Na presin kohë më të mira
«NE JEMI me një-zero-një»,—thotë një grua. «Unë jam më keq akoma,—ia kthen një tjetër.—Jam me zero-zero-një.»
Në disa pjesë të Afrikës Perëndimore, batuta të tilla s’kanë nevojë për shpjegim. Në vend se të hajë tri herë në ditë (një-një-një), një person që është me një-zero-një mund të arrijë të hajë dy herë në ditë, një herë në mëngjes dhe një herë në mbrëmje. Një i ri që ishte me zero-zero-një, shpjegon gjendjen e tij: «Ha një herë në ditë. E mbush frigoriferin me ujë. Darkave, para se të shkoj në shtrat, ha gari [një lloj bime tropikale me zhardhok]. Ja, kështu ia kaloj.»
Kjo është sot gjendja e një numri në rritje njerëzish. Çmimet rriten, ndërsa fuqia blerëse e parave bie.
Mungesë e parathënë ushqimesh
Në një seri vizionesh që i dha apostullit Gjon, Perëndia paratha kushtet e vështira që përballojnë shumë veta sot. Midis tyre do të ishte edhe mungesa e ushqimit. Gjoni tregon: «Pashë dhe ja, një kalë i zi; dhe ai që e kalëronte kishte një peshore në dorën e tij.» (Zbulesa [Apokalipsi] 6:5) Ky kalë ogurzi dhe kalorësi i tij përfaqësojnë zinë e bukës; ushqimi do të ishte kaq i pakët, sa do të ndahej në racione me peshore.
Më tej, apostulli Gjon shkruan: «Dhe dëgjova një zë . . . duke thënë: ‘Një kenik gruri për një denar dhe dy kenikë elbi për një denar.’» Në ditët e Gjonit, një kenik gruri ishte racioni ditor i një ushtari, ndërsa një denar ishte paga e një dite pune. Prandaj, në parafrazimin Bibla (ECM) në këtë varg lexojmë: «Një kilogram grurë ose tre kilogram elb për pagën e një dite pune.»—Zbulesa 6:6.
Cila është sot paga e një dite pune? Një raport vëren: «Gati 1 miliard e 100 milionë njerëz, pothuajse 30 për qind e popullsisë në vendet në zhvillim, jetojnë me gati 1 dollar në ditë.» (State of World Population, 1994) Pra, të varfërit në botë, me pagën e një dite pune blejnë pak a shumë një bukë.
Natyrisht që kjo nuk i habit ata që janë shumë të varfër. «Bukë!—tha një burrë.—E kush ha bukë? Sot, të hash bukë është luks!»
Ironik është fakti se nuk ka mungesë ushqimesh. Sipas burimeve të OKB-së, gjatë dhjetë vjetëve të shkuar, prodhimi i ushqimit në botë është rritur 24 për qind, më shumë se shtimi i popullsisë botërore. Megjithatë, shtimin e ushqimit nuk e kanë gëzuar të gjithë. Në Afrikë, për shembull, prodhimi i ushqimit ka rënë në fakt me 5 për qind, ndërsa popullsia është rritur me 34 për qind. Prandaj, pavarësisht nga bollëku i përgjithshëm i ushqimit në shkallë botërore, në shumë vende vazhdon të ketë mungesa.
Mungesa e ushqimit çon në rritjen e çmimeve. Mungesa e punës, pagat e vogla dhe inflacioni në rritje, e vështirësojnë edhe më shumë gjetjen e parave për të blerë edhe ato gjëra që ekzistojnë. Një raport pohon: «Njerëzit nuk janë të uritur ngaqë nuk ka ushqim, por ngaqë nuk mund ta blejnë atë.»—Human Development Report 1994.
E kështu rritet mungesa e shpresës, zhgënjimi dhe dëshpërimi. «Njerëzit e ndiejnë që sot është keq, por nesër do të jetë më keq»,—thotë Gloria, e cila jeton në Afrikën Perëndimore. Një grua tjetër tha: «Njerëzit e ndiejnë se po afrohet një katastrofë. Ata e ndiejnë se po vjen dita, kur nëpër tregje të mos ketë ngelur asgjë.»
Jehovai është kujdesur për shërbëtorët e tij në të shkuarën
Shërbëtorët e Perëndisë e dinë që Jehovai i shpërblen besnikët e tij, duke i mbështetur në nevojat e tyre dhe duke u dhënë forcë për të përballuar kushtet e tyre të vështira. Ky besim në aftësinë e Perëndisë për t’u kujdesur, është në fakt pjesë thelbësore e besimit të tyre. Apostulli Pavël shkroi: «Ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë.»—Hebrenjve 11:6.
Jehovai është kujdesur gjithmonë për shërbëtorët e tij besnikë. Gjatë një thatësire tre vjeçare e gjysmë, Jehovai i siguroi ushqim profetit Elija. Fillimisht, Perëndia urdhëroi korbat që t’i çonin Elijas bukë e mish. (1. Mbretërve 17:2-6) Më vonë, Jehovai siguroi në mënyrë të mrekullueshme rezerva mielli dhe vaji për një vejushë, e cila e kishte mbajtur Elijan me ushqime. (1. Mbretërve 17:8-16) Gjatë së njëjtës periudhë të zisë së bukës, pavarësisht nga persekutimi i madh fetar që solli mbi profetët e tij mbretëresha Jezabelë, Jehovai mori masa që ata të ishin të siguruar me bukë e ujë.—1. Mbretërve 18:13.
Më vonë, kur mbreti i Babilonisë rrethoi Jeruzalemin apostat, njerëzve iu desh ‘të hanin bukën me peshë dhe në hidhërim’. (Ezekieli 4:16) Gjendja u bë kaq e dëshpëruar, saqë disa gra hëngrën fëmijët e tyre. (Vajtimet 2:20) E megjithatë, Jehovai bëri të mundur që profetit Jeremia, edhe pse gjendej i burgosur pasi kishte predikuar, «t’i jepej çdo ditë një copë bukë nga rruga e furrtarëve, deri sa të mbarohej gjithë buka e qytetit».—Jeremia 37:21.
A e harroi Jehovai Jereminë, kur rezervat e bukës mbaruan? Duket që jo, sepse kur qyteti ra në duart e babilonasve, Jeremisë i dhanë ‘ushqime, si dhe një dhuratë dhe e lanë të ikte’.—Jeremia 40:5, 6; shiko gjithashtu Psalmin 37:25.
Jehovai mbështet shërbëtorët e tij sot
Ashtu siç ka mbështetur shërbëtorët e tij në brezat e shkuar, Jehovai vepron edhe sot, duke u kujdesur për ta materialisht dhe frymësisht. Shqyrto, për shembull, përvojën e Lamitundes, i cili jeton në Afrikën Perëndimore. Ai tregon: «Kisha një pulari shumë të madhe. Një ditë, banditë të armatosur erdhën e më vodhën shumicën e pulave, gjeneratorin dhe paratë që kishim. Pak më pas, edhe ato pak pula që më kishin mbetur, ngordhën nga sëmundja. Kështu, biznesi me pularinë m’u rrënua. Për dy vjet u përpoqa më kot për të gjetur ndonjë punë. Punët i kishim me të vërtetë keq, por Jehovai na mbështeti.
Ajo që më ndihmoi për të përballuar ato kohë të vështira, ishte fakti që e dija se Jehovai lejon që këto gjëra të ndodhin, për të na rafinuar. Gruaja ime dhe unë vazhduam si gjithnjë studimin tonë familjar të Biblës dhe kjo na ndihmoi me të vërtetë. Lutja ishte, gjithashtu, një burim i madh fuqie. Disa herë nuk isha në gjendje të lutesha, por mbas lutjes ndihesha më mirë.
Gjatë asaj periudhe të vështirë, mësova vlerën e meditimit mbi Shkrimet. Mendoja shumë mbi Psalmin 23, i cili flet për Jehovain, si për Bariun tonë. Një shkrim tjetër që më inkurajoi ishte Filipianëve 4:6, 7, i cili i referohet ‘paqes së Perëndisë që ia tejkalon çdo zgjuarsie’. Një tjetër shkrim që më forcoi, ishte 1. Pjetrit 5:6, 7, ku thuhet: ‘Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.’ Të gjitha këto vargje më ndihmuan gjatë atyre kohëve të vështira. Kur mediton, je në gjendje t’i heqësh nga mendja gjërat që të dëshpërojnë.
Tani jam sërish në punë, por të them të drejtën, gjendja është ende e vështirë. Pikërisht ashtu siç paratha Bibla në 2. Timoteut 3:1-5, ne po jetojmë në ‘ditët e fundit’, të karakterizuara nga ‘kohë të vështira’. Nuk mund të ndryshojmë atë që thotë Shkrimi. Kështu që nuk shpresoj që jeta të jetë e lehtë. Megjithatë, e ndiej se fryma e Jehovait po më ndihmon që t’i bëj ballë.»
Pavarësisht nga kohët e vështira në të cilat jetojmë, ata që besojnë në Jehovain dhe në Birin e tij Mbret, Jezu Krishtin, nuk do të zhgënjehen. (Romakëve 10:11) Vetë Jezui na siguron: «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja? Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se sa ata? Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t’i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm? Pse shqetësoheni për veshjen tuaj?»—Mateu 6:25-28.
Këto janë sigurisht pyetje për të shqyrtuar veten në këto kohë kritike. Por Jezui vazhdoi me këto fjalë siguruese: «Vini re si rriten zambakët e fushës: ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin; dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata. Tani nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë? Mos u shqetësoni, pra, duke thënë: “Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë ose me çfarë do të vishemi?” Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.»—Mateu 6:28-33.
Na presin kohë më të mira
Ka mjaft gjëra që tregojnë se në shumë pjesë të botës rënia e gjendjes ekonomike dhe shoqërore do të vazhdojë të keqësohet. Megjithatë, populli i Perëndisë e di se këto kushte janë të përkohshme. Mbretëria e lavdishme e mbretit Solomon ishte një hije e sundimit të drejtë të një Mbreti më të madh se Solomoni, i cili do të mbretërojë mbi gjithë tokën. (Mateu 12:42) Ai Mbret është Jezu Krishti, «Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve».—Zbulesa 19:16.
Psalmi 72, i cili pati një përmbushje të parë në lidhje me mbretin Solomon, përshkruan sundimin e lavdishëm të Jezu Krishtit. Shqyrto disa nga gjërat e mrekullueshme që paratha ai në lidhje me të ardhmen e tokës nën sundimin e Mbretit Krisht.
Kushte paqësore në mbarë botën: «Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë. Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.»—Psalmi 72:7, 8.
Interes për të varfërit: «Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.»—Psalmi 72:12-14.
Bollëk ushqimesh: «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve.»—Psalmi 72:16.
Lavdia e Jehovait do të mbushë tokën: «I bekuar qoftë Zoti [Jehovai, BR] Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli. Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij.»—Psalmi 72:18, 19.
Vërtet, pra, na presin kohë më të mira!