Jonai
4 Mirëpo kjo nuk i pëlqeu aspak+ Jonait, i cili u nxeh. 2 Prandaj iu lut Jehovait dhe i tha: «Ah, o Jehova, a nuk merakosesha vallë për këtë kur isha në vendin tim?! Ja përse në fillim ia mbatha për në Tarshish.+ Unë e dija që ti je një Perëndi hirmadh dhe i mëshirshëm,+ që nuk zemërohesh shpejt dhe plot dashamirësi,+ që të vjen keq të shkaktosh mjerime.+ 3 Tani, o Jehova, të lutem, merrma shpirtin,+ sepse për mua është më mirë të vdes se të rroj!»+
4 Jehovai ia ktheu: «A mendon se ke vërtet të drejtë të nxehesh kështu?»+
5 Pastaj, Jonai doli nga qyteti dhe u ul në lindje të tij. Atje bëri një kasolle, që të ulej nën hijen e saj+ dhe të shihte se ç’do të bëhej me qytetin.+ 6 Atëherë Perëndia Jehova bëri që të rritej një bimë kungullujësi, dhe të bënte hije mbi kokën e Jonait, që t’ia lehtësonte atë gjendje të vajtueshme.+ Jonai u gëzua së tepërmi për bimën e kungullujësit.
7 Por të nesërmen, në të gdhirë, Perëndia i vërtetë bëri që një krimb+ ta brente bimën e kungullujësit, dhe ajo u tha dalëngadalë.+ 8 Pastaj, sapo shkëlqeu dielli, Perëndia ngriti një erë zhuritëse nga lindja,+ dhe dielli i binte Jonait mbi kokë, aq sa po zalisej.+ Prandaj, ai kërkoi që të vdiste* dhe thoshte herë pas here: «Më mirë të vdes se të rroj!»+
9 Perëndia i tha Jonait: «A mendon se ke të drejtë të nxehesh për bimën e kungullujësit?»+
Ky iu përgjigj: «Po, kam të drejtë të nxehem, madje sa të vdes!» 10 Por Jehovai tha: «Ty t’u dhimbs bima e kungullujësit, për të cilën as nuk u robtove, as nuk bëre gjë që të rritej. Ajo për një natë u rrit dhe për një natë mbaroi. 11 Po mua, a nuk duhej të më vinte keq për Ninevinë, për qytetin e madh,+ në të cilin ka më shumë se njëqind e njëzet mijë njerëz, që nuk dinë të dallojnë as të djathtën nga e majta, si edhe shumë kafshë shtëpiake?!»+