Referimet e Fletëstudimit për mbledhjen «Jeta dhe shërbimi»
© 2022 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
6-12 MARS
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | 1 KRONIKAVE 23-26
«Adhurimi në tempull organizohet më së miri»
it-2 241
Levitët
Nën drejtimin e Davidit, levitët u organizuan më së miri. Ai i caktoi si mbikëqyrës, zyrtarë, gjykatës, derëtarë dhe përgjegjës për thesarin. Gjithashtu një numër të madh levitësh i caktoi për të ndihmuar priftërinjtë në tempull, në oborre dhe në dhomat e ngrënies me blatimet, flijimet, me pastrimin e gjërave të shenjta, me matjet, me peshimin e pajisjeve dhe me punë të ndryshme si roje. Muzikantët levitë ishin ndarë në 24 grupe, ngjashëm ndarjeve të priftërisë, dhe shërbenin me rotacion. Detyrat caktoheshin me short. Edhe derëtarëve, porta ku do të shërbenin u caktohej me short.—1Kr 23, 25, 26; 2Kr 35:3-5, 10.
it-2 686
Prift
Priftërinjtë shërbenin në tempull nën drejtimin e mbikëqyrësve të ndryshëm. Shërbimet që do të kryenin caktoheshin me short. Secili nga 24 grupet shërbente me rotacion dy herë në vit, nga një javë. Me sa duket, në periudhat e festave, kur populli paraqiste me mijëra flijime, të gjithë priftërinjtë ishin në shërbim, si në rastin e kushtimit të tempullit. (1Kr 24:1-18, 31; 2Kr 5:11; krahaso 2Kr 29:31-35; 30:23-25; 35:10-19.) Një prift mund të shërbente në tempull edhe në raste të tjera, nëse nuk pengonte shërbimin e priftërinjve që kishin turnin. Sipas traditës rabinike, në kohën kur Jezui ishte në tokë, meqë në tempull shërbenin shumë priftërinj, shërbimi javor ndahej mes familjeve të grupit që kishte turnin, ku secila familje shërbente për një ose më shumë ditë, në varësi të numrit të pjesëtarëve.
it-2 451-452
Muzika
Gjatë përgatitjeve të tempullit të Jehovait, Davidi veçoi 4.000 levitë për të shërbyer si muzikantë. (1Kr 23:4, 5) Nga këta, 288 ishin «të stërvitur për t’i kënduar Jehovait, të gjithë mjeshtra». (1Kr 25:7) Të 4.000 levitët ishin nën drejtimin e tre muzikantëve të aftë, Asafit, Hemanit dhe Jeduthunit (me sa duket i quajtur edhe Etan). Meqë secili prej tyre ishte pasardhës i tre bijve të Levit—Gershomit, Kehathit dhe të Merarit—mund të themi se tri familjet kryesore levite kishin përfaqësues në këtë organizim për muzikën. (1Kr 6:16, 31-33, 39-44; 25:1-6) Në total, bijtë e Asafit, Hemanit dhe të Jeduthunit ishin 24, dhe të gjithë ishin pjesë e 288 muzikantëve mjeshtra të përmendur më sipër. Secili bir caktohej me short si kreu i një grupi muzikantësh. Nën drejtimin e tij viheshin 11 «mjeshtra» të tjerë, të përzgjedhur nga bijtë e vet dhe nga levitë të tjerë. Kështu, të 288 ([1 + 11] × 24 = 288) muzikantët mjeshtra, njësoj si priftërinjtë, ndaheshin në 24 grupe. Nëse të 3.712 ‘fillestarët’ që mbeten, do të ndaheshin njësoj, secilit prej 24 grupeve do t’i shtoheshin mesatarisht 155 ‘fillestarë’. Kjo do të thotë se çdo mjeshtër kishte nën drejtim rreth 13 persona në faza të ndryshme trajnimi. (1Kr 25:1-31) Edhe trumbetarët ishin priftërinj, por nuk ishin pjesë e grupit të muzikantëve.—2Kr 5:12; krahaso Nu 10:8.
it-1 898
Derëtar
Në tempull. Pak para vdekjes së tij, mbreti David organizoi më së miri levitët dhe punëtorët e tempullit. Mes tyre kishte 4.000 derëtarë që shërbenin në tempull sipas grupeve përkatëse me rotacion, për 7 ditë. Përgjegjësia e tyre ishte të ruanin shtëpinë e Jehovait dhe të siguroheshin që dyert të hapeshin e të mbylleshin në momentin e duhur. (1Kr 9:23-27; 23:1-6) Përveç caktimit si rojë, disa kujdeseshin edhe për kontributet që bënte populli për tempullin. (2Mb 12:9; 22:4) Kohë më vonë, kur kryeprifti Jehojada mirosi Jehoasin si mbret, caktoi roje ekstra në dyert e tempullit që ta mbronin Jehoasin e vogël nga uzurpatorja, mbretëresha Atalia. (2Mb 11:4-8) Kur mbreti Josia shkatërroi adhurimin e rremë, derëtarët ndihmuan që pajisjet e përdorura për adhurimin e Baalit të hiqeshin nga tempulli dhe të digjeshin jashtë qytetit.—2Mb 23:4.
20-26 MARS
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | 2 KRONIKAVE 1-4
«Mbreti Solomon merr një vendim jo të mençur»
it-1 174 ¶5
Ushtria
Mbretërimi i Solomonit shënoi një kapitull të ri në analet e ushtrisë izraelite. Edhe pse, gjatë mbretërimit të tij, Izraeli përjetoi njëfarë paqeje, prapëseprapë Solomoni shumëfishoi kuaj e karroca. Shumicën e kuajve i bleu dhe i importoi nga Egjipti. Për t’u kujdesur për kuajt dhe karrocat, u ndërtuan qytete të tëra përgjatë gjithë territorit. (1Mb 4:26; 9:19; 10:26, 29; 2Kr 1:14-17) Megjithatë Jehovai nuk e bekoi kurrë këtë sipërmarrje të Solomonit. Ndaj me vdekjen e tij dhe me ndarjen e mbretërisë, erdhi edhe rrënimi i ushtrisë izraelite. Më vonë Isaia shkroi: «Mjerë ata që zbresin në Egjipt për të kërkuar ndihmë, ata që u zënë besë kuajve, që kanë besim te karrocat e luftës, vetëm pse janë të shumta, dhe te kuajt e luftës, vetëm pse janë të fuqishëm, por që nuk i drejtohen të Shenjtit të Izraelit dhe nuk e kërkojnë Jehovain!»—Is 31:1.
it-1 427
Karrocat e luftës
Deri në ditët e Solomonit, kombi i Izraelit nuk kishte njësi ushtarake me karroca lufte. Kryesisht, sepse Jehovai i kishte urdhëruar mbretërit të mos grumbullonin kuaj, ngaqë mbrojtja e vendit nuk varej prej tyre. Ky urdhër kufizonte edhe përdorimin e karrocave të luftës, pasi ato tërhiqeshin nga kuajt. (Lp 17:16) Por Samueli e kishte paralajmëruar popullin se mbretërit njerëzorë do t’i vendosnin një barrë të tillë: «Ai do t’jua marrë djemtë e do t’i vërë në karrocat e veta.» (1Sa 8:11) Për shembull, Absalomi dhe Adonijahu, në përpjekje për të uzurpuar fronin, kishin bërë për vete nga një karrocë lufte dhe 50 burra që vraponin para saj. (2Sa 15:1; 1Mb 1:5) Kur mposhti mbretin e Zobahut, Davidi ruajti gjallë 100 kuaj karrocash.—2Sa 8:3, 4; 10:18.
Për të forcuar ushtrinë e Izraelit, mbreti Solomon e çoi numrin e karrocave në 1.400. (1Mb 10:26, 29; 2Kr 1:14, 17) Përveç Jerusalemit, edhe qytete të tjera të njohura si qytete karrocash kishin ambiente apostafat për mirëmbajtjen e gjithë këtij arsenali luftarak.—1Mb 9:19, 22; 2Kr 8:6, 9; 9:25.
27 MARS–2 PRILL
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | 2 KRONIKAVE 5-7
«Zemra ime do të jetë aty përgjithmonë»
it-2 1077-1078
Tempulli
Ai ekzistoi deri në vitin 607 p.e.s., kur u shkatërrua nga ushtria babilonase e mbretit Nabukodonosor. (2Mb 25:9; 2Kr 36:19; Je 52:13) Ngaqë Izraeli u përfshi në adhurimin e rremë, Perëndia lejoi që kombet ta sulmonin herë pas here Judën dhe Jerusalemin, e ndonjëherë edhe ta zhvatnin thesarin e tempullit. Gjithashtu kishte periudha kur tempulli u la pas dore. Mbreti i Egjiptit, Shishaku, vodhi thesarin e tempullit (993 p.e.s.) në ditët e Rehoboamit, birit të Solomonit, pak kohë pas inaugurimit të tij, thuajse 33 vjet më vonë. (1Mb 14:25, 26; 2Kr 12:9) Ndonëse mbreti Asa (977-937 p.e.s.) e respektonte shtëpinë e Jehovait, u tregua i pamend kur, për të mbrojtur Jerusalemin, i dha ryshfet ar e argjend nga thesari i tempullit mbretit të Sirisë, Ben-Hadadit I, që ky i fundit të prishte besëlidhjen me Bashën, mbretin e Izraelit.—1Mb 15:18, 19; 2Kr 15:17, 18; 16:2, 3.
STËRVITU PËR SHËRBIMIN
Pyetje nga lexuesit
Nëse një i krishterë është i sëmurë ose në udhëtim e s’mund të jetë i pranishëm në Përkujtim, a duhet ta kremtojë një muaj më vonë?
Në Izraelin e lashtë Festa e Kalimit mbahej çdo vit, ditën e 14-të të muajit nisan (ose abib), muaji i parë i vitit. Megjithatë, te Numrat 9:10, 11 shohim këtë masë të veçantë: «Thuaju izraelitëve: ‘Edhe nëse ndonjëri prej jush ose prej brezave tuaj të ardhshëm është i papastër ngaqë ka prekur një të vdekur, ose nuk ndodhet këtu ngaqë është nisur për udhë të largët, prapëseprapë duhet ta përgatitë flijimin e Festës së Kalimit për Jehovain. Ata duhet ta përgatitin ditën e 14-të të muajit të dytë [ijar ose ziv], në të ngrysur, dhe ta hanë me bukë pa maja e me barishte të hidhura.»
Vini re se kjo masë nuk po vendoste dy data alternative për Festën e Kalimit (14 nisan ose 14 ziv), ku çdo izraelit ose familje ishte e lirë të zgjidhte si ta kishte më mirë. Festa e Kalimit mund të mbahej në muajin e dytë vetëm në raste të rralla nga ata izraelitë që ishin të papastër ceremonialisht më 14 nisan ose ndodheshin shumë larg vendit ku do të mbahej festa.
I vetmi rast i përmendur në Shkrime që kjo masë u shfrytëzua nga shumë veta, ishte në kohën kur mbreti besnik Hezekia rivendosi kremtimin e Festës së Bukëve Pa Maja. Ngaqë nuk ia dilnin dot në kohë për muajin e parë (priftërinjtë nuk ishin gati, as njerëzit nuk ishin mbledhur), Festa e Kalimit u kremtua ditën e 14-të të muajit të dytë.—2 Kronikave 29:17; 30:1-5.
Përveç këtyre rasteve që bënin përjashtim, judenjtë e mbanin këtë festë në datën e caktuar nga Perëndia. (Eksodi 12:17-20, 41, 42; Levitiku 23:5) Edhe Jezui me dishepujt e tij, duke mos e nënvlerësuar këtë datë, e festuan atëherë kur e kërkonte Ligji. Luka raporton: «Tani erdhi dita e Bukëve Pa Maja kur paraqitej flijimi i Festës së Kalimit. Prandaj Jezui dërgoi Pjetrin e Gjonin dhe u tha: ‘Shkoni dhe na bëni gati darkën e Festës së Kalimit që të hamë.’»—Luka 22:7, 8.
Atë mbrëmje Jezui themeloi festën vjetore që të krishterët e njohin si Darka e Zotërisë. Nuk e ekzagjerojmë kur themi sa vlerë ka të jemi të pranishëm në këtë festë. Ky është eventi më i rëndësishëm i vitit për Dëshmitarët e Jehovait, dhe fjalët e Jezuit tregojnë arsyen: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19) Ja pse çdo i krishterë duhet të planifikojë muaj përpara që të mos lërë asnjë aktivitet tjetër ta pengojë të jetë i pranishëm.
Por ka disa raste të rralla e të paparashikuara si, sëmundje apo ndonjë e papritur gjatë një udhëtimi, që mund ta pengojnë një të krishterë ta ndjekë Përkujtimin sipas planit. Si veprohet në një situatë të tillë?
Gjatë kremtimit të Përkujtimit kalohen simbolet, dhe ata që janë të mirosur nga fryma e shenjtë e Perëndisë dhe të zgjedhur për të jetuar në qiell, marrin nga buka pa maja e pinë nga vera e kuqe. (Mateu 26:26-29; Luka 22:28-30) Nëse një i mirosur që ka marrë çdo vit nga simbolet, këtë vit do të jetë i kufizuar në shtëpi ose në spital për shkak të një sëmundjeje, pleqtë e kongregacionit do të sigurohen që njëri prej tyre t’i çojë bukën dhe verën, t’i lexojë disa vargje nga Bibla rreth Përkujtimit dhe t’i shërbejë simbolet. Nëse një i mirosur është larg kongregacionit të tij, duhet ta ndjekë Përkujtimin te një kongregacion afër zonës ku ndodhet atë ditë.
Duke pasur parasysh këtë, janë shumë unike rastet kur një i mirosur do të duhej ta kremtonte Darkën e Zotërisë 30 ditë më vonë (një muaj hënor), në përputhje me urdhrin e Numrave 9:10, 11 dhe me shembullin e 2 Kronikave 30:1-3, 15.
Ata që janë pjesë e ‘deleve e tjera’ të Jezuit dhe që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në parajsën në tokë, nuk kanë marrë urdhrin për të ngrënë nga buka dhe për të pirë nga vera. (Gjoni 10:16) Është e rëndësishme ta ndjekin këtë festë vjetore, ama nuk marrin nga simbolet. Prandaj, nëse ndonjë prej tyre është i sëmurë ose në udhëtim dhe nuk e ndjek dot Përkujtimin me kongregacionin e tij atë mbrëmje, ai ose ajo mund të lexojë vetë disa shkrime (përfshirë ngjarjen kur Jezui themeloi Darkën) dhe të lutet që ky event mbarëbotëror të ketë bekimin e Jehovait. Megjithatë nuk nevojitet të merren masa të veçanta për të organizuar një mbledhje ose një fjalim nga Bibla një muaj më vonë.
10-16 PRILL
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | 2 KRONIKAVE 8-9
«Ajo e çmonte mençurinë»
Xhevahire nga Bibla
it-2 1097
Froni
I vetmi fron i një mbreti izraelit, i përshkruar me detaje, është ai i Solomonit. (1Mb 10:18-20; 2Kr 9:17-19) Duket se ndodhej në «Portikun e Fronit», një nga ndërtesat në malin Moriah të Jerusalemit. (1Mb 7:7) Ishte ‘një fron i madh i fildishtë, i veshur me ar të rafinuar, me një strehë të harkuar prapa tij dhe mbështetëse për krahët’. Edhe pse fildishi mund të ketë qenë materiali kryesor i përdorur për këtë fron mbretëror, teknika e përgjithshme e ndjekur gjatë ndërtimit të tempullit tregon se mund të jetë përdorur dru i veshur me ar të rafinuar dhe i zbukuruar me fildish. Prandaj, në pamje të parë, ky fron mund të dukej i gjithi prej fildishi dhe ari. Pasi përmend 6 shkallët që çonin te froni, përshkrimi vazhdon: «Anash tyre qëndronin dy luanë. Gjithashtu, në secilën nga 6 shkallët, në të dyja anët, qëndronte nga një luan, gjithsej 12 luanë.» (2Kr 9:17-19) Luani ishte një simbol i përshtatshëm i autoritetit mbretëror. (Zn 49:9, 10; Zb 5:5) 12 luanët me sa duket korrespondonin me 12 fiset e Izraelit, mbase për të simbolizuar nënshtrimin dhe mbështetjen e tyre ndaj mbretit që ulej në këtë fron. Ngjitur me fronin ishte një stol këmbësh prej ari. Përshkrimi i këtij froni prej ari e fildishi, të ngritur, me një strehë nga pas e me luanë madhështorë përpara, tregon se ishte shumë më superior se çdo fron i asaj epoke, qoftë i zbuluar nga arkeologët, i paraqitur në monumente apo i gdhendur në mbishkrime. Siç u shpreh me vend shkrimtari i kronikave: «Asnjë mbretëri tjetër nuk kishte një fron si ky.»—2Kr 9:19.
17-23 PRILL
THESARE NGA FJALA E PERËNDISË | 2 KRONIKAVE 10-12
«Përfito nga këshillat e mençura»
Xhevahire nga Bibla
it-1 966-967
Demonët në formë cjapi
Josiu 24:14 tregon se izraelitët u ndikuan deri në njëfarë mase nga adhurimi i rremë egjiptian kur banuan përkohësisht në Egjipt, ndërsa Ezekieli tregon se i ndoqën për një kohë të gjatë këto praktika pagane. (Ezk 23:8, 21) Disa studiues besojnë se mes izraelitëve ekzistonte një formë e adhurimit të cjapit, si ai që praktikohej në Egjipt, veçanërisht në Egjiptin e Poshtëm. Ata arrijnë në këtë përfundim meqë Perëndia i urdhëroi izraelitët në shkretëtirë që ‘të mos u bënin flijime demonëve në formë cjapi’ (Le 17:1-7) dhe meqë Jeroboami emëroi priftërinj ‘për vendet e larta, për demonët në formë cjapi dhe për viçat që kishte bërë’. (2Kr 11:15) Herodoti (II, 46) pohon se nga ky lloj adhurimi egjiptian vjen besimi i grekëve te Pani dhe te satirët, perëndi të pyjeve të dhënë pas epsheve që paraqiteshin me brirë, me bisht dhe me këmbë cjapi. Disa sugjerojnë se nga pamja gjysmëkafshë e gjysmënjeri e këtyre perëndive pagane buron zakoni për ta paraqitur Satanain me bisht, brirë dhe këmbë dythundrake, një zakon i përhapur në Mesjetë, mes atyre që thoshin se ishin të krishterë.
Se çfarë ishin në të vërtetë «demonët në formë cjapi» nuk specifikohet në Bibël. Edhe pse disa besojnë se ishin cjep të mirëfilltë ose idhuj në formë cjapi, vargjet e mësipërme nuk e thonë hapur dhe nuk ka as shkrime të tjera që e mbështetin. Ky term, thjesht mund të tregojë se në mendjen e atyre që i adhuronin, këto perëndi të rreme mund të perceptoheshin në formë cjapi dhe me qime. Ose, përdorimi i fjalës ‘cjap’ në këto vargje mund të jetë thjesht një mënyrë për të shprehur përbuzjen për të gjitha objektet idhujtare në përgjithësi, duke qenë se edhe termi për idhujt, në shumë shkrime, vjen nga një fjalë që fillimisht do të thoshte ‘toptha bajge’, ama kjo nuk nënkupton se ishin prej bajge.—Le 26:30; Lp 29:17.