Shpall lajmin e mirë të Mbretërisë me broshura
1 Ç’gëzim është të dish të vërtetën dhe të gjendesh mes atyre që shpallin me zell lajmin e mirë! Njerëzit që janë jashtë organizatës së Perëndisë, të dëshpëruar kanë një nevojë për të dëgjuar lajmin e mirë të Mbretërisë. E vërteta mbi Mbretërinë shpjegohet me thjeshtësi në broshurat Gëzo jetën në tokë përgjithmonë!, «Shiqo! Çdo gjë të re krijoj» dhe Qeveria që do të sjellë parajsën. Ato portretizojnë në mënyrë të gjallë jetën në tokë nën Mbretërinë e Perëndisë dhe e drejtojnë lexuesin drejt realitetit të Mbretërisë, që shpjegohet në Fjalën e Perëndisë. Natyrisht, lënia e broshurës një personi të interesuar është vetëm fillimi i punës. (1. Kor. 9:23) Le të ndjekim pa u vonuar të gjithë personat ku kemi lënë broshura, me synimin për të ofruar një studim me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Si mund ta bëjmë këtë gjatë muajit gusht?
2 Broshura «Gëzo jetën në tokë përgjithmonë!» mund të ofrohet me një prezantim shumë të shkurtër. Ndërsa tregon kopertinën e saj, mund të thuash:
◼ «Do të kisha dëshirë t’ju tregoja diçka që përmban një mesazh të bukur.» Hap broshurën Jeta në tokë dhe lexo paragrafin e parë të hyrjes. Më pas, vazhdo duke thënë: «Ajo i përgjigjet, gjithashtu, kësaj pyetjeje [kthehu në titullin sipër figurës me numër 8]: ’Përse njerëzit duhet të vdesin?’ Do të ishte interesante për ju të studionit figurat dhe të lexonit shkrimet që përmban kjo broshurë. Nëse dëshironi, këtë kopje mund ta mbani.» Nëse e pranon broshurën, atëherë vazhdo: «Kjo është një vepër vullnetare ndërkombëtare, që mbështetet me kontribute të vogla. Nëse dëshironi të kontribuoni, unë do ta pranoja me kënaqësi.»
3 Çfarë do të thuash kur të rivizitosh një person, të cilit i ke lënë broshurën «Jeta në tokë»? Mund të provosh këtë prezantim:
◼ Trego figurën numër 49 në broshurën Jeta në tokë dhe pyet: «A nuk është e bukur kjo figurë? [Lëre të përgjigjet.] Gjendet në broshurën që ju lashë herën e kaluar. Do të dëshiroja t’ju bëja pyetjen që gjendet në faqen tjetër.» Shko në figurën 50 dhe lexo pyetjen: «‘A dëshiron të jetosh përgjithmonë në atë parajsë të bukur?’ [Lëre të përgjigjet.] Nëse po, vëre se çfarë thotë që duhet të bësh: ‘Atëherë mëso më shumë për atë se çfarë thotë Perëndia.’ [Lexo Gjonin 17:3.] Do të isha i lumtur të studioja Biblën me ju pa pagesë. A do t’ju pëlqente?» Caktoni një takim për t’u kthyer përsëri.
4 Kur ofron broshurën «Shiqo! Çdo gjë të re krijoj», mund të fillosh, duke treguar gjithë figurën e kopertinës dhe duke pyetur:
◼ Çfarë do të duhej sipas jush, që e gjithë toka të bëhej kështu?» Lëre të përgjigjet. Përshkruaj disa aspekte të figurës, të cilat tregohen në faqen 3. Më pas, thuaj: «Shumica e njerëzve mendojnë se është e pamundur që bota të bëhet e tillë. Por për Perëndinë nuk është e pamundur. [Trajto pikat në paragrafin 43 dhe më pas lexo Isainë 9:6, 7.] Perëndia ka premtuar se do të sjellë një botë të re, në të cilën njerëz nga të gjitha kombet do të gëzojnë një parajsë të mrekullueshme. Do të kisha dëshirë ta lexonit këtë broshurë. Ajo do t’ju tregojë se si ju dhe familja juaj mund të gëzoni një të ardhme të mrekullueshme nga Perëndia.»
5 Gjatë rivizitës, mund të përdorësh broshurën «Shiqo!» për të shpjeguar përse ekziston nevoja për të mësuar më shumë rreth Biblës. Mund t’i tregosh përsëri kopertinën dhe t’i thuash:
◼ «Kur ju tregova në fillim këtë figurë, ishim të mendimit se do të donim të jetonim në një botë të tillë të mrekullueshme. Për ta bërë të mundur këtë gjë, secili prej nesh duhet të bëjë një gjë.» Hape broshurën «Shiqo!» në paragrafin 52. Lexo paragrafin dhe shkrimin në Gjonin 17:3. Trego informacion mbi ilustrimin e paragrafit 53 mbi arsimimin e përshtatshëm biblik dhe pas kësaj, shpjego se Dëshmitarët e Jehovait e ofrojnë këtë arsimim falas në shtëpi. Tregoji metodën e studimit, duke përdorur librin Njohuria.
6 Kur ofrojmë broshurën «Qeveria që do të sjellë parajsën», mund të thuash kështu:
◼ «Kam dëgjuar shumë njerëz të thonë se do t’u pëlqente të jetonin nën një qeveri, e cila mund t’i zgjidhë vërtet problemet e mëdha që hasim sot. [Përmend problemet lokale, si papunësinë, rritjen e kriminalitetit apo abuzimin me drogën.] Gjëra të tilla na bëjnë të ndihemi shumë të pasigurt për të ardhmen tonë dhe të personave tanë të dashur. A mendoni se ka për të ardhur një kohë që do të ekzistojë një qeveri, e cila do t’i zgjidhë këto probleme? [Lëre të përgjigjet.] Ndoshta ju e keni bërë Lutjen e Zotërisë. Nëse po, a e dini se në të vërtetë luteni për një qeveri të drejtë?» Shko në faqen 3 të broshurës Qeveria dhe lexo dy paragrafët e parë. Ofro broshurën.
7 Nëse ke lënë broshurën «Qeveria që do të sjellë parajsën», gjatë rivizitës mund ta fillosh bisedën me këto fjalë:
◼ «Herën e shkuar folëm mbi nevojën për një qeveri të drejtë, e cila mund të zgjidhë problemet e njeriut. Broshura që ju lashë tregon se Mbretëria e Perëndisë është shpresa jonë e vetme. Disa njerëz pyesin veten se çfarë mund të bëjë kjo qeveri për të përmirësuar kushtet tona jetësore. Bibla tregon se Krishti tashmë ka provuar se mund t’ia dalë mbanë aty ku njerëzit kanë dështuar.» Hape broshurën Qeveria në faqen 29 dhe lexo katër paragrafët e fundit. Pas kësaj, thuaj: «A nuk është kjo një e ardhme e mrekullueshme? A do të kishit dëshirë ta shikonit?» Lëre të përgjigjet. Lexo Gjonin 17:3. Inkurajoje të mësojë më shumë me anë të një studimi biblik në shtëpi.
8 Nëse përdor broshura të tjera, mund të përgatitësh vetë disa prezantime, duke përdorur si model ato që janë sugjeruar më sipër. Kur është e përshtatshme, shpjego shkurtimisht se personat e interesuar mund të japin kontribute të vogla për veprën e predikimit të Mbretërisë në mbarë botën. Përgatitu mirë dhe kërko bekimin e Jehovait, ndërsa shpall lajmin e mirë të Mbretërisë.