Të aftësohemi gjithnjë e më shumë si lajmëtarë
1. Cilët shembuj nga shekulli i parë tregojnë se duhet të përparojmë si lajmëtarë?
1 Të krishterët duhet të vazhdojnë të përparojnë si lajmëtarë. Ja pse Jezui i stërviti dishepujt që të aftësoheshin gjithnjë e më shumë në veprën e predikimit. (Luka 9:1-5; 10:1-11) Për të njëjtën arsye, Akuila dhe Prishila e morën Apolin me vete dhe «i shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë». (Vep. 18:24-26) Po për këtë arsye, Pavli e inkurajoi Timoteun, një ungjillëzues me përvojë, që të vazhdonte t’i kushtonte vëmendje mësimdhënies së vet, që përparimi i tij ‘të dukej qartë për të gjithë’. (1 Tim. 4:13-15) Pavarësisht nga sa kohë shërbejmë si skllevër për Zotërinë në predikimin e lajmit të mirë, kemi nevojë të vazhdojmë t’i mprehim aftësitë tona në predikim.
2. Si mund të mësojmë prej të tjerëve?
2 Mëso prej të tjerëve: Një mënyrë për të përmirësuar aftësitë tona është duke mësuar prej të tjerëve. (Prov. 27:17) Prandaj ji i vëmendshëm kur shoku i shërbimit bën prezantimin. Kërkoju lajmëtarëve të aftë sugjerime specifike e dëgjoji me vëmendje. (Prov. 1:5) Mos ndoshta ndihesh i pasigurt për të bërë rivizita, për të filluar studime biblike ose në ndonjë aspekt tjetër të shërbimit? Merr iniciativën e kërko stërvitje nga mbikëqyrësi i grupit ose një lajmëtar tjetër me përvojë. Dhe mos harro se fryma e Jehovait mund të na aftësojë më shumë, prandaj lutu rregullisht për të.—Luka 11:13.
3. Si duhet të reagojmë nëse na japin një sugjerim të cilin ndoshta s’e kemi kërkuar?
3 Mos u fyej nëse të japin një sugjerim për t’u përmirësuar, edhe nëse nuk e ke kërkuar. (Ekl. 7:9) Ashtu si Apoli, pranoje ndihmën me përulësi e mirënjohje. Kjo është shenjë mençurie.—Prov. 12:15.
4. Ç’arsye të fortë dha Jezui që të aftësohemi gjithnjë e më shumë si ungjillëzues?
4 Përmirësimi ynë i jep lavdi Perëndisë: Me anë të një ilustrimi, Jezui i inkurajoi dishepujt të përparonin si lajmëtarë. Ai e krahasoi veten me një hardhi dhe dishepujt e mirosur me degët. Ai tha se Ati pastron çdo degë që jep fryt «që të japë edhe më shumë fryt». (Gjoni 15:2) Ashtu si pronari i një vreshti dëshiron që hardhitë të japin sa më shumë fryt, Jehovai dëshiron që të bëhemi gjithnjë e më të aftë për të dhënë «frytin e buzëve». (Hebr. 13:15) Cili është rezultati i kënaqshëm kur përparojmë si ungjillëzues? Përgjigjen na e jep Jezui: «Kjo i jep lavdi Atit tim: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt.»—Gjoni 15:8.