2B Folje hebraike që tregojnë vazhdimin ose rritjen progresive të veprimit
Folja hebraike ka dy kohë, kohën e kryer dhe të pakryer. Koha e kryer tregon një veprim të përfunduar. Koha e pakryer tregon një veprim të papërfunduar a të vazhdueshëm, ose një veprim në zhvillim e sipër. Te Zn 1:1 folja «krijoi» në hebraisht është në kohën e kryer dhe tregon se veprimi për të krijuar qiejt dhe tokën, përfundoi. Te Zn 2:2, folja «nisi të pushonte» në hebraisht është në kohën e pakryer dhe tregon një veprim të papërfunduar a të vazhdueshëm, ose një veprim në zhvillim e sipër. (Krahaso He 4:4-7.) Prandaj, në hebraisht një veprim që ka ndodhur në të kaluarën mund të tregohet me anë të foljeve në kohën e pakryer, nëse veprimi shihet si i papërfunduar, kurse një veprim që do të ndodhë në të ardhmen mund të përshkruhet nëpërmjet foljeve në kohën e kryer, nëse veprimi shihet si i përfunduar. Koha e pakryer e foljes hebraike mund të përkthehet në shqip, duke përdorur folje gjysmëndihmëse siç janë «nisi», «vazhdoi» etj.
Në lidhje me karakteristikën themelore të kohës së pakryer të hebraishtes, Xhejms Uashington Uatsia shkroi në veprën e tij A Distinctive Translation of Genesis, Grand Rapids, Miçigan (1963), fq. 129, 130: «Karakteristika themelore e të gjitha kohëve të pakryera është se janë të papërfunduara. . . . Fakti që këto kohë të pakryera në mënyrën dëftore janë të papërfunduara, shihet qoftë në formën progresive, qoftë në formën e shpeshtësisë. Për të treguar njërën formë ose formën tjetër, bazohemi te konteksti, sepse struktura e foljes është e njëjtë në të dyja rastet.
Në rast se konteksti tregon një veprim ose një gjendje të vetme, folja është progresive. Veprimi përshkruhet si në zhvillim e sipër. Në këtë rast ideja kryesore e foljes në anglisht nuk mjafton për të përçuar kuptimin e plotë të saj. Nëse përkthyesi sheh një rast ku duhet përcjellë i tërë kuptimi, nevojitet të shtohet një folje gjysmëndihmëse si ‘nisi’ ose një ndajfolje si ‘dalëngadalë’. Kur një rrëfim shpaloset me shpejtësi, dhe radha e ngjarjeve është më e rëndësishme se përshkrimi i gjallë i rritjes progresive të veprimit në ndonjë ngjarje të caktuar, përkthyesi mund të mbështetet vetëm te ndajfoljet lidhore si ‘më pas’, për të treguar si radhën e ngjarjeve, ashtu edhe rritjen progresive të veprimit. Në këtë rast, rritja progresive e veprimit nuk përcillet plotësisht. Ka vetëm kalim nga një veprim ose gjendje, në një tjetër, pa përshkrimin e qartë të rritjes progresive në të dytën. Përdorimi i këtij përkthimi të kufizuar do të thotë se përkthyesi nuk sheh ndonjë arsye të veçantë për të përcjellë më plotësisht në këtë pikë idenë e rritjes progresive të veprimit. Nëse ai do të vepronte kështu, rrëfimi në anglisht do të bëhej i mërzitshëm. Nga ana tjetër, po qe se përkthyesi sheh se rrëfimi bëhet më i pasur duke përcjellë kuptimin e plotë të foljes, ai është i lirë të veprojë kështu.
Nëse konteksti tregon më shumë se një veprim ose gjendje, atëherë folja jep idenë e shpeshtësisë. Sërish ideja kryesore e foljes në anglisht nuk mjafton për të përcjellë kuptimin e plotë. Nevojitet të shtohet një folje gjysmëndihmëse si ‘vazhdoi’ ose një ndajfolje si ‘shpesh’, për të zbuluar kuptimin e plotë të rastit kur jep idenë e shpeshtësisë ose të rastit të zakonshëm.»
Gjatë shekujve studiuesit janë mahnitur me mundësinë e gjuhës hebraike për të shprehur ngjarje të së shkuarës, duke përdorur folje në kohën e pakryer dhe për të shprehur ngjarje të së ardhmes, duke përdorur folje në kohën e kryer. Në përpjekje për të shpjeguar këtë veçori, ata zhvilluan teorinë e ua-së së njëpasnjëshme. Autori O. L. Barns, në veprën e tij A New Approach to the Problem of the Hebrew Tenses and Its Solution Without Recourse to Waw-Consecutive, Oksford (1965), fq. 4, 5, shkroi lidhur me këtë teori: «Çështja është ndërlikuar pa qenë nevoja nga futja dhe ndjekja verbërisht e doktrinës së ua-së së njëpasnjëshme ose e paraardhëses së saj më të lashtë ua-së shndërruese (emri më i fundit i propozuar është ua-ja konservative). Ndonëse janë bërë shumë modifikime të kësaj teme, shumë shkurtimisht kjo doktrinë thotë se fraza ‘dhe – ua ו’ që ndodhet përpara foljes së parë të një serie foljesh hebraike të vendosura njëra pas tjetrës në kohën e pakryer, nëse paraprihet nga një folje hebraike në kohën e kryer, tregon se të gjitha ato duhen lexuar ose duhen marrë si të kryera (në vend se siç janë në të vërtetë: të pakryera) dhe anasjelltas, natyrisht me kusht që bashkë me ua-në ו në të pakryerën të jenë disa zanore.»
Në lidhje me vlefshmërinë e kësaj teorie, O. L. Barnsi shkroi në fq. 1 të veprës së tij: «Me të drejtë mund të pyesim se përse fraza ‘dhe –ua ו’ ka këtë fuqi shndërruese. Disa gramatika të sotme, në përpjekje për të kapërcyer këtë absurditet, thonë se në të vërtetë nuk është fraza ‘dhe –ua ו’ që ka këtë fuqi shndërruese, por është çelësi ose udhërrëfyesi që duhet të kërkojmë për të treguar shndërrimin; në fund të fundit rezultati është saktësisht i njëjtë. Unë besoj se do të jetë e dukshme nga ajo që thuhet këtu se në fakt fraza ‘dhe –ua ו’ as e ka këtë fuqi, as është e nevojshme kjo hamendje për të shpjeguar ndryshimin e shpejtë, disa herë të papritur të radhës së kohëve hebraike. Me fjalë të tjera, mund ta lëmë tërësisht mënjanë teorinë mitike të ua-së së njëpasnjëshme të shpikur nga gramatikanët.»
Mbi njëqind vjet më parë, Benxhamin Uills Njutoni, në veprën e tij The Altered Translation of Genesis ii. 5, Londër, 1888, fq. 49-51, mori një qëndrim të vendosur kundër teorisë së ua-së së njëpasnjëshme. Pasi dha një përkthim model të Zn 1:3-8, Njutoni përfundoi në fq. 50, 51: «Në gjithë kapitullin, e ardhmja është përdorur për të treguar rritje progresive të veprimit. Në përkthimin tonë përdorim me shumë të drejtë të shkuarën, sepse koha jonë e ardhme nuk na jep mundësinë të nxjerrim në pah rritjen progresive të veprimit. Ka një shtrirje të gjerë në përdorimin e së ardhmes në hebraisht, që koha jonë e ardhme nuk e ka, dhe si rrjedhim, ka saktësi më të madhe pohimi. Mund të shtoj se me siguri nuk ka aspak vend në këtë kapitull për teorinë e ua-së së njëpasnjëshme, dhe nuk ka asnjë bazë për të thënë (meqë e ardhmja jonë nuk mund të përshtatet me elasticitetin e së ardhmes hebraike) që të ardhmes hebraike pra, t’i hiqen përparësitë që ka dhe të shndërrohet në të shkuar. Është e pabesueshme që dikush ka guxuar të propozojë një gjë kaq absurde.»
Përkthimi Bota e Re nuk ka ndjekur teorinë e pathemeltë të ua-së së njëpasnjëshme në përkthimin e foljeve hebraike. Kjo teori e vjetër nuk përcjell fuqinë dhe forcën e foljeve hebraike në kohën që tregojnë. Prandaj, Përkthimi Bota e Re i paraqit foljet hebraike me domethënie të saktë dhe forcë shprehëse, duke ruajtur një dallim të qartë midis kohës së kryer dhe të pakryer të foljeve hebraike.
a Autor i veprës A Distinctive Translation of Genesis (1963), of Exodus (1977) and of Isaiah (1979).