Le të nderojmë të gjithë Jehovain dhe Birin e tij!
Si mund të përfitojnë edhe më plotësisht të gjithë ata që ndjekin Përkujtimin më 8 prill?
1 Kujt i jepet sot nderim i veçantë? Atyre njerëzve, arritjet e të cilëve vlerësohen shumë nga bota. Megjithatë, në shumicën e rasteve, veprat e tyre harrohen shpejt. Por, ç’mund të themi për ato vepra që i sjellin me të vërtetë dobi gjithë njerëzimit? Më të mëdhave prej tyre do t’u kushtojmë shumë vëmendje, ndërsa mbajmë Darkën e Zotërisë, më 8 prill, 2001, pas perëndimit të diellit.
2 Kush është i denjë për nderimin më të lartë? Bibla përgjigjet: «Ti je i denjë, o Jehova, . . . të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka.» (Zbul. 4:11) Si Krijues, Jehovai është Sunduesi Sovran i universit. Ai do ta meritojë gjithmonë nderimin.—1 Tim. 1:17.
3 Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, kreu vepra të denja që do t’i sjellin bekime të pafundme njerëzimit. Ai imitoi në mënyrë të përsosur Atin e tij. (Gjoni 5:19) Bindja e tij e plotë dhe shërbimi besnik e bënë «të denjë për të marrë fuqinë, pasurinë, mençurinë, forcën, nderimin, lavdinë dhe bekimin». (Zbul. 5:12) Ati i tij e nderoi duke e hipur në fron si Mbret. (Psal. 2:6-8) Sa për ne, duke mbajtur Darkën e Zotërisë më 8 prill 2001, do të kemi mundësi t’i nderojmë që të dy, Atin dhe Birin.
4 Është për të ardhur keq, por relativisht pak në historinë e njerëzimit i kanë dhënë Jehovait dhe Birit të tij nderimin që u takon. Nganjëherë, edhe populli i lashtë i Perëndisë, Izraeli, i bënte një shërbim sa për të thënë Jehovait. Kjo ishte një mungesë nderimi që dukej sheshit. (Mal. 1:6) Nderimi i duhur kërkon bindje me besnikëri, të bazuar në dashurinë dhe çmueshmërinë për të gjitha ato që Jehovai dhe Biri i tij kanë bërë për ne. Dhënia e një nderimi dhe respekti të tillë do të thotë që tregojmë frikë hyjnore, duke e pranuar Jehovain dhe Jezuin në të gjitha udhët tona. Kongregacioni i krishterë përpiqet t’i mësojë dhe t’i mbështetë të tjerët për të bërë të njëjtën gjë.
5 Një rast i veçantë për të treguar nderim: Mbajtja e Përkujtimit është grumbullimi më domethënës që bën çdo vit populli i Jehovait. Të gjithë që dëshirojnë t’i shërbejnë dhe ta nderojnë Jehovain, duhet të jenë të pranishëm. (Luka 22:19) Ne shpresojmë që përveç 6 milionë Dëshmitarëve aktivë, të interesuarit do ta ngrenë numrin e të pranishmëve në më shumë se 14 milionë. Ç’mundësi e shkëlqyer për të nderuar Atin tonë qiellor! Ndonëse mbajtja e Përkujtimit përqendrohet te Jezui, nderimi dhe respekti për atë që ai kreu, i japin lavdi Atit që e dërgoi.—Gjoni 5:23.
6 Çfarë mund të bëjmë për ta mbështetur këtë rast të veçantë? Mund t’i ndihmojmë të interesuarit e rinj që të përfitojnë plotësisht. T’i nxitim që të jenë të pranishëm dhe, aty ku është e nevojshme, të japim me dashuri mbështetje për t’i ndihmuar që të vijnë në vendin ku do të mbahet Përkujtimi. T’u shpjegojmë qëllimin e fjalimit. T’i njohim me të tjerët. Ajo që shohin dhe dëgjojnë mund t’i nxitë që të kërkojnë të bashkohen me ne në nderimin e Jehovait.
7 Të mos e nënvlerësojmë ndikimin që ka programi. Një student në universitet pati këtë reagim: «Unë e kam ndjekur shumë herë kungimin në kishën time, por kjo është krejt ndryshe. Shoh se është tamam siç thotë Bibla dhe mendoj se ju keni të vërtetën.» Filloi të ndiqte mbledhjet rregullisht dhe pas pak kohësh u pagëzua.
8 T’i ndihmojmë të interesuarit e rinj të bëjnë progres: Të mbajmë shënim të interesuarit e rinj që ndoqën Përkujtimin dhe t’i vizitojmë menjëherë më pas, për të rishqyrtuar gjërat freskuese që mësuan dhe vërejtën. T’i vëmë në dijeni për mbledhjet e tjera, ku ata mund të shtojnë njohurinë e tyre për Biblën. Një rishikim i kapitullit 17 të librit Njohuria, «Gjej siguri mes popullit të Perëndisë», do t’u tregojë numrin e madh të sigurimeve frymore që jepen nga kongregacioni, të cilat mund të jenë me lehtësi në dispozicion të tyre.
9 Është e rëndësishme që personat e interesuar të mësojnë se si mund të tregojnë personalisht nderim dhe respekt për Jehovain. T’u shpjegojmë se lutja e përzemërt i pëlqen Jehovait dhe është një burim i përhershëm freskimi frymor. (1 Gjon. 5:14) Duke përdorur mësimet 8 deri 12 në broshurën Çfarë kërkon?, të përshkruajmë llojin e sjelljes që nderon Jehovain. Duke diskutuar atë që thuhet në broshurën Dëshmitarët e Jehovait, faqet 30, 31, t’i nxitim të interesuarit e rinj që të mendojnë rreth mundësisë për ta nderuar Jehovain, duke marrë pjesë personalisht në veprën e predikimit.
10 Çmueshmëria për flijimin e Jezuit dhe për privilegjin që të shërbejmë si dishepujt e tij, e nderon Atin dhe u sjell bekime të tjerëve. Jezui premtoi: «Nëse dikush dëshiron të më shërbejë, Ati do ta nderojë.»—Gjoni 12:26.