Mateu
15 Atëherë disa farisenj dhe skribë vajtën nga Jerusalemi te Jezui+ dhe e pyetën: 2 «Përse dishepujt e tu shkelin traditën e të parëve? Për shembull, ata nuk i lajnë duart para se të hanë.»+
3 Ai iu përgjigj: «Po ju, pse shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj?+ 4 Për shembull, Perëndia tha: ‘Ndero atin dhe nënën tënde’+ dhe ‘Ai që shan atin ose nënën, do të vdesë.’+ 5 Kurse ju thoni: “Kushdo që i thotë të atit ose së ëmës: ‘Çdo gjë me të cilën mund të të ndihmoja, ia kam kushtuar si dhuratë Perëndisë’, 6 nuk ka pse e nderon fare të atin.”+ Kështu e keni bërë fjalën e Perëndisë të pavlefshme, për shkak të traditës suaj.+ 7 Hipokritë,+ mirë profetizoi Isaia+ për ju: 8 ‘Ky popull më nderon me buzë, e megjithatë zemra e tyre është larguar shumë nga unë.+ 9 Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse mësimet e tyre janë thjesht urdhërime njerëzish.’»+ 10 Atëherë ai thirri turmën pranë dhe u tha: «Dëgjoni dhe kapni kuptimin e kësaj:+ 11 njeriun nuk e ndot ajo që hyn në gojë, por ajo që del nga goja.»+
12 Atëherë dishepujt u afruan dhe i thanë: «A e di që farisenjtë u fyen kur dëgjuan atë që the?»+ 13 Ai iu përgjigj: «Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor, do të shkulet me rrënjë.+ 14 Mos u merrni me ta. Ata s’janë veçse udhërrëfyes të verbër. Nëse një i verbër drejton një të verbër, të dy do të bien në gropë.»+ 15 Pastaj Pjetri i tha: «Na e sqaro ilustrimin.»+ 16 Prandaj ai ia ktheu: «Edhe ju nuk kuptoni ende?+ 17 A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë, kalon nëpër zorrë dhe zbrazet në gjiriz? 18 Por gjërat që dalin nga goja, vijnë nga zemra, dhe këto gjëra e ndotin njeriun.+ 19 Për shembull, nga zemra vijnë arsyetime të liga,+ vrasje, kurorëshkelje, kurvëri, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemi.+ 20 Këto gjëra e ndotin njeriun, dhe jo ngrënia me duar të palara.»+
21 Jezui iku që andej dhe shkoi në viset e Tirit dhe të Sidonit.+ 22 Një grua fenikase+ prej atyre anëve doli dhe bërtiti fort: «Ki mëshirë për mua,+ Zotëri, Bir i Davidit! Vajza ime është demonizuar keqas.» 23 Por ai nuk i ktheu asnjë fjalë. Prandaj, dishepujt iu afruan dhe e lutën: «Largoje atë, sepse vazhdon të thërrasë pas nesh.» 24 Ai iu përgjigj: «Unë nuk u dërgova në asnjë vend tjetër, përveçse te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.»+ 25 Kur gruaja erdhi, nisi t’i bënte nderime dhe t’i thoshte: «Zotëri, më ndihmo!»+ 26 Ai iu përgjigj: «Nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.» 27 Ajo tha: «Po, Zotëri. Por edhe këlyshët e qenve hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.»+ 28 Atëherë Jezui iu përgjigj: «O grua, i madh është besimi yt! U bëftë ashtu si dëshiron ti!» Në çast vajza e saj u shërua.+
29 Pasi u largua prej andej, Jezui vajti pranë detit të Galilesë,+ u ngjit në mal+ dhe ndenji ulur atje. 30 Atëherë iu afrua një turmë e madhe, që kishte me vete të çalë, të gjymtuar, të verbër, të pagojë dhe shumë të tjerë, të cilët pothuajse ia hodhën ndër këmbë, dhe ai i shëroi.+ 31 Turma u mahnit tek shihte të pagojët të flitnin, të çalët të ecnin e të verbrit të shihnin, dhe i dhanë lavdi Perëndisë së Izraelit.+
32 Dhe Jezui i thirri dishepujt e tij pranë dhe u tha:+ «Më vjen keq+ për turmën, sepse kanë tri ditë që qëndrojnë me mua dhe nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nuk dua t’i nis pa ngrënë, se mos ligështohen rrugës.» 33 Mirëpo dishepujt i thanë: «E ku të shkojmë në këtë vend të vetmuar, që të gjejmë aq bukë sa të ngopet një turmë kaq e madhe?»+ 34 Atëherë Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?» Ata iu përgjigjën: «Shtatë, dhe ca peshq të vegjël.» 35 Kështu, pasi e urdhëroi turmën të shtroheshin përtokë, 36 ai mori shtatë bukët dhe peshqit dhe, pasi falënderoi Perëndinë, i theu e nisi t’ua ndante dishepujve, të cilët ia ndanë turmës.+ 37 Të gjithë hëngrën e u ngopën, dhe mblodhën copat që kishin tepruar: shtatë shporta plot.+ 38 Hëngrën katër mijë burra, përveç grave dhe fëmijëve. 39 Së fundi, pasi i nisi turmat, ai hipi në barkë dhe vajti në viset e Magadanit.+