Zanafilla
37 Jakobi banoi në vendin ku kishte banuar si i huaj edhe ati i tij,+ në vendin e Kanaanit.+
2 Kjo është historia e Jakobit.
Kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, Jozefi+ ruante dhentë+ me vëllezërit e tij dhe, meqë ishte ende djalosh, rrinte me bijtë e Bilhasë+ dhe me bijtë e Zilpës,+ gratë e atit të tij. Kështu, Jozefi i tregoi të atit gjërat e këqija që bënin ata.+ 3 Izraeli e donte Jozefin më shumë se gjithë bijtë e tjerë,+ sepse ai ishte djali i pleqërisë. Prandaj i kishte bërë një rrobë të gjatë vija-vija.+ 4 Kur vëllezërit panë që ati i tyre e donte atë më shumë se gjithë të tjerët, nisën ta urrenin,+ aq sa s’mund të flitnin njerëzisht me të.+
5 Më vonë, Jozefi pa një ëndërr dhe ua tregoi vëllezërve,+ dhe për këtë ata nisën ta urrenin edhe më tepër. 6 Ai u tha: «Ju lutem, dëgjoni se ç’ëndërr pashë:+ 7 ne po lidhnim duajt në mes të arës, kur ja, duajt e mi u ngritën dhe rrinin drejt, ndërsa duajt tuaj i rrethuan dhe u përkulën para duajve të mi.»+ 8 Vëllezërit i thanë: «Mos do të bëhesh mbreti ynë tani?+ Mos do të na sundosh?»+ Kështu pra, për shkak të ëndrrave dhe të fjalëve që tha, patën një arsye më tepër për ta urryer.
9 Pas kësaj, ai pa edhe një ëndërr tjetër dhe ua tregoi vëllezërve: «Kam parë edhe një ëndërr tjetër, ku dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje po përkuleshin para meje.»+ 10 Pastaj, në prani të vëllezërve, ia tregoi edhe të atit, por ai nisi ta qortonte:+ «Ç’kuptim ka kjo ëndërr? Mos vallë unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu do të vijmë e do të përkulemi përtokë para teje?!» 11 Vëllezërit e tij u bënë xhelozë për të,+ por i ati i mbajti mend këto fjalë.+
12 Tani, vëllezërit e tij shkuan të kullotnin kopenë e atit të tyre pranë Sikemit.+ 13 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: «Vëllezërit e tu po ruajnë kopetë pranë Sikemit, apo jo? Eja të të dërgoj tek ata.» Ai ia ktheu: «Ja ku jam.»+ 14 Atëherë ai i tha: «Shko, të lutem. Shih nëse vëllezërit e tu janë shëndoshë e mirë dhe nëse kopeja është shëndoshë e mirë, dhe më ço fjalë.»+ Kështu, e dërgoi nga ultësira e Hebronit,+ dhe ai shkoi drejt Sikemit. 15 Më vonë, një burrë e gjeti tek endej nëpër fushë. Atëherë burri e pyeti: «Çfarë po kërkon?» 16 Ai i tha: «Po kërkoj vëllezërit. Më thuaj, të lutem, ku po i ruajnë kopetë?» 17 Burri vazhdoi: «Janë larguar që këtej, sepse i dëgjova të thoshin: ‘Le të shkojmë në Dotan.’» Kështu, Jozefi i ndoqi vëllezërit dhe i gjeti në Dotan.
18 Ata e vunë re nga larg dhe, para se ai t’u afrohej, nisën të komplotonin me dinakëri kundër tij për ta vrarë.+ 19 Kështu, i thanë njëri-tjetrit: «Ja tek po vjen ëndërrimtari!+ 20 Ejani, ta vrasim, ta hedhim në një nga këto gropa uji,+ dhe të themi se e gllabëroi një kafshë e egër.+ Pastaj të shohim se ç’do të bëhet me ëndrrat e tij.» 21 Kur Rubeni e dëgjoi këtë, u përpoq ta shpëtonte nga duart e tyre.+ Prandaj, tha: «Të mos e vrasim.»+ 22 Pastaj shtoi: «Mos derdhni gjak.+ Hidheni më mirë në këtë gropë uji në shkretëtirë, por mos ngrini dorë kundër tij.»+ Ai donte ta shpëtonte nga duart e tyre, që ta kthente tek i ati.
23 Kështu, pra, sapo Jozefi mbërriti te vëllezërit e tij, ata ia hoqën rrobën e gjatë vija-vija që kishte veshur.+ 24 Pastaj e morën dhe e hodhën në gropën e ujit.+ Por gropa ishte bosh, pa ujë.
25 Pastaj, u ulën të hanin.+ Kur ngritën sytë, panë një karvan ismaelitësh+ që po vinte nga Galaadi, me devetë e ngarkuara me labdan, balsam dhe lëvore rrëshinore,+ që po zbriste në Egjipt. 26 Atëherë Juda u tha vëllezërve: «Ç’dobi do të kemi po ta vrasim vëllanë tonë dhe të mbulojmë vdekjen* e tij?+ 27 Le t’ua shesim ismaelitëve,+ dhe të mos ngremë dorë kundër tij.+ Në fund të fundit, është vëllai ynë, mishi ynë.» Kështu, ata e dëgjuan vëllanë e tyre.+ 28 Aty pranë po kalonin disa burra, tregtarë midianitë.+ Prandaj, ata e nxorën Jozefin nga gropa e ujit,+ dhe ua shitën ismaelitëve për njëzet monedha argjendi.+ Këta e çuan Jozefin në Egjipt.
29 Më vonë, Rubeni u kthye në gropën e ujit, por nuk e gjeti Jozefin atje. Prandaj, ai shqeu rrobat.+ 30 Pastaj shkoi te vëllezërit dhe u tha me zë të lartë: «Fëmija ka ikur! Po unë, ku të shkoj tani?»+
31 Por ata morën rrobën e gjatë të Jozefit, therën një cjap dhe e ngjyen disa herë në gjak rrobën.+ 32 Pastaj ia dërguan atë atit të tyre, bashkë me këto fjalë: «Ja çfarë gjetëm.+ Shihe, të lutemi, nëse është apo jo rroba e tët biri.»+ 33 Ai e pa dhe thirri: «Është rroba e tim biri! Jozefin do ta ketë gllabëruar ndonjë kafshë e egër!+ Do ta ketë shqyer!»+ 34 Atëherë Jakobi shqeu rrobat, ngjeshi një copë thesi në ijë dhe mbajti zi për të birin shumë ditë.+ 35 Gjithë bijtë e bijat e tij vinin për ta ngushëlluar,+ por ai nuk pranonte të ngushëllohej dhe thoshte:+ «Do të zbres të mbaj zi tek im bir, në Sheol!»* Dhe ati i tij vazhdoi ta qante.
36 Midianitët e shitën Jozefin në Egjipt te Potifari, një zyrtar i oborrit të faraonit,+ kreu i truprojës.+