-
Ç’duhet të di për duhanin?Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
-
-
KAPITULLI 33
Ç’duhet të di për duhanin?
Shiko mundësitë e mëposhtme dhe vër një shenjë ✔ anash çdo pike ku gjen veten.
□ Jam kureshtar
□ Po kaloj strese
□ Dua që të tjerët të më pranojnë
□ Kam hallin e peshës
NËSE shënove ndonjë nga pikat në faqen 237, ke diçka të përbashkët me shokët e tu që pinë ose që u ka shkuar mendja të pinë duhan.a Për shembull:
Shuarja e kureshtjes. «Doja të provoja si ishte të pije duhan. Kështu pranova cigaren që më dha një vajzë në shkollë, dola dhe e piva fshehurazi.»—Trejsi.
Përballimi i stresit dhe pranimi nga të tjerët. «Në shkollë, çunat e gocat thoshin ‘më duhet një cigare’, e pastaj ‘aa, tani po që mund t’ia dal’. Kur isha e stresuar, doja të ndihesha edhe unë ashtu.»—Niki.
Rënia në peshë. «Disa goca pinë duhan për të ruajtur elegancën—është shumë më kollaj se të mbash dietë!»—Samanta.
Megjithatë, para se të ndezësh cigaren e parë—ose cigaren tjetër—ndalu e mendo. Mos u bëj si peshku që ha karremin. Vërtet peshku fiton diçka të vogël, por sa shtrenjtë e paguan! Më mirë ndiq këshillën e Biblës dhe përdor ‘aftësitë e tua për të menduar në mënyrë të kthjellët’. (2 Pjetrit 3:1) Mundohu t’u përgjigjesh pyetjeve të mëposhtme.
Çfarë di në të vërtetë për duhanin?
Shëno nëse pohimet e mëposhtme janë të vërteta apo të rreme.
a. Duhani do të më pakësojë stresin.
□ E vërtetë □ E rreme
b. Mund ta nxjerr thuajse gjithë tymin.
□ E vërtetë □ E rreme
c. Pasojat te shëndeti do t’i ndiej vetëm kur të jem i rritur.
□ E vërtetë □ E rreme
ç. Duhani më bën më interesant për seksin tjetër.
□ E vërtetë □ E rreme
d. Po të pi duhan, s’i bëj keq njeriu përveç vetes.
□ E vërtetë □ E rreme
dh. Perëndisë nuk i intereson nëse unë pi duhan apo jo.
□ E vërtetë □ E rreme
Përgjigjet
a. E rreme. Për momentin duhani e lehtëson stresin që vjen kur po vdes për një cigare. Mirëpo, shkencëtarët kanë zbuluar se në të vërtetë nikotina shton hormonet e stresit.
b. E rreme. Sipas disa studimeve, mbi 80 për qind e grimcave të tymit që thith, mbeten brenda trupit.
c. E rreme. Ndonëse rreziqet shtohen pas çdo cigareje që pi, disa pasoja janë të menjëhershme. Disave u mjafton një cigare e vetme që t’u bëhet ves duhani. Mushkëritë do të të dobësohen dhe ka të ngjarë të vuash nga një kollë që s’të shqitet. Rrudhat në lëkurë do të të shtohen dhe do të të dalin para kohe. Duhani shton rrezikun e çrregullimit të funksioneve seksuale, krizave të panikut dhe depresionit.
ç. E rreme. Studiuesi Llojd Xhonston vërejti se adoleshentët që pinë duhan, nuk janë «edhe aq tërheqës për shumicën e seksit tjetër».
d. E rreme. Çdo vit vdesin mijëra vetë ngaqë thithin tymin e duhanit të të tjerëve. Pra, do të dëmtosh familjen, miqtë, e madje edhe kafshët që ke në shtëpi.
dh. E rreme. Kush dëshiron t’i pëlqejë Perëndisë, duhet të pastrohet nga «çdo ndotje e mishit». (2 Korintasve 7:1) S’diskutohet që duhani ndot trupin. Nëse zgjedh të jesh i papastër, duke dëmtuar veten dhe të tjerët me anë të duhanit, s’mund të jesh mik i Perëndisë.—Mateu 22:39; Galatasve 5:19-21.
Si të mos bie pre?
Atëherë, ç’do të bësh nëse të ofrojnë një cigare? Shpesh mjafton një përgjigje e thjeshtë, por e prerë, si: «Jo faleminderit, nuk e pi.» Nëse tjetri ngul këmbë ose edhe të tall, mos harro se është e drejta jote të zgjedhësh. Mund të thuash:
● «Kur mësova sa rreziqe ka, e ndava mendjen se nuk bën për mua.»
● «Kam plane të rëndësishme për të ardhmen, prandaj dua të marr frymë edhe për ca kohë.»
● «Sipas teje, s’paskam të drejtë të vendos për veten time?»
Sidoqoftë, ashtu si të rinjtë e cituar në këtë kapitull, presionin më të madh mbase e ke nga vetja. Po të jetë kështu, kundërshtoje këtë «zë të brendshëm» duke arsyetuar rreth pyetjeve të mëposhtme:
● A do të më sjellë vërtet ndonjë të mirë duhani? Për shembull, nëse vendos të pi duhan vetëm që të më pranojnë të tjerët, a do të më pranojnë vërtet kur s’kam thuajse asgjë tjetër të përbashkët me ta? E fundja, a dua t’u shkoj pas avazit atyre që do të kënaqeshin teksa i bëj dëm vetes?
● «Sa shtrenjtë do t’i kushtojë duhani xhepit dhe shëndetit tim, pa përmendur humbjen e respektit të të tjerëve?»
● «A dua ta shes miqësinë me Perëndinë për një cigare?»
Po nëse të është bërë ves duhani, si të shpëtosh?
Si ta lë?
1. Binde veten. Shkruaj arsyet që ke ti për ta lënë dhe hidhu një sy herë pas here. Një motiv i fortë mund të jetë dëshira që të jesh i pastër në sytë e Perëndisë.—Romakëve 12:1; Efesianëve 4:17-19.
2. Kërko ndihmë. Nëse ke pirë fshehtas, tani është momenti të flasësh hapur. Tregoju atyre që ua ke mbajtur sekret, se do ta lësh duhanin dhe kërkoju të të ndihmojnë. Nëse dëshiron t’i shërbesh Perëndisë, lutju për ndihmë.—1 Gjonit 5:14.
3. Cakto një datë. Jepi vetes dy javë kohë a më pak, dhe shëno në kalendar ditën kur ke vendosur ta lësh. Tregoju familjes dhe miqve se në atë datë do ta lësh duhanin.
4. Kërko dhe zhduk. Para datës që ke caktuar, rrëmo cep më cep nëpër dhomë, makinë e rroba se mos gjen ndonjë cigare dhe zhduki. Hiq gjithë çakmakët, shkrepëset dhe tavllat e duhanit.
5. Përballo simptomat e lënies. Pi mjaft lëngje frutash ose ujë dhe fli më shumë. Mos harro se sikleti është i përkohshëm, kurse dobitë janë të përhershme.
6. Shmang tundimet. Rri larg situatave e vendeve ku mund të të vijë të pish duhan. Gjithashtu, mund të të duhet të ndërpresësh shoqërinë me ata që e pinë.—Proverbat 13:20.
Mos bjer në grep!
Vit për vit, firmat e duhanit shpenzojnë miliarda dollarë për reklama. Kë në mënyrë të veçantë kanë në shënjestër? Në një dokument të brendshëm të një kompanie duhani thuhet: «Adoleshenti i sotëm, mund të jetë klienti ynë i rregullt nesër.»
Mos i lejo biznesmenët e industrisë së duhanit të të zhvatin xhepat. Pse ta hash karremin e tyre? As ata, as shokët e tu që pinë duhan, nuk mendojnë për të mirën tënde. Në vend që të dëgjosh ata, vërja veshin këshillës së Biblës dhe mëso «si të nxjerrësh dobi për vete».—Isaia 48:17.
A të bëjnë presion shokët që të pish alkool? Kupto përse duhet të dish kufirin tënd.
[Shënimet]
a Edhe pse ky kapitull flet për ata që pinë cigare, problemet dhe rreziqet që nxirren në pah, vlejnë edhe për ata që përtypin duhan.
SHKRIMI KYÇ
«Të qëndrojmë larg gjithçkaje që e ndot trupin.»—2 Korintasve 7:1, Contemporary English Version.
KËSHILLË
Mos nxirr justifikime, të tilla si «do ta thith vetëm një herë». Shpesh këto justifikime bëjnë që t’i dorëzohesh prapë këtij vesi.—Jeremia 17:9.
A E DIJE . . . ?
Përdorimi i llojeve të duhanit pa tym, si për shembull me përtypje, mund të nxjerrë më shumë nikotinë se cigaret dhe përmban rreth 25 lëndë helmuese kancerogjene që rritin rrezikun e kancerit të fytit e të gojës.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Nëse një shok klase më bën presion që të pi duhan, do të ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Edhe pse i di rreziqet, prapëseprapë pse mund të tundohesh që të pish duhan?
● Çfarë të ka bindur se nuk është mirë të pish duhan?
[Diçitura në faqen 240]
«Kur më zgjatin ndonjë cigare, vetëm buzëqesh dhe u them: ‘Jo, faleminderit. Nuk dua të më zërë kanceri.’»—Alejna
[Kutia dhe figura në faqen 241]
A është vërtet aq e keqe marihuana?
«Disa thonë se përdorimi i marihuanësb është një mënyrë për të shpëtuar nga problemet,—thotë Elena, e cila jeton në Irlandë,—dhe se nuk ka ndonjë efekt anësor të dëmshëm.» A ke dëgjuar edhe ti fjalë të tilla për marihuanën? Krahaso disa opinione të përhapura me të vërtetën.
Opinioni i përhapur. Marihuana nuk është e dëmshme.
E vërteta. Efektet e përhershme të marihuanës që dihen ose dyshohen, janë: dobësim i kujtesës, dëmtim i aftësisë për të mësuar, mosfunksionim i sistemit imunitar dhe dëmtim i shëndetit seksual si te vajzat, ashtu edhe te djemtë. Mund të shkaktojë kriza ankthi, psikozë dhe paranojë. Fëmijët që lindin nga nëna që pinë marihuanë, ka më shumë të ngjarë të kenë probleme me sjelljen, me përqendrimin dhe vështirësi të mëdha në marrjen e vendimeve.
Opinioni i përhapur. Të pish marihuanë është më pak e dëmshme se të pish duhan.
E vërteta. Në krahasim me duhanin, nëpërmjet marihuanës ti mund të futësh katër herë më shumë katran në rrugët e frymëmarrjes dhe pesë herë më shumë monoksid karboni në gjak, një substancë helmuese. Pesë cigare marihuane përmbajnë po aq lëndë helmuese kancerogjene sa një paketë duhani.
Opinioni i përhapur. Nuk bëhesh i varur ndaj marihuanës.
E vërteta. Adoleshentët që kanë probleme mendore ose emocionale, mund të bëhen shumë shpejt të varur ndaj marihuanës. Të tjerë bëhen të varur pasi e kanë përdorur për shumë kohë. Përveç këtyre, studimet tregojnë se adoleshentët që pinë marihuanë, janë shumë më të prirur të përdorin edhe droga të tjera, si për shembull kokainë.
[Shënimet]
b Si marihuana, ashtu edhe hashashi bëhen nga pjesë të ndryshme të bimës së kanabisit. Por hashashi është pesë herë më i fortë se marihuana.
[Kutia dhe figurat në faqet 244, 245]
Ndikimi i duhanit në trupin tënd
Hidhu një sy njerëzve të shëndetshëm në reklamat e cigareve. Pastaj krahasoji ato imazhe me ndikimin që ka vërtet duhani në trupin tënd.
Në gojë dhe fyt: Mund të shkaktojë kancer
[Figura]
Kancer në gjuhë
Në zemër: Ngurtëson dhe ngushton arteriet, pengon që zemra të marrë oksigjen sa duhet dhe rrit deri në katër herë rrezikun e sëmundjeve të zemrës
[Figura]
Arterie e bllokuar
Në mushkëri: Shkatërron qeskat e ajrit, shkakton inflamacion në rrugët e frymëmarrjes dhe rrit deri në 23 herë rrezikun e kancerit në mushkëri
[Figura]
Mushkëria e një duhanpirësi
Në tru: Rrit deri në katër herë rrezikun e hemorragjisë cerebrale
Në lëkurë: Mund të shkaktojë plakje të parakohshme
Te dhëmbët: Shkakton zverdhjen
Në stomak: Shkakton kancer
Në pankreas: Shkakton kancer
Në fshikëzën e urinës: Shkakton kancer
Në veshkë: Shkakton kancer
[Figura në faqen 239]
Ashtu si peshku që ha karremin, duhanpirësi fiton diçka të vogël, por e paguan shtrenjtë
-
-
Ç’të keqe ka të pish me tepri?Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
-
-
KAPITULLI 34
Ç’të keqe ka të pish me tepri?
Si do t’u përgjigjeshe pyetjeve më poshtë? Vër një shenjë ✔ në kutinë përbri përgjigjes që do të zgjedhësh.
A pi ndonjë nga shokët e tu edhe pse nuk ka mbushur moshën ose sipas mënyrës «binxh»?
□ Po □ Jo
A të kanë bërë ndonjëherë presion bashkëmoshatarët që të pish alkool?
□ Po □ Jo
Po ti a ke pirë ndonjëherë sipas mënyrës «binxh»?
□ Po □ Jo
NËSE je tunduar ndonjëherë të pish me tepri ose të pish edhe pse nuk ke mbushur moshën, nuk je i vetmi. Shumë të rinj abuzojnë me alkoolin.a Disa pinë sipas mënyrës binxh. Po çfarë është binxhi? Disa njerëz mendojnë se kjo është një mënyrë të piri thjesht për t’u dehur. Një raport i Institutit Kombëtar të SHBA-së për Abuzimin me Alkoolin dhe për Alkoolizmin, u përpoq të ishte më specifik. Raporti thoshte se binxhi «zakonisht përkufizohet si konsumimi i 5 a më shumë gotave rresht nga burrat dhe i 4 a më shumë gotave rresht nga gratë».
Por pyet veten: «A e kuptoj vërtet pse dua të pi dhe si mund të ndikojë alkooli tek unë?» Për shembull, a mendon se pohimet e mëposhtme janë të vërteta apo të rreme? Vër një shenjë ✔ në kutinë përbri përgjigjes tënde dhe pastaj kushtoju vëmendje fakteve.
a. Adoleshentët pinë vetëm sepse u pëlqen shija e alkoolit.
□ E vërtetë □ E rreme
b. Ngaqë janë të rinj e të shëndetshëm, adoleshentët kanë më pak efekte anësore nga abuzimi me alkoolin se të rriturit.
□ E vërtetë □ E rreme
c. Nuk vdes nga «binxhi».
□ E vërtetë □ E rreme
ç. Bibla e ndalon fare përdorimin e alkoolit.
□ E vërtetë □ E rreme
d. Të pirët «binxh» ndikon për keq vetëm te shëndeti.
□ E vërtetë □ E rreme
a. Adoleshentët pinë vetëm sepse u pëlqen shija e alkoolit.—E rreme. Në një anketë për përdorimin e alkoolit në Australi, 36 për qind e të rinjve të pyetur thanë se pinin kryesisht për t’u pranuar nga moshatarët në aktivitetet shoqërore. Në Shtetet e Bashkuara, u zbulua se 66 për qind e të rinjve të anketuar pinin për shkak të presionit nga moshatarët. Megjithatë, më shumë se gjysma thanë edhe se pinin për të harruar problemet.
b. Ngaqë janë të rinj e të shëndetshëm, adoleshentët kanë më pak efekte anësore nga abuzimi me alkoolin se të rriturit.—E rreme. «Kërkimet e reja hedhin idenë se konsumuesit e alkoolit në moshë të re, po e kërkojnë vetë rrezikun»,—thotë një artikull në revistën Discover. Pse? «Adoleshentët që pinë me tepri, mund të jenë duke shkatërruar një pjesë të mirë të kapacitetit të tyre mendor.»
Konsumimi i vazhdueshëm i alkoolit sjell gjithashtu si pasojë aknet, rrudhosjen e parakohshme të lëkurës, shtimin në peshë, varësinë nga alkooli dhe nga droga. Gjithashtu, mund të dëmtojë rëndë sistemin nervor, mëlçinë dhe zemrën.
c. Nuk vdes nga «binxhi».—E rreme. Sasi të tepërta alkooli pengojnë furnizimin e trurit me oksigjen; proceset jetësore të trupit mund të fillojnë të mos funksionojnë si duhet. Ndër simptomat që mund të shfaqen janë: të vjellat, humbja e vetëdijes dhe frymëmarrja e ngadaltë ose e parregullt. Në disa raste mund të shkaktojë edhe vdekje.
ç. Bibla e ndalon fare përdorimin e alkoolit.—E rreme. Bibla nuk e dënon pirjen e alkoolit dhe as nuk i ndalon të rinjtë që të argëtohen. (Psalmi 104:15; Eklisiastiu 10:19) Sigurisht, duhet të kesh mbushur moshën sipas ligjit që të pish alkool.—Romakëve 13:1.
Megjithatë, Bibla paralajmëron kundër pirjes me tepri. «Vera sjell tallje dhe pija dehëse e bën njeriun të zhurmshëm. Kushdo që e humbet rrugën prej saj, nuk është i mençur»,—thuhet te Proverbat 20:1. Alkooli mund ta bëjë dikë të sillet në një mënyrë që të tjerët ta tallin. Është e vërtetë se për një çast mund të të sjellë kënaqësi, por po ta teprosh, «kafshon si një gjarpër», duke të të sjellë shumë probleme.—Proverbat 23:32.
d. Të pirët «binxh» ndikon për keq vetëm te shëndeti.—E rreme. Po të dehesh, mund të biesh lehtë pre e sulmeve fizike e madje edhe e përdhunimit. Njëkohësisht, mund të jesh një rrezik për të tjerët, duke u përfshirë në sjellje që janë jashtë karakterit tënd. Bibla paralajmëron që nëse pi me tepri, «nuk do të jesh në gjendje të mendosh ose të flasësh me kthjelltësi». (Proverbat 23:33, Today’s English Version) Me pak fjalë, do të të bëjë të dukesh i pamend. Pasoja të tjera të dhembshme mund të jenë: miqësi të rrënuara, rendiment i ulët në shkollë e në punë, dosje penale dhe varfëri.—Proverbat 23:21.
Ç’është më e rëndësishmja, duhet të marrësh parasysh si mund ta dëmtojë pirja me tepri marrëdhënien tënde me Perëndinë. Perëndia Jehova do që t’i shërbesh me «gjithë mendjen tënde» e jo me një mendje të dëmtuar më kot nga teprimi me alkoolin. (Mateu 22:37) Fjala e Perëndisë dënon jo vetëm ‘teprimet në verë’, por edhe ‘garat në të pirë’. (1 Pjetrit 4:3) Prandaj, të pish sipas mënyrës binxh është kundër vullnetit të Krijuesit. Një teprim i tillë, mund të bëhet pengesë për një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë.
Çfarë do të zgjedhësh?
A do t’i ndjekësh pa e vrarë mendjen moshatarët e tu që abuzojnë me alkoolin? «A nuk e dini,—thotë Bibla—se po të vazhdoni t’ia paraqitni veten dikujt si skllav që t’i bindeni, jeni skllav i tij ngaqë i bindeni?» (Romakëve 6:16) A dëshiron vërtet të bëhesh skllav i moshatarëve të tu ose i alkoolit?
Çfarë të bësh nëse tashmë ke rënë në grackën e binxhit? Kërko menjëherë ndihmë duke folur me një prind ose me një mik të pjekur. Lutju Perëndisë Jehova dhe përgjëroju për ndihmë. Në fund të fundit, ai është «ndihmë që gjendet me lehtësi gjatë vuajtjeve». (Psalmi 46:1) Meqë binxhi dhe pirja e alkoolit nën moshën e lejuar shpesh vijnë si pasojë e presionit nga moshatarët, mund të të duhet të bësh ndryshime thelbësore në zgjedhjen e miqve.b Nuk do ta kesh të lehtë, por me ndihmën e Jehovait mund t’ia dalësh mbanë.
Varësia ndaj drogës mund të mposhtet. Zbulo se si.
[Shënimet]
a Shih kutinë «cilët e praktikojnë?» në faqen 249.
b Për më shumë informacion, shih kapitujt 8 dhe 9 të këtij libri dhe kapitullin 15 të vëllimit 2.
SHKRIMI KYÇ
‘Pijaneci . . . do të bjerë në varfëri.’—Proverbat 23:21.
KËSHILLË
Identifiko arsyet pse dëshiron të pish alkool. Pastaj përpiqu të mendosh për mënyra të tjera më të shëndetshme si të zbavitesh ose si të largosh ndjenjat dëshpëruese.
A E DIJE . . . ?
Sipas një studimi të bërë në SHBA, «ata që praktikonin shpesh binxhin, kishin tetë herë më shumë të ngjarë, sesa ata që nuk e praktikonin, që të linin orët e mësimit, të mbeteshin prapa me mësime, të pësonin dëmtime fizike dhe të shkaktonin dëme materiale».
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Nëse bashkëmoshatarët më ftojnë të pi alkool me tepri, do t’u them ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Pse moshatarët e tu duan që edhe të tjerë të abuzojnë me alkoolin bashkë me ta?
● A do të të bëjë abuzimi me alkoolin tërheqës për seksin tjetër dhe pse mendon kështu?
[Diçitura në faqen 250]
«Kur shokët e shkollës më ofrojnë alkool, u them se nuk kam nevojë për të që të zbavitem.»—Marku
[Figura në faqen 249]
Cilët e praktikojnë?
Sipas një studimi me nxënës të shkollave në Angli, Skoci dhe Uells, gati një e katërta e 13 dhe 14-vjeçarëve «u shprehën se kishin kthyer së paku pesë gota me alkool njëra pas tjetrës». Rreth gjysma e 15 dhe 16-vjeçarëve të anketuar, pohuan të njëjtën gjë. Sipas Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Publike «rreth 10,4 milionë adoleshentë të moshës 12 deri 20 vjeç thanë se pinin alkool. Nga këta, 5,1 milionë pinin sipas mënyrës binxh dhe 2,3 milionë prej këtyre të fundit pinin rëndshëm dhe e praktikonin këtë zakon të paktën pesë herë në muaj.» Një studim i bërë në Australi zbuloi se në këtë vend, më shumë sesa djemtë, janë vajzat ato që praktikojnë binxhin duke konsumuar 13 deri 30 gota njëra pas tjetrës.
[Figura në faqen 251]
Alkooli mund të kafshojë si një gjarpër
-