-
Si ta shpjegoj pikëpamjen e Biblës për homoseksualizmin?Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
-
-
KAPITULLI 23
Si ta shpjegoj pikëpamjen e Biblës për homoseksualizmin?
Gjatë ndarjes së çmimeve, spektatorët shpërthejnë në brohoritje të tërbuara kur dy aktore të famshme përshëndeten me një puthje pasionante. Shqyejnë sytë, por pastaj duartrokasin në shenjë përkrahjeje. Për homoseksualët ky është një triumf. Disa besojnë se është vetëm një mënyrë për të tërhequr vëmendje dhe për reklamë. Në ditët në vijim, kjo puthje do të transmetohet një më dy në lajmet televizive dhe do të kapë majat e suksesit në Internet.
SIÇ ilustrohet në skenën e mësipërme, të pakta janë ato ngjarje që bëjnë më shumë bujë në shtyp sesa kur një i famshëm a e famshme lë të nënkuptohet ose zbulohet se është gei, lezbike ose biseksual. Disa i lavdërojnë këta njerëz për guximin e tyre, kurse të tjerë i kritikojnë për shfrenimin. Midis këtyre dy pikëpamjeve, ka shumë që e konsiderojnë homoseksualizmin veçse një mënyrë jetese alternative. «Kur isha në shkollë,—thotë Danieli, 21 vjeç,—edhe nxënësit që nuk ishin homoseksualë thoshin se, nëse ishe kundër homoseksualizmit, ishe paragjykues dhe kritikues.»
Pikëpamjet për homoseksualizmin mund të ndryshojnë nga një brez në tjetrin dhe nga një vend në tjetrin. Por të krishterët nuk lëkunden «andej-këtej nga çdo erë mësimi». (Efesianëve 4:14) Përkundrazi, ata i përmbahen ngushtësisht pikëpamjes së Biblës.
Cila është pikëpamja e Biblës për homoseksualizmin? Nëse jeton sipas kodit moral të Biblës, si mund t’u përgjigjesh atyre që të etiketojnë si paragjykues, kritikues ose edhe homofobik? Shqyrto në vijim disa pyetje ose pohime dhe përgjigje të mundshme.
«Çfarë thotë Bibla për homoseksualizmin?»
«Bibla e thotë qartë se qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që marrëdhëniet seksuale të ekzistonin vetëm midis një burri e një gruaje, dhe vetëm brenda lidhjes martesore. (Zanafilla 1:27, 28; Levitiku 18:22; Proverbat 5:18, 19) Kur flet kundër kurvërisë, Bibla e ka fjalën si për sjelljen e homoseksualëve ashtu edhe për sjelljen imorale të heteroseksualëve.»a—Galatasve 5:19-21.
«Çfarë mendon ti për homoseksualizmin?»
«Nuk është se i urrej homoseksualët, por s’mund ta përkrah sjelljen e tyre.»
Mbaj parasysh: nëse udhëhiqesh nga kodi moral i Biblës, atëherë kjo është mënyra e jetesës që ke zgjedhur dhe kjo është e drejta jote. (Josiu 24:15) Mos të të vijë turp për pikëpamjen tënde.—Psalmi 119:46.
«A nuk duhet që të krishterët t’i respektojnë të gjithë njerëzit, pavarësisht nga prirja e tyre seksuale?»
«Patjetër që po. Bibla thotë: ‘Nderoni njerëzit e çdo lloji’ ose siç e përkthen Today’s English Version: ‘Respektoni këdo.’ (1 Pjetrit 2:17) Pra, të krishterët nuk janë homofobikë. Ata u tregojnë dashamirësi të gjithë njerëzve, edhe homoseksualëve.»—Mateu 7:12.
«A nuk nxit pikëpamja jote paragjykimin ndaj homoseksualëve?»
«Aspak. Unë nuk jam kundër njerëzve, por kundër sjelljes homoseksuale.»
Mund të shtosh: «Sa për ta krahasuar, unë kam vendosur edhe të mos pi duhan. Në fakt, vetëm ideja më duket e neveritshme. Por e zëmë se ti e pi duhanin dhe mendon ndryshe. Unë nuk do të të gjykoja ty për pikëpamjen që ke, ashtu siç jam i sigurt se as ti nuk do të më gjykoje për pikëpamjen time, apo jo? I njëjti parim vlen edhe për pikëpamjet tona të ndryshme për homoseksualizmin.»
«A nuk tha Jezui se duhet të jemi tolerantë? Atëherë, a nuk duhet të kenë të krishterët një pikëpamje tolerante ndaj homoseksualizmit?»
«Jezui nuk i inkurajoi dishepujt e tij të pranonin çfarëdolloj mënyre jetese. Përkundrazi, ai i mësoi se rruga e shpëtimit është e hapur për ‘këdo që tregon besim tek ai’. (Gjoni 3:16) Të tregosh besim te Jezui do të thotë të jetosh sipas kodit moral të Perëndisë, i cili i ndalon disa lloj sjelljesh—përfshirë homoseksualizmin.»—Romakëve 1:26, 27.
«Homoseksualët nuk mund ta ndryshojnë prirjen e tyre; ata kanë lindur ashtu.»
«Bibla nuk thotë gjë për shkaqet biologjike të homoseksualëve, megjithëse ajo thotë se disa vese janë të rrënjosura thellë. (2 Korintasve 10:4, 5) Edhe nëse disa priren të tërhiqen nga persona të të njëjtit seks, Bibla thotë se të krishterët nuk duhet të kryejnë akte homoseksuale.»
Sugjerim: Në vend që të ngecësh në një debat në lidhje me shkakun e dëshirave homoseksuale, thekso se Bibla e ndalon sjelljen homoseksuale. Për të bërë një krahasim, mund të thuash: «Shumë pretendojnë se shkaku i sjelljes së dhunshme mund të jetë gjenetik dhe prandaj disa priren të jenë të dhunshëm. (Proverbat 29:22) Po sikur kjo të ishte e vërtetë? Siç mund ta dish, Bibla i dënon shpërthimet e zemërimit. (Psalmi 37:8; Efesianëve 4:31) A mund ta quajmë të padrejtë këtë normë vetëm se disa mund të kenë prirjen të jenë të dhunshëm?»
«Si mund t’i thotë Perëndia një njeriu që tërhiqet nga i njëjti seks, që të largohet nga homoseksualizmi? Kjo duket mizore.»
«Ky arsyetim bazohet në konceptin e gabuar se njerëzit duhet të veprojnë sipas impulseve të tyre seksuale. Bibla u jep dinjitet qenieve njerëzore duke i siguruar se mund të zgjedhin të mos veprojnë siç ua diktojnë dëshirat e papërshtatshme seksuale, nëse vërtet duan.»—Kolosianëve 3:5.
«Edhe pse vetë nuk je i tillë, duhet të ndryshosh pikëpamje për homoseksualizmin.»
«E zëmë se unë jam kundër bixhozit, kurse ti jo. A do të ishte e arsyeshme të këmbëngulje që unë të ndryshoja pikëpamje vetëm se miliona njerëz zgjedhin të luajnë bixhoz.»
Mbaj parasysh: Homoseksualët dhe shumica e njerëzve kanë disa parime etike që i bëjnë të dënojnë disa gjëra, si mashtrimin, padrejtësinë ose luftërat. Bibla i ndalon këto gjëra; ajo dënon edhe disa sjellje seksuale, përfshirë homoseksualizmin.—1 Korintasve 6:9, 10.
Bibla nuk është e paarsyeshme dhe nuk nxit paragjykimin. Ajo thjesht i udhëzon ata që kanë dëshira homoseksuale, të bëjnë të njëjtën gjë që kërkohet nga heteroseksualët: ‘të ikin nga kurvëria’.—1 Korintasve 6:18.
Fakti është që, miliona heteroseksualë që dëshirojnë t’u përmbahen normave biblike, ushtrojnë vetëkontroll pavarësisht nga tundimet që mund të hasin. Këtu futen edhe shumë beqarë pa shumë perspektivë për t’u martuar ose të martuar me dikë që nuk është në gjendje të kryejë marrëdhënie seksuale. Ata mund të jetojnë të lumtur edhe pa i plotësuar dëshirat seksuale. Edhe ata që kanë prirje homoseksuale mund të bëjnë të njëjtën gjë nëse duan vërtet t’i pëlqejnë Perëndisë.—Ligji i përtërirë 30:19.
LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLLIMIN 2, KAPITULLI 28
Disa vajza mendojnë se lidhja e tyre me të dashurin do të forcohet nëse bëjnë dashuri. Vështirë që kjo të ndodhë! Shihni përse.
[Shënimi]
a Termi biblik «kurvëri» i referohet jo vetëm aktit seksual, por edhe akteve të tilla si masturbimi i një personi tjetër ose seksi oral e anal.
SHKRIMI KYÇ
«Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.»—Kolosianëve 3:5.
KËSHILLË
Edhe pse sjellja e të tjerëve mund të të mërzitë, mos përdor atë lloj toni sikur ti ke të drejtë. Ata janë të lirë të zgjedhin atë që duan të besojnë, ashtu si edhe ti.
A E DIJE . . . ?
Në shekullin e parë, disa që para se të bëheshin të krishterë kishin kryer marrëdhënie homoseksuale, arritën të largoheshin nga ajo jetë e papastër dhe u bënë ‘të larë’ në sytë e Perëndisë.—1 Korintasve 6:9-11.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Nëse dikush thotë se i ka ikur koha asaj që thotë Bibla për homoseksualizmin, unë do t’i them ․․․․․
Për ta bërë të qartë se unë jam kundër sjelljes homoseksuale dhe jo kundër vetë njerëzve homoseksualë, do të them ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Pse Perëndia ka të drejtën t’u vërë ligje morale njerëzve?
● Si nxjerr dobi duke zbatuar ligjet morale të Biblës?
[Diçitura në faqen 170]
«Një djalë në shkollë mendonte se isha e ligë ngaqë isha kundër mënyrës së tij të jetesës. Por kur i shpjegova se nuk isha kundër tij si person dhe kur kuptoi se nuk isha dakord jo vetëm me homoseksualizmin, por edhe me të gjitha format e imoralitetit, ai filloi të më respektonte e madje të më mbronte kur të tjerët më kundërshtonin.»—Obri
[Kutia në faqen 168]
Ç’mund të thuhet për biseksualizmin?
Megjithëse haset te të dyja gjinitë, duket se biseksualizmi po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në radhët e vajzave. Për disa, është çështje kurioziteti. Lisa 26-vjeçare thotë: «Po të reklamosh nëpër filma, televizor dhe videoklipe vajza që puthen, adoleshentet do të tundohen ta provojnë, sidomos nëse nuk e shohin si të gabuar.»
Për disa të tjerë, me sa duket është çështje tërheqjeje. «Takova dy vajza biseksuale në një festë,—thotë Viki 13-vjeçare,—dhe më vonë një shoqe më tha se u pëlqeja. Pastaj, njërës prej tyre fillova t’i dërgoja mesazhe me celular dhe fillova të ndieja për të.»
A je ndier ndonjëherë kështu si Viki? Shumë do të të nxitnin që thjesht ta pranosh që të tërheqin edhe vajzat edhe djemtë dhe të vetëshpallesh si biseksual ose biseksuale. Megjithatë, duhet të jesh i vetëdijshëm se tërheqja nga i njëjti seks shpesh është veçse një fazë kalimtare. Këtë zbuloi edhe Viki. Po kështu edhe Lizeta 16-vjeçare. Ajo thotë: «U ndjeva më mirë kur fola me prindërit për atë që ndieja. Gjithashtu, në orët e biologjisë në shkollë mësova se gjatë viteve të adoleshencës nivelet hormonale mund të kenë luhatje të mëdha. Jam e bindur se, nëse të rinjtë do të kishin më tepër njohuri për trupin e tyre, do ta kuptonin se tërheqja nga i njëjti seks mund të jetë e përkohshme dhe nuk do të ishin nën presion për t’u bërë homoseksualë.»
Edhe nëse këto ndjenja nuk janë vetëm gjatë kësaj faze kalimtare të jetës, por të rrënjosura më thellë, kupto se Bibla të vë para një synimi të arritshëm: mund të zgjedhësh të mos veprosh sipas një dëshire të gabuar, cilado qoftë ajo.
[Figura në faqen 169]
Kur bëhet fjalë për pikëpamjen e shumicës, të krishterët kanë guximin të ecin kundër rrymës
-
-
Si ta mposht vesin e masturbimit?Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
-
-
KAPITULLI 25
Si ta mposht vesin e masturbimit?
«Fillova të masturbohesha kur isha tetë vjeç. Më vonë mësova se çfarë mendonte Perëndia për këtë gjë. Ndihesha tmerrësisht keq sa herë dorëzohesha. ‘E si mund të dojë Perëndia një si unë?’—pyesja veten.»—Luisi.
KUR hyn në pubertet, dëshirat seksuale mund të bëhen mjaft të forta. Si rezultat mund të fillosh vesin e masturbimit.a Shumë thonë që masturbimi nuk është ndonjë gjë e madhe. «Askush nuk dëmtohet»,—mendojnë ata. Por ka mjaft arsye për ta shmangur këtë ves. Apostulli Pavël shkroi: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj . . . në lidhje me . . . urinë seksuale.» (Kolosianëve 3:5) Masturbimi nuk e shuan urinë seksuale, por i hedh benzinë. Përveç kësaj, shqyrtoni edhe arsyet e mëposhtme:
● Masturbimi rrënjos qëndrime mendore që përqendrohen vetëm te vetja. Për shembull, kur dikush masturbohet, zhytet në ndjesitë e trupit të vet.
● Masturbimi e bën dikë t’i shohë ata të seksit tjetër vetëm si objekte ose mjete për plotësimin e dëshirave të tij.
● Mendimet egoiste që rrënjos vesi i masturbimit, vështirëson arritjen e marrëdhënieve seksuale të kënaqshme në martesë.
Në vend që të masturbohesh për të pakësuar dëshirat seksuale të mbajtura përbrenda, përpiqu të zhvillosh vetëkontrollin. (1 Selanikasve 4:4, 5) Që ta arrish këtë, Bibla këshillon t’i shmangësh rrethanat që mund të të eksitojnë. (Proverbat 5:8, 9) Megjithatë, po nëse tashmë je bërë skllav i vesit të masturbimit? Ndoshta je përpjekur ta heqësh si ves, por nuk ia ke arritur. Mund të arrish kollaj në përfundimin se je një rast i pashpresë, se nuk je i zoti të jetosh sipas normave të Perëndisë. Tamam kështu mendonte për veten edhe një i ri me emrin Pedro. «Kur i dorëzohesha këtij vesi, ndihesha tmerrësisht keq,—thotë ai.—Mendoja se s’mund ta shlyeja kurrë atë që kisha bërë. E kisha të vështirë të lutesha.»
Nëse ndihesh kështu, mos u shkurajo. Nuk je një rast i pashpresë. Shumë të rinj, madje edhe të rritur, kanë arritur të heqin dorë nga masturbimi. Edhe ti mund t’ia dalësh!
Si t’i përballosh ndjenjat e fajit?
Siç e pamë, ata që kanë rënë pre e vesit të masturbimit shpesh torturohen nga ndjenjat e fajit. Pa dyshim, ‘trishtimi në mënyrë të perëndishme’ mund të të japë nxitjen që ta heqësh këtë ves. (2 Korintasve 7:11) Por, ndjenjat e tepruara të fajit mund të ndikojnë për keq. Mund të të bëjnë të ndihesh kaq i shkurajuar, sa të mos duash të luftosh më.—Proverbat 24:10.
Prandaj, përpiqu t’i shohësh gjërat siç duhet. Masturbimi është një formë e sjelljes së papastër. Mund të të bëjë ‘skllav të dëshirave dhe kënaqësive të ndryshme’, si edhe ushqen qëndrime të dëmshme. (Titit 3:3) Nga ana tjetër, masturbimi nuk është një formë e imoralitetit të rëndë seksual, siç është kurvëria. (Juda 7) Nëse ke ndonjë problem me masturbimin, s’ke pse arrin në përfundimin se ke bërë një mëkat të pafalshëm. Çelësi është t’i rezistosh dëshirës dhe kurrë të mos e ndalësh luftën.
Është e lehtë të ndihesh përtokë, kur i je dorëzuar sërish këtij vesi. Kur ndodh, kujto fjalët e Proverbave 24:16: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur, por të ligjtë do të pengohen për shkak të gjëmës.» Se dështove një rast, kjo nuk do të thotë se je njeri i keq. Prandaj, mos u dorëzo! Por mendo me kujdes se çfarë të çoi deri atje dhe përpiqu të mos i përsëritësh ato veprime.
Gjej kohë për të medituar për dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë. Psalmisti David, që edhe vetë kishte pasur çaste dobësie, tha: «Jehovai tregon mëshirë për këdo që i frikësohet atij, ashtu si një atë tregon mëshirë për bijtë e vet. Sepse ai e di mirë se si jemi formuar dhe nuk harron që jemi pluhur.» (Psalmi 103:13, 14) Po, Jehovai e merr parasysh papërsosmërinë tonë dhe është ‘gati të falë’. (Psalmi 86:5) Nga ana tjetër, dëshiron që ne të bëjmë çmos për t’u përmirësuar. Prandaj, çfarë të bësh praktikisht që ta mposhtësh këtë ves?
Mendo për mënyrat si argëtohesh. A sheh filma, programe televizive apo hyn në faqe Interneti që janë eksituese? Psalmisti iu lut me mençuri Perëndisë: «M’i largo sytë nga gjërat e kota.»b—Psalmi 119:37.
Sforcohu që ta mbash mendjen në gjëra të tjera. Një i krishterë me emrin Uilliam këshillon: «Para se të flesh, lexo diçka që bazohet në Bibël. Është mjaft e rëndësishme që mendimi i fundit i ditës të ketë lidhje me Perëndinë.»—Filipianëve 4:8.
Fol me dikë për problemin. Turpi ta bën të vështirë të hapësh këtë bisedë edhe me një mik të besuar. Por, kjo mund të të ndihmojë ta mposhtësh këtë ves. Këtë e mbështet edhe një i krishterë me emrin David. «Fola vetëm për vetëm me babin,—thotë ai.—S’kam për t’i harruar kurrë fjalët e tij. Me një buzëqeshje inkurajuese, më tha: ‘Jam shumë krenar për ty.’ E dinte ç’kisha hequr për të arritur deri aty. Asnjë fjalë tjetër nuk do të më kishte ngritur aq shumë moralisht dhe nuk do të më kishte bërë më të vendosur.
Më pas, babai më tregoi disa shkrime, për të më ndihmuar të kuptoja se ‘nuk kisha vajtur edhe aq larg’, e pastaj edhe disa shkrime të tjera për t’u siguruar se e kisha kuptuar seriozitetin e udhës sime të gabuar. Më këshilloi ta përmbaja veten për një farë kohe e pastaj do të flisnim përsëri. Më tha të mos shkurajohesha nëse dorëzohesha sërish, vetëm se herën tjetër duhej të rezistoja për një periudhë më të gjatë.» Cili është përfundimi i Davidit. Ai thotë: «Ajo që më solli më shumë dobi ishte fakti që dikush ishte në dijeni të problemit tim dhe më ndihmonte.»c
Seksi sa për të kaluar kohën, nuk është për të kaluar kohën. Mëso përse.
[Shënimet]
a Masturbimi nuk duhet ngatërruar me eksitimin seksual të pavullnetshëm. Për shembull, një djalë mund të zgjohet i eksituar ose mund të ketë lëshim sperme në mes të natës. Po kështu, vajzat mund të kenë impulse seksuale në mënyrë të pavullnetshme, sidomos para ose pas periudhës së menstruacioneve. Kurse, masturbimi është stimulimi me qëllim i organeve gjinore për t’u eksituar.
b Për më shumë informacion, shih vëllimin 2, kapitulli 33.
c Për më shumë informacion, shih vëllimin 2, faqet 239-241.
SHKRIMI KYÇ
«Ik nga dëshirat karakteristike rinore, dhe ndiq më mirë drejtësinë, besimin, dashurinë e paqen, bashkë me ata që e thërrasin Zotërinë me zemër të pastër.»—2 Timoteut 2:22.
KËSHILLË
Lutu para se dëshirat seksuale të bëhen të forta. Kërkoji Perëndisë Jehova ‘fuqi përtej asaj që është normale’ që ta përballosh tundimin.—2 Korintasve 4:7.
A E DIJE . . . ?
Çdo njeri i dobët mund t’u dorëzohet dëshirave seksuale. Por duhet të jesh një burrë i vërtetë ose një grua e vërtetë që të tregosh vetëkontroll edhe kur je vetëm.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Mund ta mbaj mendjen në gjërat që janë të dëlira, nëse ․․․․․
Në vend që t’u dorëzohem dëshirave seksuale, do të ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Pse është e rëndësishme të mos harrosh se Jehovai është ‘gati të falë’?—Psalmi 86:5.
● Meqë vetë Perëndia, i cili na krijoi me dëshira seksuale, thotë edhe se duhet të zhvillosh vetëkontrollin, çfarë beson ai se mund të arrish?
[Diçitura në faqen 182]
«Qëkurse e kam kapërcyer këtë problem, kam një ndërgjegje të pastër para Jehovait, dhe kjo është diçka që nuk do ta ndërroja me asgjë në botë!»—Sara
[Figura në faqen 180]
Rënia gjatë një gare vrapimi, nuk do të thotë se duhet ta fillosh nga e para. Po kështu, rënia përsëri në këtë ves nuk e fshin përparimin që ke bërë tashmë
-
-
Si të mbrohem nga grabitqarët seksualë?Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
-
-
KAPITULLI 32
Si të mbrohem nga grabitqarët seksualë?
Çdo vit, miliona njerëz përdhunohen ose bëhen viktima të abuzimit seksual në mënyra të tjera dhe studimet tregojnë se shënjestra kryesore janë të rinjtë. Për shembull, është llogaritur se në Shtetet e Bashkuara, rreth gjysma e viktimave të përdhunimit janë nën 18 vjeç. Duke pasur parasysh përhapjen e këtij fenomeni, është shumë e rëndësishme që të shqyrtosh këtë temë.a
«Më mbërtheu dhe më hodhi përtokë aq shpejt sa nuk po merrja vesh çfarë po ndodhte. U përpoqa me çdo mënyrë të mbrohesha. Nxora një spraj me spec djegës, por ma flaku tutje. U përpoqa të bërtisja, por vetëm ajër më doli nga mushkëritë. E shtyva, e gjuajta me shkelma, me grushta dhe e çora. Dhe në ato momente ndjeva një thikë që më depërtoi në lëkurë. U mpiva komplet.»—Aneta.
GRABITQARËT seksualë janë shtuar mjaft në ditët e sotme dhe shpesh shënjestra e sulmeve të tyre janë të rinjtë. Disa të rinj, si Aneta, sulmohen nga një i panjohur. Të tjerë sulmohen nga një fqinj. Kështu i ndodhi Natalisë. Kur ishte vetëm 10 vjeçe, një adoleshent që jetonte afër shtëpisë së saj, abuzoi me të seksualisht. «Isha kaq e frikësuar dhe e turpëruar sa në fillim nuk i tregova askujt»,—thotë ajo.
Shumë të rinj kanë pasur ngacmime seksuale nga një pjesëtar i familjes. «Nga mosha 5 deri 12 vjeçe babai abuzonte me mua,—thotë një grua me emrin Karmen.—Kur isha 20 vjeçe më në fund u përballa me të. Më kërkoi falje, por pas disa muajsh më nxori nga shtëpia.»
Abuzimi seksual nga një fqinj, shok ose pjesëtar i familjes është bërë më se i zakonshëm në ditët e sotme dhe kjo është shqetësuese.b Por sulmet ndaj të rinjve nuk janë diçka e re. Kjo gjë e turpshme ndodhte edhe në kohën kur u shkrua Bibla. (Joeli 3:3; Mateu 2:16) Sot jetojmë në kohë kritike. Shumë nuk kanë «përzemërsi të natyrshme» dhe është përhapur mjaft shfrytëzimi seksual i vajzave (e madje edhe i djemve). (2 Timoteut 3:1-3) Edhe pse nuk ka një masë parandaluese që të garanton sigurinë, ka mjaft mënyra për t’u mbrojtur. Ja disa këshilla:
Hap sytë. Kur del nga shtëpia, shih se çfarë ndodh para e mbrapa teje dhe majtas e djathtas. Disa zona njihen si të rrezikshme, sidomos natën. Për aq sa është e mundur, ose shmangi këto zona, ose të paktën merr masa që të të shoqërojë dikush.—Proverbat 27:12.
Mos jep përshtypje të gabuara. Mos flirto ose mos u vish në mënyrë provokuese. Këto mund të japin përshtypjen se dëshiron të bësh seks ose se nuk do të refuzoje po të vinte rasti.—1 Timoteut 2:9, 10.
Fol për kufijtë. Nëse po njihesh me dikë, fol me të për çfarë është e përshtatshme dhe çfarë jo.c Kur të keni vendosur kufijtë, mos lejo që të gjendesh në situata kompromentuese ku mund të abuzojnë me ty.—Proverbat 13:10.
Mos ki frikë të ngresh zërin. Nuk ka asgjë të keqe të thuash me vendosmëri: «Mos e bëj!» ose «Hiqi duart!» Mos u spraps nga frika se mos lidhja juaj merr fund. Nëse ai ndahet me ty vetëm për këtë çështje, nuk ia vlen të vazhdosh me të. Në fund të fundit, meriton një burrë të vërtetë, një burrë që respekton trupin dhe parimet e tua.
Ki kujdes kur futesh në Internet. Mos jep kurrë informacione personale ose mos fut fotografi që tregojnë se ku banon.d Nëse merr një ftesë të hapur për seks, zakonisht përgjigja më e mirë është të mos përgjigjesh fare. Heshtja i bën të pafuqishëm shumë prej këtyre grabitqarëve.
Nëse ndjek hapat e mëparshëm, do të jesh më e mbrojtur ndaj sulmeve. (Proverbat 22:3) Megjithatë, të themi të vërtetën, jo gjithmonë do të arrish ta kesh nën kontroll situatën. Për shembull, jo gjithmonë do të kesh mundësi të udhëtosh me dikë tjetër ose të shmangësh zonat e rrezikshme. Madje, ndoshta banon në një zonë të rrezikshme.
Ndoshta nga përvojat e hidhura ke mësuar se sado të përpiqesh t’i shmangësh, prapëseprapë gjërat e këqija ndodhin. Ashtu si Aneta, që përmendëm në fillim të kapitullit, ndoshta të ka ndodhur po njësoj, kur nuk e kishe mendjen e nuk ishe aq e fortë sa të shpëtoje. Ose si Karmeni, ke qenë viktimë e këtyre sulmeve në vogëli dhe si e tillë nuk kishe fuqi të kontrolloje situatën—a madje të kuptoje tamam se çfarë po ndodhte. Si mund t’i përballosh ndjenjat e fajit që shpesh i torturojnë ata që janë viktima të abuzimit seksual?
Si të përballosh ndjenjat e fajit?
Aneta lufton akoma me ndjenjat e fajit për atë që ndodhi. «Jam armikja më e keqe e vetes,—thotë ajo.—Vazhdoj ta xhiroj akoma në mendje atë që ndodhi atë natë. Më duket sikur duhej të isha përpjekur më shumë që ta sprapsja. Por, pasi më nguli thikën, u paralizova nga frika. Nuk mund të bëja asgjë më tepër, por mendoj se duhej të isha përpjekur më shumë.»
Edhe Natalia lufton me ndjenjat e fajit. «Nuk duhej të kisha aq shumë besim,—thotë ajo.—Prindërit na e kishin vënë si rregull që unë dhe motra të ishim gjithmonë bashkë kur dilnim për të luajtur jashtë, por nuk ua vura veshin. Prandaj mendoj se i dhashë unë rast fqinjit që të më bënte keq. Ajo që ndodhi ndikoi edhe te familja ime dhe ndihem fajtore që u shkaktova aq shumë dhembje. Kjo më vret më shumë.»
Nëse ndihesh si Aneta ose Natalia, si mund t’i përballosh ndjenjat e fajit? Së pari, përpiqu të mbash gjithmonë parasysh se, nëse të përdhunuan, nuk është se ti doje. Disa e nënvlerësojnë këtë çështje me justifikimin se «djemtë janë djem» dhe se ato që përdhunohen, e kërkojnë vetë. Por askush nuk meriton të përdhunohet. Nëse ke qenë viktimë e një akti të tillë të llahtarshëm, nuk është faji yt.
Sigurisht, është e lehtë të lexosh fjalët «nuk është faji yt», por t’i besosh mund të jetë shumë më e vështirë. Disa e mbajnë përbrenda atë që u ka ndodhur dhe torturohen nga ndjenjat e fajit e nga ndjenja të tjera negative. Megjithatë, kujt i leverdis më shumë heshtja jote, ty apo abuzuesit? Ti meriton të gjesh një zgjidhje tjetër.
Trego çfarë ndodhi
Bibla na tregon se në kulmin e dëshpërimit të tij, Jobi i drejtë tha: «Do ta shfrej brengën. Do të flas në vrerin e shpirtit tim.» (Jobi 10:1) Edhe ti do ta kesh më të lehtë po të veprosh si ai. Nëse flet me një njeri të besuar për përdhunimin, me kalimin e kohës do të arrish ta pranosh atë që ndodhi dhe të lehtësohesh nga ndjenjat që të brengosin.
Në fakt, nëse je e krishterë, është e rëndësishme që të flasësh me pleqtë e kongregacionit. Fjalët ngushëlluese të barinjve të dashur, mund të të sigurojnë se, si viktimë e përdhunimit, nuk je ndotur nga mëkati i dikujt tjetër. Këtë zbuloi edhe Aneta. Ajo thotë: «Fola me një shoqe të ngushtë dhe ajo më nxiti të flisja me dy pleq të krishterë në kongregacion. Jam e kënaqur që fola me ta. Ata u ulën e biseduan me mua disa herë dhe më thanë pikërisht ato fjalë që kisha nevojë të dëgjoja—se ajo që kishte ndodhur, nuk kishte ndodhur për fajin tim. Nuk kisha faj për asgjë.»
Kur flet për atë që ndodhi dhe shpreh si ndihesh, nuk të gërryen zemërimi dhe mëria. (Psalmi 37:8) Mund të të ndihmojë edhe të ndihesh e lehtësuar, për herë të parë pas shumë vjetësh. Pasi u tregoi prindërve për abuzimin që i ishte bërë, Natalia kuptoi që kjo ishte më se e vërtetë. «Ata më mbështetën,—thotë ajo.—Më nxitën të flisja dhe kjo më ndihmoi të mos ndihesha aq e dëshpëruar dhe e zemëruar përbrenda.» Gjithashtu, Natalia gjeti ngushëllim edhe te lutja. «Më ndihmonte shumë kur flisja me Perëndinë,—shprehet ajo,—sidomos në rastet kur ndieja se nuk mund të hapesha me askënd tjetër. Kur lutem, mund të flas lirshëm. Më jep një ndjenjë paqeje dhe qetësie.»e
Edhe ti mund të zbulosh se ka ‘një kohë për t’u shëruar’. (Eklisiastiu 3:3) Ki besim te mbështetja e miqve që janë si pleqtë të cilët përshkruhen si «një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata». (Isaia 32:2). Kujdesu për veten si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht. Pusho sa duhet. Dhe mbi të gjitha, mbështetu te Perëndia i çdo ngushëllimi, Jehovai, i cili së shpejti do të sjellë një botë të re ku «keqbërësit do të shfarosen, kurse ata që shpresojnë te Jehovai, do të trashëgojnë tokën».—Psalmi 37:9.
[Shënimet]
a Në disa raste vajzën e përdhunon djali me të cilin shoqërohet duke ushtruar forcë ose duke e droguar që të mos bëjë rezistencë.
b Për më shumë informacion, shih vëllimin 2, kapitulli 4.
c Edhe pse ky kapitull u drejtohet vajzave, këshillat që jepen vlejnë edhe për djemtë.
d Për më shumë informacion, shih vëllimin 2, kapitulli 11.
e Ndonjëherë viktimat e abuzimit bien në depresion të rëndë. Në një rast të tillë, mund të jetë e mençur konsultimi me një mjek. Për më shumë informacion në lidhje me përballimin e ndjenjave dëshpëruese, shih kapitujt 13 dhe 14 të këtij libri.
SHKRIMI KYÇ
«Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, . . . pa përzemërsi të natyrshme, . . . pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë.»—2 Timoteut 3:1-3.
KËSHILLË
Nëse ke qenë viktimë e abuzimit seksual, mbaj një listë shkrimesh që mund të të ngushëllojnë. Disa prej tyre mund të jenë: Psalmi 37:28; 46:1; 118:5-9; Proverbat 17:17 dhe Filipianëve 4:6, 7.
A E DIJE . . . ?
Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 90 për qind e të miturve që kanë qenë viktima të abuzimit seksual, e njohin abuzuesin.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Kur të ndihem në faj për atë që ndodhi, do të ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Cilat janë dobitë kur flet me dikë për abuzimin që të është bërë?
● Çfarë mund të të ndodhë ty dhe të tjerëve nëse nuk flet?
[Diçitura në faqen 232]
«Është shumë e vështirë të flasësh për abuzimin, por është gjëja më e mirë që mund të bësh. Të ndihmon të çlirohesh nga trishtimi e zemërimi dhe të rimarrësh fuqitë.»—Natalia
[Kutia në faqen 230]
«Po të më doje . . . »
Ka një lloj grabitqarësh seksualë që nuk i detyrojnë vajzat, por me dinakëri luajnë me ndjenjat e tyre. Si? Duke u thënë fjalë të tilla, si: «Të gjithë bëjnë seks», «S’ka për ta marrë vesh njeri» ose siç thuhej në kapitullin 24 të këtij libri «Po të më doje, do ta bëje këtë». Mos u mashtro nga një djalë që përpiqet të të mbushë mendjen se seksi është i barabartë me dashurinë. E vërteta është se çdokush që mendon kështu, po kërkon veçse kënaqësinë e vet. Nuk po mendon për ty apo për të mirën tënde. Kurse një burrë i vërtetë do t’i vinte interesat e tua mbi të vetat dhe do të tregonte se ka forcën t’u përmbahet normave morale të Perëndisë. (1 Korintasve 10:24) Një burrë i vërtetë nuk do t’i trajtonte vajzat si objekte seksuale. Përkundrazi, do t’i shihte «të rejat si motra, me plot dëlirësi».—1 Timoteut 5:1, 2.
[Figura në faqen 233]
Pesha e ndjenjave që të lë abuzimi, mund të jetë tepër e rëndë për ta mbajtur vetëm. Pse të mos kërkosh ndihmën e dikujt duke folur me të?
-