MËSIMI 40
Saktësia në pohime
SI MUND të ndodhë që një i krishterë të bëjë një pohim jo të vërtetë? Thjesht duke përsëritur diçka që e ka dëgjuar, pa lënë kohë për t’i kontrolluar vetë faktet. Ose mund ta zmadhojë një gjë, sepse pa e vënë re, e ka lexuar gabim materialin origjinal. Kur vërtet i kushtojmë vëmendje saktësisë edhe në gjëra të vogla, dëgjuesit do të kuptojnë që mund të kenë besim se edhe aspektet më të rëndësishme të mesazhit tonë janë të vërteta.
Në shërbimin në fushë. Duke e kuptuar që kanë ende shumë për të mësuar, shumë veta kanë frikë të fillojnë të dalin në shërbimin në fushë. Megjithatë, shpejt e kuptojnë se mund të japin dëshmi të efektshme, edhe po të kenë vetëm njohurinë bazë të së vërtetës. Si? Çelësi është përgatitja.
Para se të dalësh në shërbimin në fushë, njihu mirë me argumentin për të cilin dëshiron të flasësh. Përpiqu të mendosh që më përpara për pyetjet që mund të ngrenë dëgjuesit. Kërko përgjigje të kënaqshme, të bazuara në Bibël. Kjo do të të ndihmojë të japësh përgjigje të sakta duke qenë i qetë mendërisht. A do të drejtosh një studim biblik? Shqyrtoje me kujdes materialin e studimit. Sigurohu që e kupton bazën biblike për përgjigjet e pyetjeve në materialin e shtypur.
Po sikur i zoti i shtëpisë ose një shok pune të të bëjë një pyetje për të cilën nuk je i përgatitur? Po qe se nuk je i sigurt për faktet, mos u përgjigj me hamendje. «Zemra e të drejtit përsiatet para se të përgjigjet.» (Prov. 15:28) Mund ta gjesh ndihmën që të nevojitet në librin Të arsyetojmë me anë të Shkrimeve ose në pjesën «Tema për biseda biblike», në qoftë se janë në gjuhën tënde. Po qe se nuk ke me vete asnjë nga të dyja, thuaji se do të bësh disa kërkime dhe do të kthehesh përsëri. Nëse ai që bëri pyetjen është i sinqertë, nuk do ta ketë problem të presë për të marrë përgjigjen e saktë. Madje përulësia jote mund të ndikojë për mirë tek ai.
Duke punuar në shërbimin në fushë me lajmëtarë me përvojë do ta kesh më të lehtë të aftësohesh për ta përdorur drejt Fjalën e Perëndisë. Vër re cilat shkrime përdorin ata dhe si arsyetojnë me anë të tyre. Pranoji me përulësi sugjerimet ose këshillat që të japin për t’u përmirësuar. Dishepulli i zellshëm Apol nxori dobi nga ndihma që i dhanë të tjerët. Luka e përshkroi Apolin si «gojëtar», ‘njohës të mirë të Shkrimeve’ dhe ‘të zjarrtë në frymë’, një njeri që «mësonte me saktësi gjërat për Jezuin». Megjithatë, në kuptueshmërinë e tij kishte njëfarë boshllëku. Kur Prishila dhe Akuila e vunë re këtë, «e morën me vete dhe i shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë».—Vep. 18:24-28.
‘Mbaju fort fjalës së besueshme.’ Pjesët që mbajmë në mbledhje duhet të pasqyrojnë respekt të thellë për rolin e kongregacionit si «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». (1 Tim. 3:15) Për të mbështetur të vërtetën, është e rëndësishme që të kapim kuptimin e shkrimeve që planifikojmë të përdorim në fjalime. Merr parasysh kontekstin dhe qëllimin e tyre.
Ajo që thua në një mbledhje kongregacioni mund të përsëritet nga të tjerët. Natyrisht, «të gjithë ne pengohemi shumë herë». (Jak. 3:2) Por do të nxjerrësh dobi duke zhvilluar zakone që të ndihmojnë të flasësh saktë. Shumë vëllezër të regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik me kalimin e kohës do të bëhen pleq. Nga ata të cilëve u është besuar kjo përgjegjësi pritet «më shumë se zakonisht». (Luka 12:48) Në rast se një plak, duke u treguar i shkujdesur, jep një këshillë të gabuar që shkakton probleme serioze për pjesëtarët e kongregacionit, plaku mund të tërheqë mbi vete pakënaqësinë e Perëndisë. (Mat. 12:36, 37) Prandaj, një vëlla që kualifikohet si plak duhet të njihet si një person «që i mbahet fort fjalës së besueshme për sa i përket artit të tij të mësimdhënies».—Titit 1:9.
Ji i kujdesshëm që arsyetimet e tua të jenë në përputhje me «modelin e fjalëve të shëndosha» që është i dukshëm në tërësinë e të vërtetave biblike. (2 Tim. 1:13) Kjo nuk duhet të të frikësojë. Ndoshta nuk ke arritur ta lexosh ende të gjithë Biblën. Vazhdo të punosh në këtë drejtim. Por ndërkohë, vër re se si mund të të ndihmojnë sugjerimet e mëposhtme për të analizuar materialin që po mendon të përdorësh në mësimdhënien tënde.
Së pari, pyet veten: ‘A është ky material në harmoni me atë që kam mësuar tashmë nga Bibla? A do t’i afrojë dëgjuesit me Jehovain apo e ngre mençurinë e botës në piedestal, duke i nxitur njerëzit të udhëhiqen prej saj?’ Jezui tha: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17; Ligj. 13:1-5; 1 Kor. 1:19-21) Më tej, shfrytëzoji mirë mjetet e studimit që sigurohen nga klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur. Këto do të të ndihmojnë jo vetëm që t’i kuptosh saktë shkrimet, por edhe t’u bësh zbatim në mënyrë të ekuilibruar dhe me arsyetueshmëri. Në qoftë se i bazon fjalimet e tua në «modelin e fjalëve të shëndosha» dhe mbështetesh te kanali që ka siguruar Jehovai kur shpjegon dhe u bën zbatim shkrimeve, pohimet e tua do të jenë të sakta.
Kontrollo saktësinë e informacionit. Ngjarjet aktuale, citimet dhe përvojat mund të jenë të dobishme kur ilustron dhe u bën zbatim disa pikave të veçanta. Si mund të jesh i sigurt që këto janë të sakta? Një mënyrë është duke i marrë ato nga burime të besueshme. Mos harro të kontrollosh nëse informacioni është i përditësuar. Statistikat vjetërohen; zbulimet shkencore zëvendësohen me shpejtësi nga të tjera dhe, ndërsa kuptueshmëria e njeriut për historinë dhe për gjuhët e lashta rritet, përfundimet e bazuara në njohurinë e mëparshme duhen rishikuar. Tregohu shumë i kujdesshëm në rast se mendon të përdorësh informacion nga gazetat, televizioni, radioja, posta elektronike ose Interneti. Te Proverbat 14:15 na jepet këshilla: «Kushdo që është pa përvojë tregon besim në çdo fjalë, por kush është mendjehollë i shqyrton hapat e tij.» Pyet veten: ‘A ka ky burim nam të mirë për sa i përket saktësisë së informacioneve? A mund të verifikohet informacioni në ndonjë mënyrë tjetër?’ Në qoftë se ke dyshime për vërtetësinë e një informacioni, mos e përdor.
Përveçse të kontrollosh sa i besueshëm është burimi i informacionit, mendo me kujdes për mënyrën se si do ta përdorësh këtë informacion. Sigurohu që t’i përdorësh citimet dhe statistikat në harmoni me kontekstin nga i cili janë marrë. Ndërsa përpiqesh të theksosh një pikë, ki kujdes që të mos thuash «shumica e njerëzve» në vend të shprehjes «disa njerëz» ose «të gjithë» në vend të «shumë njerëz» dhe «gjithmonë» në vend të «në disa raste». Zmadhimi i gjërave që kanë të bëjnë me shifra, përmasa ose me seriozitetin e një ngjarjeje vë në diskutim besueshmërinë e atij që flet.
Kur shprehesh vazhdimisht me saktësi fiton emër si një njeri që e respekton të vërtetën. Kjo ndikon për mirë te Dëshmitarët e Jehovait si grup. Por, ç’është më e rëndësishme, nderon ‘Jehovain, Perëndinë e së vërtetës’.—Psal. 31:5.