Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»
1-7 TETOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | GJONI 9-10
«Jezui kujdeset për delet e tij»
(Gjoni 10:1-3) Me të vërtetë po ju them se ai që nuk hyn në vathën e deleve nga dera, por ngjitet nga ndonjë vend tjetër, është hajdut dhe plaçkitës. 2 Kurse ai që hyn nga dera, është bariu i deleve, 3 dhe këtij portieri ia hap derën. Delet e dëgjojnë zërin e tij, ai i thërret delet e veta me emër dhe i nxjerr jashtë.
nwtsty media
Vatha e deleve
Vatha ishte një vend i rrethuar për të mbrojtur delet nga hajdutët dhe kafshët grabitqare. Ato ua mbanin të sigurta kopetë barinjve gjatë natës. Në kohët biblike, vathat ishin struktura pa çati, me forma dhe përmasa të ndryshme e shpesh kishin mure guri dhe vetëm një derë. (Nu 32:16; 1Sa 24:3; So 2:6) Gjoni përmend hyrjen në një vathë «nga dera», e cila ruhej nga «portieri». (Gjo 10:1, 3) Në një vathë të përbashkët mund të rrinin disa kope gjatë natës, dhe portieri rrinte zgjuar për t’i mbrojtur delet. Në mëngjes, portieri e hapte derën për barinjtë. Secili bari mblidhte kopenë e tij duke thirrur delet. Delet e njihnin zërin e bariut të tyre dhe dilnin nga vatha. (Gjo 10:3-5) Jezui iu referua këtij veprimi të përditshëm që të ilustronte si kujdesej ai për dishepujt e tij.—Gjo 10:7-14.
(Gjoni 10:16) Kam edhe dele të tjera, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato do t’i sjell, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 10:16
do t’i sjell: Ose «do t’i prij». Folja greke ágo që përdoret këtu, mund të ketë kuptimin «të sjellësh (në)» ose «të prish», në varësi të kontekstit. Një dorëshkrim grek që daton rreth vitit 200 të e.s., përdor një fjalë greke të ngjashme (sinágo) që shpesh përkthehet «të mbledhësh». Si Bariu i Shkëlqyer, Jezui mbledh, drejton, mbron dhe ushqen delet që i përkasin kësaj vathe (të cilat i quan «kope e vogël» te Lu 12:32), si dhe delet e tjera. Këto bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm. Ky portretizim thekson unitetin që kanë dishepujt e Jezuit.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Gjoni 9:38) Atëherë ai tha: «Unë tregoj besim tek ai, Zotëri.» Dhe i bëri nderime.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 9:38
i bëri nderime: Ose «u përkul para tij; ra përmbys para tij». Kur përdoret për t’iu referuar adhurimit të një perëndie ose hyjnie, folja greke proskinéo përkthehet «të adhurosh». (Mt 4:10; Lu 4:8) Gjithsesi, në këtë kontekst, burri që kishte lindur i verbër dhe që u shërua, e pranoi Jezuin si përfaqësues të Perëndisë dhe i bëri nderime. Ai nuk e konsideroi Jezuin sikur të ishte Perëndia ose si hyjni, por si Mesia që kishte autoritet hyjnor, si «Biri i njeriut» për të cilin paraflitej në Shkrime. (Gjo 9:35) Kur u përkul para Jezuit, me sa duket veproi si disa njerëz që përmenden në Shkrimet Hebraike, të cilët u përkulën kur takuan profetë, mbretër ose përfaqësues të tjerë të Perëndisë. (1Sa 25:23, 24; 2Sa 14:4-7; 1Mb 1:16; 2Mb 4:36, 37) Në shumë raste, nderimet që i bënë Jezuit, shprehnin mirënjohje që Perëndia ua zbuloi identitetin e Jezuit ose tregonin se e pranonin që Jezui kishte miratimin e Perëndisë.—Shih shënimet për studim te Mt 2:2; 8:2; 14:33; 15:25.
(Mateu 2:2) dhe pyetën: «Ku është mbreti i judenjve që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij kur ishim në lindje dhe kemi ardhur për t’i bërë nderime.»
nwtsty shënimi për studim te Mt 2:2
për t’i bërë nderime: Ose «për t’iu përkulur». Kur folja greke proskinéo përdoret për t’iu referuar adhurimit të një perëndie ose hyjnie, përkthehet «të adhurosh». Megjithatë, në këtë kontekst, astrologët po pyesnin se ku ishte ‘mbreti i judenjve që kishte lindur’. Ndaj është e qartë se këtu shprehja i referohet nderimit të një mbreti njerëzor, jo të një perëndie. Edhe te Mr 15:18, 19 shprehja përdoret me kuptim të ngjashëm për ushtarët, të cilët, duke u tallur, ‘i bënë nderime’ Jezuit dhe e quajtën ‘mbret të judenjve’.
(Mateu 8:2) Një i lebrosur u afrua dhe nisi të përkulej para tij e t’i thoshte: «Zotëri, po të duash, ti mund të më pastrosh.»
nwtsty shënimi për studim te Mt 8:2
nisi të përkulej para tij: Ose «i bëri nderime». Edhe disa njerëz që përmenden në Shkrimet Hebraike u përkulën kur takuan profetë, mbretër ose përfaqësues të tjerë të Perëndisë. (1Sa 25:23, 24; 2Sa 14:4-7; 1Mb 1:16; 2Mb 4:36, 37) Me sa duket, ky burrë e kuptoi se po fliste me një përfaqësues të Perëndisë, i cili kishte fuqi të shëronte njerëz. Ndaj ishte e përshtatshme të përkulej që të tregonte respekt për Mbretin e caktuar nga Jehovai.—Mt 9:18; për më shumë informacion në lidhje me fjalën greke që përdoret këtu, shih shënimin për studim te Mt 2:2.
(Mateu 14:33) Atëherë ata që gjendeshin në barkë, i bënë nderime dhe i thanë: «Ti je vërtet Biri i Perëndisë!»
nwtsty shënimi për studim te Mt 14:33
i bënë nderime: Ose «u përkulën para tij». Këta njerëz e pranuan Jezuin si përfaqësues të Perëndisë. Ata i bënë nderime jo si të ishte perëndi ose hyjni, por si «Biri i Perëndisë».—Shih shënimet për studim te Mt 2:2; 8:2.
(Mateu 15:25) Kur gruaja erdhi, nisi t’i bënte nderime dhe t’i thoshte: «Zotëri, më ndihmo!»
nwtsty shënimi për studim te Mt 15:25
nisi t’i bënte nderime: Ose «u përkul para tij». Duke e quajtur Jezuin «Bir i Davidit» (Mt 15:22), kjo grua jojudeje nga sa duket pranoi se ai ishte Mesia i premtuar. Ajo e nderoi jo si të ishte perëndi ose hyjni, por si përfaqësues i Perëndisë.—Shih shënimet për studim te Mt 2:2; 8:2; 14:33.
(Gjoni 10:22) Në atë kohë, në Jerusalem u bë festa e kushtimit. Ishte dimër.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 10:22
festa e kushtimit: Emri hebraik i kësaj feste është Hanukah (hanukkáh), që do të thotë «inaugurim; kushtim». Mbahej për tetë ditë, duke nisur nga data 25 e muajit hislev, afër solsticit të dimrit, (shih shënimin për studim të këtij vargu, te zëri dimër dhe sgd pjesa 19) për të kujtuar rikushtimin e tempullit të Jerusalemit në vitin 165 p.e.s. Mbreti sirian Antioku IV Epifan, tregoi përçmim për Jehovain, Perëndinë e judenjve, duke përdhosur tempullin e Tij. Për shembull, ai ndërtoi një altar mbi altarin e madh, ku më përpara ofroheshin ditë për ditë blatimet e djegura. Për ta ndotur plotësisht tempullin e Jehovait, më 25 hislev të vitit 168 p.e.s., Antioku flijoi në altar një derr dhe spërkati gjithë tempullin me lëngun e mishit. Ai dogji portat e tempullit, shkatërroi dhomat e priftërinjve dhe hoqi altarin prej ari, tryezën e bukëve të paraqitjes, si edhe shandanin prej ari. Më pas, tempullin që i ishte kushtuar Jehovait, ia kushtoi një perëndie pagan, Zeusit të Olimpit. Dy vjet më vonë, Judë Makabeu shtiu në dorë qytetin dhe tempullin. Tempulli u pastrua dhe rikushtimi i tij u bë më 25 hislev të vitit 165 p.e.s., fiks tre vjet pasi Antioku i kishte ofruar Zeusit flijimin e pështirë në altar. Pastaj, blatimet e djegura të përditshme për Jehovain nisën të ofroheshin përsëri. Në Shkrimet e frymëzuara nuk thuhet se ishte Jehovai ai që i dha fitoren Judë Makabeut dhe që e udhëzoi ta kthente tempullin në gjendjen e mëparshme. Megjithatë, Jehovai kishte përdorur burra nga kombe të tjera, si Kirin e Persisë, për të përmbushur qëllime të caktuara që lidheshin me adhurimin e Tij. (Is 45:1) Prandaj është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se Jehovai mund të përdorte dikë nga populli i tij i kushtuar për të bërë vullnetin e Tij. Shkrimet thonë se tempulli duhej të ekzistonte dhe të funksiononte që të përmbusheshin profecitë për Mesinë, për shërbimin dhe për flijimin e tij. Gjithashtu, flijimet nga levitët duhej të ofroheshin deri kur Mesia të paraqiste flijimin më të madh, jetën e tij për njerëzimin. (Dn 9:27; Gjo 2:17; He 9:11-14) Dishepujt e Krishtit nuk kishin marrë ndonjë urdhër për ta kremtuar festën e Kushtimit. (Kl 2:16, 17) Gjithsesi, nuk ka asnjë të dhënë që Jezui ose dishepujt e tij ta kenë dënuar kremtimin e kësaj feste.
dimër: Bëhet fjalë për dimrin e vitit 32 të e.s., dimri i fundit i shërbimit të Jezuit. Festa e Kushtimit mbahej në muajin hislev, muajin e nëntë, i cili përkon me periudhën nëntor-dhjetor. Në vitin 32 të e.s., 25 hislevi, dita e parë e festës, ra në mes të dhjetorit. (Shih sgd pjesa 19.) Judenjtë e dinin fare mirë se kjo festë mbahej në dimër. Ka mundësi që, në këtë varg, dimri të jetë përmendur për të theksuar se, për shkak të kushteve të motit, Jezui zgjodhi t’i mësonte njerëzit në një vend të mbrojtur, në «kolonadën e Solomonit». (Gjo 10:23) Në dimër ky vend siguronte mbrojtje nga erërat e forta të lindjes.—Shih sgd pjesa 15.
8-14 TETOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | GJONI 11-12
«Imito dhembshurinë e Jezuit»
(Gjoni 11:23-26) Jezui i tha: «Yt vëlla do të ngrihet.» 24 Marta i tha: «E di se do të ringjallet ditën e fundit.» 25 Jezui i tha: «Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që tregon besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të kthehet në jetë. 26 Kushdo që jeton dhe tregon besim tek unë, nuk do të vdesë kurrën e kurrës. A e beson këtë?»
nwtsty shënimet për studim te Gjo 11:24, 25
E di se do të ringjallet: Marta mendonte se Jezui po fliste për ringjalljen që do të ndodhte në të ardhmen, në ditën e fundit. (Shih shënimin për studim te Gjo 6:39.) Ajo kishte besim të jashtëzakonshëm te ky mësim. Në atë kohë, kishte disa krerë fetarë që quheshin saducenj, të cilët nuk e pranonin se do të kishte ringjallje, edhe pse Shkrimet e frymëzuara e mësonin qartësisht këtë. (Dn 12:13; Mr 12:18) Nga ana tjetër, ekzistonin farisenjtë që besonin te pavdekësia e shpirtit. Megjithatë, Marta e dinte se shpresa e ringjalljes ishte pjesë e mësimeve të Jezuit, madje ai kishte ringjallur disa njerëz, por asnjëri nuk kishte qenë në gjumin e vdekjes aq gjatë sa Lazari.
Unë jam ringjallja dhe jeta: Vdekja dhe ringjallja e Jezuit i hapën rrugën ringjalljes së të vdekurve. Pasi Jezui u ringjall, Jehovai nuk i dha fuqi vetëm për të ringjallur të vdekurit, por edhe për të dhënë jetë të përjetshme. (Shih shënimin për studim te Gjo 5:26.) Te Zb 1:18, Jezui e quan veten «ai që jeton», i cili ka «çelësat e vdekjes dhe të Hadesit». Prandaj, Jezui është shpresa e të gjallëve dhe e të vdekurve. Ai premtoi se do të hapte varret dhe do t’u jepte jetë të vdekurve: disave jetë në qiej si bashkëqeveritarë me të, të tjerëve në tokën e re nën qeverinë e tij qiellore. (Gjo 5:28, 29; 2Pj 3:13)
(Gjoni 6:39) Vullneti i atij që më dërgoi është ky: të mos humbas asnjërin nga gjithë ata që ai më dha, por ta ringjall në ditën e fundit.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 6:39
ta ringjall në ditën e fundit: Jezui e tha 4 herë se do t’i ringjallte njerëzit në ditën e fundit. (Gjo 6:40, 44, 54) Edhe Marta foli për ‘ringjalljen në ditën e fundit’ te Gjo 11:24. (Krahaso Dn 12:13; shih shënimin për studim te Gjo 11:24.) Te Gjo 12:48, kjo ‘ditë e fundit’ lidhet me një kohë gjykimi që, me sa duket, do të përfshijë Mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit, gjatë të cilit ai do të gjykojë njerëzit, përfshirë të gjithë ata që do të ringjallen.—Zb 20:4-6.
(Gjoni 5:26) Ashtu si Ati ka jetë në vetvete, po kështu i ka lejuar edhe Birit të ketë jetë në vetvete.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 5:26
ka jetë në vetvete: Ose «ka dhuratën e jetës në vetvete». Jezui «ka jetë në vetvete», sepse Ati i dha fuqi që fillimisht i kishte vetëm Ai. Pa dyshim që te këto fuqi përfshihet autoriteti për t’u dhënë njerëzve mundësinë e një emri të mirë para Perëndisë e kështu të fitojnë jetën. Këto fuqi do të përfshijnë edhe aftësinë për të dhënë jetë duke i ringjallur të vdekurit. Pak a shumë një vit pasi tha fjalët e këtij shkrimi, Jezui tregoi se edhe dishepujt e tij mund të kishin jetë në vetvete.—Gjo 6:53.
(Gjoni 11:33-35) Kur pa Marinë dhe judenjtë që erdhën me të, që po qanin, Jezui rënkoi në frymë dhe u trazua. 34 Pastaj pyeti: «Ku e keni vënë?» Ata iu përgjigjën: «Zotëri, eja e shiko.» 35 Jezui nuk i mbajti dot lotët.
nwtsty shënimet për studim te Gjo 11:33-35
po qanin: Fjala greke për «po qanin», shpesh i referohet së qarës me zë. E njëjta folje është përdorur për Jezuin kur paratha shkatërrimin e ardhshëm të Jerusalemit.—Lu 19:41.
rënkoi . . . dhe u trazua: Kombinimi i këtyre dy fjalëve në gjuhën origjinale tregon se, në këtë rast, Jezui shfaqi ndjenja shumë të thella. Në përgjithësi, folja greke e përkthyer «rënkoi» (embrimáomai) do të thotë të kesh ndjenja të thella, ndërsa në këtë kontekst tregon se Jezui i bëri të dukshme këto ndjenja duke rënkuar. Në greqisht, fjala «u trazua» (tarásso) literalisht do të thotë të tronditesh. Sipas një studiuesi, në këtë kontekst do të thotë «të shkaktosh një turbullim të brendshëm, të shkaktosh dhimbje të madhe ose hidhërim». E njëjta folje përdoret edhe te Gjo 13:21 për të përshkruar ndjenjat e Jezuit kur mendonte se do të tradhtohej nga Juda.—Shih zërin nuk i mbajti dot lotët.
në frymë: Me sa duket, fjala greke «pneúma» këtu ka kuptimin e forcës nxitëse që buron nga zemra e figurshme dhe e shtyn dikë të flasë ose të veprojë në një mënyrë të caktuar.—Shih Fjalorthin, te zëri «Fryma».
nuk i mbajti dot lotët: Fjala greke e përdorur këtu (dakrío) është forma foljore e emrit grek «lot» që shfaqet në shkrime të tilla si: Lu 7:38; Ve 20:19, 31; He 5:7; Zb 7:17; 21:4. Me sa duket, theksi vihet më shumë te lotët e derdhur sesa tek e qara me zë. Në Shkrimet e Krishtere Greke, kjo folje del vetëm këtu dhe ndryshon nga ajo që përdoret te Gjo 11:33 (shih shënimin për studim te zëri po qanin) për të përshkruar të qarën e Marisë dhe të judenjve. Jezui e dinte se do ta ringjallte Lazarin, por u trishtua jashtë mase teksa shihte pikëllimin e miqve të tij të shtrenjtë. I shtyrë nga dashuria dhe dhembshuria e madhe për miqtë e tij, ai derdhi lot para të tjerëve. Ky tregim e zbulon qartë se Jezui provon ndjenja të përbashkëta me ata që humbin njerëz të dashur nga vdekja adamike.
Fjalorthi
Fryma
Fjala hebraike rúah dhe fjala greke pnéuma, që shpesh përkthehen «frymë», kanë disa kuptime. Të gjitha kuptimet i referohen asaj që është e padukshme për sytë e njerëzve dhe që është forcë aktive ose vepruese. Si fjala hebraike, edhe ajo greke, përdoren për: (1) erën, (2) forcën e jetës që vepron te krijesat tokësore, (3) forcën nxitëse që buron nga zemra e figurshme e një personi dhe që e shtyn t’i thotë e t’i bëjë gjërat në një mënyrë të caktuar, (4) shprehjet e frymëzuara që vijnë nga një burim i padukshëm, (5) personat e padukshëm në qiej dhe (6) forcën vepruese të Perëndisë ose frymën e shenjtë.—Da 35:21; Ps 104:29; Mt 12:43; Lu 11:13.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Gjoni 11:49) Por një nga ata, Kajafa, që atë vit ishte kryeprift, u tha: «Ju nuk dini gjë fare.»
nwtsty shënimi për studim te Gjo 11:49
kryeprift: Kur Izraeli ishte komb i pavarur, kryeprifti qëndronte në këtë pozitë gjatë gjithë jetës. (Nu 35:25) Megjithatë, kur Izraeli u vu nën sundimin romak, sundimtarët e caktuar nga Roma, kishin autoritet të emëronin dhe të çemëronin kryepriftin. Kajafa, i emëruar nga romakët, ishte një diplomat i zoti që qëndroi në këtë pozitë më gjatë se pararendësit e tij të fundit. Ai u emërua rreth vitit 18 të e.s. dhe qëndroi në këtë post pak a shumë deri në vitin 36 të e.s. Kur Gjoni tha se Kajafa ishte kryeprift atë vit, domethënë më 33 të e.s., me sa duket po nënkuptonte se Kajafa ishte kryeprift edhe gjatë vitit historik kur u ekzekutua Jezui.—Për vendndodhjen e mundshme të shtëpisë së Kajafës shih sgd pjesa 16.
(Gjoni 12:42) Gjithsesi, edhe shumë nga krerët treguan besim tek ai, por nuk dëshmonin për të për shkak të farisenjve, që të mos përjashtoheshin nga sinagoga.
nwtsty shënimet për studim te Gjo 12:42
krerët: Me sa duket, fjala greke e përdorur këtu për «krerët», u referohet anëtarëve të gjykatës së lartë judaike, Sinedrit. Ky term përdoret te Gjo 3:1 për Nikodemin, një anëtar i asaj gjykate.
përjashtoheshin nga sinagoga: Ose «dëboheshin nga sinagoga». Mbiemri grek aposinágogos përdoret vetëm te Gjo 9:22, 12:42 dhe 16:2. Një person të tillë e shmangnin dhe e përçmonin si të përjashtuar nga shoqëria. Ndërprerja e shoqërimit me judenjtë e tjerë do t’i sillte pasoja të rënda ekonomike familjes. Sinagogat, që kryesisht përdoreshin për arsimim, deri në njëfarë mase përdoreshin edhe si vende ku gjykatat lokale me autoritetin e tyre zbatonin dënimet e fshikullimit dhe të përjashtimit.—Mt 10:17.
15-21 TETOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | GJONI 13-14
«Unë ju lashë modelin»
(Gjoni 13:5) Pastaj, hodhi ujë në një legen dhe filloi t’u lante këmbët dishepujve e t’ua thante me peshqir.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 13:5
t’u lante këmbët dishepujve: Në Izraelin e lashtë, sandalet përdoreshin më shumë. Ato kishin vetëm një shollë që lidhej me këmbën dhe kyçin e këmbës nëpërmjet një rripi, kështu që ishte e pashmangshme që këmbët e një udhëtari të bëheshin pis nga rrugët dhe fushat tërë pluhur e baltë. Prandaj ishte zakon që sandalet të hiqeshin para se të hyhej në një shtëpi dhe që një zot shtëpie mikpritës të sigurohej që mysafirit t’i laheshin këmbët. Bibla e përmend disa herë këtë zakon. (Zn 18:4, 5; 24:32; 1Sa 25:41; Lu 7:37, 38, 44) Kur Jezui u lau këmbët dishepujve, përdori këtë zakon që t’u mësonte si të tregoheshin të përulur dhe t’u shërbenin të tjerëve.
(Gjoni 13:12-14) Pasi u lau këmbët, ai veshi veshjen e sipërme, u shtrua përsëri në tryezë dhe i pyeti: «A e kuptuat çfarë ju bëra? 13 Ju më quani ‘Mësues’ dhe ‘Zotëri’, dhe mirë bëni, sepse jam i tillë. 14 Prandaj, kur ju lava këmbët unë që jam Zotëri dhe Mësues, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.»
nwtsty shënimi për studim te Gjo 13:12-14
duhet: Ose «jeni nën detyrimin të». Folja greke që gjendet në këtë varg përdoret shpesh në kuptimin monetar dhe në thelb do të thotë «t’i jesh borxhli dikujt; t’i detyrohesh dikujt». (Mt 18:28, 30, 34; Lu 16:5, 7) Ndërsa këtu dhe në kontekste të tjera, ajo përdoret në një kuptim më të gjerë: të jesh i detyruar ose nën detyrimin për të bërë diçka.—1Gjo 3:16; 4:11; 3Gjo 8.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Gjoni 14:6) Jezui i tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.»
nwtsty shënimi për studim te Gjo 14:6
Unë jam udha, e vërteta dhe jeta: Jezui është udha, sepse vetëm nëpërmjet tij mund t’i afrohemi Perëndisë në lutje. Gjithashtu, ai është «udha» që njerëzit të pajtohen me Perëndinë. (Gjo 16:23; Ro 5:8) Jezui është e vërteta në kuptimin që foli dhe jetoi në përputhje me të vërtetën. Veç kësaj, përmbushi shumë profeci që tregojnë rolin e tij kryesor në plotësimin e qëllimit të Perëndisë. (Gjo 1:14; Zb 19:10) Këto profeci u bënë «‘po’ [ose u përmbushën] me anë të tij». (2Ko 1:20) Jezui është jeta, sepse me anë të shpërblesës bëri të mundur që njerëzimi të fitojë «jetën e vërtetë», domethënë «jetën e përhershme». (1Ti 6:12, 19; Ef 1:7; 1Gjo 1:7) Gjithashtu, ai do të tregojë se është «jeta» për miliona veta që do të ringjallen me perspektivën për të jetuar përgjithmonë në Parajsë.—Gjo 5:28, 29.
(Gjo 14:12) Me të vërtetë po ju them se edhe ai që tregon besim tek unë, do të bëjë veprat që bëj unë. Madje do të bëjë vepra më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 14:12
vepra më të mëdha se këto: Jezui nuk po thoshte se dishepujt do të kryenin mrekulli më të mëdha sesa mrekullitë që bëri ai. Në vend të kësaj, me përulësi po pranonte se vepra e tyre e predikimit dhe e mësimdhënies do të kishte shtrirje më të madhe se e tij. Dishepujt do të mbulonin më tepër territor, do të takonin më tepër njerëz dhe do të predikonin për një periudhë më të gjatë se ai. Fjalët e Jezuit e tregojnë qartë se ai priste që dishepujt ta vazhdonin veprën e tij.
22-28 TETOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | GJONI 15-17
«Nuk jeni pjesë e botës»
(Gjoni 15:19) Po të ishit pjesë e botës, bota do të tregonte përzemërsi për atë që është e veta. Ngaqë nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota, bota ju urren.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 15:19
bota: Në këtë kontekst, fjala greke kósmos u referohet njerëzve që nuk janë shërbëtorë të Perëndisë, shoqërisë së padrejtë njerëzore që është larguar nga Perëndia. Gjoni është i vetmi nga shkrimtarët e ungjijve që citon fjalët e Jezuit se dishepujt e tij nuk janë pjesë e botës ose nuk i përkasin botës. Ky mendim përsëritet edhe dy herë të tjera në lutjen e fundit që bëri Jezui me apostujt e tij besnikë.—Gjo 17:14, 16.
(Gjoni 15:21) Por të gjitha këto do t’i bëjnë kundër jush, për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më dërgoi.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 15:21
për shkak të emrit tim: Në Bibël, fjala «emër» ndonjëherë i referohet personit që e mban atë emër, reputacionit të tij dhe gjithçkaje që përfaqëson ai. Në rastin e emrit të Jezuit, i referohet edhe autoritetit e pozitës që i ka dhënë Ati i tij. (Mt 28:18; Fi 2:9, 10; He 1:3, 4) Këtu Jezui shpjegon arsyen pse njerëzit në botë do të bënin gjëra kundër dishepujve të tij, sepse nuk e njohin atë që e dërgoi. Njohuria për Perëndinë do t’i ndihmonte ta kuptonin dhe ta pranonin atë që përfaqëson emri i Jezuit. (Ve 4:12) Këtu do të përfshihej pozita e Jezuit si Mbret i mbretërve i emëruar nga Perëndia, të cilit gjithë njerëzit duhej t’i përkuleshin në shenjë nënshtrimi që të fitonin jetën.—Gjo 17:3; Zb 19:11-16; krahaso Ps 2:7-12.
(Gjoni 16:33) Jua kam thënë këto gjëra që nëpërmjet meje të keni paqe. Në botë keni shtrëngim, por merrni zemër! Unë e munda botën.
it-1 516
Guximi
Të krishterët kanë nevojë për guxim që të mos njollosen nga qëndrimet e veprimet e botës që është në armiqësi me Perëndinë Jehova dhe që t’i qëndrojnë besnikë Atij, ndonëse u duhet të përballen me urrejtjen e botës. Jezu Krishti u tha dishepujve: «Në botë keni shtrëngim, por merrni zemër! Unë e munda botën.» (Gjo 16:33) Biri i Perëndisë nuk iu dorëzua asnjëherë ndikimit të botës, por triumfoi mbi të duke mos u bërë në asnjë aspekt si bota. Shembulli i shkëlqyer i Jezu Krishtit si ai që mundi botën, si edhe rezultati i udhës së tij të patëmetë mund të na japin guximin e nevojshëm për ta imituar ndërsa qëndrojmë të ndarë dhe të pandotur nga bota.—Gjo 17:16.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Gjoni 17:21-23) që ata të jenë të gjithë një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua, dhe unë jam në unitet me ty, që edhe ata të jenë në unitet me ne, me qëllim që bota të besojë se më dërgove ti. 22 Gjithashtu, u kam dhënë atyre lavdinë që ti më ke dhënë mua, që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një. 23 Unë në unitet me ta e ti në unitet me mua, që ata të jenë të përsosur në një, që bota ta dijë se më dërgove ti dhe se i deshe ata, siç më deshe mua.
nwtsty shënimet për studim te Gjo 17:21-23
një: Ose «në unitet». Jezui u lut që dishepujt e tij të vërtetë të ishin «një», domethënë të bashkëpunonin në unitet për të njëjtin qëllim, ashtu siç janë «një» ai me Atin e tij, dhe kjo tregon bashkëpunim dhe njëjësi mendimi. (Gjo 17:22) Te 1Ko 3:6-9 Pavli flet për këtë lloj uniteti që kanë të krishterët teksa bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe me Perëndinë.—Shih 1Ko 3:8 dhe shënimin për studim te Gjo 10:30.
të jenë të përsosur në një: Ose «të jenë në unitet të plotë». Në këtë varg, Jezui e lidh unitetin e përsosur me faktin që Ati i donte. Kjo është në harmoni me Kl 3:14, ku thuhet: «[Dashuria] është një lidhje e përsosur bashkimi.» Ky unitet i përsosur është relativ. Nuk do të thotë se do të zhduken ndryshimet mes personaliteteve, si për shembull aftësitë, zakonet dhe ndërgjegjja e gjithsecilit. Por do të thotë se dishepujt e Jezuit janë të unifikuar në veprime, në besim dhe në mësimdhënie.—Ro 15:5, 6; 1Ko 1:10; Ef 4:3; Fi 1:27.
(Gjoni 10:30) Unë dhe Ati jemi një.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 10:30
një: Ose «në unitet». Këto fjalë të Jezuit tregojnë se ai dhe Ati janë të bashkuar për të mbrojtur ata që janë si dele dhe për t’u prirë drejt jetës së përhershme. Kujdesi për delet është një punë që Ati dhe Biri e kryejnë bashkë. Ata merakosen njëlloj për delet dhe nuk lejojnë askënd t’ua rrëmbejë nga dora. (Gjo 10:27-29; krahaso Ezk 34:23, 24.) Në Ungjillin e Gjonit përmendet shpesh se Ati dhe Biri janë në unitet për sa i përket miqësisë, vullnetit dhe qëllimeve. Fjala greke që këtu është përkthyer «një» nuk është në gjininë mashkullore (që tregon «një person»), por në gjininë asnjanëse (që tregon «një gjë»). Kjo mbështet mendimin se Jezui dhe Ati i tij veprojnë dhe bashkëpunojnë si «një», por nuk janë i njëjti person. (Gjo 5:19; 14:9, 23) Duke krahasuar fjalët që përmenden këtu me lutjen te Gjoni kapitulli 17 kuptojmë që Jezui nuk po thoshte se ishte i barabartë me Perëndinë, por po fliste për njëjësinë në qëllime e veprime. (Gjo 10:25-29; 17:2, 9-11) Kjo bie në sy sidomos kur ai u lut për dishepujt: «Të jenë një ashtu siç jemi ne.» (Gjo 17:11) Prandaj, si te kapitulli 10, edhe te kapitulli 17 fjala «një» ka të njëjtin kuptim.—Shih 1Ko 3:8 ku fjala greke për «një» përdoret në mënyrë të ngjashme.
(Gjoni 17:24) O Atë, dëshiroj që ata që më ke dhënë, të jenë me mua aty ku jam unë, që të shohin lavdinë që ma ke dhënë ti, sepse më deshe para themelimit të botës.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 17:24
themelimit të botës: Fjala greke për «themelim» te He 11:11 është përkthyer «për të ngjizur» dhe përdoret në lidhje me një «farë» ose pasardhës. Në shprehjen «themelimit të botës» ka mundësi që kjo fjalë t’i referohet lindjes së fëmijëve të Adamit e të Evës. Jezui e lidhi këtë shprehje me Abelin, me sa duket njeriu i parë që mund të shpengohej dhe personi i parë që e ka emrin ‘të shkruar në rrotullën e jetës që nga themelimi i botës’. (Lu 11:50, 51; Zb 17:8) Gjithashtu, këto fjalë që Jezui ia tha në lutje Atit të tij, konfirmojnë se kohë më parë—para se Adami dhe Eva të ngjiznin pasardhës—Perëndia e donte Birin e tij të vetëmlindur.
29 TETOR–4 NËNTOR
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | GJONI 18-19
«Jezui dha dëshmi për të vërtetën»
(Gjoni 18:37) Atëherë Pilati e pyeti prapë: «A je mbret, atëherë?» Jezui iu përgjigj: «Ti vetë e thua se jam mbret. Për këtë linda dhe erdha në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën. Kushdo që është në anën e së vërtetës, e dëgjon zërin tim.»
nwtsty shënimet për studim te Gjo 18:37
të jap dëshmi për: Në Shkrimet e Krishtere Greke, fjalët greke që janë përkthyer «të japësh dëshmi» (martiréo), «dëshmi» (martiría) dhe «dëshmitar» (mártis) përdoren me kuptim të gjerë. Kuptimi kryesor i këtyre termave është të dëshmosh për fakte që ke parë a dëgjuar drejtpërdrejt. Por mund të përfshijnë edhe idenë «të shpallësh; të konfirmosh; të flasësh mirë për». Jezui jo vetëm dëshmoi dhe shpalli të vërtetat për të cilat ishte i bindur, por edhe jetoi në një mënyrë që konfirmoi se premtimet dhe fjala profetike e Atit të tij janë të vërteta. (2Ko 1:20) Qëllimi i Perëndisë për Mbretërinë dhe Mbretin mesianik ishte parathënë në hollësi. E tërë jeta e Jezuit në tokë, që kulmoi me vdekjen e tij flijuese, përmbushi të gjitha profecitë për të, përfshirë hijet ose modelet e besëlidhjes së Ligjit. (Kl 2:16, 17; He 10:1) Prandaj, mund të themi se Jezui ‘dha dëshmi për të vërtetën’ me fjalë e me vepra.
të vërtetën: Jezui nuk e kishte fjalën për të vërtetën në përgjithësi, por për të vërtetën në lidhje me qëllimet e Perëndisë. Një element kyç i qëllimit të Perëndisë është se Jezui, ‘biri i Davidit’, shërben si Kryeprift dhe si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. (Mt 1:1) Jezui shpjegoi se një arsye kryesore pse erdhi në botë, jetoi në tokë dhe kreu shërbimin e tij ishte të shpallte të vërtetën për këtë Mbretëri. Edhe engjëjt shpallën një mesazh të ngjashëm para se Jezui të lindte dhe kur lindi në Betlehem të Judesë, qyteti i lindjes së Davidit.—Lu 1:32, 33; 2:10-14.
(Gjoni 18:38a) Pilati i tha: «Ç’është e vërteta?»
nwtsty shënimi për studim te Gjo 18:38a
Ç’është e vërteta?: Me sa duket, Pilati po pyeste për të vërtetën në përgjithësi, jo specifikisht për «të vërtetën» që Jezui sapo e kishte përmendur. (Gjo 18:37) Nëse pyetja e tij do të kishte qenë e sinqertë, nuk ka dyshim që Jezui do të ishte përgjigjur. Por, ka të ngjarë që Pilati të ketë bërë një pyetje retorike, duke shprehur dyshim me skepticizëm a cinizëm. Do të ishte sikur të thoshte: «E vërteta? Çfarë është ajo?! Diçka e tillë nuk ekziston!» Në fakt, Pilati as nuk priti për përgjigje, por u largua dhe shkoi jashtë te judenjtë.
Të gërmojmë në Bibël për xhevahire
(Gjoni 19:30) Jezui e pranoi verën e thartë dhe tha: «U krye!» Pastaj, uli kokën e dha frymë.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 19:30
dha frymë: Ose «ndaloi së marri frymë». Termi «frymë» (greqisht, pneúma) këtu mund të ketë kuptimin «forca e jetës». Kjo mbështetet nga përdorimi i foljes greke ekpnéo (fjalë për fjalë «të nxjerrësh frymën») në tregimet paralele, te Mr 15:37 dhe Lu 23:46 (ku është përkthyer «dha frymë» ose «dha frymën e fundit» siç tregohet te shënimet për studim të këtyre vargjeve). Disa sugjerojnë se përdorimi i termit grek që është përkthyer «dha» nënkupton se Jezui vullnetarisht nuk u përpoq më të qëndronte në jetë, sepse gjithçka ishte kryer. Me gatishmëri «e zbrazi shpirtin e tij deri në vdekje».—Is 53:12; Gjo 10:11.
(Marku 15:37) Por Jezui lëshoi një britmë të fortë dhe dha frymë.
nwtsty shënimi për studim te Mr 15:37
dha frymë: Ose «dha frymën e fundit».
(Luka 23:46) Jezui thirri me zë të lartë: «O Atë, në dorën tënde po e lë frymën time.» Si tha këto fjalë, dha frymë.
nwtsty shënimi për studim te Lu 23:46
frymën: Këtu Jezui po citon nga Ps 31:5, ku Davidi i kërkoi Perëndisë që të ruante ose të kujdesej për frymën e tij, pra për forcën e tij të jetës. Me fjalë të tjera po thoshte se po e linte jetën në duart e Perëndisë. Kur Jezui vdiq, ia besoi Jehovait forcën e jetës; pra, perspektiva e tij për të jetuar varej krejtësisht nga Perëndia.
dha frymë: Folja greke ekpnéo (fjalë për fjalë «të nxjerrësh frymën») mund të përkthehet edhe «dha frymën e fundit». Shkrimet tregojnë qartë se Jezui, me të dhënë frymë, nuk filloi të ngjitej në qiell. Ai thjesht vdiq. Edhe vetë Jezui paratha se nuk do të ringjallej deri «ditën e tretë». (Mt 16:21; Lu 9:22) Dhe siç tregon Ve 1:3, 9 Jezui u ngjit në qiell 40 ditë pasi u ringjall.
(Gjoni 19:31) Meqë ishte dita e Përgatitjes, që trupat të mos mbeteshin në shtyllën e torturës në sabat, (sepse dita e atij sabati ishte një ditë e madhe), judenjtë i kërkuan Pilatit që t’u thyenin këmbët dhe të hiqnin trupat.
nwtsty shënimi për studim te Gjo 19:31
dita e atij sabati ishte një ditë e madhe: 15 nisani, dita pas Pashkës, ishte gjithmonë sabat, pavarësisht në ç’ditë të javës binte. (Le 23:5-7) Kur ky sabat i veçantë përkonte me sabatin e zakonshëm (ditën e shtatë të javës judaike, që niste të premten pas perëndimit të diellit dhe mbaronte të shtunën në perëndim të diellit), ishte një ditë «e madhe» sabati. Ky sabat ndodhi një ditë pas vdekjes së Jezuit, e cila qëlloi të premten. Në vitet 29-35 të e.s., i vetmi vit ku 14 nisani ra të premten, ishte viti 33 i e.s. Prandaj, kjo dëshmi mbështet përfundimin se Jezui ka vdekur më 14 nisan të vitit 33 të e.s.