EKBATANA
Kryeqyteti i Medisë së lashtë, pak a shumë që nga viti 700 p.e.s. Mbreti pers Kiri II ia mori mbretit Astiagj, e pas kësaj forcat e medëve dhe të persëve u bashkuan nën komandën e Kirit. Shkrimet tregojnë se në kohën e mbretit pers Dari I (Histaspis), Ekbatana ishte një vend në provincën e Medisë.—Ezd 6:1, 2.
«Ekbatana» është forma në shqip e emrit të këtij qyteti që përmendet tek Ezdra 6:2, siç del edhe në Vulgatën latine dhe në tekstin grek të shkrimeve apokrife që u përfshinë më pas te Septuaginta. Kurse në tekstin masoretik dhe në Peshitën siriake quhet «Akmeta». Shkrimtarët grekë të antikitetit duket se e përdornin emrin Ekbatana për disa vende. Gjithsesi, sot studiuesit në përgjithësi janë në një mendje se Ekbatana e pushtuar nga Kiri (pra, ajo që përmendet tek Ezd 6:2) është qyteti i sotëm i Hamadanit, qendër e rëndësishme tregtare në Iran, që shtrihet rrëzë malit të Aluandit, afro 290 km në perëndim-jugperëndim të Teheranit. Ashtu si Ekbatana e lashtë që ishte qytet i rëndësishëm përgjatë udhës kryesore nga Mesopotamia drejt vendeve më të largëta në lindje, edhe Hamadani i sotëm përshkohet nga mjaft rrugë, si ajo që lidh Bagdadin me Teheranin.
Disa kundërshtarë, funksionarë të emëruar nga persët, vunë në pikëpyetje nëse ishte i ligjshëm rindërtimi i tempullit nga judenjtë në ditët e Zorobabelit, dhe i dërguan letër mbretit të Persisë Dari I, ku kërkonin ndonjë provë rreth ekzistencës së dekretit të Kirit që autorizonte rindërtimin. (Ezd 5:1-17) Dari urdhëroi të bëhej një hetim dhe në Ekbatanë u gjet dekreti i Kirit, që vërtetoi se punimet e rindërtimit të tempullit ishin të ligjshme. Në fakt, Dari nxori urdhër që puna e judenjve të vazhdonte pa pengesa. Madje i urdhëroi kundërshtarët e tyre që t’u siguronin materialet e nevojshme, dhe ata e «bënë pa vonuar». Tempulli mbaroi më në fund «ditën e tretë të muajit hënor të adarit, domethënë vitin e gjashtë të mbretërimit të mbretit Dar» ose në pragun e pranverës së vitit 515 p.e.s.—Ezd 6:6-15.