Imito Jehovain, duke treguar kujdes të vërtetë për të tjerët
1 Jehovai është shembulli më i madh i atij që shfaq kujdes të vërtetë për të tjerët. Si Sovrani Universal, ai është i ndjeshëm ndaj nevojave të krijimit të tij njerëzor. (1. Pjet. 5:7) Jezui i inkurajoi ithtarët e vet që të shfaqnin veçoritë e Atit të tij, i cili e bën diellin të ngrihet dhe shiun të bjerë mbi të drejtët dhe të padrejtët. (Mat. 5:45) Mund të imitosh Jehovain, duke treguar kujdes të vërtetë për të tjerët, duke u përgatitur për t’i ndarë lajmin e mirë të Mbretërisë kujtdo që takon. Duke njohur mirë broshurat që do të përdoren në shërbim gjatë korrikut, do të kesh mundësinë për t’u dhënë të tjerëve ndihmë frymore. Sugjerimet e mëposhtme japin disa ide mbi mënyrën se si të përgatitesh për vizitën e parë dhe më pas, të ndjekësh interesin me rivizita në kohën e përshtatshme.
2 Kur ofrojmë broshurën «A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne?», mund të thuash:
◼ «A e keni pyetur ndonjëherë veten përse Perëndia lejon që njerëzit të vuajnë, nëse me të vërtetë ai kujdeset për ta? [Lëre të përgjigjet.] Në këtë broshurë jo vetëm që mund të gjesh përgjigjen e kënaqshme për këtë pyetje, por do të mësosh se Perëndia ka premtuar të rregullojë të gjitha dëmet që njeriu i ka bërë vetes dhe kësaj shtëpie tokësore.» Lexo paragrafin 23 në faqen 27. Trego ilustrimin poshtë tij dhe lexo Psalmin 145:16 nga paragrafi 22. Ofro broshurën. Nëse ajo pranohet, bëji një pyejte, së cilës mund t’i përgjigjesh gjatë vizitës së ardhshme, si «A do të donit të dinit se si do ta plotësojë Perëndia qëllimin e tij për t’i sjellë bekime njerëzimit dhe për ta transformuar tokën në një parajsë?» Sigurohu që të përmendësh se vepra jonë ndërkombëtare mbështetet me kontribute vullnetare.
3 Kur kthehesh përsëri tek personat, të cilëve u ke lënë broshurën «A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne?», mund të fillosh një bisedë tjetër në këtë mënyrë:
◼ «Kur ju vizitova herën e fundit, shqyrtuam se Perëndia kujdeset me të vërtetë për ne dhe se ai ka për qëllim të rregullojë të gjitha dëmet që njeriu i ka bërë vetes dhe shtëpisë së tij tokësore.» Hape broshurën në ilustrimin e faqes 2-3 dhe thuaj: «E lamë bisedën tek pyetja: Si do ta plotësojë Perëndia qëllimin e tij për të sjellë bekime mbi njerëzimin dhe për ta transformuar tokën në një parajsë? Si mendoni?» Lëre të përgjigjet. Kthehu në faqen 17 dhe lexo paragrafin 2 dhe Danielin 2:44. Pastaj, lexo paragrafin 12 në faqen 18. Pyete të zotin e shtëpisë nëse do t’i pëlqente të trajtonit bashkë pjesën 9 të broshurës. Nëse po, atëherë fillo një studim me të.
4 Këtu kemi një prezantim që mund të përdoret për të ofruar broshurën «Kur të vdes një njeri i dashur». Trego kopertinën dhe thuaj:
◼ Sot po ndajmë këtë broshurë, e cila ka ngushëlluar dhe u ka dhënë shpresë miliona njerëzve, të cilëve vdekja u ka rrëmbyer personat e dashur. A e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë shprese ka për të vdekurit? [Lëre të përgjigjet.] Bibla shpall në mënyrë të qartë premtimin e Perëndisë për një ringjallje.» Lexo Gjonin 5:28, 29. Hap broshurën dhe komento mbi pikat e paragrafit të fundit në faqen 28 dhe të paragrafit të parë në faqen 31. Trego ilustrimet që i shoqërojnë. Ofro broshurën. Mund të përgatitësh mënyrën për të drejtuar një rivizitë, duke pyetur: «Si mund të jemi të sigurt se vdekja do të eliminohet plotësisht njëherë e përgjithmonë?»
5 Atje ku ke lënë broshurën «Kur të vdes një njeri i dashur», gjatë rivizitës mund të përdorësh këtë prezantim:
◼ Herën e parë folëm për shpresën e mrekullueshme të ringjalljes. Broshura që ju lashë, shpjegon arsyen përse mund të jemi të sigurt se vdekja do të eliminohet plotësisht njëherë e përgjithmonë. A nuk ju japin ngushëllim dhe siguri premtimet e Perëndisë?» Lëre të përgjigjet. Më pas, kthehu në faqen 31 të broshurës dhe lexo paragrafin e dytë dhe të tretë, si dhe Zbulesën 21:1-4. Thekso perspektivën që kemi për të gëzuar jetën pa vdekje. Sipas interesit të treguar dhe rrethanave të momentit, mund t’i ofrosh një studim biblik me librin Njohuria ose të bësh një pyetje tjetër për të hapur rrugën për një rivizitë të ardhshme.
6 Kur të prezantosh broshurën «Cili është qëllimi i jetës: Si mund ta gjesh?», mund të shprehesh me fjalët e mëposhtme:
◼ Shumë njerëz pyesin veten se cili është qëllimi i jetës. Kanë pyetur veten: «Përse jam këtu? Ç’të ardhme kam përpara? Çfarë më ofron e ardhmja?» Sipas mendimit tuaj, ku mund t’i gjejmë përgjigjet? [Lëre të përgjigjet.] Vëre se çfarë thotë Bibla. [Lexo Psalmin 36:9.] A nuk është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se Krijuesi i njeriut është ai që di të na shpjegojë përse jemi këtu? [Lëre të përgjigjet.] Kjo broshurë tregon qëllimin e madh që Perëndia ka për ne.» Shko në faqet 20-21, lexo diçiturën dhe komento ilustrimin. Pastaj, ofroji broshurën. Nëse e pranon, pyete: «Si mund të jemi të sigurt se është akoma qëllim i Perëndisë që njerëzit të jetojnë përgjithmonë në parajsën mbi tokë?» Shpjego rregullin e dhënies së kontributeve. Cakto kohën kur do të kthehesh.
7 Nëse ke lënë broshurën «Cili është qëllimi i jetës: Si mund ta gjesh?», kur të bësh rivizitën mund të thuash diçka të tillë:
◼ «Gjatë vizitës së mëparshme, më pëlqeu vërtet që bisedova me ju rreth pikëpamjes së Biblës se jeta njerëzore ka vërtet një qëllim.» Trego ilustrimin në faqen 31 dhe pyet: «Si mund të jemi të sigurt se është akoma vullnet i Perëndisë që njerëzit të jetojnë përgjithmonë në Parajsë mbi tokë?» Lexo paragrafin 3 në faqen 20. Trajto disa pika në nëntitullin «Qëllimi i Perëndisë nuk ka ndryshuar», në faqen 21. Shko në kopertinën e fundit të broshurës dhe lexo ofrimin e një studimi biblik pa pagesë në shtëpi. Prezanto librin Njohuria dhe trego se në ç’mënyrë e përdorim si një ndihmë për të studiuar Biblën.
8 Shërbimi ynë duhet të pasqyrojë interesin e sinqertë që kemi për të ndihmuar personat me zemër të ndershme «të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës». (1. Tim. 2:4) Prandaj, lër kohë në programin tënd të shërbimit për të vizituar çdo person, të cilit i ke lënë një broshurë. Shfaqja e kujdesit të vërtetë ndaj tyre mund t’i ndihmojë ata që po psherëtijnë dhe rënkojnë nga gjërat e neveritshme që praktikon feja e rreme, të identifikohen për të mbijetuar. (Ezek. 9:4, 6) Edhe ti do të përjetosh gëzimin dhe kënaqësinë që vjen, kur e di se po imiton Jehovain, duke u kujdesur me të vërtetë për të tjerët.—Krahaso Filipianëve 2:20.