Ata kryen vullnetin e Jehovait
Moisiu dhe Aaroni—Lajmëtarë të guximshëm të Fjalës së Perëndisë
PËRFYTYRO skenën: Moisiu 80-vjeçar dhe vëllai i tij Aaroni, qëndrojnë përpara njeriut më të fuqishëm të tokës, faraonit të Egjiptit. Për egjiptianët ky njeri është më shumë se një përfaqësues i perëndive. Ata besojnë se vetë faraoni është një perëndi. Ai shihet si vetë mishërimi i Horusit, një hyjni me kokë skifteri. Së bashku me Isisin dhe Osirisin, Horus formonte trinitetin kryesor midis perëndive dhe perëndeshave të Egjiptit.
Kushdo që i afrohej faraonit, mund të vinte re qartë pamjen kërcënuese të kokës së një kobre, e vendosur në qendër të kurorës së tij. Kjo të krijonte përshtypjen sikur ky gjarpër mund të villte zjarr dhe të shkatërronte çdo armik të faraonit. Tani, Moisiu dhe Aaroni ndodheshin përpara këtij mbreti perëndi, me një kërkesë të pashembëllt, që ai t’i lejonte skllevërit izraelitë të shkonin, në mënyrë që të mund t’i kushtonin një festë Perëndisë së tyre, Jehovait.—Të Dalët 5:1.
Tashmë Jehovai u kishte parathënë se zemra e faraonit do të ishte e ngurtësuar. Prandaj Moisiu dhe Aaroni nuk u habitën nga përgjigjja e tij mospërfillëse: «Kush është Zoti [Jehovai, BR] që unë duhet t’i bindem zërit të tij dhe ta lë Izraelin të shkojë? Unë nuk e njoh Zotin dhe nuk kam për ta lënë Izraelin të shkojë.» (Të Dalët 4:21; 5:2) Kështu, skena u përgatit për një ballafaqim dramatik. Gjatë takimit tjetër, Moisiu dhe Aaroni dhanë dëshmi mahnitëse se përfaqësonin Perëndinë e plotfuqishëm e të vërtetë.
Kryhet një mrekulli
Sipas udhëzimit të Jehovait, Aaroni kreu një mrekulli që provoi superioritetin e Jehovait mbi të gjitha perënditë e Egjiptit. Ai hodhi para faraonit bastunin e tij dhe menjëherë ai u shndërrua në një gjarpër të madh! I hutuar nga kjo mrekulli, faraoni mblodhi priftërinjtë e tij që praktikonin magjinë.a Me anën e fuqisë së demonëve këta burra mundën të bëjnë diçka të ngjashme me bastunët e tyre.
Nëse faraoni dhe priftërinjë e tij ndien kënaqësi në vetvete, kjo ishte vetëm për një moment. Përfytyro fytyrat e tyre kur gjarpri i Aaronit i gëlltiti një nga një gjarpërinjtë e tyre! Të gjithë të pranishmit mundën të vënë re se hyjnitë e Egjiptit nuk mund të krahasoheshin me Perëndinë e vërtetë, Jehova.—Të Dalët 7:8-13.
Por, edhe pas kësaj, zemra e faraonit mbeti e ngurtë. Vetëm pasi Perëndia solli dhjetë goditje shkatërruese apo plagë mbi Egjiptin, e detyroi së fundi faraonin t’i thoshte Moisiut dhe Aaronit: «Çohuni dhe largohuni nga mesi i popullit tim, ju dhe bijtë e Izraelit; dhe shkoni t’i shërbeni Zotit, siç e keni thënë.»—Të Dalët 12:31.
Mësime që mund të nxjerrim ne
Çfarë e bëri të mundur afrimin e Moisiut dhe Aaronit tek faraoni i fuqishëm i Egjiptit? Së pari, Moisiu shprehu një mungesë besimi në aftësitë e tij, duke pohuar se ishte «i ngathët në fjalë dhe kuvend». Edhe pasi u sigurua për mbështetjen e Jehovait ai u lut: «Oh! Zot, dërgo mesazhin tënd nëpërmjet kujt të duash!» Me fjalë të tjera, Moisiu kërkoi që Perëndia të dërgonte dikë tjetër. (Të Dalët 4:10, 13) Megjithatë, Jehovai përdori Moisiun e butë duke i dhënë atij mençurinë dhe forcën e nevojshme për të kryer detyrën e tij.—Numrat 12:3.
Sot, shërbëtorët e Perëndisë Jehova dhe të Jezu Krishtit po zbatojnë urdhrin për «të bërë dishepuj nga të gjithë kombet». (Mateu 28:19, 20) Për të bërë pjesën tonë në përmbushjen e kësaj detyre, duhet të përdorim sa më mirë njohurinë biblike dhe çdo aftësi që zotërojmë. (1. Timoteut 4:13-16) Në vend se të përqendrohemi në mangësitë tona, le të pranojmë me besim çdo caktim që na ka dhënë Perëndia. Ai mund të na aftësojë dhe forcojë për të bërë vullnetin e tij.—2. Korintasve 3:5, 6; Filipianëve 4:13.
Pasi Moisiu gjendej përballë kundërshtimit njerëzor dhe demonik, sigurisht që i duhej një ndihmë mbinjerëzore. Si rrjedhim, Jehovai e siguroi atë: «Shiko, unë po të bëj si perëndi për Faraonin.» (Të Dalët 7:1) Po, Moisiu pati përkrahjen dhe autoritetin hyjnor. Duke qenë mbi të fryma e Jehovait, Moisiu nuk kishte arsye që t’i frikësohej faraonit apo bashkëpunëtorëve të atij sundimtari krenar.
Gjithashtu, ne duhet të mbështetemi në frymën e shenjtë, apo në forcën aktive të Jehovait për të kryer shërbimin tonë. (Gjoni 14:26; 15:26, 27) Me përkrahjen hyjnore ne mund të përsërisim fjalët e Davidit, i cili këndoi: «Kam vënë besimin tim tek Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?»—Psalmi 56:11.
Në dhembshurinë e tij, Jehovai nuk e la vetëm Moisiun në caktimin që kishte. Në vend të kësaj Perëndia tha: «Vëllai yt Aaroni do të jetë profeti yt. Ti do të thuash tërë ato që do të të urdhëroj unë dhe vëllai yt Aaroni do t’i flasë faraonit.» (Të Dalët 7:1, 2) Sa dashuri u tregua nga Jehovai të punonte brenda kufijve të asaj që Moisiu në mënyrë të arsyeshme mund të mbante!
Perëndia na siguron me një shoqëri të bashkëkrishterësh që pranojnë sfidën për të qenë Dëshmitarë të Më Të Lartit Jehova. (1. Pjetrit 5:9) Prandaj, pavarësisht nga pengesat që mund të ndeshim, le të jemi si Moisiu dhe Aaroni, lajmëtarë të guximshëm të fjalës së Perëndisë!
[Shënimi]
a Fjala hebreje e përkthyer «priftërinj që praktikojnë magjinë» i referohet një grupi magjistarësh që pohonin se zotëronin fuqi mbinatyrore, përtej asaj të demonëve. Besohej se këta burra mund t’i thërrisnin demonët që t’u bindeshin atyre dhe se demonët nuk kishin më shumë fuqi se këta magjistarë.
[Figura në faqen 25]
Moisiu dhe Aaroni e përfaqësuan Jehovain me guxim para faraonit