AKUILA
[nga lat., që do të thotë «shqiponjë»].
Jude i lindur në Pont, në veri të Azisë së Vogël. Përmendet gjithmonë me Prishilën, gruan dhe shoqen e tij besnike. Dekreti i perandorit Klaud kundër judenjve, diku rreth vitit 49 ose në fillim të vitit 50 të e.s., i kishte detyruar të braktisnin Romën e të vendoseshin me banim në Korint. (Ve 18:1, 2) Në vjeshtë të vitit 50 të e.s., Pavli shkoi atje dhe Akuila e Prishila e pritën derëhapur. Një miqësi e ngushtë u zhvillua mes tyre teksa punonin bashkë si bërës tendash, zanati i tyre i përbashkët, por edhe sepse Akuila e Prishila duhet ta kenë ndihmuar Pavlin të formonte atje një kongregacion të ri.—Ve 18:3.
Në fund të udhëtimit të dytë misionar të Pavlit, pak a shumë në pranverë të vitit 52 të e.s., kur ai u nis me anije për në Siri, Akuila dhe Prishila shkuan me të deri në Efes. (Ve 18:18, 19) Ata qëndruan atje të paktën deri rreth vitit 55 të e.s., kur Pavli u shkroi korintasve. Në shtëpinë e tyre bëheshin mbledhjet e kongregacionit dhe pikërisht atje patën privilegjin të ndihmonin Apolin gojëtar ta kuptonte më mirë udhën e Perëndisë. (1Ko 16:19; Ve 18:26) Në kohën kur Pavli u shkroi romakëve, rreth vitit 56 të e.s., Klaudi kishte vdekur dhe, meqë Pavli u bëri të fala këtyre «bashkëpunëtorëve», me sa duket Akuila e Prishila ishin kthyer në Romë. (Ro 16:3) Edhe atje kongregacioni mblidhej në shtëpinë e tyre. (Ro 16:5) Gjatë kohës që ishin me Pavlin, Akuila e Prishila kishin ‘vënë kokën në rrezik’ për të dhe të gjitha kongregacionet u ishin mirënjohës për këtë. (Ro 16:4) Më vonë, ata u kthyen përsëri në Efes, prandaj gjatë qëndrimit të tij në Romë, para se të martirizohej (rr. 65 të e.s.), Pavli i kërkoi Timoteut që ishte në Efes t’u çonte të fala nga ana e tij.—1Ti 1:3; 2Ti 4:19.