Të përlëvdojmë Jehovain në kongregacionin e madh!
1, 2. Çfarë mundësie na jep kongresi krahinor, dhe në cilat mënyra mund ta arrijmë këtë?
1 Kongreset e përvitshme krahinore janë një mundësi e shkëlqyer për të lavdëruar Jehovain. Edhe ne ndihemi ashtu si Davidi, i cili këndoi: «Unë do të të përlëvdoj në kongregacionin e madh, do të të thur lavde mes shumë njerëzve.» (Psal. 35:18, BR) Si mund të sigurohemi që, në Kongresin e ardhshëm Krahinor me temën «T’i bindemi Perëndisë», t’i sjellim lavdi Jehovait si popull i bashkuar?
2 Një mënyrë është me anë të sjelljes sonë. Administruesit e një ndërtese ku u zhvillua një kongres thanë: «Kur kemi parë kongreset tuaja, u kemi thënë grupeve të tjera fetare që marrin me qira këtë ndërtesë, të vijnë e të shohin se si e organizojnë Dëshmitarët e Jehovait një kongres, sepse kanë një organizim të përsosur.» Me anë të pamjes së jashtme, të bashkëpunimit dhe të sjelljes, secili prej nesh bën pjesën e tij që të thuhen shprehje të tilla lavdërimi, që me të drejtë i përkasin Perëndisë sonë.—1 Pjet. 2:12.
3, 4. Si do të na ndihmojë modestia që të vishemi siç u ka hije shërbëtorëve të krishterë, si në kongres, ashtu edhe në mbrëmje pas kongresit?
3 Pamja e jashtme: Që të vishemi dhe të rregullohemi në një mënyrë që i sjell lavdi Jehovait, kërkohet modesti. (1 Tim. 2:9) Libri Shkolla e Shërbimit, në faqen 132, thotë: «Njeriu modest interesohet që të mos i ofendojë më kot të tjerët dhe të mos tërheqë vëmendjen në mënyrë të papërshtatshme drejt vetes.» Në shumë vende, veshja jomodeste është bërë diçka e zakonshme. Por, Jehovai i vlerëson përpjekjet që bëjmë për ta përfaqësuar denjësisht atë. (Vep. 15:14) Ndonëse kongresi mund të mbahet në qendra sportive ose kulturore, ky grumbullim, gjatë tri ditëve të kongresit, bëhet për ne ‘kongregacioni i madh’. Kështu, ndërsa mblidhemi para Jehovait, duhet të vishemi me dinjitetin që i takon Personit më të lartë në univers.—1 Kron. 29:11.
4 Duhet t’i kushtojmë vëmendje pamjes së jashtme edhe në mbrëmje, pasi të ketë mbaruar një ditë e kongresit. Edhe pse gjatë kohës së lirë ose kur shkojmë në një restorant mund të kemi dëshirë të veshim rroba më të rehatshme, është e rëndësishme që veshja dhe rregullimi të jenë përsëri siç u ka hije atyre «që pohojnë se nderojnë thellësisht Perëndinë». (1 Tim. 2:10) Një veshje e përshtatshme nuk përcaktohet nga ajo që është më në modë. (1 Gjon. 2:16, 17) Në botimet tona të krishtere ka figura ku tregohen burra dhe gra të veshur në mënyrë modeste dhe të rregullt, në rrethana të ndryshme. Vendosja e distinktivit kur jemi në qytetin ku zhvillohet kongresi, do të na kujtojë se jemi 24 orë shërbëtorë të krishterë.—2 Kor. 6:3, 4.
5, 6. Si të tregojmë respekt për tryezën frymore të Jehovait?
5 Të tregojmë respekt për tryezën e Jehovait: Zotëria Sovran i universit na ka shtruar një gosti frymore. (Isa. 25:6; 1 Kor. 10:21) Në qoftë se e vlerësojmë vërtet vendin që kemi në tryezën frymore të Jehovait, do të kemi si synim të ndjekim të tria ditët e kongresit. A i keni marrë masat për strehimin, udhëtimin dhe a keni marrë leje nga puna? A keni lënë kohë të mjaftueshme për përgatitjen dhe udhëtimin, me qëllim që të mbërrini herët në vendin e kongresit që të gjeni vend për t’u ulur, të takoheni me vëllezërit e motrat dhe të jeni bashkë me ta për t’i dhënë lavdi Jehovait me këngën dhe lutjen hapëse?—Psal. 147:1.
6 Respekti për tryezën e Jehovait do të na shtyjë t’i kushtojmë vëmendje programit dhe të mos flasim me të tjerët pa qenë nevoja, të mos hamë e të mos ecim lart e poshtë nëpër korridore. Nëpërmjet skllavit të besueshëm dhe të matur, Jehovai po siguron ushqimin frymor që na duhet pikërisht tani. (Mat. 24:45) Të gjithë kemi nevojë për këtë ushqim, s’mund të humbim as edhe një pjesë të programit. Prindërit duhet të jenë ulur bashkë me fëmijët dhe t’i ndihmojnë që të përfitojnë plotësisht nga programi.—Ligj. 31:12.
7. Çfarë na kërkohet të bëjmë për sa i përket drekës dhe përse?
7 Ju lutemi, merreni me vete drekën, në vend që të dilni nga ndërtesa e kongresit për të blerë ushqim, gjatë intervalit. Është për t’u lavdëruar që shumica e delegatëve e ndoqën me përpikëri këtë udhëzim në kongresin e vitit të kaluar. Sa mirë do të ishte sikur këtë vit, që të gjithë të vepronim kështu! (Hebr. 13:17) Bindja ndaj këtij udhëzimi na jep një mundësi të shkëlqyer për t’u shoqëruar me vëllezërit tanë gjatë intervalit dhe krijon një atmosferë uniteti dhe paqeje, që i sjell nderim Jehovait.—Psal. 133:1.
8, 9. Çfarë mundësie tjetër për të lëvduar Jehovain na ofron kongresi?
8 Dëshmia joformale: Gjatë udhëtimit për të shkuar dhe për t’u kthyer nga kongresi, kemi shumë raste për t’i sjellë lavdi Jehovait me buzët tona. (Hebr. 13:15) Të kërkojmë mënyra për të dhënë dëshmi, ndërsa jemi në ndonjë restorant për të ngrënë ose ndërsa bisedojmë me personelin e hotelit. Kur kthehemi nga kongresi, mendja dhe zemra jonë do të jenë plot me thesare frymore. Le t’ua tregojmë këto gjëra të mira edhe atyre që takojmë në mënyrë joformale.—1 Pjet. 3:15.
9 E presim me padurim dhe me dëshirë këtë mundësi për ta bekuar Jehovain «mes turmave të mbledhura». (Psal. 26:12, BR) Le ta përlëvdojmë të gjithë së bashku Jehovain në Kongresin Krahinor «T’i bindemi Perëndisë»!
[Kutia në faqen 5]
Përkujtues për Kongresin Krahinor
◼ Oraret: Në të tria ditët, programi do të fillojë në orën 9.30. Dyert do të hapen në orën 8.00. Disa minuta para se të fillojë sesioni, drejtuesi do të ulet në podium, ndërkohë që në sfond dëgjohen meloditë e Mbretërisë. Në këtë kohë, të gjithë duhet të zëmë vend, me qëllim që programi të fillojë në mënyrë dinjitoze. Të premten dhe të shtunën, programi do të mbarojë në orën 17.05, kurse të dielën në orën 16.10.
◼ Parkimi: Në të gjitha vendet ku do të mbahet kongresi, do të ketë rojë për vendet e parkimit. Si identifikim për parkimin do të shërbejnë distinktivët e kongresit. Meqë zakonisht vendet e parkimit janë të kufizuara, që të mos ketë dyndje makinash, mundohuni të shfrytëzoni të gjitha vendet që ka një makinë duke mos përdorur çdo makinë personale.
◼ Vendet për t’u ulur: Mund të rezervoni vende vetëm për ata që udhëtojnë me ju ose për ata që jetojnë me ju në të njëjtën shtëpi.
◼ Kontributet: Organizimi i një kongresi krahinor kërkon shpenzime të konsiderueshme. Mund ta tregojmë vlerësimin tonë duke dhënë kontribute vullnetare për veprën mbarëbotërore në Sallën e Mbretërisë ose në kongres. Çeqet duhet të bëhen të pagueshme për «Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri».
◼ Dreka: Ju lutemi ta merrni drekën me vete, në mënyrë që të mos largoheni nga vendi ku mbahet kongresi gjatë pushimit të drekës. Nëse është e nevojshme, mund të merrni një çantë-frigorifer të vogël, që mund ta mbani poshtë karriges. Çantat e mëdha familjare që përdoren për piknikë, enët prej qelqi dhe pijet alkoolike nuk lejohen në vendin e kongresit.
◼ Regjistrimi: Aparatet regjistruese të çdo lloji nuk duhet të lidhen me sistemin elektrik ose akustik të kongresit dhe mund të përdoren vetëm në një mënyrë që nuk i shqetëson të tjerët.
◼ Fotografitë: Aparatet fotografike nuk duhet të përdoren me blic gjatë sesioneve.
◼ Biperat dhe celularët: Këto duhen programuar që të mos shpërqendrojnë të tjerët.
◼ Aksidentet dhe urgjencat: Nëse në vendin e kongresit ka një rast urgjence, ju lutemi të thërrisni përcjellësin më të afërt, i cili do të njoftojë menjëherë repartin e ndihmës së shpejtë, në mënyrë që personeli i specializuar i këtij reparti të përcaktojë se sa e rëndë është gjendja dhe të japë ndihmën e duhur.
◼ Restorantet: Në shumë vende është zakon që të lihet bakshish, i cili është në varësi të shërbimit.
◼ Hotelet: (1) Mos rezervoni më shumë dhoma sesa ju nevojiten dhe mos mbani më shumë njerëz në dhomë nga sa lejohet. (2) Nëse duhet ta anuloni rezervimin, njoftoni hotelin pa humbur kohë. (3) Mos gatuani në dhomat ku nuk lejohet gatimi. (4) Nëse mëngjesi, kafeja ose akulli është falas, mos abuzoni me to, pasi ai është në dispozicion të klientëve kur janë në hotel. (5) Shfaqni frytin e frymës me personelin e hotelit, sidomos gjatë procedurave në sportel kur ka shumë njerëz.