A po qëndroni zgjuar duke shmangur shpërqendrimet?
1 Jezui dha një paralajmërim: «Rrini zgjuar, . . . që të mund të ikni» në gjëmën që me siguri do të vijë. (Luka 21:36) Ne po jetojmë në kohët më të rrezikshme të historisë njerëzore. Shkatërrimi i pret ata të cilët i hapin rrugë dremitjes frymore. Kjo paraqet një rrezik për secilin nga ne. Jezui përmendi të ngrënët, të pirët dhe ankthet e jetës së përditshme. Përse? Sepse edhe këto gjëra mund të na shqetësojnë, të bëhen shpërqendrime dhe të na shtyjnë drejt dremitjes frymore.
2 Shpërqendrimet e zakonshme: Disa janë të shqetësuar pas dëfrimeve të tepërta ose të diskutueshme, duke u bërë madje të dhënë pas televizorit. Natyrisht, të kërkosh më parë Mbretërinë nuk do të thotë se duhet të shmangim çdo lloj zbavitjeje. Kur përdorim arsyetueshmëri dhe maturi, dëfrimi mund të jetë i dobishëm. (Krahaso 1. Timoteut 4:8.) Por është një shpërqendrim, kur ajo bëhet një pjesë shumë e rëndësishme në jetën tonë duke marrë shumë nga koha jonë, forcat tona apo pjesëmarrja jonë në veprën e predikimit të Mbretërisë.
3 Një shpërqendrim tjetër i zakonshëm që shkakton dremitje frymore është dëshira për gjëra materiale të panevojshme. Kjo kërkon që një person të harxhojë shumë kohë në punë dhe të bëjë që të lihen pas dore synimet frymore. Disa i kanë humbur nga pamja synimet frymore duke u zgjeruar në fitimin e të mirave materiale me qëllimin për të arritur një mënyrë jetese më të rehatshme. Edhe pse kemi nevojë që «të hamë dhe të vishemi», ne duhet të mbrohemi kundër zhvillimit të një dashurie për para, e cila mund të na largojë nga besimi. (1. Tim. 6:8-10) Duke mos i mbajtur sytë tanë të përqendruar ndaj interesave të Mbretërisë mund të bëhemi të pakujdesshëm në mbajtjen e nevojave frymore të familjes dhe të dështojmë në kryerjen e shërbimit tonë.—1. Tim. 5:8; 2. Tim. 4:5.
4 Të tjerë akoma lejojnë që ‘zemrat e tyre të rëndohen me ankthet e jetës’ deri në atë shkallë saqë bien në gjumë frymësisht. (Luka 21:34, BR) Disa herë, provohet ankth për shkak të problemeve shëndetësore ose situatave të mjerueshme familjare. Por çështje të tilla personale nuk duhet të lejohen që të zvogëlojnë dijeninë tonë se fundi i këtij sistemi gjërash po afron me të shpejtë.—Mar. 13:33.
5 Asgjë nuk do ta kënaqë djallin më shumë se sa të arrijë të na vërë në një gjendje gjumi, duke ndjekur pastaj ndonjë fantazi botërore. Ne duhet të luftojmë që të rrimë zgjuar frymësisht. E dimë se «dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën» dhe është jetësore që ne «të rrimë zgjuar dhe të jemi esëll». (1. Sel. 5:2, 6) Nëse vërejmë shenja dremitjeje tek vetja, është urgjente që ‘të flakim veprat e errësirës’.—Rom. 13:11-13.
6 Ndihma për të qëndruar zgjuar: Cilat janë këto ndihma? Lutja është thelbësore. Ne duhet të lutemi vazhdimisht. (1. Sel. 5:17) Afërsia me kongregacionin e krishterë do të ‘na nxitë për dashuri dhe vepra të mira’. (Hebr. 10:24) Një shqyrtim i rregullt dhe i ndershëm i vetvetes mund të na ndihmojë të rrimë zgjuar për nevojën që kemi për të mposhtur dobësitë. (2. Kor. 13:5) Shprehitë e mira për studimin personal do të na mbajnë «të ushqyer me fjalët e besimit». (1. Tim. 4:6) Nëse jemi të zellshëm, mund të kemi besim se do të mund t’i shmangim shpërqendrimet, ‘të rrimë zgjuar dhe të qëndrojmë të palëkundshëm në besim’.—1. Kor. 16:13.