Përpjekje për t’i dhënë fund varfërisë
TË PASURIT tashmë i kanë dhënë fund varfërisë—për veten e tyre. Por përpjekjet për ta çliruar tërë njerëzimin nga varfëria, kanë dështuar gjithmonë. Pse? Sepse të pasurit në përgjithësi nuk duan që dikush ose diçka t’ua cenojë rehatinë. Mbreti Solomon i Izraelit të lashtë, shkroi: «Pashë lotët e të shtypurve, por që s’kishin asnjë ngushëllues. Fuqia ishte në anën e shtypësve të tyre.»—Eklisiastiu 4:1.
A munden njerëzit me ndikim dhe fuqi ta ndryshojnë shoqërinë e ta eliminojnë varfërinë botërore? Solomoni u frymëzua të shkruante: «Ja, çdo gjë ishte kotësi dhe një rropatje pas erës. Ajo që është bërë e shtrembër s’mund të drejtohet.» (Eklisiastiu 1:14, 15) Këtë e ilustrojnë mirë përpjekjet e sotme për t’i dhënë fund varfërisë.
Teori begatie për të gjithë
Në shekullin e 19-të, teksa disa kombe vinin pasuri përrallore nëpërmjet industrisë dhe tregtisë, disa njerëz me ndikim i kushtuan vëmendje të veçantë çështjes së varfërisë. A mund të shpërndaheshin më me barazi burimet e tokës?
Disa nxorën teori se socializmi ose komunizmi mund të krijonte një shoqëri ndërkombëtare pa klasa, ku pasuria të shpërndahej me drejtësi. Sigurisht, të pasurit nuk i kapërdinë dot këto ide. Prapëseprapë, u pranua gjerësisht parulla: «Secili sipas aftësive, secilit sipas nevojave.» Shumë shpresuan që socializmi të përqafohej nga të gjitha kombet, dhe kështu bota të bëhej utopi. Disa kombe të pasura i përvetësuan disa aspekte të socializmit dhe themeluan shtete të fuqishme ekonomikisht që premtuan të kujdeseshin për gjithë qytetarët «nga djepi në varr». Ato pretendojnë se e kanë zhdukur varfërinë jetëkërcënuese mes popujve të tyre.
Gjithsesi, socializmi nuk e arriti kurrë synimin e tij për një shoqëri joegoiste. Doli i paarritshëm synimi që qytetarët të punonin në dobi të komunitetit e jo për veten e tyre. Disave nuk u erdhi mirë që duhej të punonin për të varfrit, duke thënë se masat bujare i bënin disi përtacë të varfrit. Fjalët e Biblës kanë dalë të vërteta: «Nuk ka asnjë njeri të drejtë në tokë, që vazhdon të bëjë të mirën dhe të mos mëkatojë. . . . Perëndia i vërtetë i bëri njerëzit të drejtë, por ata kanë kërkuar marifete të shumta.»—Eklisiastiu 7:20, 29.
Një shpresë tjetër quhej Ëndrra amerikane—ëndrra e një vendi ku çdokush që punon fort mund të begatohet. Në mbarë botën, shumë kombe përvetësuan demokracinë, sipërmarrjen e lirë dhe tregtinë e lirë, që dukeshin se i pasuruan Shtetet e Bashkuara. Por jo të gjitha kombet mund ta realizonin Ëndrrën amerikane, sepse pasuria e Amerikës së Veriut nuk vinte vetëm nga sistemi politik. Burimet e stërmëdha natyrore dhe kalimi me lehtësi në rrugët ndërkombëtare tregtare, luanin rol të rëndësishëm. Përveç kësaj, sistemi ekonomik botëror që është konkurrues, nuk nxjerr vetëm fitues që begatohen, por edhe humbës që vuajnë. A është e mundur që kombet e begata t’i ndihmojnë ato që janë ende të varfra?
Plani Marshall: A i dha fund varfërisë?
Pas Luftës II Botërore, Evropa ishte e rrënuar dhe shumë popuj të saj ndiheshin të kërcënuar nga uria. Qeveria e SHBA-së shqetësohej për përhapjen e socializmit në Evropë. Prandaj, për katër vjet, ajo dha sasi të pallogaritshme parash që të rikthente industrinë dhe bujqësinë në vendet që do të pranonin politikat e SHBA-së. Ky Program për Rimëkëmbjen e Evropës, i njohur si Plani Marshall, u konsiderua i suksesshëm. Ndikimi amerikan u rrit në Evropën Perëndimore dhe varfëria jetëkërcënuese nisi të venitej. A ishte kjo mënyra për t’i dhënë fund varfërisë mbarëbotërore?
Suksesi i Planit Marshall bëri që qeveria e SHBA-së ta zgjeronte në mbarë botën ndihmën ndaj vendeve të varfra, duke i ndihmuar të zhvillonin bujqësinë, shëndetësinë, arsimin dhe transportin. Motivi ishte interesi vetjak, siç u pranua hapur nga Shtetet e Bashkuara. Edhe vende të tjera janë përpjekur ta zgjerojnë ndikimin e tyre duke u ofruar ndihma vendeve të ndryshme. Gjashtëdhjetë vjet më vonë, pasi shpenzuan shumë herë më tepër se Plani Marshall, rezultatet ishin zhgënjyese. Është e vërtetë se disa kombe, që më parë ishin të varfra, kanë vënë pasuri të jashtëzakonshme, veçanërisht në Azinë Lindore. Por, në vende të tjera, edhe pse ndihmat e ulën vdekshmërinë e fëmijëve dhe e rritën numrin e atyre që shkonin në shkollë, shumë kombe mbetën në varfëri të skajshme.
Ndihma e huaj: Pse doli zhgënjyese?
Të ndihmoje kombet e mjeruara të dilnin nga varfëria, ishte më e vështirë se të ndihmoje kombet e pasura të rimëkëmbeshin nga lufta. Evropa kishte tashmë industri, tregti dhe transport. Ekonomia kishte nevojë vetëm të rimëkëmbej. Në vendet e varfra, edhe pse ndihma e huaj ndërtoi rrugë, shkolla dhe klinika, njerëzit ishin ende në varfëri të skajshme, sepse u mungonin bizneset, burimet natyrore dhe lidhjet me rrugët tregtare.
Ciklet e varfërisë janë komplekse dhe nuk ndërpriten kollaj. Për shembull, sëmundjet shkaktojnë varfëri dhe varfëria shkakton sëmundje. Fëmijët e kequshqyer dobësohen kaq shumë fizikisht e mendërisht, sa kur rriten, nuk mund të kujdesen për fëmijët e tyre. Gjithashtu, kur vendet e pasura shkarkojnë ushqim me tepricë si «ndihmë» për vendet e varfra, bujqit dhe tregtarët e vegjël falimentojnë, duke e thelluar kështu varfërinë. Kur u japin para qeverive të vendeve të varfra, kjo mund të nisë një cikël të ri: ndihma vidhet me lehtësi, prandaj ajo mund të çojë në korrupsion dhe korrupsioni mund të çojë në varfëri të mëtejshme. Në thelb, ndihma e huaj nuk sjell rezultat, sepse nuk kuron shkakun themelor të varfërisë.
Shkaku i varfërisë
Varfëria e skajshme vjen kur kombet, qeveritë dhe individët veprojnë vetëm për të nxitur dhe mbrojtur interesat vetjake. Për shembull, qeveritë e vendeve të pasura nuk i japin shumë përparësi fundit të varfërisë botërore, sepse zgjidhen në mënyrë demokratike dhe duhet t’ua plotësojnë nevojat votuesve. Kështu, ato nuk i lejojnë bujqit e vendeve të varfra t’ua shesin prodhimet vendeve të pasura, që bujqit e vendeve të pasura të mos e humbin biznesin e tyre. Gjithashtu, sundimtarët e vendeve të pasura u japin subvencione ose ndihma financiare të majme bujqve të tyre që t’i ndihmojnë të shesin më shumë se bujqit e vendeve të varfra.
Është e qartë se shkaku i varfërisë—prirja e njerëzve dhe qeverive për të mbrojtur interesat vetjake—e ka origjinën nga njeriu. Ja si e përshkroi shkrimtari biblik Solomon: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.»—Eklisiastiu 8:9.
Çfarë shprese ka për fundin e varfërisë? A ka ndonjë qeveri që mund ta ndryshojë natyrën njerëzore?
[Kutia në faqen 6]
Një ligj kundër varfërisë
Perëndia Jehova i dha kombit të lashtë të Izraelit një sërë ligjesh dhe bindja ndaj tyre do ta parandalonte në një masë të madhe varfërinë. Sipas Ligjit, çdo familje, përveç fisit priftëror të Levit, merrte një trashëgimi toke. Trashëgimia e familjes ishte e sigurt, pasi toka nuk mund të shitej përgjithmonë. Çdo 50 vjet, e gjithë toka i duhej kthyer pronarit fillestar ose familjes së tij. (Levitiku 25:10, 23) Nëse dikush e shiste tokën për shkak të një sëmundjeje, katastrofe ose nga dembelizmi, ajo i duhej kthyer atij pa pagesë vitin e Jubileut. Asnjë familje nuk fundosej në varfëri për breza me radhë.
Një masë tjetër e mëshirshme në Ligjin e Perëndisë e lejonte dikë që vuante, ta shiste veten në skllavëri. Ai do të merrte paradhënie tërë çmimin e shitjes, që të shlyente borxhet. Nëse nuk do ta riblente veten deri vitin e shtatë, ai duhej të lirohej e t’i jepej farë dhe bagëti që të fillonte sërish të merrej me bujqësi. Përveç kësaj, nëse një i varfër duhej të merrte para hua, Ligji i ndalonte izraelitët të jepnin hua me interes. Gjithashtu, Ligji i urdhëronte njerëzit të mos i korrnin deri në cepa arat, që të varfrit të mund të mblidhnin prodhimet e mbetura. Kështu, asnjë izraelit nuk detyrohej të lypte.—Ligji i përtërirë 15:1-14; Levitiku 23:22.
Gjithsesi, historia ka treguar se disa izraelitë ranë në varfëri. Pse ndodhi kjo? Izraeli nuk iu bind Ligjit të Jehovait. Si pasojë, ashtu si në mjaft vende, disa u bënë pronarë të pasur tokash dhe të tjerë u bënë varfanjakë pa tokë. Varfëria hyri mes izraelitëve, sepse disa individë shpërfillën Ligjin e Perëndisë dhe vunë interesat vetjake përpara të të tjerëve.—Mateu 22:37-40.