BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • Pjesa 1: Bindjet e krishtere
    Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait
    • PYETJET PËR ATA QË DUAN TË PAGËZOHEN

      Pjesa 1: Bindjet e krishtere

      Nga studimi i Biblës me Dëshmitarët e Jehovait ke mësuar të vërtetën. S’ka dyshim se ajo që ke mësuar, të ka ndihmuar të lidhësh miqësi të ngushtë me Perëndinë dhe të ka dhënë shpresën e jetës së përhershme dhe të bekimeve në një tokë parajsore nën Mbretërinë e Perëndisë. Besimi te Fjala e Perëndisë të është forcuar, dhe shoqërimi me kongregacionin e krishterë tashmë të ka sjellë shumë bekime. Ke arritur të kuptosh si vepron sot Jehovai me popullin e tij.—Zak. 8:23.

      Teksa përgatitesh për t’u pagëzuar, do të nxjerrësh dobi duke rishikuar bindjet themelore të krishtere, që do të trajtohen nga pleqtë e kongregacionit. (Hebr. 6:1-3) Jehovai vazhdoftë të bekojë të gjitha përpjekjet e tua për ta njohur atë dhe të dhëntë shpërblimin që ka premtuar!—Gjoni 17:3.

      1. Pse dëshiron të pagëzohesh?

      2. Kush është Jehovai?

      • «Jehovai është Perëndia i vërtetë lart në qiej dhe poshtë në tokë—nuk ka asnjë tjetër.»—Ligj. 4:39.

      • «Vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në mbarë tokën.»—Psal. 83:18.

      3. Pse është e rëndësishme të përdorësh emrin e Jehovait?

      • «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt!’»—Mat. 6:9.

      • «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.»—Rom. 10:13.

      4. Cilët terma përdor Bibla për të përshkruar Jehovain?

      • «Jehovai, Krijuesi i skajeve të tokës, është Perëndi i përjetësisë.»—Isa. 40:28.

      • «Ati ynë që je në qiej.»—Mat. 6:9.

      • «Perëndia është dashuri.»—1 Gjon. 4:8.

      5. Çfarë mund t’i japësh Perëndisë Jehova?

      • «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.»—Mar. 12:30.

      • «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.»—Luka 4:8.

      6. Pse do që t’i qëndrosh besnik Jehovait?

      • «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që t’i përgjigjem atij që më përbuz.»—Prov. 27:11.

      7. Kujt i lutesh dhe në emër të kujt?

      • «Me të vërtetë po ju them: po t’i kërkoni Atit ndonjë gjë, ai do t’jua japë në emrin tim [të Jezuit].»—Gjoni 16:23.

      8. Për cilat gjëra mund të lutesh?

      • «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë! Na e jep bukën për këtë ditë dhe na i fal mëkatet, sikurse edhe ne i kemi falur ata që kanë mëkatuar kundër nesh. E mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i Ligu.’»—Mat. 6:9-13.

      • «Kjo është siguria që kemi tek ai: ai na dëgjon për çdo gjë që i kërkojmë sipas vullnetit të tij.»—1 Gjon. 5:14.

      9. Pse mund të mos i dëgjojë Jehovai lutjet e dikujt?

      • «Ju do t’i thërrisni Jehovait për ndihmë, por ai s’do t’ju përgjigjet . . . për shkak të veprave tuaja të liga.»—Mik. 3:4.

      • «Jehovai i mban sytë mbi të drejtët dhe veshët te përgjërimi i tyre, por Jehovai e kthen fytyrën kundër atyre që bëjnë të këqija.»—1 Pjet. 3:12.

      10. Kush është Jezu Krishti?

      • «Simon Pjetri iu përgjigj: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.’»—Mat. 16:16.

      11. Pse erdhi Jezui në tokë?

      • «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë jetën e vet si shpërblesë për shumë njerëz.»—Mat. 20:28.

      • «Por ai [Jezui] u tha: ‘Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.’»—Luka 4:43.

      12. Si mund ta shprehësh mirënjohjen për flijimin e Jezuit?

      • «Ai vdiq për të gjithë, me qëllim që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten, por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit.»—2 Kor. 5:15.

      13. Çfarë autoriteti ka Jezui?

      • «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.»—Mat. 28:18.

      • «Perëndia e ngriti në një pozitë më të lartë e me zemërmirësi i dha emrin që është mbi çdo emër.»—Filip. 2:9.

      14. A beson se Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait është «skllavi besnik dhe i mençur» që emëroi Jezui?

      • «Kush është në të vërtetë skllavi besnik dhe i mençur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur?»—Mat. 24:45.

      15. A është fryma e shenjtë një person?

      • «Engjëlli iu përgjigj: ‘Fryma e shenjtë do të vijë te ti dhe fuqia e Më të Lartit do të prehet mbi ty. Për këtë arsye, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë.’»—Luka 1:35.

      • «Prandaj, nëse ju, edhe pse mëkatarë, dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati që është në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë.»—Luka 11:13.

      16. Si e ka përdorur Jehovai frymën e tij të shenjtë?

      • «Me anë të fjalës së Jehovait u bënë qiejt, e me anë të frymës së fuqishme që del nga goja e tij, u bë gjithçka në to.»—Psal. 33:6.

      • «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.»—Vep. 1:8.

      • «Asnjë profeci e Shkrimit nuk buron nga ndonjë interpretim personal. Sepse profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»—2 Pjet. 1:20, 21.

      17. Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

      • «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»—Dan. 2:44.

      18. Çfarë të mirash do të sjellë Mbretëria e Perëndisë?

      • «Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbul. 21:4.

      19. Nga e di që bekimet e Mbretërisë do t’i kemi së shpejti në tokë?

      • «Dishepujt iu afruan veçmas dhe e pyetën: ‘Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?’ Jezui iu përgjigj: ‘. . . Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie e do të ketë mungesa ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin. . . . Dhe ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, e atëherë do të vijë fundi.’»—Mat. 24:3, 4, 7, 14.

      • «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, lakmues parash, mburravecë, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, që duan kënaqësitë dhe jo Perëndinë, që duket sikur janë të përkushtuar ndaj Perëndisë, por fuqia e këtij përkushtimi nuk ndikon në jetën e tyre.»—2 Tim. 3:1-5.

      20. Si mund të tregosh që Mbretëria është e rëndësishme për ty?

      • «Vazhdoni, pra, të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë.»—Mat. 6:33.

      • «Jezui u tha dishepujve: ‘Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.’»—Mat. 16:24.

      21. Kush është Satanai? Po demonët?

      • «Ju jeni nga ati juaj, Djalli . . . Ai ishte vrasës që kur filloi udhën e tij.»—Gjoni 8:44.

      • «U hodh poshtë dragoi i madh, gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar. U hodh poshtë në tokë, ai bashkë me engjëjt e tij.»—Zbul. 12:9.

      22. Çfarë akuzash ngriti Satanai për Jehovain dhe për adhuruesit e Tij?

      • «Gruaja iu përgjigj gjarprit: ‘Mund të hamë nga fryti i pemëve të kopshtit. Por për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Perëndia ka thënë: “Mos e hani, madje as mos e prekni, përndryshe do të vdisni.”’ Atëherë gjarpri ia ktheu: ‘Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.’»—Zan. 3:2-5.

      • «Satanai ia ktheu Jehovait: ‘Lëkurë për lëkurë! Njeriu jep çdo gjë që ka për jetën e vet.’»—Jobi 2:4.

      23. Si mund të tregosh se akuzat e Satanait janë të rreme?

      • «Shërbeji [Perëndisë] me gjithë zemër.»—1 Kron. 28:9.

      • «Nga integriteti im nuk do të heq dorë derisa të vdes!»—Jobi 27:5.

      24. Pse vdesin njerëzit?

      • «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, e kështu vdekja u përhap te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»—Rom. 5:12.

      25. Në ç’gjendje ndodhen të vdekurit?

      • «Të gjallët e dinë se do të vdesin, kurse të vdekurit s’dinë asgjë.»—Ekl. 9:5.

      26. Çfarë shprese ka për ata që kanë vdekur?

      • «Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.»—Vep. 24:15.

      27. Sa njerëz do të shkojnë në qiell për të qeverisur me Jezuin?

      • «Pashë Qengjin që qëndronte në malin Sion, dhe bashkë me të ishin 144.000 që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij.»—Zbul. 14:1.

  • Pjesa 2: Jeta e krishterë
    Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait
    • PYETJET PËR ATA QË DUAN TË PAGËZOHEN

      Pjesa 2: Jeta e krishterë

      Nga studimi i Biblës, ke mësuar çfarë kërkon Jehovai nga ti dhe si ta përputhësh jetën me standardet e tij të drejta. I nxitur nga gjërat që ke mësuar, mund të kesh bërë disa ndryshime në sjellje dhe në qëndrimin tënd për jetën. Tani që ke vendosur të jetosh sipas standardeve të drejta të Jehovait, je në gjendje t’i bësh shërbim të pranueshëm si shërbëtor i lajmit të mirë.

      Shqyrtimi i pyetjeve vijuese do të të ndihmojë t’i ngulitësh mirë në mendje kërkesat e drejta të Jehovait e do të të kujtojë disa gjëra që mund të bësh për të qenë shërbëtor i tij i miratuar. Këto informacione do të të ngulitin në mendje sa e rëndësishme është t’i bësh të gjitha gjërat me ndërgjegje të pastër dhe për të nderuar Jehovain.—2 Kor. 1:12; 1 Tim. 1:19; 1 Pjet. 3:16, 21.

      Pasi ke arritur në këtë fazë të studimit, me siguri që mezi pret t’i nënshtrohesh Jehovait dhe të bëhesh pjesë e organizatës së tij. Nëpërmjet pyetjeve dhe referimeve nga Bibla do të shohësh sa e kupton nënshtrimin ndaj rregullit që ka vendosur Jehovai për kongregacionin, për familjen ose për elementet politike të këtij sistemi. Pa dyshim do t’i vlerësosh më tepër masat që ka marrë Jehovai për t’u arsimuar e për t’iu afruar më shumë atij. Këtu përfshihen mbledhjet e kongregacionit ku duhet të shkosh e të komentosh për aq sa ta lejojnë rrethanat.

      Veç kësaj, në këtë pjesë do të shqyrtojmë sa rëndësi ka pjesëmarrja e rregullt në veprën e predikimit për Mbretërinë, duke ndihmuar të tjerët që të njohin Jehovain dhe të mësojnë çfarë po bën ai për njerëzimin. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Së fundi, do të të ngulitë në mendje sa serioze është t’i kushtohesh Perëndisë Jehova dhe të pagëzohesh. Të jesh i sigurt se Jehovai e vlerëson kur i përgjigjesh me sinqeritet mirësisë së tij të pamerituar.

      1. Cili është standardi i krishterë për martesën? Sipas Shkrimeve, cila është e vetmja bazë për t’u divorcuar?

      • «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi në fillim, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë. . . . Kushdo që e divorcon gruan, përveçse kur ka si bazë imoralitetin seksual, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.»—Mat. 19:4-6, 9.

      2. Pse duhet të jenë të martuar ligjërisht ata që jetojnë bashkë si burrë e grua? Nëse je i martuar, a je i sigurt që martesa jote është e ligjshme dhe njihet nga shteti?

      • «Vazhdo t’u kujtosh vëllezërve që t’u nënshtrohen e t’u binden qeverive dhe autoriteteve.»—Titit 3:1.

      • «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi, sepse Perëndia do të gjykojë imoralët dhe kurorëshkelësit.»—Hebr. 13:4.

      3. Cili është roli yt në familje?

      • «Biri im, vërja veshin disiplinës së atit tënd, dhe mos i braktis mësimet e nënës sate.»—Prov. 1:8.

      • «Burri është kreu i gruas së tij, ashtu si Krishti është kreu i kongregacionit . . . Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe e dha veten për të.»—Efes. 5:23, 25.

      • «Etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni me disiplinën dhe me këshillat e Jehovait.»—Efes. 6:4.

      • «Ju, fëmijë, bindjuni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pëlqyeshme për Zotërinë.»—Kolos. 3:20.

      • «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj.» —1 Pjet. 3:1.

      4. Pse duhet të tregojmë respekt për jetën?

      • «[Perëndia] u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka. . . . Falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.»—Vep. 17:25, 28.

      5. Pse nuk duhet të vrasim askënd, përfshirë këtu edhe një foshnjë që s’ka lindur ende?

      • «Në rast se disa burra zihen me njëri-tjetrin dhe godasin një grua shtatzënë, e . . . nëse ndodh ndonjë aksident vdekjeprurës, do ta paguajë jetë për jetë.»—Eks. 21:22, 23.

      • «Kur isha ende një embrion, sytë e tu më panë; tërë pjesët e tij ishin shkruar në librin tënd, madje edhe ditët kur ato do të formoheshin, para se ndonjë prej tyre të ekzistonte.»—Psal. 139:16.

      • «Jehovai i urren . . . duart që derdhin gjak të pafaj.»—Prov. 6:16, 17.

      6. Cili është urdhri i Perëndisë në lidhje me gjakun?

      • «Vazhdoni të rrini larg . . . nga gjaku [dhe] nga kafshët e mbytura.»—Vep. 15:29.

      7. Pse duhet t’i duam vëllezërit dhe motrat?

      • «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu si ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:34, 35.

      8. Për të mos u ngjitur të tjerëve një sëmundje infektive, që mund të jetë vdekjeprurëse: (a) Pse një i infektuar duhet të frenohet e të mos e shfaqë përzemërsinë me përqafime e puthje? (b) Pse nuk duhet të reagojë keq nëse disa vendosin të mos e ftojnë në shtëpi? (c) Pse një njeri që mund të ketë qenë i ekspozuar ndaj një sëmundjeje infektive, duhet të bëjë vullnetarisht analiza gjaku para se të fillojë të njihet me dikë? (ç) Pse dikush që ka një sëmundje infektive duhet të informojë koordinatorin e trupit të pleqve para se të pagëzohet?

      • «Të mos i detyroheni askujt për asgjë, përveçse të doni njëri-tjetrin. . . . ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’ Dashuria nuk i bën keq të afërmit.»—Rom. 13:8-10.

      • ‘Mos kërkoni vetëm interesat tuaja, por edhe të të tjerëve.’—Filip. 2:4.

      9. Pse Jehovai pret nga ne që t’i falim të tjerët?

      • «Vazhdoni të duroni e të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka arsye për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.»—Kolos. 3:13.

      10. Ç’duhet të bësh nëse një vëlla të mashtron për të të zhvatur ose shpif kundër teje?

      • «Nëse vëllai yt mëkaton kundër teje, shko, fol vetëm për vetëm me të dhe tregoji hapur ku ka gabuar. Në qoftë se të dëgjon, e fitove vëllanë tënd. Por, në rast se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy të tjerë, që çdo çështje të vendoset nga dëshmia e dy a tre dëshmitarëve. Nëse nuk i dëgjon edhe ata, fol me kongregacionin. Në qoftë se nuk e dëgjon as kongregacionin, le të jetë për ty tamam si një njeri nga kombet dhe si një taksambledhës.»—Mat. 18:15-17.

      11. Si i sheh Jehovai këto mëkate?

      ▪ Imoraliteti seksual

      ▪ Përdorimi i ikonave në adhurim

      ▪ Homoseksualizmi

      ▪ Vjedhja

      ▪ Bixhozi

      ▪ Dehja

      • «Mos u mashtroni! Imoralët, idhujtarët, kurorëshkelësit, burrat që kryejnë marrëdhënie homoseksuale, hajdutët, lakmitarët, pijanecët, sharësit dhe zhvatësit nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë.»—1 Kor. 6:9, 10.

      12. Çfarë je i vendosur të bësh kur është fjala për imoralitetin seksual, që përfshin çdo lloj marrëdhënieje seksuale jashtë martese?

      • «Ikni nga imoraliteti seksual!»—1 Kor. 6:18.

      13. Pse duhet të ruhemi nga përdorimi jomjekësor i substancave që shkaktojnë varësi ose turbullojnë mendjen?

      • ‘Paraqitini trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, që t’i bëni shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar. Mjaft u brumosët sipas kallëpit të kësaj bote, por transformohuni duke përtërirë mendjen, që të siguroheni cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.’—Rom. 12:1, 2.

      14. Cilat janë disa praktika demonike që Perëndia i ndalon?

      • «Të mos gjendet mes teje asnjë nga ata . . . që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, që merren me shtrigëri, që yshtin të tjerët, që konsultohen me një medium ose që parashikojnë fatin a pyesin të vdekurit.»—Ligj. 18:10, 11.

      15. Nëse dikush ka kryer një mëkat të rëndë dhe dëshiron të ketë përsëri miratimin e Jehovait, ç’duhet të bëjë pa vonesë?

      • «Më në fund ta rrëfeva mëkatin tim, gabimin tim më nuk e fsheha. Thashë: ‘Do t’ia rrëfej fajet e mia Jehovait.’»—Psal. 32:5.

      • «A ka mes jush ndonjë të sëmurë? Le të thërrasë pleqtë e kongregacionit, dhe ata le të luten për të e ta lyejnë me vaj në emër të Jehovait. E lutja me besim do ta shërojë të sëmurin, dhe Jehovai do ta rimëkëmbë. E nëse ka kryer mëkate, do t’i falen.»—Jak. 5:14, 15.

      16. Nëse je në dijeni që një bashkëbesimtar ka kryer një mëkat të rëndë, çfarë duhet të bësh?

      • «Nëse dikush dëgjon një thirrje publike për të dëshmuar dhe është dëshmitar i një keqbërjeje, që e ka parë vetë a e ka marrë vesh nga të tjerë, dhe nuk tregon, ai po mëkaton dhe do të përgjigjet për fajin e vet.»—Lev. 5:1.

      17. Nëse bëhet njoftimi se dikush nuk është më Dëshmitar i Jehovait, si duhet ta trajtojmë?

      • ‘Mos u shoqëroni më me këdo që quhet vëlla, por që është imoral, lakmitar, idhujtar, sharës, pijanec ose zhvatës, madje as mos hani me një njeri të tillë.’—1 Kor. 5:11.

      • «Nëse dikush vjen te ju e nuk sjell këtë mësim, mos e pranoni në shtëpinë tuaj, as mos e përshëndetni.»—2 Gjon. 10.

      18. Pse duhet të kesh shoqëri të ngushtë me ata që e duan Jehovain?

      • «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me të pamendët, do t’i shkojë keq.»—Prov. 13:20.

      • «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.»—1 Kor. 15:33.

      19. Pse Dëshmitarët e Jehovait janë asnjanës në çështjet politike?

      • «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë [Jezui] nuk jam pjesë e botës.»—Gjoni 17:16.

      20. Pse duhet t’u bindesh autoriteteve qeveritare?

      • «Çdo njeri të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta, pasi nuk ka autoritet që të mos jetë lejuar nga Perëndia, dhe autoritetet ekzistuese janë në pozita relative nga Perëndia.»—Rom. 13:1.

      21. Çfarë duhet të bësh nëse ndonjë ligj njerëzor bie ndesh me ligjin e Perëndisë?

      • «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve.»—Vep. 5:29.

      22. Cilat shkrime mund të të ndihmojnë të qëndrosh i ndarë nga bota kur zgjedh punën?

      • «Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.»—Mik. 4:3.

      • «Dilni prej saj [Babilonisë së Madhe], o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të vuani nga plagët që do t’i bien asaj.»—Zbul. 18:4.

      23. Ç’lloj zbavitjesh duhet të zgjedhësh dhe cilave duhet t’u rrish larg?

      • ‘Jehovai e urren atë që do dhunën.’—Psal. 11:5.

      • «Urreni thellësisht të keqen, kapuni fort pas së mirës.»—Rom. 12:9.

      • «Vazhdoni të mendoni për çdo gjë të vërtetë, çdo gjë serioze, çdo gjë të drejtë, çdo gjë të dëlirë, çdo gjë të dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo gjë të virtytshme dhe të denjë për t’u lëvduar.»—Filip. 4:8.

      24. Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk bashkohen me grupet e tjera fetare për të adhuruar Perëndinë?

      • «Ju s’mund të hani edhe në ‘tryezën e Jehovait’, edhe në tryezën e demonëve.»—1 Kor. 10:21.

      • «‘Ndahuni veç,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër’; ‘dhe unë do t’ju mbledh nën krahët e mi’.»—2 Kor. 6:17.

      25. Cilat parime do të të ndihmojnë të vendosësh nëse do të marrësh pjesë në një festë?

      • «Me kombet u përzien dhe morën zakonet e tyre. U shërbenin idhujve të tyre, që u bënë lak për ta.»—Psal. 106:35, 36.

      • «Të vdekurit s’dinë asgjë.»—Ekl. 9:5.

      • «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.»—Gjoni 17:16.

      • «Më parë kaluat mjaft kohë duke bërë vullnetin e botës, kur jepeshit pas sjelljes së pacipë, epsheve të shfrenuara, pirjes me tepri, festave të shfrenuara, dehjeve dhe idhujtarisë së neveritshme.»—1 Pjet. 4:3.

      26. Si të ndihmojnë shembujt nga Bibla të vendosësh nëse duhet të festosh ditëlindjet?

      • «Ditën e tretë ishte ditëlindja e faraonit, prandaj ai shtroi një gosti për gjithë shërbëtorët e tij dhe nxori nga burgu kryekupëmbajtësin dhe kryebukëpjekësin në prani të të gjithë shërbëtorëve. Kryekupëmbajtësin e ktheu në detyrën e tij . . . Por kryebukëpjekësin e vari.»—Zan. 40:20-22.

      • «Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës kërceu atje, dhe Herodit i pëlqeu aq shumë, sa u betua se do t’i jepte ç’t’i kërkonte. Atëherë, e shtyrë nga e ëma, ajo i tha: ‘Më jep këtu, në një tabaka, kokën e Gjon Pagëzorit.’ Kështu dërgoi njerëz në burg që t’i pritnin kokën Gjonit.»—Mat. 14:6-8, 10.

      27. Pse është mirë të ndjekësh drejtimin e pleqve?

      • «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për ju e do të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.»—Hebr. 13:17.

      28. Pse është e rëndësishme që ti dhe familja jote të rezervoni kohë për të lexuar e për të studiuar Biblën rregullisht?

      • ‘Ai që gjen ëndje në ligjin e Jehovait dhe e lexon nën zë ditë e natë, do të jetë si një pemë e mbjellë buzë përrenjve plot ujë, që jep fryt në stinën e vet e që nuk i thahen gjethet; çdo gjë që bën, do t’i shkojë mbarë.’—Psal. 1:2, 3.

      29. Pse dëshiron nga zemra të ndjekësh mbledhjet dhe të marrësh pjesë në to?

      • «Unë do t’ua shpall emrin tënd vëllezërve të mi; në mes të kongregacionit do të të lëvdoj.»—Psal. 22:22.

      • «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për të shfaqur dashuri dhe për të bërë vepra të shkëlqyera, e të mos i lëmë pas dore mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por t’i japim zemër njëri-tjetrit, aq më tepër tani që e shohim se dita po afrohet.»—Hebr. 10:24, 25.

      30. Cila është vepra më e rëndësishme që na ka ngarkuar Jezui?

      • «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar . . . dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»—Mat. 28:19, 20.

      31. Cili qëndrim e kënaq Jehovain kur dhurojmë për veprën e Mbretërisë ose për të ndihmuar vëllezërit e motrat?

      • «Nderoje Jehovain me gjërat e tua me vlerë.»—Prov. 3:9.

      • «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me gjysmë zemre a me detyrim, sepse Perëndia i do ata që japin me gëzim.»—2 Kor. 9:7.

      32. Çfarë vështirësish presin të hasin të krishterët?

      • «Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë, sepse atyre u përket Mbretëria e qiejve! Lum ju kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin dhe thonë lloj-lloj gënjeshtrash të liga kundër jush për shkakun tim! Gëzoni dhe ngazëlloni, se i madh është shpërblimi juaj në qiej, sepse kështu i përndoqën edhe profetët përpara jush.»—Mat. 5:10-12.

      33. Pse është privilegj i veçantë të pagëzohesh si Dëshmitar i Jehovait?

      • «O Jehova, . . . fjala jote u bë ngazëllimi dhe gëzimi i zemrës sime, sepse mbaj emrin tënd.»—Jer. 15:16.

  • Bisedë përmbyllëse me kandidatët për pagëzim
    Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait
    • PYETJET PËR ATA QË DUAN TË PAGËZOHEN

      Bisedë përmbyllëse me kandidatët për pagëzim

      Zakonisht, pagëzimet bëhen në asambletë dhe në kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait. Në fund të fjalimit të pagëzimit, oratori do t’u kërkojë kandidatëve për pagëzim të ngrihen në këmbë dhe t’u përgjigjen dy pyetjeve vijuese me zë të lartë:

      1. A je penduar për mëkatet e tua, a i je kushtuar Jehovait dhe a e ke pranuar se ai na shpëton nëpërmjet Jezu Krishtit?

      2. A e kupton se kur pagëzohesh identifikohesh si Dëshmitar i Jehovait dhe bëhesh pjesë e organizatës së Jehovait?

      Duke u dhënë përgjigje pohuese këtyre pyetjeve, kandidatët për pagëzim ‘shpallin publikisht’ se kanë treguar besim te shpërblesa dhe i janë kushtuar pa rezerva Jehovait. (Rom. 10:9, 10) Do të ishte mirë që kandidatët për pagëzim të mendojnë e të luten që më përpara për këto pyetje, që të përgjigjen në përputhje me bindjet e tyre.

      A i je kushtuar Jehovait nëpërmjet një lutjeje, duke i premtuar se do të adhurosh vetëm atë dhe se gjëja kryesore në jetën tënde do të jetë të bësh vullnetin e tij?

      A je plotësisht i bindur se duhet të pagëzohesh sa më parë?

      Cila është veshja e përshtatshme për pagëzimin? (1 Tim. 2:9, 10; Gjoni 15:19; Filip. 1:10)

      Duhet të vishemi «me modesti e mendje të shëndoshë» që të tregojmë se jemi ‘të përkushtuar ndaj Perëndisë’. Pra, ata që pagëzohen, nuk veshin një kostum banje që zbulon tepër pjesët e trupit, ose rroba që kanë diçka të shkruar. Veshja e tyre duhet të jetë e rregullt, e pastër, dinjitoze dhe e përshtatshme për rastin.

      Si duhet të sillet dikush kur pagëzohet? (Luka 3:21, 22)

      Me pagëzimin e tij, Jezui la një shembull për pagëzimet e të krishterëve sot. Ai e kuptonte se pagëzimi është një hap serioz, dhe kjo u pasqyrua në qëndrimin dhe në veprimet e tij. Kështu, vendi i pagëzimit nuk është vend për të bërë shaka të papërshtatshme, për të luajtur, për të notuar ose për ndonjë sjellje tjetër që do t’ia ulte seriozitetin këtij rasti. Veç kësaj, i krishteri i sapopagëzuar s’duhet të sillet sikur të ketë arritur ndonjë fitore të madhe. Edhe pse pagëzimi është rast i gëzueshëm, ky gëzim duhet shprehur në mënyrë dinjitoze.

      Si do të të ndihmojnë pjesëmarrja e rregullt në mbledhje dhe shoqërimi me kongregacionin që të mbash betimin e kushtimit ndaj Jehovait?

      Pse është e rëndësishme që, pas pagëzimit, të mbash një program të mirë për studimin personal dhe të dalësh rregullisht në shërbim?

Botimet shqip (1993-2025)
Shkëputu
Hyr me identifikim
  • shqip
  • Dërgo
  • Parametrat
  • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
  • Kushtet e përdorimit
  • Politika e privatësisë
  • Parametrat e privatësisë
  • JW.ORG
  • Hyr me identifikim
Dërgo