BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • Si të gjej shokë të mirë?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
    • KAPITULLI 8

      Si të gjej shokë të mirë?

      «Kur jam me nerva, kam nevojë për dikë që të shfryj. Kur jam e mërzitur, dua që dikush të më thotë se çdo gjë do të shkojë mirë. Kur jam e gëzuar, dua ta ndaj gëzimin me dikë. Për mua, miqtë janë të domosdoshëm.»​—Britni.

      THUHET se fëmijët kanë nevojë për shokë loje, kurse adoleshentët kanë nevojë për miq. Ku qëndron ndryshimi?

      Një shok loje është dikush që të bën shoqëri.

      Një mik është dikush që, gjithashtu, ka të njëjtat vlera si ti.

      Për më tepër, Bibla thotë se «shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira». (Proverbat 17:17) Me sa duket, këtu bëhet fjalë për një shoqëri më të ngushtë se ajo që gjeje në fushën e lojës kur ishe fëmijë.

      Fakt: Ndërsa rritesh, ke nevojë për shokë që:

      1. Kanë cilësi të admirueshme

      2. Jetojnë sipas normave të lavdërueshme

      3. Ndikojnë për mirë te ti

      Pyetje: Si të gjesh shokë që i plotësojnë këto kërkesa? Le t’i shqyrtojmë një nga një.

      Kërkesa nr. 1 për miqësinë: Cilësi të admirueshme

      Çfarë duhet të dish? Jo kushdo që thotë se të ka shok, i plotëson kërkesat për t’u quajtur i tillë. Madje Bibla thotë se «ka nga ata shokë që janë gati ta bëjnë copë njëri-tjetrin». (Proverbat 18:24) Kjo mund të duket e tepruar. Por mendo pak: a ke pasur ndonjë «shok» që ka përfituar nga ti? Po ndonjë që ka folur prapa krahëve ose ka përhapur thashetheme për ty? Nëse po, mund ta kesh humbur besimin tek ai.a Gjithnjë mbaj parasysh se, kur është fjala për shokë, më mirë pak e sak.

      Çfarë të bësh? Zgjidh si shokë ata që kanë cilësi që ia vlen t’i imitosh.

      «Të gjithë flasin mirë për shoqen time, Fionën. Dua të flasin mirë edhe për mua. Dua që edhe unë të kem një reputacion të mirë si ajo. Për mua, kjo është për t’u admiruar.»​—Iveta, 17 vjeçe.

      Bëj këtë shqyrtim.

      1. Lexo Galatasve 5:22, 23.

      2. Pyet veten: «A i pasqyrojnë shokët e mi cilësitë e ‘frytit të frymës’?»

      3. Rendit më poshtë emrat e shokëve të tu më të ngushtë. Përbri secilit, shkruaj një karakteristikë të tij.

      Emri Karakteristika

      ․․․․․ ․․․․․

      Këshillë: Në qoftë se të vijnë ndër mend vetëm të meta, mbase është koha të kërkosh shokë më të mirë.

      Kërkesa nr. 2 për miqësinë: Norma të lavdërueshme

      Çfarë duhet të dish? Sa më shumë ta ndiesh nevojën për shokë, aq më i prirur do të jesh t’i ulësh kërkesat. Bibla thotë: «Atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» (Proverbat 13:20) Fjala «budallenjtë» nuk u referohet atyre që marrin nota të këqija ose që nuk janë inteligjentë. Ajo përshkruan ata që nuk ua vënë veshin arsyetimeve të shëndosha, por ndjekin një rrugë pa norma morale. Këta lloj shokësh më mirë të mos i kesh.

      Çfarë të bësh? Në vend që të miqësohesh me këdo që të del përpara, ji përzgjedhës. (Psalmi 26:4) Kjo s’do të thotë se duhet të kesh paragjykime. Në këtë kontekst, të jesh përzgjedhës do të thotë të tregohesh aq i mprehtë sa ‘të shohësh dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben’.​—Malakia 3:18.

      «U jam mirënjohës prindërve që më ndihmuan të zë shokë të moshës sime që ndjekin normat e Perëndisë.»​—Kristoferi, 13 vjeç.

      Përgjigjju pyetjeve të mëposhtme:

      Kur jam me shokët, a kam frikë se mos më shtyjnë të bëj diçka që e di se është e gabuar?

      □ Po

      □ Jo

      A ngurroj t’ua prezantoj shokët prindërve, ngaqë kam frikë se prindërit nuk do t’i pëlqejnë?

      □ Po

      □ Jo

      Këshillë: Nëse u je përgjigjur po pyetjeve të mësipërme, kërko shokë që kanë norma më të larta​—ata që janë shembullorë si të krishterë.

      Kërkesa nr. 3 për miqësinë: Ndikojnë për mirë

      Çfarë duhet të dish? Në Bibël thuhet: «Shokët e këqij prishin cilësitë e mira.» (1 Korintasve 15:33, Today’s English Version) Një vajzë me emrin Lorena thotë: «Shokët e shkollës më pranonin në shoqërinë e tyre për sa kohë bëja siç më thoshin. Ndihesha e vetmuar, prandaj vendosa të sillesha si ata, vetëm e vetëm që të më pranonin.» Lorena kuptoi se, kur ndjek normat e të tjerëve, bëhesh si gur shahu dhe ata të lëvizin si t’u teket. Ti meriton më shumë se kaq!

      Çfarë të bësh? Ndërpriti lidhjet me ata që ngulin këmbë që ti të imitosh mënyrën e tyre të jetesës. Nëse i ndërpret, do të të mbeten më pak shokë, por ama do të ndihesh më mirë me veten dhe do t’u hapësh udhë miqësive më të mira, miqësi që do të ndikojnë për mirë te ti.​—Romakëve 12:2.

      «Shoku im i ngushtë, Klinti, është i matur dhe tregon kujdes për ndjenjat e të tjerëve. Kështu kam mësuar shumë prej tij.»​—Xhejsoni, 21 vjeç.

      Bëji vetes pyetjet e mëposhtme:

      A e ndryshoj për keq mënyrën si vishem, flas ose sillem vetëm që t’u bëj qejfin shokëve?

      □ Po

      □ Jo

      A ndodh të shkoj në vende moralisht të diskutueshme vetëm për hatër të shokëve?

      □ Po

      □ Jo

      Këshillë: Nëse u je përgjigjur po pyetjeve të mëparshme, kërkoju këshilla prindërve a ndonjë të rrituri të pjekur. Po të jesh Dëshmitar i Jehovait, mund të shkosh edhe te një plak kongregacioni dhe t’i tregosh se ke nevojë për ndihmë që të zgjedhësh shokë që do të ndikojnë për mirë te ti.

      LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLLIMIN 2, KAPITULLI 9

      NË KAPITULLIN TJETËR:

      Po nëse një gjoja shok ose ndoshta zemra jote të shtyn të bësh gjëra të këqija? Mëso se si mund t’i bësh ballë.

      [Shënimi]

      a Natyrisht, të gjithë gabojnë. (Romakëve 3:23) Pra, kur një shok të lëndon, por pastaj tregon se është penduar sinqerisht, mos harro se «dashuria mbulon një shumicë mëkatesh».​—1 Pjetrit 4:8.

      SHKRIMI KYÇ

      «Ka një mik me të cilin lidhesh më ngushtë se me një vëlla.»​—Proverbat 18:24.

      KËSHILLË

      Ndiq norma të drejta dhe të tjerë që po përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë, do të kërkojnë miqësinë tënde. Këta janë shokët më të mirë.

      A E DIJE . . . ?

      Perëndia nuk është i anshëm, por përzgjedh me kujdes se kë do të pranojë si ‘mysafir në tendën e tij’.​—Psalmi 15:1-5.

      HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

      Për të gjetur shokë të mirë, do të ․․․․․

      Disa më të mëdhenj se unë që do të doja t’i njihja më mirë, janë ․․․․․

      Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

      ÇFARË MENDON?

      ● Çfarë cilësish do të vlerësoje më tepër te një shok dhe pse?

      ● Çfarë cilësish duhet të përmirësosh që të jesh shok më i mirë?

      [Diçitura në faqen 60]

      «Kur prindërit më shkëputën nga një grup shokësh, mendoja se ata ishin të vetmit me të cilët doja të shoqërohesha. Por këshilla e prindërve ishte e mirë dhe, kur m’u hapën sytë, kuptova se mund të gjeja plot shokë më të mirë.»​—Koli

      [Kutia në faqen 61]

      Disa sugjerime

      Fol me prindërit për miqësitë. Pyeti çfarë shokësh kishin kur ishin në moshën tënde. A u vjen keq për zgjedhjet e tyre? Nëse po, pse? Pyeti si mund t’i shmangësh disa nga problemet që kaluan ata.

      Prezantojua prindërve shokët e tu. Nëse ngurron ta bësh këtë, pyet veten: «Pse ngurroj?» A ka diçka te shokët e tu që ti e di se prindërit nuk do ta pëlqejnë? Nëse po, mbase duhet të jesh më përzgjedhës kur bëhet fjalë për shokët.

      Dëgjo me vëmendje. Interesohu për mirëqenien dhe problemet e shokëve të tu.​—Filipianëve 2:4.

      Fal. Mos kërko përsosmëri. «Të gjithë ne pengohemi shumë herë.»​—Jakovi 3:2.

      Lëru pak hapësirë. S’ka pse të jesh shumë i ngjitur. Shokët e vërtetë do të të gjenden pranë kur të kesh nevojë për ta.​—Eklisiastiu 4:9, 10.

      [Figura në faqen 63]

      Kur ndjek normat e të tjerëve vetëm e vetëm që të të pranojnë, bëhesh si gur shahu që të lëvizin si t’u teket

  • Si t’i bëj ballë tundimit?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
    • KAPITULLI 9

      Si t’i bëj ballë tundimit?

      S’ka as dhjetë minuta që ka filluar festa, kur Kerëni sheh dy djem që hyjnë me disa çanta kartoni të mëdha. Dihet se ç’ka brenda tyre. Asaj i kishte kapur veshi një bisedë mes atyre djemve që thoshin se në festë do të kishte alkool me shumicë.

      Befas Kerëni dëgjon nga pas një zë të njohur. «Ç’më rri ashtu ti ‘Miss Mërzia’?» Kerëni kthehet dhe sheh shoqen e saj, Xhesikën, me dy shishe birre të sapohapura. Xhesika ia zgjat njërën dhe i thotë: «Ec tani, mos më thuaj se je tepër e vogël për të bërë pak qejf.»

      Kerëni nuk do që ta pranojë. Por presioni është më i fortë nga ç’ia merrte mendja. Xhesikën e ka shoqe dhe nuk do që të tjerët ta konsiderojnë si «Miss Mërzia», siç e quajti ajo. Pastaj, Xhesika është vajzë e mirë. Dhe nëse pi ajo, ç’të keqe ka të pijë edhe Kerëni. «Hë se birrë është,—thotë me vete Kerëni.—Nuk është se po pi drogë apo po bëj seks.»

      KUR je i ri, tundimi vjen në shumë forma. Shpesh ka të bëjë me gjininë tjetër. «Vajzat e shkollës nuk të shqiten,—thotë Ramoni 17-vjeçar.—Kanë qejf të të prekin dhe të shohin deri ku mund të arrijnë me ty. S’duan t’ia dinë se u thua jo!» Diana, edhe ajo 17 vjeçe, ka parë se kjo është e vërtetë. Ajo thotë: «Një djalë m’u afrua dhe më hodhi krahun. I gjuajta fort në krah dhe i thashë: ‘Ç’bën ore! As të njoh fare!’»

      Edhe ti mund të hasësh tundime dhe mbase duket se presioni s’ka të sosur. Tundimet e vazhdueshme janë si trokitjet e përsëritura në derë edhe pse ke vënë tabelën «Mos trokit!». A e dëgjon këtë trokitje më shpesh nga ç’do të doje? Për shembull, a të tundon ndonjë nga gjërat e mëposhtme?

      □ Të pish cigare

      □ Të shohësh pornografi

      □ Të pish alkool

      □ Të kryesh marrëdhënie seksuale

      □ Të marrësh drogë

      □ Tjetër ․․․․․

      Nëse ke vënë shenjën ✔ te ndonjëra nga kutitë e mësipërme, mos nxirr përfundimin se nuk je i prerë për të qenë i krishterë. Mund të mësosh t’i mbash nën kontroll dëshirat e gabuara dhe t’i bësh ballë tundimit. Si? Duke kuptuar çfarë e shkakton tundimin, do ta kesh më të lehtë. Shqyrto tre faktorë.

      1. Papërsosmëria. Të gjithë njerëzit e papërsosur kanë prirjen të bëjnë atë që është e keqe. Edhe apostulli Pavël, një i krishterë i pjekur, pranoi me çiltërsi: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje.» (Romakëve 7:21) Është e qartë se edhe njeriu më i ndershëm hera-herës i ndien «dëshirat e mishit [dhe] dëshirat e syve». (1 Gjonit 2:16) Por, po ta mbash mendjen te tundimi për të vepruar keq, vetëm sa i përkeqëson gjërat, pasi Bibla thotë: «Dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin.»​—Jakovi 1:15.

      2. Ndikimet e jashtme. Tundimin e ke ngado që hedh sytë. «Si në shkollë, edhe në punë, njerëzit flasin gjithë kohën për seksin,—thotë Gertruda.—Në televizor e në kinema, gjithnjë paraqitet kaq magjepsës, kaq emocionues. Rrallë tregohen pasojat negative.» Gertruda e ka provuar vetë sa të forta mund të jenë ndikimet e bashkëmoshatarëve dhe të medias. Ajo kujton: «Kur isha 16 vjeçe, mendoja se kisha rënë në dashuri. Mami u ul me mua dhe më tha se po të vazhdoja siç e kisha nisur, do të ngelesha shtatzënë. U trondita që e çonte nëpër mend një gjë të tillë. Dy muaj më vonë, ngela shtatzënë.»

      3. «Dëshirat karakteristike rinore.» (2 Timoteut 2:22) Këtu përfshihet çdo dëshirë tipike e rinisë, siç është dëshira e fortë për t’u pranuar nga të tjerët ose që të të konsiderojnë të rritur. Këto dëshira nuk janë të gabuara në vetvete, por po të lihen pa fre, mund ta bëjnë tundimin më të vështirë për ta përballuar. Për shembull, dëshira që të tjerët të të konsiderojnë të rritur mund të të bëjë të hedhësh poshtë parimet e mira që të kanë mësuar në familje. Kështu ndodhi me Stivin kur ishte 17 vjeç. Ai thotë: «U rebelova kundër prindërve dhe bëja gjithçka që më kishin thënë të mos e bëja, dhe kjo ndodhi pak pas pagëzimit.»

      Si t’i bësh ballë?

      Kuptohet që ndikimet e përmendura më sipër janë të forta. Gjithsesi, ti mund t’i bësh ballë tundimit. Si?

      ● Në fillim, përcakto cili është tundimi më i fortë për ty. (Tashmë mund ta kesh bërë këtë në faqen 65.)

      ● Pastaj pyet veten: «Kur e has më shpesh këtë tundim?» Vër një shenjë ✔ përbri njërit prej rasteve të mëposhtme:

      □ Në shkollë

      □ Kur jam vetëm

      □ Në punë

      □ Tjetër ․․․․․

      Nëse e di kur ka më shumë rrezik ta hasësh këtë tundim, mund të arrish ta shmangësh fare. Për shembull, mendo për situatën në fillim të kapitullit. Ç’sinjal mund t’i kishte vlejtur si paralajmërim Kerënit se në festë do të kishte telashe?

      ․․․․․

      Si mund ta kishte shmangur fare tundimin?

      ․․․․․

      ● Tani që ke përcaktuar cili është tundimi dhe ke kuptuar kur ka më shumë të ngjarë ta hasësh, je gati të veprosh. Gjëja më e rëndësishme për ty është të kuptosh si mund ta ndeshësh sa më rrallë ose ta shmangësh fare atë tundim. Më poshtë shkruaj ç’mund të bësh.

      ․․․․․

      (Shembuj: Nëse pas mësimit takon shpesh shokë shkolle që të shtyjnë të pish cigare me ta, mbase mund të ndërrosh rrugë që të mos i takosh. Në rast se të vijnë shpesh materiale pornografike të padëshiruara kur je në Internet, ndoshta mund të instalosh programe që bllokojnë materialet nga ai burim dhe të gjitha sitet e ngjashme. Veç kësaj, mund të përdorësh fjalë më specifike kur bën kërkime në Internet.)

      Sigurisht nuk mund t’i shmangësh të gjitha tundimet. Herët a vonë mund të hasësh ndonjë tundim goxha të fortë, mbase atëherë kur nuk e pret. Ç’mund të bësh?

      Ji i përgatitur

      Kur Jezui «u tundua nga Satanai», refuzimi i tij ishte i menjëhershëm. (Marku 1:13) Pse? Sepse ai e kishte të qartë çfarë qëndrimi do të mbante në lidhje me çështjet që u ngritën. Jezui tashmë kishte vendosur t’i bindej Atit të tij kurdoherë. (Gjoni 8:28, 29) Jezui i tha me bindje këto fjalë: «Nuk zbrita nga qielli për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.»​—Gjoni 6:38.

      Në faqen tjetër, shkruaj dy arsye pse duhet t’i bësh ballë tundimit që ndesh më shpesh dhe dy veprime që do të të ndihmojnë ta bësh këtë.

      Pse duhet t’i bësh ballë tundimit?

      1 ․․․․․

      2 ․․․․․

      Veprime që do të të ndihmojnë t’i bësh ballë:

      1 ․․․․․

      2 ․․․․․

      Mos harro se, kur i dorëzohesh tundimit, bëhesh skllav i dëshirave të tua. (Titit 3:3) Pse të lejosh të bëhesh rob i dëshirave të forta? Ji aq i pjekur sa t’i kesh ti nën kontroll dëshirat, dhe jo të të kenë ato nën kontroll ty. (Kolosianëve 3:5) Dhe lutu që të vazhdosh kështu.​—Mateu 6:13.a

      LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLLIMIN 2, KAPITULLI 15

      NË KAPITULLIN TJETËR:

      Ndihesh i këputur kohët e fundit? Zbulo si mund të kesh një shëndet më të mirë dhe si të rimarrësh forcat.

      [Shënimi]

      a Shih edhe kapitujt 33 e 34 të këtij libri.

      SHKRIMI KYÇ

      «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.»​—1 Korintasve 10:13.

      KËSHILLË

      Përdor kutinë «Kur shokët të bëjnë presion» që gjendet te faqet 132 dhe 133 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, për të planifikuar se si do të përgjigjesh nëse dikush të tundon të bësh diçka të gabuar.

      A E DIJE . . . ?

      Perëndia paratha se Jezui do të ishte besnik, por kjo nuk do të thotë se Jezui ishte robot, i programuar për t’u bindur. Përkundrazi, ai ishte një qenie me vullnet të lirë. Ai vetë zgjodhi të qëndronte besnik​—nuk ishte diçka e paracaktuar për të kohë më parë. Ja pse u lut me zjarr kur ishte nën sprovë.​—Hebrenjve 5:7.

      HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

      Që të jem më i fortë për t’i bërë ballë tundimit, do të ․․․․․

      Disa njerëz, vende dhe rrethana që duhet të shmang, janë ․․․․․

      Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

      ÇFARË MENDON?

      ● A tundohen krijesat e përsosura?​—Zanafilla 6:1-3; Gjoni 8:44.

      ● Ç’ndikim mund të ketë besnikëria jote te të tjerët kur i bën ballë tundimit?​—Proverbat 27:11; 1 Timoteut 4:12.

      [Diçitura në faqen 68]

      «Ajo që më ndihmon është dijenia se kam përkrah Qenien më të fuqishme në univers dhe se mund t’i kërkoj ndihmë në çdo kohë.»​—Kristoferi

      [Kutia dhe figura në faqen 67]

      Provo!

      Merr një busull dhe vëre në mënyrë të tillë që shigjeta të tregojë veriun. Pastaj vër një magnet pranë busullës. Çfarë ndodh? Shigjeta nuk e tregon më me saktësi drejtimin. Ajo kthehet nga magneti.

      Ndërgjegjja jote është si busulla. Në qoftë se stërvitet siç duhet, do të tregojë «veriun» e do të të ndihmojë të marrësh vendime të mençura. Por shoqëria e keqe, ashtu si një magnet, ushtron një tërheqje që mund të ta çorientojë gjykimin për vlerat morale. Ç’mësim del nga kjo? Përpiqu t’i shmangësh njerëzit dhe situatat që mund të ta shtrembërojnë ndërgjegjen.​—Proverbat 13:20.

      [Figura në faqen 69]

      Kur i dorëzohesh tundimit, bëhesh skllav i dëshirave të tua

Botimet shqip (1993-2025)
Shkëputu
Hyr me identifikim
  • shqip
  • Dërgo
  • Parametrat
  • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
  • Kushtet e përdorimit
  • Politika e privatësisë
  • Parametrat e privatësisë
  • JW.ORG
  • Hyr me identifikim
Dërgo