Të mbajmë unitetin tonë të Mbretërisë
1 Mbretëria e Perëndisë është një qeveri e vërtetë, me fuqi dhe autoritet. Ajo ishte tema e predikimit të Jezuit. (Mat. 4:17) Mësimi i të tjerëve dhe dhënia e dëshmisë për të vërtetën e Mbretërisë ishte pjesa kryesore e shërbimit të Jezuit. Ai na mësoi të lutemi për Mbretërinë dhe të vazhdojmë ta kërkojmë atë në radhë të parë. (Mat. 6:9, 10, 33) Duke qëndruar afër Jehovait dhe organizatës së tij, duke kryer detyrën tonë të predikimit dhe duke qëndruar të ndarë nga bota jemi në gjendje të mbajmë unitetin e Mbretërisë. Me veprimet dhe fjalët tona, tregojmë se jemi në anën e Mbretërisë.—Gjoni 18:37.
2 Që nga viti 1914, Mbretëria u bë një realitet për miliona nënshtetas. Uniteti i treguar nga këta nënshtetas të Mbretërisë qëndron në kontrast të plotë me botën e ndarë. Ne duhet ta bëjmë Mbretërinë një realitet në jetën tonë nëse duam që të jetë për ne një forcë bashkuese. Çfarë e bën atë diçka reale për ne?
3 Ashtu si qeveritë e tjera, Mbretëria ka një seri ligjesh. Megjithatë, ajo ndryshon në atë se ligjet e saj janë nga Bibla. Leximi i rregullt i Fjalës së Perëndisë na jep kujtesën e nevojshme të asaj që kërkohet nga ne si nënshtetas të Mbretërisë. Studimi personal i botimeve tona dhe drejtimi nga «skllavi besnik dhe i matur» na ndihmon të aplikojmë ligjet e Perëndisë në jetën tonë të përditshme. (Mat. 24:45) Ndërsa bëjmë një aplikim të tillë personal, Mbretëria bëhet gjithnjë e më reale për ne, duke na bashkuar më afër në vëllazërinë ndërkombëtare dhe na bën një familje të bashkuar adhuruesish nën sundimin e Jezuit.
4 Të bashkuar përmes predikimit të Mbretërisë: Detyra jonë është që të predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë «deri në skajin e dheut». (Vep. 1:8) Predikimi «me një mendje të vetme» na bashkon, ndërsa përpiqemi për të «përlëvduar» Jehovain. (Rom. 15:5, 6) Pjesëmarrja jonë e zellshme me bashkëpunëtorët tanë në mbarë tokën forcon besimin tonë dhe lejon frymën e Jehovait të veprojë përmes nesh për të kryer vullnetin e tij. «Duke pasur shumë për të bërë në veprën e Zotërisë» bëhemi «të vendosur dhe të patundur».—1. Kor. 15:58, BR.
5 Në shumë vende Satanai përpiqet ta shkatërrojë unitetin tonë, duke ndërhyrë në veprën e predikimit. Ai përdor çdo mjet në dispozicion të tij për të përhapur grindje dhe për të krijuar mosmarrëveshje, përpiqet për të krijuar zënka dhe konflikte. (Prov. 6:19; Gal. 5:19-21, 26) Ai do të dëshironte të na përfshinte në debatet e botës si edhe për të përkrahur çështjet politike dhe shoqërore. (Jak. 3:14, 16) Shkrimet na këshillojnë që t’i rezistojmë ndikimit të tij, përndryshe ai do të na përlajë si prenë e tij. (1. Pjetr. 5:8, 9) Realiteti i shpresës së Mbretërisë nuk duhet lejuar që të zbehet në zemrën dhe mendjen tonë.
6 Mbajtja e unitetit tonë kërkon mendje të shëndoshë dhe mençuri nga lart. Kur lindin vështirësi, veçanërisht nëse ato përfshijnë vëllezërit tanë, ne duhet të tregojmë frytet e frymës dhe të ruajmë paqen. Tiparet e botës, të tilla si krenaria, smira dhe egoizmi janë ndarëse dhe duhet të mposhten. (Efes. 4:1-3; Kolos. 3:5-10, 12-14) Duhet ta mbajmë mendjen tonë të mbushur me mendime pozitive dhe ndërtuese. Mbretëria është një realitet në jetën tonë! Por duhet të jemi vigjilentë për të qëndruar në këtë rrugë!—Efes. 6:11, 13.
7 Realiteti i shpresës së mrekullueshme të Mbretërisë na bashkon në një frymë unike që nuk do të mbarojë kurrë.—Psal. 133:1.