Të ndihmojmë të tjerët që të lavdërojnë Jehovain
1 Anembanë tokës, njerëzve po u shpallet një mesazh jetësor: «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse ka mbërritur ora e gjykimit prej tij dhe adhuroni Atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe burimet e ujërave.» (Zbul. 14:6, 7) Është privilegj për ne të kemi pjesën tonë në këtë shpallje. Çfarë duhet të dinë njerëzit për Jehovain, që të kenë frikë prej tij dhe ta adhurojnë?
2 Emrin e tij: Njerëzit duhet të jenë në gjendje ta dallojnë me emër Perëndinë e vetëm e të vërtetë nga perënditë e shumta të rreme që adhurohen sot. (Ligj. 4:35; 1 Kor. 8:5, 6) Shkrimtarët e Biblës e përdorën emrin madhështor të Jehovait më shumë se 7.000 herë. Edhe pse në mënyrë të përshtatshme tregojmë kujdes se kur ta përdorim emrin e Perëndisë, nuk duhet ta fshehim kurrë atë dhe as të shmangim përdorimin e tij. Vullneti i Perëndisë është që të gjithë njerëzit ta njohin emrin e tij.—Psal. 83:18.
3 Personalitetin e tij: Që ta lavdërojnë Jehovain, njerëzit duhet të dinë se çfarë Perëndie është ai. Ne duhet t’u bëjmë të njohur atyre dashurinë e tij të jashtëzakonshme, mençurinë e tij tejet të lartë, drejtësinë e tij të plotë, fuqinë e tij absolute, si dhe mëshirën, dashamirësinë dhe cilësi të tjera të tij të mrekullueshme. (Dal. 34:6, 7). Ata duhet të mësojnë, gjithashtu, të kenë një frikë të shëndetshme prej Perëndisë dhe ta nderojnë atë thellësisht, të vetëdijshëm se vetë jeta e tyre varet nga miratimi i Jehovait.—Psal. 89:7.
4 Si t’i afrohen Perëndisë: Që të shpëtojnë nga gjykimi i Perëndisë që po afrohet, njerëzit duhet ta thërrasin Jehovain me besim. (Rom. 10:13, 14; 2 Sel. 1:8) Kjo përfshin më shumë sesa thjesht të njohin emrin dhe cilësitë e Perëndisë. Ne duhet t’i ndihmojmë njerëzit që të zhvillojnë një marrëdhënie personale me Jehovain, duke besuar tek ai me gjithë zemër. (Prov. 3:5, 6) Ndërsa zbatojnë atë që mësojnë, i drejtohen Perëndisë me lutje të sinqerta dhe ndërsa ndiejnë dorën e tij në jetën e tyre, besimi i tyre do të rritet, dhe kjo do t’i ndihmojë t’i afrohen Jehovait.—Psal. 34:8.
5 Le ta shpallim me zell emrin e Perëndisë, duke i ndihmuar të tjerët që të tregojnë besim të plotë tek ai dhe të kenë frikë prej tij. Mund të jemi ende në gjendje të ndihmojmë shumë njerëz që të arrijnë ta njohin Jehovain dhe ta lavdërojnë atë si ‘Perëndinë e shpëtimit’.—Psal. 25:5.