JETROI
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «më shumë nga ç’mjafton; bollëk»].
Vjehrri i Moisiut, kenit. (Da 3:1; Gjy 1:16) Ai quhet edhe Reuel. (Nu 10:29) Jetro mund të ketë qenë një titull, kurse Reuel emri i tij. Megjithatë, siç vërtetohet nga shumë mbishkrime, në Arabi nuk ishte e pazakontë që një prijës të kishte dy ose më shumë emra. Te Dalja 4:18, në tekstin masoretik Jetro shkruhet «Jeter».
Jetroi ishte ‘prift i Midianit’. Duke qenë kreu i një familjeje të madhe, me të paktën shtatë vajza dhe një djalë të përmendur me emër (Da 2:15, 16; Nu 10:29), e duke pasur përgjegjësinë të siguronte jo vetëm nevojat materiale të familjes, por edhe të merrte drejtimin në adhurim, ai quhej me të drejtë «prifti [ose prijësi] i Midianit». Kjo nuk tregon medoemos se ai adhuronte Perëndinë Jehova; megjithatë, ka mundësi që adhurimi i vërtetë të ketë qenë i ngulitur te stërgjyshërit e tij dhe të jetë ruajtur pjesërisht në familje. Sjellja e tij tregon të paktën një respekt të thellë për Perëndinë e Moisiut dhe të Izraelit.—Da 18:10-12.
Lidhja e Jetroit me dhëndrin e tij të ardhshëm nisi pak pasi Moisiu ia mbathi nga Egjipti në vitin 1553 p.e.s. Moisiu ndihmoi vajzat e Jetroit që t’u jepnin ujë kopeve të të atit dhe, kur ato i treguan të atit, ai i ofroi Moisiut mikpritjen e tij. Kështu Moisiu nisi të banonte në shtëpinë e Jetroit dhe më vonë u martua me vajzën e tij, Ziporën. Pasi ishte kujdesur për rreth 40 vjet për kopetë e Jetroit në afërsi të malit të Horebit (Sinait), Jehovai e thirri Moisiun të kthehej në Egjipt dhe ai u kthye me bekimin e vjehrrit të tij.—Da 2:15-22; 3:1; 4:18; Ve 7:29, 30.
Më vonë, Jetroi mori vesh për fitoren e madhe të Jehovait mbi egjiptianët dhe vajti menjëherë te Moisiu në Horeb, duke marrë me vete edhe Ziporën dhe dy bijtë e Moisiut. Ky qe patjetër një ritakim shumë i ngrohtë. Pasi Moisiu i tregoi për veprat e fuqishme që kishte bërë Jehovai për të shpëtuar popullin e Tij, Jetroi bekoi Perëndinë dhe pranoi: «Tani e di që Jehovai është më i madh se gjithë perënditë e tjera.» Pastaj, i bëri flijime Perëndisë së vërtetë. (Da 18:1-12) Të nesërmen, Jetroi pa Moisiun tek dëgjonte problemet e izraelitëve «nga mëngjesi deri në mbrëmje». Ai e kuptoi se sa e lodhshme ishte kjo për Moisiun e për popullin dhe i sugjeroi dhëndrit një mënyrë se si të delegonte një pjesë të autoritetit. ‘Stërvit burra të tjerë të aftë e të besuar si krerë të dhjetësheve, pesëdhjetësheve, qindësheve dhe mijësheve për të zgjidhur çështjet, e ti merru vetëm me ato që s’mund t’i zgjidhin ata.’ Moisiu pranoi dhe, më vonë, Jetroi u kthye në vendin e tij.—Da 18:13-27.
Moisiu i kërkoi Hobabit, djalit të Jetroit, të shërbente si udhërrëfyesi i tij. Duket se, pas këmbënguljes së Moisiut, ai pranoi dhe disa nga njerëzit e tij hynë në Tokën e Premtuar bashkë me Izraelin. (Nu 10:29-33) Te Gjykatësit 4:11 thuhet se Hobabi kishte për dhëndër Moisiun, pra ishte ‘vjehrri i Moisiut’. (Dio) Kjo ka shkaktuar vështirësi në kuptim. Sidoqoftë, shprehja hebraike për ‘vjehërr’ zakonisht mund të ketë një kuptim më të gjerë: çdo i afërm i seksit mashkull nga ana e krushqisë, pra, mund të nënkuptojë edhe «kunatin». Të thuash se vjehrri i Moisiut ishte Hobabi dhe jo Jetroi, do të binte në kundërshtim me vargje të tjera. Nëse Hobab do të ishte një tjetër emër i Jetroit, siç mendojnë disa, kjo do të nënkuptonte që të dy, babai dhe i biri, kishin të njëjtin emër. Nga ana tjetër, ka të ngjarë që si një anëtar i shquar i brezit pasardhës të kenitëve, Hobabi të jetë përmendur në këtë varg si mëkëmbës i të atit.—Shih HOBABI.