DORKA
[gazelë].
E krishterë në kongregacionin e Jopës, e cila «bënte plot vepra të mira dhe jepte lëmoshë me bollëk», ndër të tjera edhe rroba e veshje për vejushat në nevojë, të cilat i bënte vetë. (Ve 9:36, 39) «Dorka» përkon me emrin aramaik «Tabita» dhe të dy termat përkthehen «gazelë». Ka mundësi që ajo njihej me të dy emrat, pasi asokohe nuk ishte e pazakontë që judenjtë të mbanin një emër hebraik dhe një grek ose latin, sidomos ata që jetonin në një qytet-port si Jopa, ku popullsia përbëhej nga judenj e jojudenj. Ose, Luka mund ta ketë përkthyer emrin e saj për dobinë e lexuesve jojudenj. Dorka është e vetmja grua që në Shkrime përmendet si «dishepulle», pra në trajtën femërore. Megjithatë, kjo s’do të thotë se ajo zinte një vend të veçantë në kongregacion, pasi të gjithë të krishterët ishin dishepuj të Jezu Krishtit. (Mt 28:19, 20) Mendohet se në kohën kur vdiq (në vitin 36 të e.s.), Dorka nuk ishte e martuar, pasi në Shkrime nuk flitet për një bashkëshort që mbante zi, ndërkohë që vejushat që ajo kishte ndihmuar me aq dashamirësi ishin hidhëruar shumë.
Pasi vdiq, dishepujt në Jopë e përgatitën për varrim dhe, kur mësuan se Pjetri ishte në Lidë, rreth 18 km në juglindje të Jopës, dërguan njerëz që ta thërritnin. Me siguri kishin dëgjuar që atje ai kishte shëruar Enean e paralizuar, dhe kjo mund t’i ketë shtyrë të mendonin se apostulli mund ta ringjallte Dorkën. Ose mund t’i kenë kërkuar të shkonte në Jopë thjesht që t’i ngushëllonte.—Ve 9:32-38.
Duke bërë pak a shumë siç kishte bërë Jezui kur kishte ringjallur të bijën e Jairit (Mr 5:38-41; Lu 8:51-55), Pjetri i nxori të gjithë nga dhoma, u lut dhe tha: «Tabita, ngrihu!» Dorka hapi sytë, u ngrit ndenjur dhe kapi dorën e Pjetrit për t’u çuar në këmbë. Kjo është dokumentuar si ringjallja e parë e kryer nga një apostull dhe, pas kësaj, në mbarë Jopën u bënë shumë besimtarë.—Ve 9:39-42.