët e fundit që ai nxori, kur gjendej në shtyllën e torturës, ishin një lutje drejtuar Atit të tij. (1. Pjetrit 2:23, BR; Luka 23:46) Sa mirënjohës jemi që, duke u mbështetur plotësisht në Jehovain, Jezui plotësoi me besim caktimin që i kishte besuar Ati i tij! Edhe pse nuk e kemi parë asnjëherë Jezu Krishtin, sa dashuri të thellë kemi për të, nga ajo që ai bëri!

Të shprehim dashurinë tonë për të

19. Cilat praktika duhet të shmangim si krejtësisht të papërshtatshme, në shprehjen e dashurisë për Jezuin?

19 Si mund të japim prova se dashuria që pohojmë se kemi, nuk është vetëm me fjalë? Duke qenë se Ati i tij, të cilin Jezui e deshi, ndaloi bërjen e shëmbëlltyrave dhe më pas përdorimin e tyre si objekte devotshmërie, me siguri që nuk do t’i sjellim nder Jezuit, duke e mbajtur një shëmbëlltyrë të tillë në një zinxhir rreth qafës apo duke e tërhequr një shëmbëlltyrë të tillë nëpër rrugë. (Dalja 20:4, 5; Gjoni 4:24) Nuk do të ishte nder për Jezuin që ne të marrim pjesë në shërbimet fetare, edhe pse e bëjmë disa herë në javë, nëse nuk jetojmë në harmoni me mësimet e tij pjesën tjetër të javës. Jezui tha: «Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë.»​—Gjoni 14:21, 23; 15:10.

20. Cilat janë disa gjëra që do të tregojnë, nëse e duam vërtet Jezuin?

20 Cilat urdhërime na ka dhënë ai? Para së gjithash, që të adhurojmë Perëndinë e vërtetë, Jehovain, dhe vetëm atë. (Mateu 4:10; Gjoni 17:3) Për shkak të rolit të tij në qëllimin e Perëndisë, Jezui mësoi, gjithashtu, se ne duhet të ushtrojmë besim në të si në Birin e Perëndisë dhe se këtë duhet ta tregojmë, duke u larguar nga veprat e liga dhe duke ecur në dritë. (Gjoni 3:16-21) Na këshilloi të kërkojmë më parë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij, duke i vënë këto përpara shqetësimit për nevojat fizike. (Mateu 6:31-33) Ai urdhëroi që të duam njëri-tjetrin, ashtu siç na deshi ai ne. (Gjoni 13:34; 1. Pjetrit 1:22) Përveç kësaj, na ngarkoi që të ishim dëshmitarë lidhur me qëllimin e Perëndisë, ashtu siç ishte ai. (Mateu 24:14; 28:19, 20; Zbulesa 3:14) Edhe pse nuk e kanë parë asnjëherë Jezuin, rreth pesë milionë Dëshmitarë të Jehovait sot, janë të nxitur nga dashuria e vërtetë për të, që të mbajnë ato urdhërime. Fakti që nuk e kanë parë personalisht Jezuin, nuk e dobëson në asnjë mënyrë vendosmërinë e tyre për të qenë të bindur. Ata sjellin ndër mend atë që Zotëria i tyre i tha apostullit Thoma: «Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar.»​—Gjoni 20:29.

21. Cilat dobi nxjerrim nga pjesëmarrja në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, i cili këtë vit do të mbahet të dielën, më 23 mars?

21 Shpresojmë që edhe ti do të jesh mes atyre njerëzve anembanë botës, që do të mblidhen nëpër Sallat e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait të dielën, më 23 mars 1997, pas perëndimit të diellit, për të kujtuar shprehjen më të madhe të dashurisë së Perëndisë karshi njerëzimit dhe për të përkujtuar vdekjen e Birit të tij besnik, Jezu Krishtit. Ajo që thuhet dhe bëhet në atë rast, duhet të thellojë dashurinë për Jehovain dhe për Birin e tij e në këtë mënyrë të rritë dëshirën për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë.​—1. Gjonit 5:3.

Si do të përgjigjeshe?

◻ Si arritën ta njihnin dhe ta donin Jezuin ata, të cilëve iu drejtua libri i parë i Pjetrit?

◻ Cilat janë disa nga gjërat që të krishterët e hershëm dëgjuan, që të bëjnë përshtypje?

◻ Ç’gjë në frymën e treguar nga Jezui, thellon dashurinë tënde për të?

◻ Përse është kaq e rëndësishme për ne mbështetja e përulur e Jezuit në Perëndinë?

◻ Si mund ta tregojmë dashurinë tonë për Jezu Krishtin?

[Figurat në faqet 16, 17]

Ne ndihemi të tërhequr drejt Jezuit, për shkak të frymës që ai tregoi

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo