MËSIMI 34
Ndërtues dhe pozitiv
MESAZHI që na është caktuar të shpallim është lajmi i mirë. Jezui tha: «Më parë duhet të predikohet lajmi i mirë në të gjitha kombet.» (Marku 13:10) Vetë Jezui dha shembullin duke predikuar «lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë». (Luka 4:43) Edhe ajo që predikuan apostujt është përshkruar si ‘lajmi i mirë i Perëndisë’ dhe ‘lajmi i mirë në lidhje me Krishtin’. (1 Sel. 2:2; 2 Kor. 2:12) Një mesazh i tillë është ndërtues dhe pozitiv.
Në harmoni me shpalljen e ‘lajmit të mirë të përhershëm’ nga ana e ‘engjëllit që fluturonte në mes të qiellit’, ne i nxitim njerëzit: «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi.» (Zbul. 14:6, 7) U flasim njerëzve kudo që janë për Perëndinë e vërtetë, për emrin e tij, për cilësitë e tij të shkëlqyera, për veprat e tij të mrekullueshme, për qëllimin e tij të dashur, për faktin që duhet t’i japim llogari atij dhe se çfarë kërkon ai prej nesh. Lajmi i mirë përfshin faktin që Perëndia Jehova do të shkatërrojë të ligjtë, të cilët e çnderojnë atë dhe ua bëjnë të mjerë jetën njerëzve të tjerë. Por nuk na përket neve të gjykojmë individët të cilëve u predikojmë. Dëshira jonë e zjarrtë është që sa më shumë njerëz që të jetë e mundur të reagojnë pozitivisht ndaj mesazhit të Biblës, me qëllim që ai të jetë vërtet një lajm i mirë për ta.—Prov. 2:20-22; Gjoni 5:22.
Kufizoje materialin negativ. Natyrisht, jeta ka edhe aspekte negative. Nuk duhet të mbyllim sytë para tyre. Për të filluar një bisedë, mund të përmendësh një problem që shqetëson personat e territorit tënd dhe ta trajtosh shkurtimisht. Por zakonisht nuk ia vlen të vazhdosh të flasësh për të gjerë e gjatë. Njerëzit dëgjojnë vazhdimisht lajme shqetësuese, prandaj po të flasësh për gjëra të pakëndshme ata mund të mbyllin ose derën, ose veshët. Që në fillim të bisedës përpiqu t’ua drejtosh vëmendjen te të vërtetat freskuese të Fjalës së Perëndisë. (Zbul. 22:17) Në këtë mënyrë, edhe sikur personi të mos dojë ta vazhdojë më bisedën, do t’i kesh lënë diçka ndërtuese për të menduar. Kjo mund ta bëjë më të gatshëm për të dëgjuar një herë tjetër.
Në mënyrë të ngjashme, nëse të kanë ftuar për të mbajtur një fjalim, mos e mbyt auditorin me të dhëna negative thjesht sepse të tilla ka me bollëk. Po qe se një orator flet gjerë e gjatë për dështimin e qeveritarëve njerëzorë, për raportet e krimit e të dhunës dhe për mbizotërimin tronditës të imoralitetit, kjo mund të ketë ndikim shkurajues. Përmendi aspektet negative të një argumenti vetëm në qoftë se kjo i shërben një qëllimi të dobishëm. Mund të mjaftojë pak nga ky material për të theksuar se sa i kohës është fjalimi yt. Veç kësaj, mund të përcaktojë cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë në një situatë dhe mund të përdoret për të treguar pse zgjidhja e paraqitur në Bibël është praktike. Kur është e mundur ji specifik, pa u zgjatur shumë me problemet.
Zakonisht nuk është as e mundur, as e pëlqyeshme të heqësh të gjithë materialin negativ nga një fjalim. Sfida është që të paraqiten elementet negative dhe pozitive në mënyrë të tillë që efekti i përgjithshëm të jetë pozitiv. Për ta arritur këtë, duhet të përcaktosh çfarë të përfshish, çfarë jo dhe ku ta vendosësh emfazën. Në Predikimin në Mal, Jezui i këshilloi dëgjuesit e tij që të shmangnin sjelljen egoiste të skribëve e të farisenjve dhe citoi disa shembuj për ta ilustruar këtë. (Mat. 6:1, 2, 5, 16) Megjithatë, në vend që të fliste gjerë e gjatë për shembujt negativë të atyre udhëheqësve fetarë, Jezui theksoi nevojën për të kuptuar rrugët e vërteta të Perëndisë dhe për të jetuar në përputhje me to. (Mat. 6:3, 4, 6-15, 17-34) Ndikimi ishte jashtëzakonisht pozitiv.
Shprehu me ton pozitiv. Në rast se të kanë caktuar të mbash një fjalim në kongregacion rreth ndonjë veçorie të veprimtarisë së krishterë, përpiqu të jesh ndërtues e jo kritikues. Sigurohu se po i bën edhe vetë gjërat që nxit të tjerët të bëjnë. (Rom. 2:21, 22; Hebr. 13:7) Në fjalët që thua mos u motivo nga acarimi, por nga dashuria. (2 Kor. 2:4) Kur je i bindur se bashkëbesimtarët e tu duan t’i pëlqejnë Jehovait, atëherë ajo që thua do ta pasqyrojë këtë bindje, dhe kjo do të ketë një ndikim të dobishëm. Vër re se si e shprehu një bindje të tillë apostulli Pavël, siç tregohet te 1 Selanikasve 4:1-12; 2 Selanikasve 3:4, 5 dhe Filemonit 4, 8-14, 21.
Ndonjëherë është e nevojshme që pleqtë të paralajmërojnë për ndonjë sjellje jo të mençur. Por përulësia do t’i ndihmojë që t’i trajtojnë vëllezërit e tyre me një frymë butësie. (Gal. 6:1) Mënyra se si thuhen gjërat duhet të pasqyrojë respekt për pjesëtarët e kongregacionit. (1 Pjet. 5:2, 3) Bibla i këshillon të rinjtë që të jenë veçanërisht të kujdesshëm në lidhje me këtë. (1 Tim. 4:12; 5:1, 2; 1 Pjet. 5:5) Kur nevojitet qortim, disiplinë ose ndreqje, kjo duhet bërë në bazë të asaj që thotë vetë Bibla. (2 Tim. 3:16) Oratori kurrë nuk duhet ta zmadhojë ose ta shtrembërojë zbatimin e Shkrimeve për të mbështetur ndonjë ide që mund ta ketë për zemër. Edhe kur është e nevojshme të jepen këshilla për të ndrequr, toni i fjalimit mund të mbahet pozitiv, nëse theksohet kryesisht mënyra se si të shmangim përfshirjen në keqbërje, si të zgjidhim problemet, si të kapërcejmë vështirësitë, si të ndreqim një rrugë të gabuar dhe si na ruajnë kërkesat e Jehovait.—Psal. 119:1, 9-16.
Kur përgatit fjalimin, kushtoji vëmendje të veçantë mënyrës se si do ta mbyllësh secilën pikë kryesore dhe gjithë fjalimin. Shpesh ajo që thua në fund mbahet mend më gjatë. A do të jetë pozitive?
Në bisedat me bashkëbesimtarët. Shërbëtorët e Jehovait i çmojnë mundësitë për t’u shoqëruar me të tjerët në mbledhjet e krishtere. Këto janë çaste freskimi frymor. Bibla na nxit ‘të inkurajojmë njëri-tjetrin’ kur mblidhemi në vendet tona të adhurimit. (Hebr. 10:25) Kjo bëhet jo vetëm nëpërmjet fjalimeve dhe komenteve gjatë mbledhjeve, por edhe nëpërmjet bisedave para dhe pas mbledhjeve.
Ndonëse është normale që gjatë bisedave të flasim për jetën tonë të përditshme, inkurajimi më i madh arrihet kur diskutojmë për çështje frymore. Këto përfshijnë përvojat që kemi në shërbimin e shenjtë. Edhe shfaqja e interesit të shëndoshë për njëri-tjetrin është ndërtuese.
Për shkak të ndikimit të botës përreth nesh, duhet të jemi të kujdesshëm. Kur u shkroi të krishterëve në Efes, Pavli tha: «Tani që keni flakur tej pavërtetësinë, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij.» (Efes. 4:25) Të themi të vërtetën në vend të pavërtetësisë përfshin të mos ngremë në qiell gjërat dhe njerëzit që bota i kthen në idhuj. Në mënyrë të ngjashme, Jezui paralajmëroi kundër ‘fuqisë mashtruese të pasurisë’. (Mat. 13:22) Prandaj, kur flasim me njëri-tjetrin, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos përkrahim këtë mashtrim duke i paraqitur gjërat materiale në një mënyrë magjepsëse.—1 Tim. 6:9, 10.
Duke këshilluar se nevojitet t’i ndërtojmë të tjerët, apostulli Pavël na nxit që të mos e gjykojmë ose përçmojmë një vëlla i cili mund të mos i bëjë disa gjëra për shkak të ‘dobësisë në besimin e tij’, domethënë, për shkak se nuk e kupton shtrirjen e plotë të lirisë së krishterë. Po, në rast se duam që bisedat tona t’i ndërtojnë të tjerët, duhet të marrim parasysh prejardhjen e atyre njerëzve dhe deri në ç’pikë janë të rritur frymësisht. Sa e trishtueshme do të ishte ‘të vinim përpara një vëllai [ose një motre] një gur pengese ose një shkak për t’u rrëzuar’!—Rom. 14:1-4, 13, 19.
Njerëzit që po përballojnë probleme të rënda personale, si për shembull, sëmundje kronike, i çmojnë bisedat ndërtuese. Ata mund të bëjnë shumë përpjekje për të ndjekur mbledhjet. Të tjerët që janë në dijeni të situatës së tyre mund t’i pyesin: «Si ndiheni?» Pa dyshim, ata do ta çmojnë interesimin e këtyre të fundit. Megjithatë, bisedat që kanë për temë gjendjen e tyre shëndetësore mund të mos jenë nga më inkurajueset. Shprehjet e çmueshmërisë dhe lavdërimet mund t’ua ngrohin më tepër zemrën. A sheh tregues të dashurisë së tyre të vazhdueshme për Jehovain dhe të qëndrueshmërisë së tyre, pavarësisht nga situata e vështirë? A ndihesh i inkurajuar kur ata bëjnë komente? A nuk është më ndërtuese ta drejtosh vëmendjen te pikat e tyre të forta dhe te ndihmesa që po japin në kongregacion, sesa te kufizimet e tyre?—1 Sel. 5:11.
Në mënyrë që bisedat tona të ndërtojnë, është veçanërisht e rëndësishme të marrim parasysh pikëpamjen e Jehovait për atë që po flasim. Në Izraelin e lashtë, ata që folën kundër përfaqësuesve të Jehovait dhe u ankuan për manën, u përballën me pakënaqësinë e ashpër të tij. (Num. 12:1-16; 21:5, 6) Tregojmë se kemi nxjerrë dobi nga këta shembuj kur shfaqim respekt për pleqtë dhe çmueshmëri për ushqimin frymor të siguruar nëpërmjet klasës së skllavit të besueshëm dhe të matur.—1 Tim. 5:17.
Në përgjithësi nuk është e vështirë të gjejmë gjëra të dobishme për të folur kur jemi me vëllezërit tanë të krishterë. Megjithatë, në qoftë se komentet e dikujt janë tepër kritike, merr nismën për ta kthyer bisedën në një drejtim ndërtues.
Kur u japim dëshmi të tjerëve, kur flasim nga podiumi ose kur flasim me bashkëbesimtarët, le të përdorim aftësi dalluese për të nxjerrë nga thesari i zemrës sonë «çdo thënie që është e mirë për të ndërtuar sipas nevojës, që t’u japë atë që është e favorshme atyre që e dëgjojnë».—Efes. 4:29.