Besimi im në Jehovain më mbështeti
TREGUAR NGA AZHENOR DA PAIZHAO
Paul, djali ynë i vetëm, vdiq nga bronshiti, kur ishte vetëm 11 muajsh. Tre muaj më vonë, më 15 gusht 1945, gruaja ime e shtrenjtë vdiq nga pneumonia. Unë isha 28 vjeç dhe këto goditje më lanë të trishtuar dhe në ankth. Sidoqoftë, besimi në Jehovain dhe në premtimet e tij më dha mbështetje. Le t’ju tregoj se si arrita ta kem këtë besim.
QË KUR linda më 5 janar 1917, në Salvador, të shtetit Bahia, në Brazil, nëna më mësoi të adhuroja «shenjtorët» e Kishës Katolike. Madje ajo më zgjonte bashkë me vëllezërit herët në mëngjes, që të mund të luteshim së bashku. Megjithatë, prindërit e mi frekuentonin edhe sesione të kandomblésë, që janë ritet vudu afrikano-braziliane. Unë i respektoja këto bindje, por nuk besoja në të ashtuquajturit shenjtorë të katolicizmit apo në kandomblé. Gjëja që më zhgënjeu veçanërisht, ishte paragjykimi racial që shfaqej brenda këtyre feve.
Me kalimin e kohës, dy vëllezërit e mi më të mëdhenj ikën nga shtëpia për të kërkuar punë. Më vonë, babai braktisi familjen. Kështu, në moshën 9 vjeç, m’u desh të gjeja punë për të ndihmuar nënën dhe motrën time më të vogël. Rreth 16 vjet më vonë, bisedat me një koleg në fabrikë, përbënë një kthesë në jetën time.
Fitimi i besimit në Jehovain
Në 1942-shin, u njoha me Fernando Telez. Ai shpesh thoshte se ishte gabim të adhuroje «shenjtorët». (1. Korintasve 10:14; 1. Gjonit 5:21) Në fillim, nuk ia vura shumë veshin. Por sinqeriteti dhe interesi i tij për njerëzit, pavarësisht nga ngjyra e tyre, më bënë për vete dhe kisha filluar ta admiroja njohurinë e tij biblike, e në mënyrë të veçantë atë që ai thoshte për Mbretërinë e Perëndisë dhe për parajsën në tokë. (Isaia 9:6, 7; Danieli 2:44; Zbulesa 21:3, 4) Duke vërejtur interesin tim, ai më dha një Bibël dhe ca literaturë biblike.
Pak javë më vonë, pranova ftesën për të marrë pjesë në studimin biblik të kongregacionit. Grupi studionte librin Feja, botuar nga Watch Tower Bible and Tract Society. Studimi më pëlqeu dhe fillova të marr pjesë në të gjitha mbledhjet e kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo që më bëri përshtypje të veçantë ishte mospasja e paragjykimeve raciale dhe mënyra, me të cilën më pranuan menjëherë. Rreth asaj kohe, fillova të shoqërohesha me Lindaurën. Kur fola me të mbi atë që po mësoja, ajo filloi të merrte pjesë në mbledhje me mua.
Një gjë tjetër që më bëri përshtypje nëpër mbledhje, ishte theksi që i vihej veprës së predikimit. (Mateu 24:14; Veprat 20:20) I inkurajuar nga pionierët, siç quhen shërbëtorët e plotë kohor, fillova t’u flisja në mënyrë joformale të tjerëve në tren, ndërsa shkoja lart e poshtë për në punë. Kur gjeja një person të interesuar, i merrja adresën dhe e vizitoja, duke u përpjekur për ta kultivuar atë interes.
Ndërkohë, besimi im në Jehovain dhe në organizatën që ai po përdor, vazhdonte të rritej. Kështu, pasi dëgjova një fjalim biblik mbi dedikimin e krishterë, më 19 prill 1943, u pagëzova në Oqeanin Atlantik. Po atë ditë, mora pjesë për herë të parë në shërbimin e rregullt shtëpi më shtëpi.
Dy javë më vonë, më 5 maj, unë dhe Lindaura u martuam. Më pas, në gusht të 1943-shit, ajo u pagëzua gjatë asamblesë së parë të mbajtur nga Dëshmitarët e Jehovait në qytetin e Salvadorit. Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 1973 (angl.), thoshte në lidhje me atë asamble: «Veprimtaria e klerit bëri që mësimi publik të heshtte në Salvador, por pasi kishte ndodhur një pjesë e mirë e një paralajmërimi të shkëlqyer.» Dëshmia e drejtimit të Jehovait përballë persekutimit të ashpër, forcoi besimin tim në të.
Siç thashë edhe në fillim, vetëm dy vjet pas pagëzimit të Lindaurës dhe tre muaj pas vdekjes së djalit tonë, edhe gruaja ime e dashur vdiq. Ishte vetëm 22 vjeçe. Por besimi që kisha në Jehovain, më mbështeti gjatë atyre muajve të vështirë.
I forcuar nga aktiviteti frymor
Në vitin 1946, një vit pasi kisha humbur gruan dhe djalin, më caktuan të isha shërbëtor i studimit të Biblës në të vetmin kongregacion, që në atë kohë ekzistonte në Salvador. Po atë vit, në kongregacionet e Brazilit nisi të mbahej Shkolla e Shërbimit Teokratik e unë qeshë drejtuesi i parë i shkollës në shtetin e Bahias. Pas kësaj, në tetor të vitit 1946, në qytetin Sao Paulo u mbajt asambleja teokratike «Kombet e gëzuara». Pronari që më kishte marrë në punë për dhjetë vjet më tha se kishte nevojë për mua dhe më bëri presion të mos shkoja. Por, pasi i shpjegova se sa rëndësi kishte për mua pjesëmarrja në asamble, ai më bëri një dhuratë bujare dhe më uroi rrugë të mbarë.
Sesionet e asamblesë, e cila u mbajt në Teatrin Bashkiak të Sao Paulos, u drejtuan në portugalisht, që ishte gjuha e përdorur në Brazil, si edhe në anglisht, gjermanisht, hungarisht, polonisht dhe rusisht. Në atë asamble, doli në portugalisht revista Zgjohuni! Unë u preka kaq shumë nga asambleja, në të cilën rreth 1.700 persona morën pjesë në fjalimin publik, saqë mbusha kërkesën për të filluar shërbimin si pionier, më 1 nëntor të 1946-s.
Atë kohë, ne përdornim gjerësisht gramafonin në veprën tonë të pionierit. Fjalimi «Mbrojtje» ishte një prej atyre që u shfaqej shpesh pronarëve të shtëpisë. Pas fjalimit, ne thoshim: «Për t’u mbrojtur nga një armik i padukshëm, ne duhet të kapemi pas një miku, i cili është edhe ai i padukshëm. Jehovai është miku ynë më i madh dhe shumë më i fuqishëm, sesa armiku ynë, Satanai. Prandaj, për t’u mbrojtur prej tij, duhet të qëndrojmë afër Jehovait.» Pas kësaj, ofronim broshurën Mbrojtje, e cila jepte informacion të mëtejshëm.
Kisha më pak se një vit që shërbeja si pionier, kur më erdhi ftesa për të shërbyer si pionier special në kongregacionin Karioka, në Rio de Zhaneiro. Atje, u ndeshëm shpeshherë me një kundërshtim të fortë. Partneri im, Ivan Brener, njëherë u sulmua në kuptimin e vërtetë të fjalës nga pronari i një shtëpie. Fqinjët thirrën policinë dhe të gjithëve ne na morën në rajonin e policisë.
Gjatë marrjes në pyetje, pronari i tërbuar na akuzoi për prishje të qetësisë. Shefi i policisë e urdhëroi ta mbyllte gojën. Pastaj, shefi i policisë u kthye nga ne dhe me një zë të butë na tha se ishim të lirë të shkonim. Akuzuesin e mbajti dhe e fajësoi me akuzën për sulm. Situata si kjo i dhanë mbështetje besimit tim në Jehovain.
Shtrihet shërbimi i plotë kohor
Më 1 korrik 1949, më kaluan drithma nëpër trup, kur më ftuan për të shërbyer në Bethel, siç quhen mjediset kryesore të Dëshmitarëve të Jehovait në vend. Në atë kohë, Betheli i Brazilit gjendej në Rrugën Licínio Kardoso 330, në Rio de Zhaneiro. Atëherë, e gjithë familja Bethel përbëhej vetëm nga 17 veta. Për pak kohë, unë shkova në kongregacionin lokal Enzhenio de Dentro, por më pas, u caktova mbikëqyrës drejtues në të vetmin kongregacion, në Belfor Rokso, një qytet që gjendej disa kilometra larg nga Rio de Zhaneiro.
Fundjavët ishin shumë të zëna. Të shtunave unë udhëtoja me tren për në Belfor Rokso, shkoja pasdite në shërbimin në fushë dhe pastaj, në mbrëmje shkoja në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe në Mbledhjen e Shërbimit. E kaloja natën me vëllezërit dhe të nesërmen në mëngjes shkoja në shërbimin në fushë. Të dielën pasdite merrja pjesë në fjalimin publik të Biblës dhe në studimin e Kullës së Rojës dhe kthehesha në Bethel rreth orës nëntë e gjysmë të natës. Sot, në Belfor Rokso ka 18 kongregacione.
Në 1954-n, pas tre vjetësh e gjysmë me atë program, u caktova përsëri si mbikëqyrës drejtues në kongregacionin Sao Kristovao, në Rio de Zhaneiro. Për dhjetë vjetët e mëvonshëm shërbeva në atë kongregacion.
Caktimet e mia në Bethel
Caktimi im i parë në Bethel ishte ndërtimi i një garazhi për automjetin e vetëm të Shoqatës, një kamion Dodge 1949, të cilit i kishim vënë nofkën «çokollata», ngaqë kishte ngjyrë të kaftë. Kur përfundoi garazhi, më caktuan të punoja në kuzhinë, ku qëndrova tre vjet. Më pas, u transferova në Repartin e Shtypjeve të Vogla, ku qëndrova për më shumë se 40 vjet.
Shumë nga pajisjet që kishim për shtypje ishin të dorës së dytë. Për shembull, ne kishim për shumë vjet një shtypshkronjë të sheshtë, të cilën me dashuri e quanim Sara, sipas gruas së Abrahamit. Ajo ishte përdorur për shumë vite në fabrikën e selisë qendrore të Shoqatës Watch Tower në Bruklin, Nju Jork. Më pas, në 1950-n, u transportua në Brazil. Këtu, ashtu si gruaja e Abrahamit, në moshën e saj të shkuar, ajo jepte fryt në formën e revistave të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni!
Gjithmonë habitesha nga rritja në numrin e botimeve të nxjerra nga fabrika e shtypjes në Brazil. Gjatë gjithë vitit 1953, ne shtypëm 324.400 revista, por tani prodhohen më shumë se tre milionë çdo muaj!
Ndërtesat tona të Bethelit
Me kalimin e viteve, ishte emocionuese tek shihnim zgjerimin e ndërtesave tona të Bethelit, në Brazil. Në 1952-shin, pas shtëpisë Bethel në Rio de Zhaneiro ne ndërtuam një fabrikë dykatëshe. Më pas, në 1968-n, Betheli u transferua në një ndërtesë të re, në qytetin Sao Paulo. Kur u transferuam atje, çdo gjë dukej e bollshme për familjen tonë Bethel, të përbërë nga 42 anëtarë. Menduam vërtet se kjo ndërtesë do të shërbente për gjithë rritjen tonë në të ardhmen. Por, në vitin 1971, u ndërtuan dy shtesa pesëkatëshe dhe u ble një fabrikë ngjitur me to, u rimodelua dhe u lidh me këtë kompleks. Por brenda pak vitesh, rritja e vazhdueshme e lajmëtarëve të Mbretërisë, kërkonte më shumë vende: në 1975-n u kalua 100.000-shja.
Për këtë arsye, u ndërtua një kompleks i ri ndërtesash rreth 40 km larg nga Sao Paulo, afër qytetit të vogël Cezario Lanzh. Në 1980-n, familja jonë Bethel e përbërë nga 170 anëtarë, u transferua në këto ndërtesa të reja. Që atëherë, vepra e Mbretërisë është rritur në mënyrë energjike. Tani kemi më shumë se 410.000 lajmëtarë, që marrin pjesë rregullisht në veprën e predikimit që zhvillohet në Brazil. Për t’u kujdesur për nevojat frymore të të gjithë këtyre lajmëtarëve të Mbretërisë, na është dashur të vazhdonim ndërtimin e fabrikave të reja, për të shtypur literaturë biblike dhe të banesave të reja, për të strehuar vullnetarët bethelitë. Tani kemi rreth 1.100 anëtarë të familjes Bethel.
Privilegje të çmuara
Shërbimin në Bethel unë e quaj si një privilegj të çmuar. Kështu, edhe pse vitet e mëparshme kisha çuar nëpër mend që të martohesha përsëri, zgjodha të përqendrohesha plotësisht në privilegjet e mia në Bethel dhe në veprën e predikimit. Këtu kam pasur kënaqësinë që të shërbej përkrah shumë të rinjve në shtypshkronjë dhe t’i stërvis ata në caktimet e tyre. Jam përpjekur që të sillem me ta, sikur të ishin fëmijët e mi. Zelli dhe vetëmohimi i tyre kanë qenë për mua një burim, nga ku kam marrë shumë inkurajim.
Një privilegj tjetër ka qenë kënaqësia në shoqërinë e shokëve të shkëlqyer të dhomës përgjatë viteve. Është e vërtetë se ndryshimet në personalitet nganjëherë kanë paraqitur një sfidë. Megjithatë, kam mësuar të mos pres përsosmëri nga të tjerët. Jam përpjekur që të mos e bëj mizën buall apo që të mos më duket vetja tepër i rëndësishëm. Duke qeshur me gabimet e mia, kam mësuar si të duroj të tjerët.
Një privilegj tjetër ka qenë për mua fakti që kam mundur të marr pjesë në kongreset e mëdha ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara. Një prej këtyre ishte Asambleja «Lajmi i mirë i përhershëm», e cila u mbajt në 1963-shin, në stadiumin Janki, Nju Jork dhe tjetër ishte Asambleja Ndërkombëtare «Paqe në tokë», e cila u mbajt në po atë vend, në 1969-n. Gjatë kohës që isha atje, pata gëzimin të vizitoja selinë botërore fqinjë të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju Jork.
Gjithashtu, ishte privilegj për mua që për dhjetë vjet të merrja pjesë së bashku me pleqtë e tjerë, për drejtimin e adhurimit të mëngjesit në familjen Bethel. Sidoqoftë, privilegji më i madh, ai që më ka sjellë gëzim dhe inkurajim të madh, është privilegji i dhënies së mesazhit të Mbretërisë personave me zemër të ndershme, ashtu siç bëri Mësuesi ynë, Jezu Krishti.
Vitet e fundit kam përballuar sfidën e jetës me sëmundjen Parkinson. Kujdesi i dashur i vëllezërve dhe i motrave në infermierinë e Bethelit ka qenë për mua një burim ndihme dhe ngushëllimi i vazhdueshëm. Me besim të plotë, lutem që Jehovai të mund të më japë forcë për të vazhduar, duke bërë aq sa mundem në mbështetje të adhurimit të tij të vërtetë.
[Figura në faqen 23]
Bashkë me gruan time, e cila vdiq në 1945-n
[Figurat në faqen 23]
Dega e Brazilit, në të cilën jetoj tani