A jeni të përgatitur për katastrofat natyrore?
1. Pse është e mençur të parapërgatitemi për katastrofat?
1 Çdo vit, miliona njerëz anembanë botës, përfshirë edhe shumë nga vëllezërit dhe motrat tona, pësojnë dëme nga tërmetet, tsunamet, musonet, uraganet, tornadot dhe përmbytjet. Meqenëse katastrofat natyrore vijnë papandehur dhe mund të përfshijnë çdonjërin prej nesh, është e mençur që të jemi të përgatitur.—Prov. 21:5.
2. Pse duhet t’i informojmë pleqtë për ndryshimin e adresës dhe numrit (numrave) të telefonit?
2 Parapërgatitja: Ndonjëherë autoritetet arrijnë të paralajmërojnë për katastrofat që priten. Është e rëndësishme t’u kushtohet vëmendje këtyre paralajmërimeve. (Prov. 22:3) Në rrethana të tilla pleqtë do të përpiqen të lidhen me të gjithë pjesëtarët e kongregacionit për t’i ndihmuar me përgatitjet e nevojshme. Pas katastrofës, pleqtë do të përpiqen të lidhen prapë me të gjithë ata që shoqërohen me kongregacionin për të parë nëse janë mirë dhe për të kuptuar se për çfarë kanë nevojë. Mund të humbasë kohë e çmuar, nëse pleqtë nuk kanë informacionet e përditësuara për t’u lidhur me ta. Kështu, është mirë që lajmëtarët ta informojnë sekretarin dhe mbikëqyrësin e studimit të librit për çdo ndryshim në adresë dhe në numrin (numrat) e telefonit.
3. Si mund të bashkëpunojmë me pleqtë nëse jetojmë në një zonë të prirur ndaj katastrofave?
3 Nëse kongregacioni ndodhet në një zonë të prirur ndaj katastrofave, pleqtë mund t’u kërkojnë lajmëtarëve të japin emrin dhe numrin e telefonit të ndonjë të afërmi ose të një miku që nuk jeton aty afër, tek i cili mund t’i kërkojnë në rast urgjence. Kjo do t’i ndihmojë pleqtë të dinë vendndodhjen e atyre që kanë evakuar. Pleqtë mund të bëjnë edhe një plan për rastet e paparashikuara që të përfshijë gjëra të tilla si: një listë të thjeshtë të sendeve që secili duhet të ketë gati, një plan për evakuimin dhe mënyrën si do të ndihmohen ata me nevoja të veçanta. Bashkëpunimi me këto masa të dashura është mjaft i rëndësishëm.—Hebr. 13:17.
4. Çfarë duhet të bëjmë nëse ndodh një katastrofë në zonën tonë?
4 Pas një katastrofe: Çfarë duhet të bëni nëse katastrofa ndodh në zonën tuaj? Sigurohuni që familjes suaj t’i plotësohen nevojat më të ngutshme fizike. Nëse mundeni, jepuni ndihmën e nevojshme edhe të tjerëve që janë prekur nga katastrofa. Përpiquni të flisni me mbikëqyrësin e studimit të librit ose me një plak tjetër sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo duhet bërë edhe në rast se jeni jashtë çdo rreziku dhe nuk keni nevojë për ndihmë. Në qoftë se keni nevojë për ndihmë, jini të sigurt se vëllezërit tuaj po bëjnë çdo përpjekje për t’ju ndihmuar. (1 Kor. 13:4, 7) Mos harroni se Jehovai e di gjendjen tuaj; mbështetuni tek ai që t’ju ndihmojë. (Psal. 37:39; 62:8) Tregohuni të vëmendshëm ndaj mundësive që krijohen për të mbështetur të tjerët nga ana frymore dhe emocionale. (2 Kor. 1:3, 4) Kthejuni aktiviteteve të zakonshme teokratike sa më shpejt të jetë e mundur.—Mat. 6:33.
5. Si ndikon te ne të krishterët rreziku i katastrofave?
5 Ndërsa rreziku i katastrofave i shkakton shumë ankth botës, ne mund të shohim me besim nga e ardhmja. Së shpejti, të gjitha katastrofat do të jenë pjesë e së shkuarës. (Zbul. 21:4) Ndërkohë, mund të marrim masa të arsyeshme për t’u përgatitur për kohë të vështira, ndërsa ruajmë zellin në shpalljen e lajmit të mirë.