1 Mbretërve
18 Pas shumë ditësh,+ në vitin e tretë, fjala e Jehovait iu drejtua Elijas: «Shko, paraqitu tek Akabi, sepse kam vendosur të dërgoj shi në tokë.»+ 2 Prandaj Elija shkoi të paraqitej tek Akabi. Në atë kohë zia e bukës në Samari ishte e rëndë.+
3 Ndërkaq Akabi thirri Abdinë, që ishte përgjegjës për shtëpinë.+ (Abdia i frikësohej+ shumë Jehovait. 4 Kështu, kur Jezebela+ shfaroste profetët e Jehovait,+ Abdia mori njëqind profetë dhe i mbajti të fshehur, pesëdhjetë në një shpellë, dhe pesëdhjetë në një tjetër. U siguroi, gjithashtu, bukë e ujë.)+ 5 Dhe Akabi i tha Abdisë: «Dil nëpër vend dhe shko te gjithë burimet e ujit dhe te gjithë përrenjtë. Ndoshta gjejmë bar të gjelbër,+ që të mbajmë gjallë kuajt dhe mushkat e që të mos shfarosen më kafshë të tjera.»+ 6 Kështu, ata ndanë mes tyre vendin nëpër të cilin do të shkonin. Akabi shkoi i vetëm në njërën udhë, ndërsa Abdia shkoi i vetëm në udhën tjetër.+
7 Teksa ishte në udhë, Abdisë i doli përpara Elija.+ Ai e njohu menjëherë, u përkul me fytyrë përdhe+ dhe tha: «Ti je, zotëria+ im Elija?» 8 Ky ia ktheu: «Unë jam. Shko e thuaji zotërisë tënd:+ ‘Elija është këtu.’» 9 Por ai tha: «Ç’mëkat+ kam bërë që ta dorëzosh shërbëtorin tënd në duart e Akabit për të më vrarë? 10 Ashtu siç është e vërtetë që rron Jehovai,+ Perëndia yt, nuk ka komb a mbretëri ku zotëria im të mos ketë dërguar njerëz për të të kërkuar. Pasi thoshin: ‘Nuk është këtu’, ai i vinte mbretërinë dhe kombin të betoheshin se nuk mund të të gjenin.+ 11 Dhe ti tani thua: “Shko e thuaji zotërisë tënd: ‘Elija është këtu.’” 12 Patjetër ka për të ndodhur që kur unë të iki prej teje, fryma+ e Jehovait do të të çojë në një vend që unë s’e di. Unë do të kem shkuar t’i them Akabit, dhe ai nuk do të të gjejë e ka për të më vrarë.+ Shërbëtori yt i është frikësuar Jehovait që në rini.+ 13 Nuk i kanë treguar, vallë, zotërisë tim se çfarë bëra kur Jezebela vriste profetët e Jehovait, se si i mbajta të fshehur disa nga profetët e Jehovait, njëqind burra, pesëdhjetë në një shpellë,+ e pesëdhjetë në një tjetër, dhe u siguroja bukë e ujë?+ 14 Dhe ti tani thua: “Shko e thuaji zotërisë tënd: ‘Elija është këtu.’” Ai ka për të më vrarë.»+ 15 Megjithatë Elija tha: «Ashtu siç është e vërtetë që rron+ Jehovai i ushtrive,+ përpara të cilit qëndroj, unë do të paraqitem sot tek ai.»
16 Abdia, pra, shkoi të takonte Akabin dhe i tregoi. Kështu, Akabi shkoi të takonte Elijan.
17 Sapo pa Elijan, Akabi i tha menjëherë: «Ti na qenke atëherë ai që i ka sjellë telashe* Izraelit?!»+
18 Ai ia ktheu: «Izraelit nuk ia kam sjellë unë telashet,+ por ti dhe shtëpia e atit tënd,+ sepse keni lënë urdhërimet e Jehovait+ dhe ke ndjekur Baalët.+ 19 E tani dërgo të mbledhin gjithë Izraelin në malin e Karmelit,+ si edhe katërqind e pesëdhjetë profetët e Baalit+ dhe katërqind profetët e shtyllës së shenjtë+ që hanë në tryezën e Jezebelës.»+ 20 Akabi dërgoi e thirri gjithë bijtë e Izraelit dhe i mblodhi profetët+ në malin e Karmelit.
21 Atëherë Elija iu afrua gjithë popullit dhe tha: «Deri kur do të lëkundeni mes dy mendimeve?+ Në qoftë Jehovai Perëndia i vërtetë, ndiqeni,+ por në qoftë Baali, ndiqni atë.» Dhe populli nuk i tha asnjë fjalë. 22 Pastaj Elija i tha popullit: «Unë, vetëm unë, kam mbetur si profet i Jehovait,+ kurse profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë burra. 23 Le të na jepen dy dema të rinj dhe ata le të zgjedhin një dem, ta presin copa-copa dhe ta vënë mbi dru, por të mos i vënë zjarrin. Unë do të bëj gati demin tjetër dhe do ta vë mbi dru, por nuk do t’i vë zjarrin. 24 Ju thërritni emrin e perëndisë tuaj,+ kurse unë do të thërras emrin e Jehovait. Perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit,+ është Perëndia i vërtetë.»+ Atëherë tërë populli tha: «Mirë e ke.»
25 Atëherë Elija u tha profetëve të Baalit: «Zgjidhni një dem të ri dhe bëni gati atë në fillim, sepse jeni më shumë. Pastaj thërritni emrin e perëndisë tuaj, por mos i vini zjarrin.» 26 Ata, pra, morën demin e ri që u dhanë, e bënë gati dhe e thërritën emrin e Baalit që nga mëngjesi deri në mesditë, duke thënë: «O Baal, na u përgjigj!» Por s’dëgjohej zë+ dhe askush nuk përgjigjej.+ E ata vazhduan të kërcenin çalë-çalë rreth altarit që kishin bërë. 27 Në mesditë Elija nisi t’i vinte në lojë+ e t’u thoshte: «Thërritni sa t’ju hajë zëri, se ai është perëndi.+ Mbase është i zënë me ndonjë punë, a i vjen për të dalë jashtë+ dhe i duhet të shkojë në nevojtore.+ Ose ndoshta është në gjumë dhe i duhet të zgjohet!»+ 28 Dhe ata zunë të thërritnin sa u hante zëri dhe të priteshin+ sipas zakonit të tyre me kama dhe heshta, derisa u doli gjak. 29 Kaloi mesdita e ata ende silleshin si profetë+ deri në kohën e paraqitjes së blatimit në drithë, por përsëri s’u dëgjua zë, s’u përgjigj njeri dhe askush s’ua vuri veshin.+
30 Në fund Elija i tha gjithë popullit: «Afrohuni tek unë.» Kështu, gjithë populli iu afrua dhe ai filloi të ndreqte altarin e Jehovait që ishte shembur.+ 31 Elija mori dymbëdhjetë gurë, në përputhje me numrin e fiseve të bijve të Jakobit, të cilit fjala e Jehovait i kishte+ thënë: «Emri yt do të jetë Izrael.»+ 32 Pastaj me gurët ndërtoi një altar+ në emër të Jehovait+ dhe rreth e qark tij bëri një hendek pothuajse sa sipërfaqja e mbjellë me dy sea farë. 33 Pas kësaj rregulloi drutë,+ e preu copa-copa demin e ri dhe e vuri mbi drutë. Atëherë tha: «Mbushni katër qypa të mëdhenj me ujë dhe derdhini mbi blatimin që është për t’u djegur e mbi drutë.» 34 Pastaj shtoi: «Bëjeni prapë.» Ata e bënë prapë dhe ai tha: «Bëjeni për herë të tretë.» E ata e bënë për herë të tretë. 35 Kështu, uji shkoi rreth e qark altarit. Ai mbushi me ujë edhe hendekun.
36 Në kohën+ e paraqitjes së blatimit në drithë profeti Elija u afrua e tha: «O Jehova, Perëndia i Abrahamit,+ i Isakut+ dhe i Izraelit,+ le ta marrin vesh sot se ti je Perëndi në Izrael,+ se unë jam shërbëtori yt dhe se gjithë këto gjëra i kam bërë sipas fjalës sate!+ 37 Përgjigjmu, o Jehova, përgjigjmu, që ky popull ta dijë se ti, o Jehova,+ je Perëndia i vërtetë dhe se ti e ke kthyer zemrën e tyre!»+
38 Atëherë zjarri+ i Jehovait ra dhe përpiu blatimin e djegur,+ drutë, gurët dhe pluhurin, madje përthau edhe ujin që ishte në hendek.+ 39 Kur tërë njerëzit panë këtë, menjëherë u përkulën me fytyrë përdhe+ dhe thanë: «Jehovai është Perëndia i vërtetë! Jehovai është Perëndia i vërtetë!» 40 Pastaj Elija u tha: «Kapini profetët e Baalit! Mos lini të shpëtojë as edhe një prej tyre!» Ata i kapën menjëherë dhe Elija i zbriti në luginën e përroit të Kishonit,+ e atje i vrau.+
41 Elija i tha Akabit: «Ngjitu lart, ha dhe pi,+ sepse dëgjohet zhurma e një rrebeshi.»+ 42 Kështu, Akabi u ngjit për të ngrënë e për të pirë, kurse Elija shkoi në majë të Karmelit dhe u mblodh kruspull përtokë+ me fytyrën mes gjunjëve.+ 43 Pastaj i tha shërbëtorit të tij: «Ngjitu më lart, të lutem dhe shiko në drejtim të detit.» Ai u ngjit, pa, dhe pastaj tha: «S’ka asgjë.» Por Elija i tha shtatë herë me radhë: «Kthehu!»+ 44 Herën e shtatë ai tha: «Ja, është një re e vogël si pëllëmbë njeriu që ngjitet nga deti.»+ Atëherë Elija tha: «Shko e thuaji Akabit: ‘Mbreh kuajt+ dhe zbrit para se të të zërë shiu!’» 45 Ndërkaq qielli u errësua nga retë dhe nga era+ e filloi një rrebesh i madh.+ Akabi ngiste kuajt dhe mori rrugën për në Jezreel.+ 46 Dora e Jehovait ishte mbi Elijan,+ kështu që ai ngjeshi rrobën në mes+ dhe vrapoi përpara Akabit deri në Jezreel.+