Si t’i konsideroj fraksionet e gjakut dhe procedurat mjekësore ku përdoret gjaku im?
Bibla i urdhëron të krishterët «të rrinë larg nga . . . gjaku». (Vep. 15:20) Kështu, Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë transfuzionin e gjakut komplet ose të katër përbërësve kryesorë të gjakut, domethënë të rruazave të kuqe, të rruazave të bardha, të pllakëzave dhe të plazmës. Gjithashtu, nuk dhurojnë dhe nuk depozitojnë gjakun e tyre që t’u bëhet transfuzion më vonë.—Lev. 17:13, 14; Vep. 15:28, 29.
Çfarë janë fraksionet e gjakut dhe përse përdorimi i tyre është një çështje për të cilën duhet të vendosë vetë çdo i krishterë?
Fraksionet e gjakut janë elemente që nxirren nga gjaku, me anë të një procesi që quhet ndarja në fraksione. Për shembull, plazma, që është një nga katër përbërësit kryesorë të gjakut, mund të ndahet në këto substanca: ujë rreth 91 për qind; proteina, si albuminat, globulinat dhe fibrinogjeni rreth 7 për qind; substanca të tjera, si lëndë ushqyese, hormone, gaze, vitamina, mbeturina dhe elektrolite rreth 1,5 për qind.
A zbatohet urdhri për të ndenjur larg nga gjaku edhe për fraksionet? Nuk mund të japim një përgjigje të prerë. Bibla nuk jep udhëzime specifike për sa u përket fraksioneve.a Natyrisht, shumë prej tyre nxirren nga gjaku që është dhuruar për qëllime mjekësore. Çdo i krishterë duhet të marrë një vendim në bazë të ndërgjegjes, nëse do ta pranojë apo jo përdorimin mjekësor të këtyre substancave.
Kur të merrni vendime të tilla, shqyrtoni pyetjet vijuese: A jam i vetëdijshëm se refuzimi i të gjitha fraksioneve të gjakut do të thotë se nuk do të pranoj disa mjekime, si ato që luftojnë viruse dhe sëmundje ose që ndihmojnë për mpiksjen e gjakut, që të pushojë gjakrrjedhja? A mund t’ia shpjegoj mjekut pse e pranoj ose nuk e pranoj përdorimin e disa fraksioneve të gjakut?
Pse disa procedura që përfshijnë përdorimin mjekësor të gjakut tim, janë çështje për vendim personal?
Ndonëse të krishterët nuk dhurojnë dhe nuk depozitojnë gjakun e tyre që t’u bëhet transfuzion më vonë, disa procedura ose analiza që kanë të bëjnë me gjakun e individit nuk janë kaq qartë në kundërshtim me parimet e Biblës. Prandaj, çdo individ duhet të marrë një vendim në bazë të ndërgjegjes, nëse do të pranojë ose jo disa procedura mjekësore që përfshijnë përdorimin e gjakut të tij a të saj.
Kur të merrni vendime të tilla, bëni pyetjet e mëposhtme: Nëse një pjesë e gjakut do të më devijohej jashtë trupit e madje qarkullimi i tij mund të ndërpritej për njëfarë kohe, a do të më lejonte ndërgjegjja ta konsideroja ende këtë gjak si pjesë timen, e kështu të mos kërkoja që ‘të derdhej përtokë’? (Ligj. 12:23, 24) A do të më trazohej ndërgjegjja e stërvitur nga Bibla, nëse gjatë një procedure mjekësore, një pjesë e gjakut tim merret nga trupi, modifikohet dhe kthehet në trupin tim? A jam i vetëdijshëm se refuzimi i të gjitha procedurave mjekësore, që kanë të bëjnë me gjakun tim, do të thotë se nuk pranoj trajtime mjekësore si dializa ose përdorimi i makinës zemër-mushkëri? A e kam shqyrtuar në lutje këtë çështje, para se të marr vendimin?b
Çfarë do të vendos unë?
Shqyrto me kujdes dy tabelat në faqet vijuese. Në tabelën e parë renditen disa fraksione që përftohen nga gjaku dhe shpjegohen përdorimet e tyre të zakonshme në mjekësi. Pasi të lexosh me kujdes shpjegimin që është dhënë për secilin fraksion të gjakut, në kolonën e tretë shëno zgjedhjen tënde për secilin fraksion, pra, nëse do ta pranoje apo jo. Në tabelën e dytë renditen disa procedura mjekësore të zakonshme që përfshijnë gjakun e vetë pacientit. Pasi të kesh lexuar shpjegimin për çdo procedurë, shëno zgjedhjen tënde për secilën, pra, nëse do ta pranoje ose jo. Me ndihmën e këtyre tabelave do të jesh i përgatitur paraprakisht. Me qetësi, mund të përgatitesh për situata që mund të paraqiten papritur. Në këtë mënyrë, secili do të vendosë si do të veprojë. Pra, të tjerët mund të respektojnë dëshirat e tua personale.
Vendimet që do të shënosh duhet të jenë të tuat, dhe jo të bazuara në ndërgjegjen e dikujt tjetër. Po ashtu, askush nuk duhet t’i kritikojë vendimet e një të krishteri tjetër. Në këto çështje, «secili do të mbajë ngarkesën e vet» të përgjegjësisë.—Gal. 6:4, 5.
[Shënimet]
a Informacione të dobishme për këtë temë mund të gjeni në Kullën e Rojës, 15 qershor 2004, faqet 29-31.
cdefghijShënim: Metodat e zbatimit të këtyre procedurave mjekësore, ndryshojnë nga njëri mjek te tjetri. Duhet t’i kërkosh mjekut tënd të të shpjegojë me saktësi çfarë përfshin çdo procedurë që ai të propozon, për t’u siguruar se është në përputhje me parimet e Biblës dhe me vendimet e tua në bazë të ndërgjegjes.