BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g17 nr. 6 f. 12-13
  • Alhazeni

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Alhazeni
  • Zgjohuni!—2017
  • Nëntema
  • NJË DIGË NË NIL
  • LIBRI I OPTIKËS
  • CAMERA OBSCURA
  • METODA SHKENCORE
Zgjohuni!—2017
g17 nr. 6 f. 12-13

PORTRETE NGA E KALUARA

Alhazeni

Alhazeni

NDOSHTA nuk ke dëgjuar ndonjëherë për Abu Ali al-Hasan ibn al-Hajt’hamin. Në botën perëndimore njihet me emrin Alhazen, një formë latine e emrit arab, Al-Hasan. Sido që të jetë, ka shumë të ngjarë që nxjerr dobi nga puna që ka bërë gjatë jetës së tij. Ai është përshkruar si «një nga figurat më të rëndësishme e më me ndikim në historinë e shkencës».

FAKTE SHKURT

  • Alhazeni është quajtur «i pari shkencëtar i vërtetë në botë», për shkak të metodave të tij të sakta eksperimentale.

  • Ai përcaktoi parimet themelore të fotografisë moderne.

  • Puna e tij me thjerrat çoi në zhvillimin dhe prodhimin e hershëm të syzeve optike, të mikroskopit e të teleskopit.

Alhazeni lindi në Basra, pjesë e Irakut të sotëm, rreth vitit 965 të e.s. Ai studioi dhe u mor me astronomi, kimi, matematikë, mjekësi, muzikë, optikë, fizikë dhe poezi. Për çfarë duhet t’i jemi mirënjohës në veçanti?

NJË DIGË NË NIL

Për një kohë të gjatë ka qarkulluar një histori për Alhazenin. Bëhet fjalë për planin e tij që të rregullonte rrjedhën e lumit Nil, thuajse 1.000 vjet para se ky projekt të realizohej në Asuan në vitin 1902.

Në bazë të historisë, Alhazeni bëri plane ambicioze për të përmirësuar situatën e përmbytjeve e të thatësirave në Egjipt me anë të një dige në Nil. Kur sundimtari i Kajros, kalifi Al-Hakim, e dëgjoi këtë ide, e ftoi Alhazenin në Egjipt për të ndërtuar digën. Megjithatë, kur Alhazeni e pa me sytë e tij lumin, e kuptoi se nuk mund ta realizonte këtë projekt. Ngaqë kishte frikë se mos ndëshkohej nga ky sundimtar që kishte namin si tip i paqëndrueshëm, Alhazeni u hoq si i çmendur, derisa kalifi vdiq rreth 11 vjet më vonë, më 1021. Ndërkohë që mbahej i mbyllur, ngaqë hiqej si i çmendur, kishte plot kohë të lirë të merrej me gjëra të tjera.

LIBRI I OPTIKËS

Kur e liruan, Alhazeni kishte shkruar tashmë shumicën e shtatë vëllimeve të Librit të optikës, që konsiderohet si «një nga librat më të rëndësishëm në historinë e fizikës». Ai përmbante eksperimente për natyrën e dritës, përfshirë faktin se si drita ndahej në ngjyrat e saj përbërëse, reflektimin e saj në pasqyrë, dhe përthyerjen kur kalonte në mjedise me përbërje e dendësi të ndryshme. Përveç kësaj, ai studioi perceptimin pamor, si edhe anatominë dhe funksionimin e syrit.

Nga shekulli i 13-të, vepra e Alhazenit ishte përkthyer tashmë nga arabishtja në latinisht, dhe për shekuj me radhë, studiuesit evropianë i referoheshin si autoritet. Kështu, shkrimet e Alhazenit për vetitë e thjerrave hodhën një bazë të rëndësishme për ata që bënë syze optike në Evropë, të cilët shpikën teleskopin dhe mikroskopin duke i vendosur thjerrat përballë njëra-tjetrës.

CAMERA OBSCURA

Alhazeni përcaktoi parimet themelore të fotografisë kur ndërtoi atë që mund të quhet camera obscura e parë në histori. Kjo ishte një «dhomë e errët» ku drita hynte përmes një vrime të vogël, dhe pamja jashtë dhomës projektohej përmbys në murin përballë.

Camera obscura

Alhazeni ndërtoi atë që mund të ketë qenë camera obscura e parë

Në vitet 1800, te camera obscura u shtuan pllaka fotografike për të kapur imazhe që nuk prisheshin me kalimin e kohës. Cili ishte rezultati? Aparati fotografik. Të gjitha aparatet e sotme fotografike​—në fakt edhe vetë syri—​funksionojnë në bazë të të njëjtave parime fizike si camera obscura.a

METODA SHKENCORE

Një aspekt mbresëlënës i punës së Alhazenit ishin kërkimet e kujdesshme e sistematike rreth dukurive natyrore. Në atë kohë, kjo ishte tejet e pazakontë. Ishte një nga hulumtuesit e parë që i testonte teoritë me anë të eksperimentit, dhe nuk kishte frikë t’i vinte në dyshim dijet e pranuara gjerësisht, nëse nuk bazoheshin në prova.

Një nga parimet themelore të shkencës së sotme mund të përmblidhet me këto fjalë: «Atë që beson, vërtetoje!» Disa mendojnë se Alhazeni është «babai i metodës së sotme shkencore». Ja pse kemi shumë arsye për të qenë mirënjohës ndaj tij.

a Ngjashmëria ndërmjet camera obscura dhe syrit nuk kuptohej plotësisht në botën perëndimore deri kur e shpjegoi Johan Kepleri në shekullin e 17-të.

«Na mësoi ‘të bëjmë’ shkencë»

Sipas autorit Xhim Al-Kalili, madhështia e Alhazenit «nuk është pasojë e një zbulimi të vetëm revolucionar . . . Përkundrazi, qëndron te mënyra si na mësoi ‘të bëjmë’ shkencë». Libri i optikës që shkroi ai, përshkruhet si «manual i vërtetë shkencor», i kompletuar me përshkrime të sakta të eksperimenteve, të aparateve, të matjeve të bëra dhe të rezultateve të arritura.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo