MËSIMI 56
Të ruajmë unitetin në kongregacion
Kur jemi me vëllezërit e motrat, provojmë të njëjtat ndjenja si mbreti David, që tha: «Oh, sa mirë dhe sa bukur është kur vëllezërit banojnë së bashku në unitet!» (Psalmi 133:1) Uniteti ynë nuk vjen vetvetiu. Gjithsecili prej nesh bën pjesën e vet për ta ruajtur.
1. Çfarë ka të veçantë populli i Perëndisë?
Nëse ndjek një mbledhje kongregacioni në një vend tjetër, edhe nëse nuk e kupton gjuhën, përsëri ndihesh si në shtëpinë tënde. Pse? Sepse, kudo në botë, përdorim të njëjtat botime për të studiuar Biblën. Gjithashtu bëjmë çmos të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin. Pavarësisht se ku jetojmë, të gjithë ‘thërrasim emrin e Jehovait dhe e adhurojmë në unitet’.—Sofonia 3:9, shënimi.
2. Si të bëjmë pjesën tonë për të ruajtur unitetin?
«Kini për njëri-tjetrin dashuri të zjarrtë nga zemra.» (1 Pjetrit 1:22) Si mund ta zbatosh këtë këshillë? Mos u përqendro te papërsosmëritë e të tjerëve, por përpiqu të vëresh cilësitë e tyre të mira. Në vend se të shoqërohesh vetëm me njerëz me të cilët ke interesa të përbashkëta, përpiqu të njihesh me vëllezër e motra që kanë formime të ndryshme. Veç kësaj, të gjithë duhet të punojmë fort që të çrrënjosim çdo ndjenjë paragjykimi që mund të kemi.—Lexo 1 Pjetrit 2:17.a
3. Ç’duhet të bësh kur ke një mosmarrëveshje me dikë në kongregacion?
Vërtet jemi në unitet me vëllezërit e motrat, por jemi edhe të papërsosur. Ndonjëherë e zhgënjejmë ose e lëndojmë njëri-tjetrin. Ja pse Fjala e Perëndisë na thotë: «Vazhdoni . . . të falni bujarisht njëri-tjetrin.» Më pas shton: «Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.» (Lexo Kolosianëve 3:13.) Kushedi sa herë e kemi lënduar Jehovain dhe përsëri ai na ka falur. Prandaj, ai pret që edhe ne ta falim njëri-tjetrin. Nëse kupton se ke lënduar dikë, merr iniciativën që të bësh paqe.—Lexo Mateun 5:23, 24.b
SHQYRTO MË TEJ
Shiko si mund të bësh pjesën tënde për të ruajtur paqen dhe unitetin në kongregacion.
Po ti, çfarë do të bësh për hir të paqes?
4. Hidhi poshtë paragjykimet
Dëshira jonë është që t’i duam të gjithë vëllezërit e motrat. Por ndonjëherë e kemi të vështirë të pranojmë dikë që mund të duket ndryshe nga ne. Çfarë mund të na ndihmojë? Lexoni Veprat 10:34, 35 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Jehovai pranon si Dëshmitarë të tij njerëz të çdo lloji. Si duhet të ndikojë kjo te pikëpamja që duhet të kesh për njerëzit që janë ndryshe nga ti?
Çfarë paragjykimesh kanë njerëzit në vendin tënd? Pse duhet t’i shmangësh?
Lexoni 2 Korintasve 6:11-13 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Si mund të afrohesh më shumë me vëllezërit e motrat, pavarësisht nga formimi ose prejardhja që kanë?
5. Fal bujarisht dhe bëj paqe
Jehovai na fal bujarisht, edhe pse ai kurrë nuk do të ketë nevojë për faljen tonë. Lexoni Psalmin 86:5 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Sa bujar është Jehovai kur fal?
Pse je mirënjohës për faljen e Jehovait?
Cilat situata mund të na e bëjnë të vështirë të shkojmë mirë me të tjerët?
Si mund të imitojmë Jehovain dhe të ruajmë unitetin me vëllezërit e motrat? Lexoni Proverbat 19:11 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Kur dikush të mërzit ose të fyen, çfarë mund të bësh për t’i zgjidhur gjërat?
Ndonjëherë edhe ne i fyejmë të tjerët. Çfarë duhet të bëjmë në raste të tilla? Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.
Si veproi motra në video për të bërë paqe?
6. Përqendrohu te cilësitë e mira të vëllezërve e motrave
Kur i njohim më nga afër vëllezërit e motrat, dallojmë si cilësitë e mira, edhe të metat e tyre. Si të përqendrohemi te cilësitë e tyre të mira? Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.
Ç’mund të të ndihmojë të dallosh cilësitë e mira të vëllezërve e motrave?
Jehovai përqendrohet te cilësitë tona të mira. Lexoni 2 Kronikave 16:9a dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Si të bën të ndihesh fakti që Jehovai përqendrohet te cilësitë e tua të mira?
Edhe një diamant i bukur ka defekte, por përsëri ka vlerë. Po kështu, edhe pse vëllezërit e motrat kanë të meta, prapëseprapë janë të çmuar për Jehovain
DISA THONË: «Pse ta fal kur s’e meriton?!»
Pse duhet të jemi të gatshëm t’i falim të tjerët?
PËRMBLEDHJE
Mund të bësh pjesën tënde për të ruajtur unitetin në kongregacion, kur fal dhe tregon dashuri për të gjithë vëllezërit e motrat.
Si do të përgjigjeshe?
Si mund t’i hedhësh poshtë paragjykimet?
Ç’duhet të bësh nëse ke një mosmarrëveshje me dikë në kongregacion?
Pse dëshiron të imitosh mënyrën si fal Jehovai?
EKSPLORO
Shiko se si të ndihmon një nga ilustrimet e Jezuit që të mos i gjykosh të tjerët.
A duhet të kërkojmë falje edhe kur mendojmë se s’kemi bërë asnjë gabim?
«Të kërkosh falje—Një çelës për të bërë paqe» (Kulla e Rojës, 1 nëntor 2002)
Shiko si kanë mësuar disa t’i trajtojnë të tjerët me paanshmëri.
Shqyrto si të zgjidhësh mosmarrëveshjet që mund të kesh me dikë para se të prishin paqen në kongregacion.
«Zgjidhi mosmarrëveshjet me frymë dashurie» (Kulla e Rojës, maj 2016)