ESTERA
Vajzë jetime judeje nga fisi i Beniaminit. Emrin në hebraisht e kishte Hadasa (domethënë «mërsinë»); pasardhëse e atyre që u shpërngulën nga Jerusalemi bashkë me mbretin Jehojakin (Jekonia) në vitin 617 p.e.s. (Es 2:5-7) Ishte bija e Abihailit, ungjit të Mordekait. (Es 2:15) Për të kujdesej kushëriri i madh, Mordekai, një nga «shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta» e pallatit të mbretit në Shushan, gjatë sundimit të mbretit pers Asuer (Kserksi I, në shekullin e pestë p.e.s.). (Es 2:7; 3:2) Pasi e kishte hequr Vashtin si mbretëreshë ngaqë s’ishte bindur, Asueri urdhëroi të mblidheshin tërë virgjëreshat e bukura dhe t’u bëheshin për njëfarë kohe masazhe speciale e trajtime kozmetike, që pastaj mbreti të zgjidhte ndonjërën si mbretëreshë në vend të Vashtit. Estera ishte mes vashave që i çuan në shtëpinë e mbretit dhe që ishin nën kujdesin e Hegait, rojtarit të grave. Ajo e mbajti të fshehtë që ishte judeje, sipas udhëzimit të Mordekait. (Es 2:8, 10) Vitin e shtatë të mbretërimit të Asuerit, Estera u zgjodh mbretëreshë. (Es 2:16, 17) Gjatë gjithë kohës, ajo mbajti lidhje me Mordekain dhe ndoqi këshillat e tij. Kur Mordekai mori vesh se po kurdisej një komplot kundër mbretit, Estera ia bëri të ditur këtë gjë mbretit në emër të Mordekait.—Es 2:20, 22.
Vitin e 12-të të mbretërimit të Asuerit, Hamani, një agagit, i cili ishte kryeministër, thuri një plan që të shfaroste gjithë judenjtë në 127 provincat e perandorisë. Ai mori autorizimin e mbretit që të nxirrte një dekret për këtë. (Es 3:7-13) Sipas informacioneve dhe këshillave të Mordekait, Estera i zbuloi mbretit qëllimin dashakeq të komplotit të Hamanit. Reagimi i Hamanit e tërboi edhe më tepër mbretin, dhe Hamanin e varën. (Es 4:7–7:10) Me kërkesë të Esterës, mbreti nxori një dekret të dytë që i autorizonte judenjtë të luftonin në mbrojtje të jetës së tyre ditën e caktuar për masakër. (Es 8:3-14) Për shkak të urdhrit të mbretit dhe nga frika e Mordekait, i cili kishte zënë vendin e Hamanit si kryeministër, guvernatorët dhe funksionarët e perandorisë i ndihmuan judenjtë që t’i mundnin plotësisht armiqtë e tyre. (Es 9) Sipas udhëzimeve të Mordekait, të vërtetuara nga Estera, judenjtë duhej të kremtonin festën e Purimit, që festohet edhe sot e kësaj dite.—Es 9:20, 21, 29.
Edhe pse në librin e Esterës nuk përmendet emri i Perëndisë, nga veprimet e Mordekait dhe të Esterës kuptohet qartë se ata ishin që të dy shërbëtorë besnikë të Perëndisë së vërtetë, Jehovait. Me cilësitë që shfaqte, Estera tregonte besimin te ligji i Perëndisë. Ajo «kishte trup të hijshëm dhe ishte e bukur» (Es 2:7), por, ç’është më e rëndësishmja, stolisja e saj ishte «njeriu i fshehtë i zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë». (1Pj 3:4) Kështu fitoi pëlqimin e Hegait, rojtarit të grave, si edhe të vetë mbretit. Për të, stolisja pompoze s’kishte rëndësi, ndaj «nuk kërkoi asgjë, veç asaj që i tha Hegai». (Es 2:15) Estera tregoi shumë takt dhe vetëkontroll. Ishte e nënshtruar ndaj të shoqit, Asuerit, kështu që iu drejtua me takt e respekt kur rrezikohej jeta e saj dhe e popullit të vet. Diti të heshtte kur duhej, por foli me guxim dhe pa u trembur kur ishte e nevojshme, duke zgjedhur momentin e përshtatshëm. (Es 2:10; 7:3-6) Pranoi këshillat e kushëririt të saj të pjekur, Mordekait, edhe kur kjo nënkuptonte të vinte jetën në rrezik. (Es 4:12-16) Dashuria dhe besnikëria e Esterës kundrejt popullit të saj jude, populli me të cilin Perëndia kishte bërë një besëlidhje, u dukën qartë kur veproi për t’i mbrojtur.—Shih MORDEKAI nr. 2.