Kemi një mjet të ri për të filluar studime!
1 Një grua amerikane ishte një katolike e devotshme. Ajo i mbronte mësimet e kishës me plot besim. Madje, bëri, edhe një pelegrinazh në Vatikan. E megjithatë, kur një Dëshmitar i Jehovait i trokiti në derë, ajo pranoi ftesën për një studim biblik në shtëpi. Pse? Sepse ajo dëshironte të mësonte çfarë thoshte Bibla dhe kisha e saj nuk ofronte një studim biblik në shtëpi. Çfarë na mëson kjo përvojë? Që ne kurrë nuk e dimë kush është i prirur për të pranuar një studim biblik pa pagesë.—Ekl. 11:6.
2 A keni ngurruar ndonjëherë për t’u treguar njerëzve që jemi gati për të studiuar Biblën me këdo që është i interesuar? A e di çdokush në zonën tuaj se ne ofrojmë këtë shërbim falas? Si mund të sigurohemi për këtë gjë? Duke përdorur një mjet të ri! Është një fletushkë tërheqëse gjashtëfaqëshe e titulluar A dëshiron të dish më shumë për Biblën? Le të njihemi me këtë fletushkë, nëntitull pas nëntitulli.
3 «Përse ta lexosh Biblën?» Arsyet që jep fletushka janë shumë tërheqëse. Ajo shpjegon se Bibla përmban «udhëzime të dashura nga Perëndia», duke treguar si t’i afrohemi atij në lutje për ndihmë dhe si të marrim dhuratën e jetës së përhershme. (1 Sel. 2:13) Fletushka u referohet disa ‘të vërtetave [të Biblës] që japin ndriçim’ të tilla, si: çfarë ndodh pas vdekjes dhe pse ka kaq shumë trazira në tokë. Përshkruan «parimet që na ka dhënë Perëndia në Bibël», të cilat kur i zbatojmë na sjellin dobi fizike dhe nxitin lumturinë, shpresën dhe cilësi të tjera të dëshirueshme. Fletushka jep një arsye më tepër për të lexuar Biblën—profecitë për të ardhmen që tregojnë se çfarë na pret tani afër.—Zbul. 21:3, 4.
4 «Ndihmë për të kuptuar Biblën»: Në fletushkë thuhet: «Të gjithë kemi nevojë për ndihmë që ta kuptojmë Fjalën e Perëndisë.» Më pas shpjegon mënyrën si ta studiojmë Biblën: «Zakonisht, më e mira është që Bibla të studiohet gradualisht, duke filluar me mësimet bazë.» Pasi e bën të qartë se «Autoriteti është Bibla», fletushka veçanërisht përmend broshurën Çfarë kërkon? si diçka që do ta ndihmojë studentin ‘të kuptojë referimet e shkrimeve për një shumëllojshmëri çështjesh’. Nëntitulli tjetër ngre një pyetje që kërkon vëmendje.
5 «A je i gatshëm të kalosh kohë çdo javë për të kuptuar Biblën?» Fletushka shpjegon se studimi biblik mund të bëhet në një kohë e vend të volitshëm për studentin, qoftë në mënyrë individuale në shtëpinë e tij, qoftë me anë të telefonit. Kush mund të marrë pjesë në bisedë? Në fletushkë jepet përgjigjja: «Gjithë familja jote, ndonjë mik që ke ftuar ose, nëse parapëlqen, biseda mund të bëhet vetëm me ty.» Për sa kohë duhet të zgjatë studimi? Fletushka shpjegon: «Shumë veta lënë mënjanë një orë çdo javë për të studiuar Biblën. Nëse ke mundësi të kalosh më shumë kohë ose je i kufizuar vetëm në pak kohë çdo javë, Dëshmitarët do ta vënë veten në dispozicion për të të ndihmuar.» Ky është çelësi! Ne jemi të gatshëm t’u përshtatemi rrethanave të çdo studenti.
6 «Një ftesë për të mësuar»: Është vendosur një kupon me anë të të cilit marrësi i fletushkës mund të kërkojë broshurën Çfarë kërkon? ose një vizitë për të shpjeguar programin tonë të studimit biblik pa pagesë në shtëpi. Kapaku i broshurës Çfarë kërkon? tregohet me ngjyra të plota. A nuk mendoni se kjo fletushkë do të nxitë më shumë ata me zemër të ndershme që të pranojnë ndihmën tonë? Tani si mund ta përdorim më së miri këtë mjet të ri?
7 Kujt mund t’ia ofroni fletushkën? Fletushka mund t’u dorëzohet njerëzve personalisht ose mund të lihet tek ata që s’gjenden në shtëpi. Mund të shpërndahet nga shtëpia në shtëpi, në rrugë dhe në territorin tregtar. Ofrojuani njerëzve qoftë kur e pranojnë literaturën tonë, qoftë kur e refuzojnë atë. Futeni brenda revistave ose botimeve të tjera që lini. Përfshijeni atë kur shkruani letra. Atyre që i kontaktoni me anë të telefonit, sugjerojuni që t’ua dërgoni fletushkën me postë. Mbani gjithmonë kopje me vete për t’i shpërndarë kur bëni pazarin, kur përdorni mjetet e transportit dhe kur dëshmoni joformalisht. Jepjani kujtdo që ju vjen në derë. Ofrojuani të afërmve, fqinjëve, shokëve të punës, shokëve të shkollës dhe të njohurve të tjerë. Përpiquni ta lini këtë fletushkë në duart e çdonjërit që takoni! Po më pas?
8 Nëse përgjigjja është e menjëhershme: Disa persona do të përgjigjen menjëherë duke thënë se do t’u pëlqente të bënin një studim biblik. Prandaj, kurdoherë që jeni në shërbimin në fushë, sigurohuni se keni gjithmonë me vete dy kopje të broshurës Çfarë kërkon?—një për studentin dhe një për vete. Nëse personi është i gatshëm, fillo studimin menjëherë. Hapeni në pjesën e brendshme të kapakut dhe lexoni: «Si përdoret kjo broshurë» Pastaj shkoni menjëherë në mësimin 1 dhe i demonstroni studimin. A mund të bëhet më thjesht?
9 Nëse dëgjuesi juaj ka nevojë për kohë të mendohet: Përpiquni të kontaktoni me të përsëri, para se të kalojë shumë kohë. Kur shkoni përsëri sigurohuni se e keni broshurën Çfarë kërkon? me vete. Tregojini tabelën e përmbajtjes në pjesën e brendshme të kapakut. Lëreni të zgjedhë mësimin që i duket atij më interesant. Hapeni tek ai mësim dhe filloni bisedën rreth tij.
10 Të kthehemi ku kemi lënë revistat: Nëse e keni lënë fletushkën së bashku me disa revista, mund të ktheheni duke thënë: «Kur erdha herën e kaluar isha i kënaqur që ju lashë një kopje të revistës Kulla e Rojës. Ndoshta e keni vënë re se titulli i plotë i revistës është Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait. Sot do të doja t’ju shpjegoja çfarë është kjo Mbretëri dhe çfarë do të thotë për ju e për familjen tuaj.» Pastaj hapni broshurën Çfarë kërkon? në mësimin 6. Duke filluar me paragrafin e parë, lexoni e diskutoni për aq kohë sa ka pronari i shtëpisë. Më pas bëni rregullime për t’u kthyer një ditë tjetër dhe përfundoni mësimin.
11 Mos lini t’ju mbarohen fletushkat: Mbikëqyrësi i shërbimit dhe vëllezërit në repartin e literaturës do të mbajnë një sasi të bollshme fletushkash, gati në çdo kohë për kongregacionin. Mbani disa në xhepin ose çantën tuaj, në makinë, në vendin e punës, në shkollë, afër derës së shtëpisë—kudo ku mund të jetë e lehtë për t’i gjetur. Patjetër, mbani disa në çantën e shërbimit që t’i përdorni kur takoni dikë me të cilin mund të diskutoni për Biblën.
12 Jehovai bekoftë përpjekjet tona: Një synim i dëshirueshëm për të gjithë të krishterët është t’i mësojnë të vërtetën dikujt tjetër. (Mat. 28:19, 20) A jeni duke drejtuar kohët e fundit ndonjë studim biblik në shtëpi? Nëse po, a mund të gjeni kohën për një tjetër, në programin tuaj javor? Nëse nuk jeni duke drejtuar një studim, patjetër që do ta dëshironit një të tillë. Lutjuni Jehovait që të bekojë përpjekjet tuaja për të gjetur dikë me të cilin mund të studioni. Pastaj veproni në harmoni me lutjet tuaja.—1 Gjon. 5:14, 15.
13 Kemi një mjet të ri për të filluar studime! Njiheni mirë atë. Shpërndajeni kudo. Bëni gjithçka mundeni që ‘të punoni për të mirën, të jeni të pasur në vepra të shkëlqyera, të jeni dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët’ atë që keni mësuar rreth Fjalës së Perëndisë.—1 Tim. 6:18.
[Kutia në faqen 4]
RRETHANA PËR TË SHPËRNDARË FLETUSHKËN
◼ Biseda të përditshme
◼ Kur dikush pranon literaturën tonë
◼ Kur s’ka njeri në shtëpi
◼ Kur bëjmë rivizita
◼ Kur dëshmojmë në rrugë
◼ Kur dëshmojmë në territorin tregtar
◼ Kur dëshmojmë në mënyrë joformale
◼ Kur shkruajmë letra
◼ Kur përdorim mjetet e transportit publik
◼ Kur dikush vjen në derën tonë
◼ Kur flasim me të afërm, fqinjë, shokë shkolle, shokë pune dhe të njohur të tjerë