BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • be f. 66-f. 70 par. 3
  • Të dish si të përgjigjesh

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të dish si të përgjigjesh
  • Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Dallo pikëpamjen e atij që bën pyetjen
  • Ç’mendon për Shkrimet ai që bën pyetjen?
  • «Gjithnjë me hir»
  • Vendimet personale dhe çështjet e ndërgjegjes
  • Komentet në mbledhjet e kongregacionit
  • Si të bësh komente të mira
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2016
  • Si do të përgjigjesh?
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2009
  • T’i japim zemër njëri-tjetrit në mbledhje
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2023 (Për studim)
  • Lëvdo Jehovain në kongregacion
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
Shih më tepër
Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
be f. 66-f. 70 par. 3

Të dish si të përgjigjesh

DISA pyetje janë si ajsbergë. Pjesa më e madhe është e fshehur poshtë sipërfaqes. Shpesh ajo që qëndron pas pyetjes është më e rëndësishme se vetë pyetja.

Edhe kur ai që bën pyetjen mezi po e pret përgjigjen, të dish si të përgjigjesh mund të nënkuptojë të dallosh se sa informacion duhet të zbulosh dhe nga ç’këndvështrim ta trajtosh çështjen. (Gjoni 16:12) Në disa raste, siç u tregoi Jezui apostujve, një njeri mund të kërkojë informacion që nuk i takon ta dijë ose që nuk do t’i sillte vërtet dobi.​—Vep. 1:6, 7.

Shkrimet na këshillojnë: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir, e ndrequr me kripë, në mënyrë që të dini se si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit.» (Kolos. 4:6) Kështu, para se të përgjigjemi, duhet të mendojmë jo vetëm se çfarë do të themi, por edhe si do ta themi.

Dallo pikëpamjen e atij që bën pyetjen

Saducenjtë u përpoqën ta zinin në grackë Jezuin me një pyetje për ringjalljen e një gruaje që kishte qenë e martuar disa herë. Mirëpo Jezui e dinte se ata nuk e besonin në të vërtetë ringjalljen. Kështu, iu përgjigj pyetjes së tyre duke mbajtur parasysh pikëpamjen e gabuar që qëndronte pas asaj pyetjeje. Duke përdorur një arsyetim mjeshtëror dhe një tregim biblik të njohur, Jezui nxori në pah diçka që ata nuk e kishin marrë në shqyrtim kurrë më parë​—dëshmi të qarta se Perëndia ka për t’i ringjallur me të vërtetë të vdekurit. Përgjigja e tij i habiti kaq shumë kundërshtarët, saqë kishin frikë ta pyetnin më tej.​—Luka 20:27-40.

Që të dish si të përgjigjesh, edhe ti po ashtu duhet të dallosh pikëpamjet dhe interesat e atyre që të pyesin. Për shembull, një shok shkolle ose pune mund të të pyesë përse nuk i feston Krishtlindjet. Pse po të pyet? A i intereson me të vërtetë arsyeja apo thjesht do të dijë nëse të lejohet të argëtohesh? Për ta zbuluar këtë, mund të të duhet ta pyesësh se çfarë e shtyu të bënte këtë pyetje. Pastaj përgjigjju në varësi të asaj që të thotë. Gjithashtu, mund ta shfrytëzosh rastin edhe për të treguar se si na mbron ndjekja e udhëzimeve të Biblës nga ato veçori të festave që janë bërë të bezdisshme dhe një barrë për njerëzit.

Ta zëmë se të kanë ftuar të flasësh për Dëshmitarët e Jehovait para një grupi nxënësish. Pasi të kesh mbaruar së foluri, mund të të bëjnë pyetje. Në qoftë se duken pyetje të çiltra, përgjigjet më të mira janë ato të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Nëse pyetjet pasqyrojnë paragjykime të asaj zone, mund të jetë më mirë t’u paraprish përgjigjeve me disa komente të shkurtra rreth asaj që modelon pikëpamjet e njerëzve për këto çështje dhe rreth arsyeve pse Dëshmitarët e Jehovait zgjedhin të ndjekin normat biblike. Shpesh është e dobishme që këto pyetje të mos i shohësh si sfidë, edhe pse mund të jenë bërë në atë mënyrë, por si çështje që u interesojnë atyre që po dëgjojnë. Përgjigjja jote do të të japë mundësi të zgjerosh pikëpamjen e dëgjuesve të tu, t’u sigurosh informacion të saktë dhe t’u shpjegosh bazën biblike të bindjeve tona.

Si do t’i përgjigjeshe punëdhënësit që nuk dëshiron të të japë leje për të ndjekur një kongres? Së pari, shqyrtoji gjërat nga pikëpamja e tij. A mund të të ndihmojë t’i propozosh që të punosh jashtë orarit një herë tjetër? A do të ndryshonte gjë po t’i shpjegoje që udhëzimet e dhëna në kongreset tona na ndihmojnë të jemi punëtorë të ndershëm e të besueshëm? Nëse i tregon se po merr parasysh interesat e tij, ka të ngjarë që edhe ai ta kuptojë se çfarë është e rëndësishme në jetën tënde dhe ta marrë parasysh këtë. Por, ç’të themi nëse të kërkon të bësh diçka të pandershme? Një mospranim i thënë prerazi dhe i shoqëruar me një mendim nga Shkrimet do të qartësonte qëndrimin tënd. Por, a mund të jetë më mirë që së pari të arsyetosh me të, duke i thënë se dikush që është gati të gënjejë ose të vjedhë për të, nesër mund të gënjejë e të vjedhë edhe atë vetë?

Nga ana tjetër, ndoshta je student në shkollë dhe nuk dëshiron të marrësh pjesë në disa veprimtari jobiblike që zhvillohen aty. Mbaj në mend se ka mundësi që mësuesi të mos ketë të njëjtat pikëpamje si ti dhe se ka përgjegjësinë për të mbajtur rregullin në klasë. Sfidat që duhet të përballosh janë: (1) të kesh parasysh se çfarë e shqetëson mësuesin, (2) t’ia shpjegosh me respekt qëndrimin tënd dhe (3) të jesh i vendosur për të bërë atë që e di se do t’i pëlqejë Jehovait. Për të arritur rezultatet më të mira, mund të mos mjaftojë vetëm pohimi i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë i asaj që beson. (Prov. 15:28) Në qoftë se je i ri në moshë, pa dyshim që babai dhe nëna jote do të të ndihmojnë të përgatitësh diçka për të thënë.

Ndonjëherë mund të të kërkohet të hedhësh poshtë akuza që janë ngritur kundër teje nga dikush me autoritet. Një punonjës policie, një nëpunës i qeverisë ose një gjykatës mund të të kërkojë t’u përgjigjesh pyetjeve për sa i përket zbatimit të një ligji të caktuar, asnjanësisë së krishterë ose qëndrimit tënd lidhur me pjesëmarrjen në ceremonitë patriotike. Si duhet të përgjigjesh? «Me frymë butësie dhe respekt të thellë»,​—këshillon Bibla. (1 Pjet. 3:15) Gjithashtu, pyet veten përse këto çështje ngjallin shqetësim dhe me respekt tregoju se e kupton këtë gjë. Po pastaj? Apostulli Pavël foli për të drejtat e garantuara nga ligji romak, prandaj edhe ti mund të përmendësh të drejtat ligjore që zbatohen në rastin tënd. (Vep. 22:25-29) Ndoshta disa fakte rreth qëndrimit të të krishterëve të hershëm dhe të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën mund ta zgjerojnë këndvështrimin e atij personi me autoritet. Ose mund t’i tregosh se si pranimi i autoritetit të Perëndisë, në të vërtetë i nxit njerëzit të jenë më të bindur ndaj ligjeve të përshtatshme të bëra nga njerëzit. (Rom. 13:1-14) Pasi të kesh dhënë këto informacione, pohimi i arsyeve biblike për qëndrimin tënd mund të pritet mirë.

Ç’mendon për Shkrimet ai që bën pyetjen?

Kur të vendosësh si të përgjigjesh, mund të të duhet të mendosh edhe se ç’pikëpamje ka për Shkrimet e Shenjta ai që të bën pyetjen. Jezui veproi kështu kur iu përgjigj pyetjes së saducenjve për ringjalljen. Duke e ditur që ata pranonin vetëm shkrimet e Moisiut, ai arsyetoi lidhur me një tregim që gjendet në Pentateuk, duke u paraprirë komenteve të tij me fjalët: «Por që të vdekurit ngrihen e bëri të ditur edhe Moisiu.» (Luka 20:37) Po ashtu, edhe në rastin tënd mund të jetë e dobishme të citosh nga ato pjesë të Biblës që dëgjuesi yt i pranon dhe i njeh mirë.

Po sikur dëgjuesi yt të mos e pranojë autoritetin e Biblës? Vër re se çfarë bëri apostulli Pavël në fjalimin që mbajti në Areopag, siç tregohet te Veprat 17:22-31. Ai u tregoi të tjerëve të vërteta biblike pa i cituar drejtpërdrejt nga Bibla. Kur është e nevojshme, edhe ti mund të bësh të njëjtën gjë. Në disa vende mund të të duhet të zhvillosh disa biseda me dikë përpara se t’i referohesh drejtpërdrejt Biblës. Kur më pas t’i paraqesësh Biblën, mund të jetë e mençur që fillimisht të tregosh vetëm disa arsye pse ia vlen ta shqyrtojmë, në vend që të pohosh me bindje se është Fjala e Perëndisë. Megjithatë, synimi duhet të jetë që të japësh dëshmi të qartë për qëllimin e Perëndisë dhe që me kalimin e kohës ta lësh dëgjuesin të shohë vetë se çfarë thotë Bibla. Bibla është shumë më tepër bindëse se çdo gjë tjetër që mund të themi ne vetë.​—Hebr. 4:12.

«Gjithnjë me hir»

Sa e përshtatshme është që shërbëtorëve të Jehovait, i cili është vetë hirmadh, u bëhet nxitja që fjala e tyre të jetë «gjithnjë me hir, e ndrequr me kripë»! (Kolos. 4:6; Dal. 34:6) Kjo do të thotë që duhet të flasim me mirësjellje, edhe kur na duket se ata të cilëve u drejtohemi nuk e meritojnë. Të folurit tonë duhet të jetë i këndshëm dhe jo i vrazhdë ose pa takt.

Shumë njerëz gjenden nën presion të jashtëzakonshëm dhe çdo ditë i nënshtrohen keqtrajtimit gojor. Kur shkojmë në shtëpitë e tyre, mund të na flasin vrazhdë. Si duhet të reagojmë? Bibla thotë: «Përgjigja, kur është e butë, largon tërbimin.» Një përgjigje e tillë mund të zbutë edhe dikë që ka pikëpamje të kundërt. (Prov. 15:1; 25:15) Njerëzit që çdo ditë ndeshen me sjellje të vrazhdë, mund t’i tërheqë kaq shumë sjellja dhe të folurit që pasqyron mirësi, saqë mund ta dëgjojnë lajmin e mirë që u çojmë.

Neve nuk na intereson të debatojmë me individë që nuk tregojnë respekt për të vërtetën. Dëshira jonë është që të arsyetojmë duke përdorur Shkrimet me njerëzit që na lejojnë ta bëjmë këtë. Pavarësisht nga rrethanat që hasim, nuk harrojmë se duhet të përgjigjemi me mirësjellje dhe duke qenë të bindur që premtimet e çmuara të Perëndisë janë të besueshme.​—1 Sel. 1:5.

Vendimet personale dhe çështjet e ndërgjegjes

Si duhet të përgjigjesh kur ndonjë student i Biblës ose bashkëbesimtar të pyet se ç’duhet të bëjë në një rrethanë të caktuar? Ti mund ta dish se ç’do të bëje personalisht. Por, secili duhet të mbajë përgjegjësi vetë për vendimet që merr në jetë. (Gal. 6:5) Apostulli Pavël shpjegoi se i nxiste njerëzit të cilëve u predikonte që të kishin ‘bindje me anë të besimit’. (Rom. 16:26) Ky është shembull i shkëlqyer për ne. Dikush që merr vendime kryesisht për t’i pëlqyer atij që po i mëson Biblën ose ndonjë tjetri në të vërtetë po u shërben njerëzve, nuk po jeton sipas besimit. (Gal. 1:10) Prandaj përgjigjja e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë mund të mos jetë në të mirën e atij që po bën pyetjen.

Atëherë, si mund të përgjigjesh në një mënyrë që është në përputhje me udhëzimet e Biblës? Mund ta drejtosh vëmendjen te parime të përshtatshme të Biblës dhe te shembuj që gjenden në të. Në disa raste, mund t’i tregosh si të bëjë kërkime, që t’i gjejë vetë këto parime dhe shembuj. Madje, mund të diskutoni bashkë parimet dhe vlerën e shembujve, por pa treguar se si zbatohen për rrethanën në fjalë. Pyete personin nëse shikon në to ndonjë gjë që mund ta ndihmojë të marrë një vendim të mençur. Nxite të shqyrtojë nën dritën e këtyre parimeve dhe shembujve se cili drejtim do t’i pëlqente Jehovait. Me këtë po e ndihmon që të ‘stërvitë aftësitë perceptuese për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’.​—Hebr. 5:14.

Komentet në mbledhjet e kongregacionit

Mbledhjet e kongregacionit të krishterë shpesh japin mundësi që ne të shprehim para të tjerëve besimin tonë. Një mënyrë në të cilën e bëjmë këtë është duke komentuar pasi bëhen pyetjet. Si duhet të komentojmë? Me dëshirën për të bekuar ose për të lëvduar Jehovain. Këtë gjë bëri psalmisti David kur ishte «mes turmave të mbledhura». (Psal. 26:12) Gjithashtu, duhet të komentojmë në një mënyrë që u jep zemër bashkëbesimtarëve, duke i nxitur «për dashuri dhe vepra të shkëlqyera», siç bëri thirrje apostulli Pavël. (Hebr. 10:23-25) Studimi i materialeve që më përpara mund të na ndihmojë ta arrijmë këtë.

Kur të jepet fjala për të komentuar, fol thjesht, qartë dhe shkurt. Mos komento për të gjithë paragrafin; fol vetëm për një pikë. Nëse jep vetëm një pjesë të përgjigjes, kjo do t’u japë mundësi të tjerëve të bëjnë komente të mëtejshme. Është veçanërisht e dobishme të theksohen shkrimet e cituara në material. Kur e bën këtë, përpiqu ta tërheqësh vëmendjen tek ajo pjesë e shkrimit që ka lidhje me pikën që po shqyrtohet. Mëso të komentosh me fjalët e tua dhe jo të lexosh drejtpërdrejt nga paragrafi. Mos u shqetëso nëse komenti që bën nuk del tamam ashtu siç duhet. Kjo i ndodh nganjëherë kujtdo që komenton.

Pra, është e qartë se të dish si të përgjigjesh përfshin më tepër se vetëm të dish vetë përgjigjen. Kërkohet aftësi dalluese. Por sa e kënaqshme është një përgjigje që del nga zemra dhe prek zemrën e të tjerëve!​—Prov. 15:23.

PARA SE TË PËRGJIGJESH, MENDO

  • Pse u bë pyetja?

  • Cili themel duhet hedhur që përgjigja të kuptohet siç duhet?

  • Si ta shpjegosh pikëpamjen tënde duke treguar se mban parasysh çfarë e shqetëson kaq shumë personin tjetër?

  • Si të flasësh me mirësjellje dhe me bindje?

  • A duhet të përgjigjesh drejtpërdrejt apo duhet të japësh parime e shembuj nga Bibla që do ta ndihmojnë personin tjetër të vendosë vetë se ç’duhet të bëjë?

SI TË KOMENTOSH NË MBLEDHJE?

  • Nëse je i pari që të jepet fjala, jep përgjigje të thjeshtë e të drejtpërdrejtë për pyetjen

  • Për të bërë ndonjë koment shtesë: (1) trego si lidhet një shkrim i cituar me pikën që po shqyrtohet, (2) përmend si ndikon çështja në jetën tonë, (3) shpjego si mund të përdoret informacioni ose (4) trego një përvojë të shkurtër që nxjerr në pah një pikë kryesore

  • Dëgjoji me kujdes komentet e të tjerëve që t’i përdorësh si themel për të vazhduar me komentin tënd

  • Përpiqu të komentosh me fjalët e tua

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo