Meraku im kryesor: Të qëndroja besnik
TREGUAR NGA ALEKSEI DAVIDJUK
Ishte viti 1947; disa kilometra larg fshatit tonë Laskiv, në Ukrainë, afër kufirit polak. Shoku im më i madh, Stefani, shërbente si korrier, duke futur fshehurazi literaturë biblike nga Polonia në Ukrainë. Një natë, një rojë kufiri e pa, e ndoqi dhe e vrau. Dymbëdhjetë vjet më vonë, vdekja e Stefanit pati një ndikim dramatik në jetën time, siç do ta shpjegoj më pas.
NË KOHËN kur linda unë, në Lasvik, në vitin 1932, dhjetë familje në fshatin tonë ishin Studentë të Biblës, siç njiheshin në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait. Mes tyre ishin edhe prindërit e mi, të cilët lanë një shembull të shkëlqyer besnikërie ndaj Jehovait, deri në vdekje, nga mesi i viteve 70. Edhe për mua, meraku kryesor gjatë gjithë jetës ka qenë t’i jem besnik Perëndisë.—Psalmi 18:25.
Në vitin 1939, kur filloi Lufta II Botërore, zona në të cilën jetonim ne, në Poloninë Lindore, iu aneksua Bashkimit Sovjetik. Ne qemë nën sundimin Sovjetik deri në qershor të vitit 1941, kur gjermanët e shkelën dhe e pushtuan zonën tonë.
Gjatë Luftës II Botërore, pata disa periudha të vështira në shkollë. Fëmijëve u mësohej të këndonin këngë nacionaliste dhe të merrnin pjesë në ushtrime ushtarake. Në fakt, pjesë e stërvitjes sonë ishte edhe që të mësonim si të flaknim granatat. Por unë nuk pranova as të këndoja këngë patriotike e as që të merrja pjesë në ndonjë stërvitje ushtarake. Fakti që mësova në një moshë të vogël t’i mbroja bindjet e mia me bazë biblike, më ndihmoi t’i qëndroja besnik Perëndisë në vitet që pasuan.
Në territorin e kongregacionit tonë kishte kaq shumë njerëz të interesuar për të vërtetën biblike, saqë dy pionierë, siç quhen shërbëtorët në kohë të plotë të Dëshmitarëve të Jehovait, u caktuan në zonën tonë për t’i ndihmuar që të mësonin të vërtetën. Njëri prej pionierëve, Ilia Fedoroviç, studioi me mua Biblën dhe më stërviti në shërbim. Gjatë pushtimit gjerman, Ilian e internuan dhe e futën në një nga kampet naziste të përqendrimit, ku edhe vdiq.
Beteja e babait për të qëndruar asnjanës
Në vitin 1941, autoritetet sovjetike u përpoqën ta bënin babanë që të firmoste një dokument, i cili përmbante premtimin për të ndihmuar luftën nga ana financiare. Ai u tha atyre se nuk mund të mbështeste asnjërën nga palët në luftë dhe se si një shërbëtor i Perëndisë së vërtetë do të qëndronte asnjanës. Babai u damkos si armik dhe u dënua me katër vjet burg. Por ai bëri vetëm katër ditë. Përse? Sepse të dielën, pas burgimit të tij, zona ku banonim ne u pushtua nga forcat gjermane.
Kur rojet e burgut dëgjuan se gjermanët ishin afër, hapën dyert e burgut dhe ia mbathën. Jashtë, shumica e të burgosurve u qëllua nga ushtarët sovjetikë. Babai nuk u largua menjëherë, por më vonë shkoi në shtëpinë e shokëve. Nga atje i dërgoi fjalë nënës që t’i sillte dokumentet, të cilat vërtetonin se ai ishte burgosur për shkak se kishte refuzuar të mbështeste sovjetikët në luftë. Kur babai ua tregoi ato, autoritetet gjermane ia kursyen jetën.
Gjermanët donin të dinin emrat e të gjithë njerëzve që kishin bashkëpunuar me sovjetikët. I bënë presion babait që t’i denonconte ata, por ai refuzoi. Babai u shpjegoi pozicionin e tij të asnjanësisë. Nëse ai do të kishte përmendur ndonjë emër, personi, qoftë burrë a grua, do të ishte vrarë. Kështu, qëndrimi asnjanës i babait shpëtoi edhe jetën e njerëzve të tjerë, të cilët i qenë shumë mirënjohës për këtë.
Duke punuar në fshehtësi
Sovjetikët u rikthyen në Ukrainë në gusht të vitit 1944 dhe në maj 1945 periudha e Luftës II Botërore në Evropë përfundoi. Pas kësaj, e ashtuquajtura Perde e Hekurt na mbajti të gjithëve ne që i ishim aneksuar Bashkimit Sovjetik, të ndarë nga pjesa tjetër e botës. Të mbaje kontakt me Dëshmitarët e Jehovait nëpërmjet kufirit polak ishte e vështirë. Dëshmitarë të guximshëm hynin vjedhurazi nëpërmjet kufirit dhe ktheheshin me disa revista të çmuara Kulla e Rojës. Duke qenë se kufiri ishte vetëm 8 kilometra larg nga shtëpia jonë në Lasvik, kisha rast të dëgjoja rreth rreziqeve që përjetonin këta korrierë.
Për shembull, një Dëshmitar i quajtur Silvester, e kaloi kufirin dy herë dhe në të dyja herët u kthye pa ndonjë incident. Por herën e tretë u dallua nga patrulla e kufirit dhe qentë roje. Ushtarët i bërtitën që të ndalonte, por Silvesteri vrapoi për të shpëtuar jetën. E vetmja mënyrë për të shmangur qentë ishte që të hidhej brenda një liqeni aty afër. Tërë natën e kaloi i zhytur në ujë deri në grykë, duke u fshehur mes kallamave. Së fundi, kur patrulla hoqi dorë nga kërkimi, Silvesteri duke u çapitur e i rraskapitur u kthye në shtëpi.
Siç e thashë më lart, nipi i Silvesterit, Stefani, u vra ndërsa përpiqej të kalonte kufirin. Megjithatë, e rëndësishme ishte që ne vazhduam të mbanim lidhje me popullin e Jehovait. Falë përpjekjeve të korrierëve të guximshëm, mundëm të merrnim ushqim frymor, si edhe udhëzime të dobishme.
Një vit më vonë, më 1948, u pagëzova natën në një liqen të vogël pranë shtëpisë sonë. Ata që do të zhyteshin u mblodhën në shtëpinë tonë, por unë nuk e dija cilët ishin, pasi qe errësirë dhe çdo gjë u bë në fshehtësi e pa zhurmë. Ne kandidatët për pagëzim nuk flitnim me njëri-tjetrin. Unë nuk e di kush e mbajti fjalimin e pagëzimit, kush m’i bëri pyetjet e pagëzimit, ndërsa qëndronim pranë liqenit, ose kush më zhyti në ujë. Vite më vonë, kur unë dhe një shoku im i ngushtë po i tregonim njëri-tjetrit informacione nga e kaluara për veten, zbuluam se të dy kishim qenë mes të pagëzuarve të asaj nate.
Në vitin 1949, nga Bruklini iu dërguan fjalë Dëshmitarëve në Ukrainë, që i inkurajonin t’i paraqitnin një kërkesë Moskës për të ligjëruar veprën e predikimit në Bashkimin Sovjetik. Sipas udhëzimit që u dha, nëpërmjet ministrit të brendshëm iu dërgua një peticion Presidiumit të Sovjetit Suprem të BRSS. Pas kësaj, Mikola Piatokas dhe Ilia Babiçukut iu kërkua që të shkonin në Moskë për të marrë përgjigjen e qeverisë për peticionin tonë. Ata pranuan dhe atë verë udhëtuan për në Moskë.
Zyrtari që priti këtë delegacion i dëgjoi ndërsa i jepnin arsyet me bazë biblike për veprën tonë. Ata i shpjeguan se vepra jonë po bëhej në përmbushje të profecisë së Jezuit se «ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet». (Mateu 24:14) Megjithatë, ky zyrtar tha se shteti nuk do të na e jepte kurrë njohjen ligjore.
Dëshmitarët u kthyen në shtëpi dhe shkuan në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev, që të merrnin njohjen ligjore për veprën tonë, këtu në Ukrainë. Përsëri autoritetet e hodhën poshtë kërkesën. U thanë se Dëshmitarët e Jehovait do të liheshin rehat vetëm nëse do të mbështetnin shtetin. Dëshmitarët, thanë ata, duhet të shërbenin në forcat e armatosura dhe të merrnin pjesë në zgjedhje. U shpjegua përsëri pozicioni ynë asnjanës, domethënë, që në imitim të Zotërisë tonë, Jezu Krishtit, nuk duhet të jemi pjesë e botës.—Gjoni 17:14-16.
Pak pas kësaj, vëllezërit Piatoka dhe Babiçuk u arrestuan, u fajësuan dhe u dënuan me 25 vjet burg. Rreth asaj kohe, në vitin 1950, shumë Dëshmitarë, mes tyre edhe babai im, u morën nga autoritetet. Atij iu dha një dënim me 25 vjet burg dhe u dërgua në Kabarovsk, në skajin më lindor të Bashkimit Sovjetik, afërsisht 7.000 kilometra larg!
Të internuar në Siberi
Më pas, në prill të vitit 1951, shteti sovjetik ndërmori një sulm të organizuar kundër Dëshmitarëve në republikat e tij perëndimore që sot njihen si Letonia, Estonia, Lituania, Moldavia, Bjellorusia dhe Ukraina. Gjatë këtij muaji rreth 7.000 nga ne, duke përfshirë mua dhe mamanë, na syrgjynosën në Siberi. Ushtarët thjesht erdhën në shtëpinë tonë gjatë natës dhe na çuan te stacioni hekurudhor. Atje na mbyllën nëpër vagonë kafshësh—rreth 50 veta në një vagon—dhe më shumë se dy javë më vonë, na zbritën në një vend që quhej Zalari, i cili ndodhet pranë liqenit Bajkal, në rajonin e Irkutskut.
Duke qëndruar në dëborë, ku na rrihte një erë e akullt dhe të rrethuar nga ushtarë të armatosur, vritja mendjen për atë që na priste. Si do të arrija t’i qëndroja besnik Jehovait në këtë vend? Filluam të këndojmë këngët e Mbretërisë për të hequr mendjen nga i ftohti. Pastaj mbërritën administruesit e ndërmarrjeve të zonës, që ishin pronë e shtetit. Disave u nevojiteshin burra për punë të rëndë fizike, ndërsa të tjerë donin gra për gjëra të tilla, si të kujdeseshin për kafshët. Mua dhe nënën na çuan në një kantier ndërtimi, ku po ndërtohej hidrocentrali i fuqishëm Tagninskaja.
Kur mbërritëm, pamë një varg barrakash druri, që shërbenin për strehimin e të internuarve. Më caktuan të punoja si traktorist dhe elektricist, ndërsa nënën e caktuan për të punuar në një fermë. Zyrtarisht klasifikoheshim si të dëbuar e jo si të burgosur. Kështu që ishim të lirë të lëviznim brenda një distance të shkurtër të centralit elektrik, ndonëse nuk lejoheshim që të vizitonim koloninë tjetër, që ndodhej rreth 50 kilometra më tutje. Autoritetet na bën presion që të firmosnim një deklaratë ku thuhej se do të qëndronim atje përgjithmonë. Për mua, një 19-vjeçar, kjo dukej një kohë jashtëzakonisht e gjatë, prandaj refuzova të firmosja. Megjithatë, në atë zonë mbetëm për 15 vjet.
Atje në Siberi, kufiri me Poloninë nuk ishte më vetëm 8 kilometra larg nesh, por më shumë se 6.000 kilometra. Ne Dëshmitarët bëmë gjithë sa mundëm për t’u organizuar përsëri në kongregacione, duke caktuar burra që të merrnin drejtimin. Para së gjithash, nuk kishim fare literaturë biblike përveç disa artikujve që disa Dëshmitarë ia kishin dalë t’i sillnin me vete nga Ukraina. Këto u kopjuan me dorë dhe ia kalonim njëri-tjetrit.
Shpejt filluam të mbanim mbledhjet. Pasi shumë prej nesh jetonin në barraka, mblidheshim bashkë shumicën e mbrëmjeve. Kongregacioni ynë përbëhej nga rreth 50 veta dhe isha caktuar që të drejtoja Shkollën e Shërbimit Teokratik. Në kongregacionin tonë kishte pak burra, kështu që edhe gratë mbanin fjalime të stërvitjes, procedurë kjo e futur edhe gjetkë në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, në vitin 1958. Të gjithë i merrnin seriozisht caktimet e tyre, duke e konsideruar shkollën si një mënyrë për të lavdëruar Jehovain dhe për të inkurajuar të tjerët në kongregacion.
Shërbimi ynë bekohet
Pasi në barraka me ne kishte persona të tjerë që nuk ishin Dëshmitarë, vështirë të kalonte një ditë pa biseduar me ta për besimin tonë, edhe pse kjo ndalohej në mënyrë të rreptë. Në vitin 1953, pas vdekjes së Josif Stalinit, udhëheqësit sovjetik, kushtet u përmirësuan. Na u lejua të flitnim më hapur me të tjerët rreth bindjeve tona të bazuara në Bibël. Nëpërmjet korrespondencës me miqtë në Ukrainë, mësuam se ku ndodheshin Dëshmitarët e tjerë në zonën tonë dhe u vumë në kontakt me ta. Kjo na dha mundësi t’i organizonim kongregacionet në qarqe.
Në vitin 1954 u martova me Ollgën, edhe ajo e internuar nga Ukraina. Gjatë viteve ajo qe një mbështetje e madhe për mua në shërbim të Jehovait. Stefani, ai që u vra në kufirin ndërmjet Ukrainës dhe Polonisë në vitin 1947, ishte vëllai i Ollgës. Më vonë patëm një vajzë, Valentinën.
Bashkë me Ollgën gëzuam shumë bekime në shërbimin tonë të krishterë në Siberi. Për shembull, atje takuam Xhorxhin, që ishte drejtuesi i një grupi baptist. E vizitonim atë rregullisht dhe studionim me të çdo lloj reviste Kulla e Rojës që arrinim të siguronim. Shpejt Xhorxhi filloi të pranonte se ajo që predikojnë Dëshmitarët e Jehovait nga Bibla është e vërtetë. Gjithashtu, filluam të studionim edhe me disa shokë të tij baptistë. Sa jemi drithëruar nga gëzimi kur Xhorxhi dhe disa shokë të tij u pagëzuan dhe u bënë vëllezërit tanë frymorë!
Në vitin 1956, u emërova si mbikëqyrës udhëtues, gjë që kërkonte të vizitoja çdo javë një kongregacion të zonës sonë. Më duhej të punoja gjithë ditën dhe më pas, të nisesha në mbrëmje me motoçikletën time për të takuar kongregacionin. Kthehesha të nesërmen, herët në mëngjes, dhe shkoja të punoja. Mikail Serdinski, që ishte caktuar për të më ndihmuar në veprën udhëtuese, u vra në një aksident rrugor, në vitin 1958. Ai vdiq një të mërkurë, por ne e vonuam funeralin e tij deri të dielën, për t’u dhënë mundësi sa më shumë Dëshmitarëve që të ishin të pranishëm.
Kur një grup i madh prej nesh filluan të ecnin drejt varrezave, anëtarët e Sigurimit të Shtetit na ndoqën. Mbajtja e një fjalimi rreth shpresës së bazuar në Bibël për ringjalljen, do të thoshte të përballoje rrezikun e arrestimit. Por unë nuk mund të mos flitja rreth Mikailit dhe perspektivave të tij të mrekullueshme në të ardhmen. Megjithëse përdora Biblën, Sigurimi i Shtetit nuk më arrestoi. Me sa duket, e kuptonin që nuk do të fitonin asgjë me këtë, pastaj, sidoqoftë isha mjaft i njohur për ta, meqë kisha qenë shpesh «mysafir» në zyrat e tyre për t’u marrë në pyetje.
I tradhëtuar nga një informator
Në vitin 1959, Sigurimi i Shtetit arrestoi 12 Dëshmitarë që merrnin drejtimin në veprën e predikimit. Disa të tjerë u thirrën për t’u marrë në pyetje, mes tyre edhe unë. Kur më erdhi radha për t’u pyetur, shtanga kur dëgjova zyrtarët të tregonin hollësira konfidenciale rreth veprës sonë. Si kishin arritur t’i mësonin këto gjëra? Duket se dikush i informonte, dikush që dinte mjaft për ne dhe që kishte qenë duke punuar për shtetin për njëfarë kohe.
Të 12 të arrestuarit ndodheshin në qeli që ishin ngjitur me njëra-tjetrën dhe ranë dakord të mos u thoshin as edhe një fjalë autoriteteve. Në këtë mënyrë informatori do të duhej të paraqitej vetë në gjykatë për të dhënë dëshmi kundër tyre. Megjithëse nuk isha i akuzuar, shkova në gjyq për të parë se ç’do të ndodhte. Gjykatësi bëri pyetje, por asnjë nga të 12-t nuk u përgjigj. Pastaj, një Dëshmitar me emrin Konstantin Polishçuk, të cilin e njihja prej vitesh, dëshmoi kundër të 12-ve. Në përfundim të procesit gjyqësor, disa prej Dëshmitarëve u dënuan me burgim. Në rrugën jashtë ndërtesës së gjykatës, u gjenda përballë me Polishçukun.
«Përse po na tradhëton?»—e pyeta.
«Sepse nuk besoj më»,—u përgjigj ai.
«Çfarë nuk beson më?»—e pyeta.
«Thjesht nuk besoj më në Bibël»,—u përgjigj ai.
Polishçuku mund të më kishte shitur edhe mua, por në dëshminë e tij nuk e përmendi emrin tim. Prandaj e pyeta se përse nuk e kishte bërë këtë.
«Nuk dua që ti të shkosh në burg»,—shpjegoi ai. «Ndihem ende fajtor për vëllanë e gruas sate, Stefanin. Isha unë përgjegjës që e dërgova të kalonte kufirin natën që u vra. Më vjen vërtet keq për këtë.»
Fjalët e tij më tronditën. Ç’shtrembërim kishte pësuar ndërgjegjja e tij! Nga një anë e brente ndërgjegjja për vdekjen e Stefanit, nga ana tjetër tradhtonte shërbëtorët e Jehovait. Nga ajo ditë nuk e pashë më kurrë Polishçukun. Vdiq disa muaj më vonë. Tek unë la vraga të thella emocionale fakti që pashë dikë, të cilit i kisha besuar vite me radhë, të tradhtonte vëllezërit tanë. Por nga kjo përvojë nxora një mësim të vlefshëm. Polishçuku ishte jobesnik, sepse kishte hequr dorë nga leximi dhe besimi në Bibël.
Sigurisht që duhet të mbajmë në mendje këtë mësim: nëse duam t’i qëndrojmë besnik Jehovait, duhet të angazhohemi në një studim të rregullt të Shkrimeve të Shenjta. Bibla thotë: «Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet e jetës.» Për më tepër, apostulli Pavël u tha të krishterëve të kenë kujdes. Përse? «Nga frika se mos, duke u larguar nga Perëndia i gjallë, zhvillohet te ndonjëri prej jush një zemër e ligë, së cilës i mungon besimi.»—Fjalët e urta 4:23; Hebrenjve 3:12.
Kthimi në Ukrainë
Kur përfundoi internimi ynë në Siberi, në vitin 1966, bashkë me Ollgën u transferuam përsëri në Ukrainë, në një qytet të quajtur Sokal, rreth 80 kilometra nga Lvovi. Kishim shumë për të bërë, pasi në Sokal dhe në qytetet fqinje, Çervonograd dhe Sosnivka, kishte vetëm 34 Dëshmitarë. Sot, në këtë zonë ka 11 kongregacione!
Ollga vdiq besnike në vitin 1993. Tre vjet më vonë u martova me Lidian, e cila që nga ajo kohë ka qenë një forcë e madhe për mua. Veç kësaj, vajza ime Valentina dhe familja e saj janë shërbëtorë të zellshëm të Jehovait dhe kanë qenë, gjithashtu, një burim inkurajimi për mua. Megjithatë, ajo që vazhdon të më sjellë gëzimin më të madh, është fakti që i kam qëndruar besnik Jehovait, një Perëndie që vepron me besnikëri.—2 Samuelit 22:26.
Aleksei Davidjuk vdiq besnik ndaj Jehovait më 18 shkurt 2000, ndërsa ky artikull po përgatitej për botim.
[Figura në faqen 20]
Kongregacioni ynë që mblidhej në barraka në Siberinë Lindore, në vitin 1952
[Figura në faqen 23]
Shkolla jonë e Shërbimit Teokratik, në vitin 1953
[Figura në faqen 23]
Funerali i Mikail Serdinskit, në vitin 1958
[Figura në faqen 24]
Me gruan time Lidia