BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • yp2 kap. 32 f. 263-272
  • Si të kënaqem në kohën e lirë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si të kënaqem në kohën e lirë?
  • Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Pse duhet të rrish syçelë?
  • A kanë ndonjë të keqe diskot?
    Zgjohuni!—2004
  • Çfarë filmash do të shihni ju?
    Zgjohuni!—2005
  • Pse prindërit s’më lënë të dal për qejf?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
  • Përse të rinjtë e tjerë dëfrehen, kurse unë jo?
    Zgjohuni!—1996
Shih më tepër
Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike, Vëllimi 2
yp2 kap. 32 f. 263-272

KAPITULLI 32

Si të kënaqem në kohën e lirë?

Shëno e vërtetë ose e rreme për pohimet e mëposhtme.

Sipas Biblës . . .

Është gjithmonë e gabuar të merresh me sport.

□ E vërtetë □ E rreme

Të gjithë filmat dhe programet televizive ndikojnë për keq.

□ E vërtetë □ E rreme

Dënohet çdo lloj kërcimi.

□ E vërtetë □ E rreme

JE LODHUR gjithë javën. Shkolla ka mbaruar. Punët i ke bërë. Megjithatë, ke akoma energji, një nga të mirat që ke kur je i ri. (Proverbat 20:29) Tani do vetëm të bësh qejf.

Shokët mund të mendojnë se Bibla është kundër qejfit, domethënë nuk të lë të kënaqesh. A është e vërtetë? Le të kthehemi përsëri te pohimet në faqen e mëparshme dhe të shohim çfarë thotë Bibla në lidhje me to.

● Është gjithmonë e gabuar të merresh me sport.

E rreme. Bibla thotë se «stërvitja e trupit është e dobishme». (1 Timoteut 4:8) Sot ka shumë e shumë sporte, si për shembull, patinazhi, çiklizmi, vrapi, tenisi, basketbolli, volejbolli dhe futbolli, që mund të jenë edhe fizkulturë, edhe zbavitje e mirë.

A do të thotë kjo se s’ka nevojë për kujdes? Le të ndalemi pak te konteksti i vargut që cituam më lart. Ndër të tjera, apostulli Pavël i shkroi Timoteut: «Stërvitja e trupit është e dobishme për pak gjë, kurse përkushtimi hyjnor është i dobishëm për çdo gjë, sepse mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.» Fjalët e Pavlit na kujtojnë se gjëja kryesore për ne duhet të jetë gjithmonë: t’i pëlqejmë Perëndisë. Mund të sigurohesh që përkushtimi hyjnor është gjëja kryesore për ty, edhe kur zgjedh një sport, duke i bërë vetes tri pyetjet e mëposhtme:

1. Sa i rrezikshëm është ky sport? Mos u bazo vetëm tek ajo që të thonë të tjerët dhe mos u beso të rinjve të tjerë që e pëlqejnë. Njihu me faktet. Për shembull, mëso se sa është përqindja e rrezikut në atë sport? Ç’masa sigurie merren? Ç’stërvitje dhe ç’pajisje nevojiten për të mos u dëmtuar? Rreziqe mund të ketë pothuaj në çdo aktivitet, por, a është qëllimi i tij kryesor të shpërfillë rreziqet ose të sfidojë vdekjen?

Jeta është dhuratë nga Perëndia, dhe Ligji që u dha Perëndia izraelitëve i ndëshkonte rëndë ata që i merrnin jetën një tjetri pa dashur. (Dalja 21:29; Numrat 35:22-25) Prandaj, populli i Perëndisë inkurajohej të merrte masa sigurie. (Ligji i përtërirë 22:8) Edhe të krishterët e sotëm kanë detyrimin të tregojnë respekt për jetën.

2. A do të më japë mundësi ky sport të shoqërohem me shokë të mirë? Nëse je i mirë në atletikë, shokët dhe mësuesit mund të të bëjnë presion të bëhesh pjesë e ekipit të shkollës. Dëshira për të pranuar mund të jetë e madhe. Marko, një i ri i krishterë, thotë: «Nuk më duket aspak e drejtë që prindërit nuk më lënë të futem në ekipin e shkollës.» Por, në vend që të përpiqesh t’u mbushësh mendjen prindërve që të pranojnë mendimin tënd, mendo për këto: stërvitja dhe aktivitetet zakonisht programohen pas orëve të mësimit. Nëse je i mirë, do të të nxitin t’i kushtosh më shumë kohë sportit. Por nëse çalon, prapëseprapë do të harxhosh më shumë kohë në stërvitje që të arrish aty ku do. Veç kësaj, shokët e skuadrës shpesh lidhen shumë kur fluturojnë nga lumturia e fitores ose kur janë përtokë nga dëshpërimi i humbjes.

Tani pyet veten: «A do të ndikonte për mirë tek unë harxhimi i kohës me aktivitete që mund të më çojnë në lidhje të ngushta me shokë që nuk ndjekin të njëjtat norma si unë?» (1 Korintasve 15:33) «Çfarë çmimi jam gati të paguaj vetëm e vetëm që të futem në një ekip?»

3. Sa kohë dhe para do të më marrë sporti? Bibla na këshillon ‘të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’. (Filipianëve 1:10) Për të zbatuar këtë këshillë, pyet veten: «A do të më marrë ky sport kohën që duhet t’ia kushtoj mësimeve ose aktiviteteve frymore? Sa para do të më harxhojë? A mund t’i përballoj këto shpenzime?» Duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve, do të dish të mbash çdo gjë në vendin e duhur.

● Të gjithë filmat dhe programet televizive ndikojnë për keq.

E rreme. Bibla i urdhëron të krishterët ‘të mbajnë fort atë që është e shkëlqyer’ dhe ‘të rrinë larg nga çdo formë ligësie’. (1 Selanikasve 5:21, 22) Jo të gjithë filmat dhe programet televizive bien ndesh me këto norma.a

Kuptohet, vajtja në kinema mund të jetë një mënyrë e këndshme për të kaluar kohë me shokët. Lei, një vajzë nga Afrika e Jugut, thotë: «Nëse kam qejf të shoh ndonjë film, i telefonoj njërës prej shoqeve dhe të dyja hapim fjalën te të tjerët.» Zakonisht ata zgjedhin një nga oraret e pasdites. Pastaj, prindërit shkojnë t’i marrin dhe dalin të gjithë së bashku për të ngrënë diçka.

Filmat dhe televizori mund të jenë shpikje moderne, por s’janë veçse fytyra e re e një tradite të vjetër, asaj të tregimit të historive. Jezui ishte mjeshtër për këtë dhe arrinte t’u prekte zemrën njerëzve. Për shembull, shëmbëlltyra e tij për samaritanin e mirë ngjall ndjenja empatie dhe jep mësime të thella morale.​—Luka 10:29-37.

Edhe sot, njerëzit e kinematografisë modelojnë pikëpamjet e njerëzve në fushën morale. Ata përpiqen që shikuesit të gjejnë vetveten te personazhet e tyre, edhe nëse heroi është një kriminel ose sadist që çfarë s’bën për të qenë mbi të tjerët. Nëse s’tregon kujdes, mund ta gjesh veten duke bërë tifo për një kriminel e duke justifikuar veprimet e tij imorale ose mizore! Si të mos biesh në këtë grackë?

Kur zgjedh një film ose një program, pyet veten: «A do të më nxitë ky program të jem ‘zemërdhembshur’?» (Efesianëve 4:32) «Apo do të më shtyjë të kënaqem me fatkeqësinë e tjetrit?» (Proverbat 17:5) «A do të ma bëjë të vështirë ‘të urrej të keqen’?» (Psalmi 97:10) «A do të më vijë keq për ‘keqbërësit’?»​—Psalmi 26:4, 5.

Reklamat dhe përmbledhja e kritikëve mund të të japin njëfarë ideje se për çfarë flet filmi. Por mos u trego naiv ‘duke i besuar çdo fjale’. (Proverbat 14:15) Pse jo? Kritika e një filmi pasqyron thjesht mendimin e dikujt tjetër. Nga ana tjetër, reklama mund të fshehë qëllimisht që filmi ka skena të shpifura. Një adoleshente me emrin Koni, thotë: «Kam kuptuar se duke ditur cilët janë aktorët kryesorë, mund ta marrësh me mend se çfarë filmi mund të jetë.»

Shokët në kongregacion që kanë të njëjtat vlera si ti, mund ta dinë nëse një film është i pranueshëm apo jo. Por ki parasysh se njerëzit zakonisht flasin për atë që u ka pëlqyer në një film. Provo t’i pyesësh nëse kishte diçka që nuk shkonte? Ji specifik. Për shembull, pyet a ka skena me seks, dhunë ose gjëra demonike. Edhe prindërit mund të të japin këshilla të mira. Një vajzë me emrin Vanesa, thotë: «Pyes prindërit. Nëse thonë që mund ta shoh, shkoj për ta parë.»

Mos e shih si gjë të vogël zgjedhjen e një filmi a programi televiziv. Pse? Sepse zbavitja që zgjedh tregon shumë çfarë ke në zemër dhe zbulon çfarë vlerash çmon. (Luka 6:45) Zgjedhjet që bën tregojnë shumë për shoqërinë që të pëlqen, për gjuhën që justifikon, për moralin seksual që toleron. Prandaj, ji përzgjedhës!

● Dënohet çdo lloj kërcimi.

E rreme. Kur izraelitët kaluan Detin e Kuq dhe i shpëtuan ushtrisë egjiptiane, Miriami e mori e para vallen e fitores. (Dalja 15:20) Gjithashtu, në shëmbëlltyrën e Jezuit për djalin plëngprishës tregohet se kthimi i tij u prit me «këngë e valle».​—Luka 15:25.

Njësoj është edhe sot. Në shumë kultura, kur mblidhen familja dhe miqtë, kërcimi pëlqehet nga të rinj e të rritur. Sidoqoftë, duhet bërë kujdes. Bibla nuk i dënon grumbullimet modeste shoqërore, megjithatë, paralajmëron të kemi kujdes nga «ahengjet e shfrenuara» ose «festat e harbuara». (Galatasve 5:19-21; Byington) Profeti Isaia shkroi: «Mjerë ata që çohen herët në mëngjes për të kërkuar pije dehëse, që rrinë deri vonë në muzgun e mbrëmjes aq sa i ndez vera! Në gostitë e tyre ka harpë, vegël me tela, dajre, fyell dhe verë, por për veprën e Jehovait nuk duan t’ia dinë.»​—Isaia 5:11, 12.

Ato gosti ishin të famshme për përdorimin e ‘pijeve dehëse’ dhe për muzikën e çmendur. Ato fillonin herët dhe vazhdonin deri vonë. Vër re edhe se dëfryesit silleshin sikur Perëndia nuk ekzistonte. Pra, s’është çudi pse Perëndia i dënon këto lloj festash.

Nëse të ftojnë në një festë ku do të kërcehet, pyet veten: Kush do të jetë? Çfarë reputacioni kanë? Kush është përgjegjësi i festës? Sa mbikëqyrje do të ketë? A janë dakord prindërit që të shkoj? Çfarë kërcimesh do të ketë? Shumë lloje kërcimesh bëhen enkas për të ngjallur dëshira seksuale. Po të përfshihesh në këto kërcime ose thjesht t’i shohësh, a do ta kesh më të lehtë ‘të ikësh nga kurvëria’?​—1 Korintasve 6:18.

Po nëse të ftojnë për të kërcyer në një klub nate? Shiko çfarë thotë Soni, një djalë që, para se të bëhej i krishterë, i frekuentonte shpesh këto klube. Ai kujton: «Muzika zakonisht është e harbuar, kërcimi shumë imoral dhe shumica e atyre që shkojnë atje, nuk shkojnë kot.» Sipas Sonit, shkojnë që të peshkojnë dikë për seks. Pasi studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, Soni ndryshoi mendim. Cili është mendimi i tij tani? «Ato klube nuk janë vende për të krishterët.»

Pse duhet të rrish syçelë?

Sipas teje, kur është më e lehtë ta sulmosh një ushtar, kur është në shesh të betejës apo kur çlodhet me shokët? Është e vërtetë se, kur çlodhet, ushtari e ul vigjilencën dhe është më i ekspozuar ndaj rrezikut. Po ashtu, kur je në shkollë ose në punë, ti je më vigjilent frymësisht. I bën sytë katër ndaj çdo rreziku të mundshëm. Por, më vonë, kur çlodhesh me shokët, je më i ekspozuar ndaj sulmeve që u bëhen normave të tua morale.

Disa nga shokët mund të të tallin që u përmbahesh normave të larta morale të Biblës kur ke qejf të zbavitesh. Presion mund të të bëjnë edhe të rinj të tjerë që janë rritur në të vërtetën. Por ndërgjegjja e këtyre të rinjve është e pandjeshme. (1 Timoteut 4:2) Mund të të akuzojnë se je si kalë karroce ose tepër i drejtë. Megjithatë, mos u dorëzo para presionit të tyre, por ‘mbaj një ndërgjegje të mirë’.​—1 Pjetrit 3:16.

Nuk ka shumë rëndësi çfarë mendojnë shokët për ty, por çfarë mendon Jehovai! E nëse shokët s’të lënë rehat sepse ndjek ndërgjegjen, bën mirë të gjesh shokë të rinj. (Proverbat 13:20) Mos harro se, në fund të fundit, je ti ai që duhet të mbrosh normat e tua morale, edhe kur zbavitesh.​—Proverbat 4:23.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 37

NË KAPITULLIN TJETËR:

Pornografia është më e përhapur dhe më e lehtë për t’u arritur se kurrë më parë. Si të mos biesh në këtë grackë?

[Shënimi]

a Për më shumë informacion, shih kapitullin 36 në vëllimin 1.

SHKRIMI KYÇ

«Gëzohu, pra, o djalë i ri, në rininë tënde . . . dhe ec në udhët e zemrës sate e në gjërat që të shohin sytë! Por dije, se për shkak të të gjitha këtyre, Perëndia i vërtetë do të të thërrasë në gjyq.»​—Eklisiastiu 11:9.

KËSHILLË

Kërkoju prindërve nëse janë dakord të bëjnë një program të përmuajshëm ta fikni televizorin dhe të zbaviteni si familje.

A E DIJE . . . ?

Për izraelitët, kërcimi dhe muzika ishin pjesë e rëndësishme e adhurimit të pastër.​—Psalmi 150:4.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse më ftojnë të futem në ndonjë ekip që stërvitet pas orarit të mësimit, do të them: ․․․․․

Nëse filmi që po shoh me shokët është i papranueshëm, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse të krishterët s’duhet të merren me sporte të rrezikshme?

● Si ta kuptosh nëse një film është i përshtatshëm apo jo?

● Sipas teje, si duhet të jetë një kërcim i pranueshëm?

[Diçitura në faqen 269]

«Vdes të kërcej, por kam mësuar se sa mirë është kur dëgjoj këshillën e prindërve. Nuk lejoj që kërcimi të bëhet gjëja më e rëndësishme për mua në jetë.»​—Tina

[Figura në faqen 268]

Ashtu si ushtari është më i ekspozuar ndaj sulmeve kur ul vigjilencën, edhe ti je më i ekspozuar ndaj sulmeve që u bëhen normave të tua morale kur çlodhesh

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo