-
Si të flas me prindërit?Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
-
-
KAPITULLI 1
Si të flas me prindërit?
«U përpoqa aq shumë t’u tregoja prindërve si ndihesha, por ishte e kotë—ata ma prenë shkurt. Mezi mora guximin të flitja dhe ja si përfundoi, nuk nxora gjë në dritë.»—Roza.
KUR ishe më i vogël, me siguri të parët ku vrapoje për ndonjë këshillë ishin prindërit. U tregoje çdo të re, e rëndësishme ose jo. I shprehje lirshëm mendimet e ndjenjat dhe kishe besim te këshilla e tyre.
Ndërsa tani, ndoshta mendon se prindërit nuk të kuptojnë më. «Një mbrëmje, kur po hanim darkë, fillova të qaja dhe ua zbraza të gjitha,—thotë Eda.—Prindërit më dëgjuan, por m’u duk se nuk më kuptuan.» Përfundimi? «Shkova në dhomën time dhe vazhdova të qaja.»
Nga ana tjetër, mbase nganjëherë nuk dëshiron të hapesh me prindërit. «Flas me prindërit për shumë gjëra,—thotë një djalë me emrin Kristofer.—Por më pëlqen që ndonjëherë ata nuk dinë gjithçka që mendoj.»
A është e gabuar t’i mbash disa mendime për vete? Jo medoemos: për sa kohë që nuk mashtron. (Proverbat 3:32) Megjithatë, edhe kur prindërit duket se nuk të kuptojnë ose kur ti ngurron të shprehesh, një gjë është e sigurt: ke nevojë të flasësh me prindërit dhe ata kanë nevojë të të dëgjojnë.
Mos u dorëzo!
Të komunikosh me prindërit është pak a shumë si të ngasësh makinën. Kur has një pengesë, nuk dorëzohesh, thjesht gjen një rrugë tjetër. Le të marrim dy shembuj.
PENGESA NR. 1 Ke nevojë të flasësh, por duket se prindërit nuk të dëgjojnë. «E kam të vështirë të komunikoj me babin,—thotë Lea.—Nganjëherë më ndodh që, pasi kam folur ca me babin, ai më thotë:‘Më fal, me mua po flisje?’»
PYETJE: Ç’të bëjë Lea nëse ka nevojë të bisedojë patjetër për një problem? Ka të paktën tri mundësi.
Mundësia A
T’i bërtasë babait. Lea bërtet: «Më dëgjo, pra! Është e rëndësishme!»
Mundësia B
Të mos hapet më me babanë. Lea thjesht dorëzohet dhe nuk përpiqet më të flasë për problemet e saj.
Mundësia C
Të presë një moment më të përshtatshëm dhe ta hapë sërish bisedën. Lea flet më vonë me babanë ballë për ballë ose i shkruan atij një letër për problemin që ka.
Cilën mundësi mendon ti se duhet të zgjedhë Lea? ․․․․․
Le t’i shqyrtojmë këto mundësi dhe të shohim se ku ka të ngjarë ta çonte secila prej tyre.
Babai i Leas është i shpërqendruar, prandaj nuk e di se ajo është e mërzitur. Pra, nëse Lea zgjedh mundësinë A, babai nuk do të kuptojë pse po i bërtet. Kështu, vështirë që babai do t’ia vërë veshin Leas dhe fjalët e saj nuk do të tregojnë respekt dhe nderim për të. (Efesianëve 6:2) Pra, kjo mundësi nuk çon gjëkundi.
Ndonëse mundësia B mund të jetë rruga më e shkurtër, nuk është më e mençura. Pse? Sepse «planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim». (Proverbat 15:22) Për t’i përballuar me sukses problemet, Lea duhet të bisedojë me babanë dhe, që ta ndihmojë, ai ka nevojë të dijë ç’po ndodh në jetën e saj. Ndërprerja e komunikimit nuk arrin asnjë nga këto synime.
Kurse me mundësinë C, Lea nuk lejon që një pengesë në rrugë t’i japë fund udhëtimit. Përkundrazi, përpiqet ta diskutojë çështjen një herë tjetër. Po t’i shkruajë një letër babait, Lea mbase do të ndihet menjëherë mirë. Kjo letër mund ta ndihmojë edhe për të formuluar saktë atë që dëshiron të thotë. Kur të lexo jë letrën, babai i Leas do të kuptojë se çfarë po përpiqej t’i thoshte, dhe kjo mund ta ndihmojë të kuptojë më mirë çfarë problemi ka. Pra, nga mundësia C përfiton edhe Lea, edhe babai.
Çfarë mundësish të tjera kishte Lea? Përpiqu të gjesh ndonjë dhe shkruaje më poshtë. Pastaj shkruaj ku ka të ngjarë ta çonte kjo mundësi.
․․․․․
PENGESA NR. 2 Prindërit duan të flasin me ty, kurse ti jo. «S’ka gjë më të keqe sesa kur të bombardojnë me pyetje sapo shkel në shtëpi pas një dite të vështirë në shkollë,—thotë Sara.—Unë dua ta heq mendjen nga shkolla, kurse prindërit ia fillojnë menjëherë nga pyetjet: ‘Si ia kalove? Pate ndonjë problem?’» Pa dyshim, prindërit e Sarës nisen nga e mira që e pyesin. Megjithatë ajo ankohet: «E kam të vështirë të flas për shkollën kur jam e lodhur dhe e stresuar.»
PYETJE: Ç’mund të bëjë Sara në këtë situatë? Ashtu si në shembullin e mëparshëm, ka të paktën tri mundësi.
Mundësia A
Të mos pranojë të flasë. Sara thotë: «Më lini rehat, ju lutem. Nuk dua të flas tani!»
Mundësia B
Të flasë. Megjithëse ndihet e stresuar, Sara mund t’u përgjigjet nga zori pyetjeve të prindërve.
Mundësia C
Ta lërë për më vonë muhabetin e shkollës, por ta vazhdojë bisedën me një argument tjetër. Sara u kërkon prindërve që të flasin një herë tjetër për shkollën kur e di se do të jetë më e qetë. Pastaj i pyet sinqerisht: «Po ju, si ia kaluat sot?»
Cilën mundësi mendon ti se duhet të zgjedhë Sara? ․․․․․
Përsëri, le t’i shqyrtojmë këto mundësi për të parë se ku ka të ngjarë ta çonte secila prej tyre.
Sara ndihet e stresuar dhe e ka të vështirë të flasë. Po të zgje dhë mundësinë A, do të ndihet prapë e stresuar, por edhe fajtore, ngaqë shpërtheu me prindërit.—Proverbat 29:11.
Nga ana tjetër, prindërit e Sarës nuk do ta pëlqejnë shpërthimin e saj ose heshtjen që do të pasojë. Mbase do të dyshojnë se Sara po u fsheh diçka. Madje mund të këmbëngulin më shumë që të flasë, dhe kjo patjetër do ta mërziste më shumë Sarën. Si përfundim, kjo mundësi nuk çon gjëkundi.
Mundësia B sigurisht është një zgjedhje më e mirë se mundësia A. Të paktën Sara dhe prindërit po flasin. Por, meqë biseda bëhet sa për të thënë, si Sara, edhe prindërit, nuk do të arrijnë atë që duan: një bisedë të hapur e të çlirët.
Ndërsa me mundësinë C, Sara do të ndihet më mirë, pasi muhabeti i shkollës është lënë për më vonë. Prindërit do ta vlerësojnë përpjekjen e saj për të bashkëbiseduar, pra, edhe ata do të kënaqen. Kjo mundësi ka shumë të ngjarë të jetë më e mira, sepse të dyja palët po zbatojnë parimin që gjendet te Filipianëve 2:4, ku thuhet që të shohësh «me interes jo vetëm çështjet» e tua, «por edhe ato të të tjerëve».
Shprehu qartë
Ki parasysh se ti mund të thuash një gjë, por prindërit mund të kuptojnë një gjë tjetër. Për shembull, prindërit mund të të pyesin pse dukesh i ngrysur. Ti thua: «Nuk dua të flas për këtë gjë.» Por prindërit e marrin: «Nuk ju hapem, se s’kam shumë besim te ju. Do të flas me shokët për këtë problem, por jo me ju.» Provo këtë ushtrim duke vënë përgjigjet e tua. Imagjino sikur ke një problem dhe prindërit janë gati të të ndihmojnë.
Nëse thua: «Mos u mërzitni. E zgjidh vetë.»
Prindërit mund ta marrin: ․․․․․
Një përgjigje më e mirë mund të jetë: ․․․․․
Pra, cili është thelbi? Zgjidhi me kujdes fjalët. Fol me një ton zëri plot respekt. (Kolosianëve 4:6) Shihi prindërit si aleatë e jo si armiq. Dhe ti e di mirë: për të kapërcyer problemet që ke, sa më shumë aleatë të gjesh, aq më mirë është.
Po nëse nuk e ke problem të flasësh me prindërit, por sa herë që flitni, ziheni?
SHKRIMI KYÇ
«Fjalët e mia burojnë nga drejtësia e zemrës, dhe buzët e mia thonë me çiltërsi fjalë mençurie.»—Jobi 33:3
KËSHILLË
Nëse e ke të vështirë të ulesh e të flasësh me prindërit për një problem, bisedoni për të kur të jeni duke shëtitur, në makinë ose duke bërë pazarin bashkë.
A E DIJE . . . ?
Ashtu si ti mund ta kesh të vështirë të flasësh me prindërit për gjëra serioze, edhe ata mund të ndihen të paaftë ose në siklet kur përpiqen të flasin me ty për të njëjtat gjëra.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Herën tjetër, nëse nuk më vjen t’u hapem prindërve, do të ․․․․․
Nëse prindi ngul këmbë që të flas për diçka që s’para e kam qejf, do të them ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Pse është e rëndësishme të zgjedhësh momentin e duhur për një komunikim të mirë?—Proverbat 25:11.
● Pse ia vlen të përpiqesh të flasësh me prindërit?—Jobi 12:12.
[Diçitura në faqen 10]
«Nuk është gjithnjë e lehtë të komunikosh me prindërit, por, kur hapesh me ta, të duket sikur ke hequr një peshë të madhe.»—Devina
[Figura në faqen 8]
Një pengesë në rrugën e komunikimit nuk ka pse të jetë fundi i udhëtimit. Mund t’ia dalësh mbanë e të gjesh një mënyrë për të folur me prindërit
-
-
Pse grindemi gjithnjë?Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
-
-
KAPITULLI 2
Pse grindemi gjithnjë?
Në skenën hyrëse të këtij kapitulli, Rakela e ndez grindjen në tri mënyra. A mund t’i dallosh ato? Shkruaji përgjigjet më poshtë dhe pastaj krahasoji me kutinë «përgjigjet» në faqen 20.
․․․․․
Është e mërkurë në darkë. Rakela 17-vjeçare i ka mbaruar punët që i kanë dhënë dhe më në fund e ka hak pak pushim. Ndez televizorin dhe rehatohet në kolltukun e saj të preferuar.
Pikërisht atë çast, te dera shfaqet mamaja dhe nuk duket e kënaqur.—Rakela! Pse rri kot para televizorit dhe nuk ndihmon motrën për detyrat e shtëpisë? Kurrë s’ta dëgjon fjalën!—thotë ajo.
—Filloi prapë,—murmurit Rakela aq sa të dëgjohet.
—Çfarë the?—ia kthen mamaja me duart në mes.
—Hiç mami,—thotë Rakela duke psherëtirë dhe duke shtrembëruar turinjtë e bezdisur.
Tani po që mamaja inatoset.—Mos më fol mua me atë ton!—i thotë.
—Po ti çfarë toni po përdor me mua?—ia kthen Rakela flakë për flakë.
Kaq e pati dhe pushimi . . . filloi prapë lufta.
A TË duket e njohur skena e mësipërme? A zihesh vazhdimisht me prindërit? Nëse po, ndalu pak dhe mendo për situatën. Cilat çështje shkaktojnë më shpesh grindje? Vër një shenjë ✔ te kutitë që vlejnë në rastin tënd ose shkruaj diçka tjetër përbri kutisë «Tjetër».
□ Orari i kthimit në shtëpi
□ Punët e shtëpisë
□ Qëndrimet
□ Seksi tjetër
□ Shoqëria
□ Veshja
□ Zbavitja
□ Tjetër
Cilado qoftë çështja, nga grindjet ndihesh keq edhe ti, edhe prindërit e tu. Sigurisht, edhe mund të kafshosh gjuhën e të bësh gjoja sikur je dakord për gjithçka që thonë prindërit. Por, a pret këtë Perëndia prej teje? Jo. Vërtet Bibla thotë ‘të nderosh atin dhe nënën tënde’. (Efesianëve 6:2, 3) Por, të nxit edhe të zhvillosh ‘aftësinë për të menduar’ e të përdorësh ‘fuqinë tënde për të arsyetuar’. (Proverbat 1:1-4; Romakëve 12:1) Kur e bën këtë, do të kesh se s’bën pikëpamje të forta, e këto nganjëherë ndryshojnë nga pikëpamjet e prindërve. Sidoqoftë, në familjet që zbatojnë parimet biblike, prindërit dhe fëmijët mund të komunikojnë me qetësi, edhe kur nuk janë të një mendjeje.—Kolosianëve 3:13.
Si të shprehesh pa e kthyer një bisedë normale në luftë të hapur? Është kollaj të thuash: «Prindërit e kanë fajin. Në fund të fundit, ata më rrinë gjithnjë mbi kokë!» Por mendo: a mund t’i ndryshosh vërtet të tjerët, përfshirë edhe prindërit? Në fakt, i vetmi person të cilin e ke në dorë ta ndryshosh, është vetja jote. Por ji i sigurt se, po të bësh pjesën tënde për të qetësuar situatën, ka më shumë të ngjarë që prindërit të jenë të qetë dhe të të dëgjojnë kur do të thuash diçka.
Pra, le të shohim ç’mund të bësh ti për të shuar zjarrin. Zbato sugjerimet e mëposhtme dhe prindërit madje edhe ti vetë, mund të habiteni sa i aftë je bërë për të komunikuar.
● Mendohu para se të përgjigjesh. Mos nxirr nga goja të parën gjë që të vjen kur ndihesh i sulmuar. Për shembull, ta zëmë se mamaja të thotë: «Pse nuk i lave enët? Kurrë s’ta dëgjon fjalën!» Një përgjigje rrufe mund të ishte: «Pse s’më lë rehat?» Por përdor aftësinë për të menduar. Përpiqu të kuptosh ndjenjat që qëndrojnë pas fjalëve të mamasë. Zakonisht, shprehjet që kanë fjalë të tilla, si «gjithmonë» dhe «kurrë» nuk duhen marrë fjalë për fjalë. Prapëseprapë, tregojnë se pas tyre fshihet një ndjenjë. Çfarë?
Mbase mamaja është e mërzitur, pasi mendon se po mban më tepër se ç’i takon nga punët e shtëpisë. Mbase ajo thjesht dëshiron ta sigurosh që ti e mbështet. Nëse është kështu, shprehja «pse s’më lë rehat» nuk të çon gjëkundi, veçse në grindje. Në vend të kësaj, pse të mos e qetësosh mamanë? Për shembull, mund të thuash: «E shoh që je e mërzitur, mami. Ja, tani do t’i laj enët.» Vetëm kujdes: mos fol me sarkazëm. Duke treguar mirëkuptim me përgjigjen tënde, ka shumë mundësi që mamaja të zbutet dhe të të tregojë ku qëndron problemi.a
Më poshtë shkruaj cilat shprehje të babait ose të mamasë mund të të nxehin, po ta lejosh veten.
․․․․․
Tani mendo një përgjigje që tregon mirëkuptim dhe merr parasysh ndjenjat që qëndrojnë pas fjalëve të prindërve.
․․․․․
● Fol me respekt. Mikela ka mësuar nga përvoja sa e rëndësishme është mënyra si flet me të ëmën. «Pavarësisht nga problemi që po diskutojmë,—thotë ajo,—mami kapet gjithnjë me tonin e zërit tim.» Nëse edhe ty të ndodh shpesh kjo, mëso të flasësh qetë e ngadalë dhe mos shtrembëro turinjtë ose mos bëj ndonjë gjest tjetër që tregon bezdisje. (Proverbat 30:17) Nëse e ndien se po acarohesh, bëj në heshtje një lutje të shkurtër. (Nehemia 2:4) Natyrisht, qëllimi i lutjes nuk është të të vijë ndihmë nga qielli që «prindërit të të lënë rehat», por të ruash vetëkontrollin, e kështu të mos i hedhësh dru zjarrit.—Jakovi 1:26.
Në hapësirën më poshtë, shkruaj disa reagime me fjalë ose pa fjalë që ti i ke si prirje, por që bën mirë t’i shmangësh.
Reagime me fjalë (ajo që thua):
․․․․․
Reagime pa fjalë (shprehjet e fytyrës dhe gjestet):
․․․․․
● Dëgjo. Bibla thotë: «Në fjalët e shumta nuk mungon shkelja.» (Proverbat 10:19) Pra trego kujdes që t’i japësh babait ose mamasë mundësi të flasë dhe që të jesh shumë i vëmendshëm. Mos i ndërprit për të justifikuar veprimet e tua. Vetëm dëgjo. Pastaj, kur të kenë mbaruar, do të kesh boll mundësi të bësh pyetje dhe të thuash mendimin tënd. Nga ana tjetër, po të ngulësh këmbë dhe të përpiqesh me kokëfortësi ta thuash në çast mendimin tënd, vetëm sa mund t’i keqësosh gjërat. Edhe sikur të kesh më shumë për të thënë, mbase kjo është pikërisht ‘koha për të heshtur’.—Eklisiastiu 3:7.
● Ji gati të kërkosh falje. Është gjithnjë mirë të thuash «më fal» për ndonjë gjë që ke bërë, e cila ka shkaktuar mosmarrëveshje. (Romakëve 14:19) Madje mund të thuash se të vjen keq që ka një mosmarrëveshje midis jush. Po ta kesh të vështirë ta thuash ballë për ballë, provo t’i shprehësh ndjenjat me shkrim. Më tej, bëj më shumë nga ç’të kërkohet duke ndryshuar ato aspekte të sjelljes që ndezën grindjen. (Mateu 5:41) Për shembull, nëse ke lënë pas dore ndonjë punë shtëpie dhe kjo ishte shkëndija e grindjes, pse të mos i befasosh prindërit duke e bërë atë? Edhe sikur të mos e pëlqesh atë punë, a nuk është më mirë ta bësh, sesa të përballesh me pasojat që do të kesh kur prindërit të shohin se e ke lënë pas dore? (Mateu 21: 28-31) Mendo ç’dobi do të kesh po të bësh pjesën tënde që të ulësh tensionin mes teje dhe prindërve.
Familjet e suksesshme kanë mosmarrëveshje, por dinë t’i zgjidhin me qetësi. Vëri në praktikë sugjerimet e trajtuara në këtë kapitull dhe mbase do të arrish të diskutosh edhe tema më të vështira me prindërit, pa u grindur.
A mendon se prindërit duhet të të japin më shumë liri? Nëse po, ç’mund të bësh?
[Shënimi]
a Për më shumë informacion, shih vëllimin 2, kapitulli 21.
SHKRIMI KYÇ
«Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet.»—Proverbat 15:28.
KËSHILLË
Kur të flasin prindërit, fike aparatin me të cilin po dëgjon muzikë, lëre mënjanë librin ose revistën që ke në dorë dhe vështroji në sy.
A E DIJE . . . ?
Kur përpiqesh ta zgjidhësh ose ta parandalosh mosmarrëveshjen, jeta do të bëhet më e lehtë për ty. Bibla thotë se njeriu «që sillet me dashamirësi, shpërblen shpirtin e vet».—Proverbat 11:17.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Një ndër sugjerimet e këtij kapitulli ku kam më shumë nevojë të punoj, është ․․․․․
Vendos që të nis ta zbatoj këtë sugjerim duke filluar nga (vër datën) ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Pse disa nga moshatarët e tu mendojnë se je i aftë vetëm nëse thua fjalën e fundit në një grindje?
● Pse për Perëndinë Jehova është i marrë ai që e ka zakon të grindet?—Proverbat 20:3.
● Ç’dobi do të kesh ti po të bësh pjesën tënde që të ulësh tensionin mes teje dhe prindërve?
[Diçitura në faqen 18]
«Ndonjëherë mami thotë ‘më fal’ duke më përqafuar dhe sa gjë e bukur është kjo. Kështu mund të harrojmë ç’ndodhi. Edhe unë përpiqem të bëj po njësoj. Ia vlen ta lë pas krenarinë dhe të them me sinqeritet ‘më fal’, megjithëse të them të drejtën nuk është e lehtë.»—Lorena
[Kutia në faqen 20]
Përgjigjet
1. Sarkazma («Filloi prapë») vetëm sa ia shtoi mërzitjen mamasë.
2. Me anë të shprehjes së fytyrës (shtrembërimi i turinjve) Rakela vetëm sa nxiti grindjen.
3. Po t’ua kthesh flakë për flakë («Po ti çfarë toni po përdor me mua?») thuajse gjithnjë e keqëson situatën.
[Figura në faqen 19]
Të grindesh me prindin është si të vraposh në vend: do të harxhosh mjaft energji, por nuk do të arrish gjëkundi
-