Mirësia—Si mund ta zhvillosh?
NATYRISHT, secili prej nesh dëshiron që të tjerët ta konsiderojnë njeri të mirë. Mirëpo, në botën e sotme është e vështirë të shfaqësh mirësi. Shumë njerëz janë «pa dashuri për mirësinë». (2 Tim. 3:3) Mbase ndjekin standardin e tyre për atë që është e drejtë dhe e gabuar, domethënë një standard ku «e mira është e keqe dhe e keqja është e mirë». (Isa. 5:20) Veç kësaj, të gjithë mund ta kemi të vështirë të tregojmë mirësi për shkak të së kaluarës dhe të papërsosmërive tona. Kështu, ndoshta ndihemi si Anaa që, edhe pse i shërben Jehovait prej dekadash, pranon: «E kam të vështirë të besoj se mund të jem e mirë.»
Por sa bukur që të gjithë ne mund ta zhvillojmë mirësinë! Ajo është produkt i frymës së shenjtë të Perëndisë, dhe fryma e tij është më e fuqishme se çdo pengesë e jashtme a e brendshme që mund të ndeshim. Le ta shqyrtojmë më thellë cilësinë e mirësisë dhe të mësojmë si mund ta shfaqim më plotësisht.
ÇFARË ËSHTË MIRËSIA?
E thënë thjesht, mirësia është të qenët i mirë ose cilësia e një njeriu të mirë. Por në Bibël ajo përfshin edhe shkëlqimin moral e virtytin, pra nuk ka pikë ligësie ose korruptimi. Mirësia duket nga ndikimi i dobishëm që ka te të tjerët. Është një cilësi aktive dhe pozitive që shfaqet me vepra dobiprurëse.
Mbase ke vërejtur se disave u vjen natyrshëm të bëjnë të mira për familjarët e miqtë. Por, a duhet të jetë ky kufiri i mirësisë? Kuptohet, aftësia jonë për të shfaqur këtë cilësi është e kufizuar, pasi Bibla thotë se «nuk ka asnjë njeri të drejtë në tokë, që vazhdon të bëjë të mirën dhe të mos mëkatojë». (Ekl. 7:20) Apostulli Pavël pranoi me ndershmëri: «E di që tek unë, domethënë në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë.» (Rom. 7:18) Sa e arsyeshme është, pra, që nëse duam ta zhvillojmë këtë cilësi, të mësojmë nga Burimi i mirësisë.
«JEHOVAI ËSHTË I MIRË»
Perëndia Jehova vendos standardin se çfarë është e mirë. Bibla thotë për të: «Ti je i mirë dhe bën të mira. Mësomë rregullat e tua.» (Psal. 119:68) Le të shqyrtojmë dy aspekte të mirësisë së Jehovait që përmenden në këtë varg.
Jehovai është i mirë. Mirësia është pjesë e pandashme e personalitetit të Jehovait. Mendo pak çfarë ndodhi kur Jehovai i tha Moisiut: «Unë do të bëj që gjithë mirësia ime të kalojë para teje.» Teksa kalonte para tij lavdia e Jehovait—ku përfshihet mirësia—Moisiu dëgjoi këto fjalë: «Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë, që e ruan dashamirësinë për mijëra breza, që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin, por që në asnjë mënyrë nuk e lë pa ndëshkuar fajtorin.» (Dal. 33:19; 34:6, 7) Ndaj me të drejtë mund të themi se mirësia pasqyrohet në çdo aspekt të personalitetit të Jehovait. Ndonëse Jezui ishte shembulli më i shkëlqyer i mirësisë te njeriu, ai tha: «Askush nuk është i mirë përveç njërit, Perëndisë.»—Luka 18:19.
Te krijimi shohim prova të mirësisë së Jehovait
Jehovai bën të mira. Mirësia duket në gjithçka që bën Perëndia. «Jehovai është i mirë ndaj të gjithëve, dhe u tregon mëshirë tërë veprave të tij.» (Psal. 145:9) Jehovai shfaq mirësi me paanësi, duke u dhënë njerëzve jetë dhe gjithçka u duhet për të jetuar. (Vep. 14:17) E tregon mirësinë e tij edhe kur na fal. Psalmisti shkroi: «Ti, o Jehova, je i mirë dhe gati të falësh.» (Psal. 86:5) Të jemi të sigurt se «Jehovai nuk do t’i kursejë asgjë të mirë kujtdo që ecën në mënyrë të patëmetë».—Psal. 84:11.
‘MËSO TË BËSH MIRË’
Jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, ndaj kemi potencialin të jemi të mirë e të bëjmë të mirën. (Zan. 1:27) Prapëseprapë, Fjala e Perëndisë i nxit shërbëtorët e tij ‘të mësojnë të bëjnë mirë’. (Isa. 1:17) Por si mund ta kultivojmë këtë cilësi tërheqëse? Të shqyrtojmë tri mënyra.
Së pari, mund të lutemi për frymën e shenjtë, që na ndihmon të zhvillojmë mirësi të vërtetë. (Gal. 5:22) Po, fryma e Perëndisë na ndihmon të duam të mirën dhe të hedhim poshtë të keqen. (Rom. 12:9) Në fakt, Bibla tregon se Jehovai mund të na forcojë vendosmërinë të bëjmë e të themi gjëra të mira.—2 Sel. 2:16, 17.
Së dyti, duhet të lexojmë Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. Ndërsa bëjmë këtë, Jehovai mund të na mësojë «gjithë udhën e asaj që është e mirë» e të na pajisë «për çdo vepër të mirë». (Prov. 2:9; 2 Tim. 3:17) Kur lexojmë Biblën e më pas meditojmë rreth saj, e mbushim zemrën me gjëra të mira për Perëndinë dhe vullnetin e tij. Kështu pasurojmë thesarin e zemrës sonë të cilin mund ta shfrytëzojmë më vonë.—Luka 6:45; Efes. 5:9.
Së treti, bëjmë çmos ‘të imitojmë atë që është e mirë’. (3 Gjon. 11) Në Bibël gjejmë shembuj të denjë për t’u imituar. Patjetër, shembujt më të shkëlqyer janë Jehovai dhe Jezui. Por mund të shqyrtojmë edhe të tjerë që shquheshin për mirësinë e tyre. Dy shembuj që mbase na vijnë në mendje janë Tabita dhe Barnaba. (Vep. 9:36; 11:22-24) Teksa studion shembullin e tyre, mund të nxjerrësh dobi duke dalluar në cilat mënyra praktike i ndihmuan të tjerët. Medito si mund të marrësh iniciativën për të ndihmuar disa në familje a në kongregacion. Përpiqu të vëresh edhe si nxorën dobi Tabita dhe Barnaba nga reputacioni si njerëz të mirë. Ti mund të nxjerrësh dobi po njësoj.
Gjithashtu, të meditojmë për ata që shfaqin mirësi sot. Për shembull, të mendojmë për pleqtë e palodhur në kongregacion që ‘e duan mirësinë’. Të mos harrojmë as motrat besnike që me fjalë e me shembullin e tyre janë «mësuese të së mirës». (Titit 1:8; 2:3) Një motër që quhet Roslina, tregon: «Shoqja ime bën çmos t’i ndihmojë e t’i inkurajojë të tjerët në kongregacion. Mendon për rrethanat e tyre dhe shpesh u jep dhurata të vogla ose i ndihmon në mënyra të tjera praktike. Për mua ajo është vërtet njeri i mirë.»
Jehovai i nxit shërbëtorët e tij ‘të kërkojnë të mirën’. (Amo. 5:14) Kur bëjmë kështu, jo vetëm do të na shtohet dashuria për normat e tij, por edhe do të na forcohet motivi për të bërë të mirën.
Bëjmë çmos të jemi të mirë dhe të bëjmë mirë
Të mos mendojmë se duhen gjeste madhështore ose sakrifica mbresëlënëse për të bërë të mirën. Për ta ilustruar: a mendon se një artist e realizon një portret vetëm me një a dy penelata? Përkundrazi, për të krijuar pikturën e tij, ai mund të përdorë shumë penelata. Po kështu, mirësia jonë mund të duket nga shumë vepra të dobishme.
Bibla na nxit të jemi ‘të përgatitur’ dhe «gati» për të bërë të mirën. (2 Tim. 2:21; Titit 3:1) Nëse jemi syçelë ndaj rrethanave të të tjerëve, mund të dallojmë mënyra si t’i kënaqim ‘me atë që është e mirë për t’i ndërtuar’. (Rom. 15:2) Kjo mund të përfshijë t’u japim diçka që kemi. (Prov. 3:27) Për shembull, mund të ftojmë dikë për një vakt të thjeshtë ose për të gëzuar shoqëri inkurajuese. Nëse dimë se dikush është sëmurë, mund t’i dërgojmë një kartolinë, t’i shkojmë për vizitë ose ta marrim në telefon. Vërtet, mund të gjejmë plot mundësi për të thënë ‘fjalë të mira, që ndërtojnë sipas nevojës, që u japin diçka të dobishme atyre që i dëgjojnë’.—Efes. 4:29.
Ashtu si Jehovai, përpiqemi t’u bëjmë mirë gjithë njerëzve. Prandaj i trajtojmë me paanësi. Një mënyrë e shkëlqyer, është duke u predikuar të gjithëve lajmin e mirë për Mbretërinë. Siç na urdhëroi Jezui, përpiqemi t’u bëjmë mirë edhe atyre që na urrejnë. (Luka 6:27) Nuk është asnjëherë e gabuar të jemi mirëdashës e t’u bëjmë mirë të tjerëve, sepse «kundër këtyre gjërave nuk ka ligj». (Gal. 5:22, 23) Me anë të sjelljes së mirë edhe përballë kundërshtimit ose sprovave, mund të tërheqim të tjerë drejt së vërtetës dhe t’i japim lavdi Perëndisë.—1 Pjet. 3:16, 17.
MIRËSIA ËSHTË SHPËRBLYESE
‘Njeriu i mirë, do të ngopet me frytet e veprimeve të tij.’ (Prov. 14:14) Cilat janë disa nga këto fryte ose shpërblime? Kur jemi të mirë me të tjerët, ka më shumë gjasa që edhe ata të na trajtojnë mirë. (Prov. 14:22) Edhe nëse nuk ndodh kështu, kur ngulmojmë në vepra të mira mund t’ua zbutim zemrën dhe t’ua shkrijmë ashpërsinë.—Rom. 12:20.
Shumë veta mund të dëshmojnë si kanë përfituar kur kanë bërë mirë dhe janë larguar nga e keqja. Mendo për rastin e Nensit. Ajo pranon: «Që në moshë të re isha kokëkrisur, imorale dhe pa respekt për të tjerët.» Pastaj shton: «Mirëpo, teksa mësoja dhe zbatoja standardet e Perëndisë për të mirën, fillova të ndihesha më e lumtur. Tani kam dinjitet dhe respekt për veten.»
Arsyeja kryesore për të zhvilluar mirësinë është se kjo bën të lumtur Jehovain. Edhe nëse shumë njerëz nuk e shohin çfarë bëjmë, Jehovai e sheh. Ai di çdo rast kur ne bëjmë ose mendojmë diçka të mirë. (Efes. 6:7, 8) Rezultati? «Kush është i mirë, merr miratimin e Jehovait.» (Prov. 12:2) Ndaj le të vazhdojmë ta zhvillojmë mirësinë. Jehovai premton «lavdi, nderim e paqe për këdo që bën gjëra të mira».—Rom. 2:10.
a Disa emra janë ndryshuar.