Një vështrim rreth botës
Unitarianët miratojnë martesën homoseksuale
Sipas një raporti të Christian Century, Kisha Unitariane është bërë sekti i parë amerikan, që miraton zyrtarisht martesat mes sekseve të njëjta. Delegatët që morën pjesë në kongresin vjetor të grupit fetar votuan me shumicë votash «shpalljen e vlefshmërisë së martesave ndërmjet dy personave të zotuar». Po kjo revistë fetare thotë se «nën rregullat e kishës, secili nga 1.040 kongregacionet e kishës mund të vendosë për vete, nëse do të miratojë martesën e geive e të çifteve lezbike dhe nëse do t’i mirëpresë këto dasma».
Paracaktimi i seksit të një bebeje
Sipas revistës Popular Science, «tani është e mundur të paracaktohet seksi i një bebeje, duke ndarë spermën e babait, pasi lloji i spermës përcakton gjininë». Fillimisht, sperma ngjyroset me një ngjyrë fluoreshente. Pastaj, përdoren rreze lazër për të identifikuar spermën X (femër) nga sperma Y (mashkull). Ndryshimi në shndritje shënohet nga një kompjuter dhe një mjet laboratorik që kryesisht ‘përdoret për analizat e gjakut, i jep spermës X një ngarkesë elektrike pozitive dhe spermës Y një ngarkesë negative. Atëherë, ndahen spermat, ku për t’i tërhequr ato, përdoren fundet e ngarkesave të kundërta elektrike’. Sipas shkencëtarit që zhvilloi fillimisht teknikën për industrinë e bagëtisë, ekzaminimi është gati 90 për qind i saktë. Pas kësaj, sperma e zgjedhur përdoret për të pllenuar qelizat vezë e «kështu në bark janë rrënjosur embrionet e seksit të dëshiruar». Megjithatë, deri më tani, nga ky proces ka rezultuar vetëm një lindje njerëzore.
Të folurit si fëmijë është i dëmshëm
Përpjekjet e para të fëmijëve për të folur, shpesh konsiderohen të këndshme dhe shumë prindër nga ana e tyre u përgjigjen përzemërsisht me një të folur fëmije. Por siç shkruan specialistja braziliane në fushën e të folurit, Elianë Rejina Karrasko, në revistën Veja, kjo gjë mund të vërë në rrezik zhvillimin e të folurit të fëmijës. Përsëritja nga ana e prindit e shqiptimeve të gabuara të fëmijës, «përforcon një formë të foluri që nuk është e saktë»,—thotë Karrasko. Ajo thotë se kjo mund të shkaktojë probleme në të folur. Veç kësaj, ajo shton se mund të ndikojë në marrëdhëniet shoqërore të fëmijës. «Shpeshherë, këta fëmijë bëhen të vetmuar, të ndrojtur dhe të pasigurt, që shmangin situata, në të cilat ata duhet ta ekspozojnë veten [ndaj talljes].» Karrasko thekson se është normale që fëmijët e vegjël t’i shqiptojnë fjalët keq dhe nuk është e nevojshme që t’i korrigjoni ata vazhdimisht. Por është e rëndësishme që t’u flisni atyre në mënyrë të saktë dhe të mbani parasysh se «ata janë inteligjentë dhe kanë aftësi për të mësuar».
Kina po ndërmerr hapa për pakësimin e ndotjes së ujit
«Ndotja e ujit është një problem shumë i madh në Kinë dhe pakësimi i ndotjes së ujit është një detyrë urgjente»,—thotë një zëdhënës i Agjensisë për Mbrojtjen Kombëtare të Mjedisit në Kinë. Revista China Today raporton se për këtë arsye, qeveria kineze po ndërmerr hapa për pakësimin e ndotjes së ujit në lumenjtë dhe liqenet e saj më të ndotura. Për shembull, për të kontrolluar mbeturinat që hyjnë në Huaihe, një nga lumenjtë më seriozisht të ndotur të vendit, qeveria «ka mbyllur 999 fabrika të vogla për bërjen e letrës në luginën Huaihe». Në këtë luginë jetojnë përafërsisht 154 milionë banorë dhe është një nga zonat më të mëdha të prodhimit të grurit dhe të energjisë për Kinën.
Terroristët «e shenjtë»
Në një artikull të Vili Futresë, gazeta Compass Direct raporton se në një përpjekje «për të rivendosur veten si një kishë kombëtare», Kisha Ortodokse Rumune ka «ndërmarrë një fushatë tinëzare denigrimi kundër feve të tjera». Futre shton se «krerët kryesorë dhe priftërinjtë lokalë të Kishës Ortodokse të Rumanisë», kanë krijuar një sërë grupesh «për të terrorizuar grupet e minoritetit fetar dhe për t’u mohuar atyre të drejtat themelore fetare». Duke i quajtur transmetuesit evangjelistë të radios «ndotës të besimit të etërve tanë», kryepeshkopi i Sukavës dhe i Radeutit i shkroi presidentit të korporatës që mbikëqyr transmetimin radiofonik dhe televiziv në Rumani fjalët: «Ju kërkojmë që t’i ndalni transmetuesit evangjelistë të radios apo t’u vini atyre një kufi, sepse ata janë kryekëput të pacipë dhe kanë nisur haptazi të bëjnë prozelitë në vetë vendlindjen tonë.»
Gjitarët më në rrezik sesa shpendët
«Gjitarët janë në rrezik edhe më të madh zhdukjeje sesa shpendët»,—raporton revista New Scientist. Këto përfundime të bazuara në shifrat e nxjerra nga Lista e Kuqe e Unionit për Ruajtjen e Botës, zbulojnë se ndërkohë që 11 për qind e specieve të shpendëve gjenden përballë zhdukjes globale, 25 për qind e të gjitha specieve gjitare është tashmë e kërcënuar. Primatët janë grupi më i rrezikuar me 46 për qind të specieve të kërcënuara nga zhdukja. Më pas, vijnë kafshët insektngrënëse me 36 për qind, të ndjekura nga derrat dhe antilopat me 33 për qind. Grupi më i kërcënuar i shpendëve është ai i lejlekëve, ku 26 për qind e specieve gjenden përballë zhdukjes. Një arsye për mesataren e lartë të pakësimit të gjitarëve është se ndryshe nga shpendët, ata nuk mund të lëvizin lehtësisht në një zonë të ndryshme pas zhdukjes së banimit të tyre natyror.
Programi i leximit ndihmon në uljen e krimit
Sipas një raporti të bërë nga e përditshmja britanike The Independent, një program i financuar nga qeveria në Bradford të Anglisë dhe i bërë për të përmirësuar aftësinë e leximit tek fëmijët e shkollës, po korr rezultate dramatike. Programi i leximit jo vetëm që ka ndihmuar në përmirësimin e aftësive të të lexuarit, por ka pasur edhe meritë në ndihmën për uljen e krimit. «Numrin e të rinjve që plaçkitin shtëpi, e kemi lidhur drejtpërsëdrejti me numrin e nxënësve që përvidhen nga shkolla,—thotë Xhon Uatson, drejtues i Shoqërisë për Përmirësimin e Leximit.—Nëse fëmijët janë në gjendje të lexojnë ka më shumë të ngjarë që të jenë të interesuar mbi çka ndodh në shkollë dhe ka më pak të ngjarë që të përvidhen. Duke qenë se nuk janë nëpër rrugë, ka më pak të ngjarë që të jenë duke plaçkitur shtëpi.»
Olimpiket dhe varfëria
«Numri i medaljeve të fituara nga disa vende në Lojrat Olimpike dhe sasia e parave të investuara për ambientet dhe sponsorizimin e përbashkët të lojrave ngrenë pyetjen lidhur me angazhimin e botës për t’i dhënë fund varfërisë»,—raporton ENI Bulletin nga Zvicra. «Nga kjo nuk duhet thënë se nuk duhet të kremtojmë shkëlqimin apo se nuk duhet të duartrokasim bëmat e jashtëzakonshme të aftësisë dhe të qëndresës njerëzore,—thotë Greg Fut nga agjensia australiane për Vizionin Botëror.—Por,—shton ai,—duhet të pyesim nëse po mbajmë vërtet ekuilibrin e duhur, kur harxhojmë kaq shumë në përsosjen e dietës së ajkës së atletëve tanë, kur miliona fqinjët tanë zor se kanë ushqim të mjaftueshëm që të kenë forcën për të ecur.» Është llogaritur se gjatë dy javëve të Lojrave Olimpike që u mbajtën në Atlantë, 490.000 fëmijë në mbarë botën vdiqën nga urija dhe sëmundje të parandalueshme.
Rritet koha e pirjes së kafesë
Disa nëpunës bëjnë vërtet një udhëtim special për një filxhan kafe nga mesi i paradites. Në fakt, shumë ikin fare nga vendi i punës. Me bar-kafetë që ofrojnë kafe me shije të ndryshme, punëtorët nxitojnë të dalin nga zyra për të marrë kombinimin e tyre të preferuar të kafesë. Sipas The Wall Street Journal, si rezultat «koha e pirjes së kafesë po kthehet në ikjen për kafe». Por punëdhënësit janë të shqetësuar lidhur me gjatësinë e ekskursioneve për në kafenetë lokale. Në përpjekje për të ulur numrin e tifozëve të kafesë që lënë vendin e punës, Journal thotë se disa biznese po përpiqen të kundërveprojnë ndaj kësaj praktike, duke instaluar makinat e veta të kapuçinos.
Bimë nxehtësinxjerrëse
Dy studiues australianë kanë parë se zambakët e ujit kanë aftësinë mahnitëse për të rregulluar temperaturën e vet. Më parë, mendohej se këtë aftësi e kishin vetëm kafshët me gjak të ngrohtë. Duke punuar në Kopshtet Botanike të Adelaides në Australi, dr. Rogjer Seimor dhe dr. Pol Shults-Motel ngjiti aparate shqisore në zambakët e lulëzuar të ujit, për të regjistruar temperaturën e tyre dhe karakteristika të tjera fizike. E çfarë zbuluan? Edhe kur temperatura e ajrit ra në 100C, temperatura e zambakut të lulëzuar qëndroi midis 30-350C. Studiuesit nuk kanë gjetur akoma një shpjegim për këtë fenomen. Por, sipas The New York Times, dr. Hana Skubats, një biokimiste bimësh në Universitetin e Uashingtonit, SHBA, thotë se «nxehtësinxjerrja [tek bimët] mund të jetë, në fakt, e përhapur, vetëm se është e vështirë të diktohet».
Evangjelistët pranojnë mangësitë
«Bota evangjeliste sot po humbet besueshmërinë e saj biblike, busullën morale dhe zellin misionar»,—pohon «Deklarata e Kembrixhit për Aleancën e Rrëfimit Evangjelist». Nga erdhi kjo kritikë e ashpër? Mos ndoshta nga një grup rival kishtar? Jo, erdhi nga vetë evangjelistët. Dokumenti doli nga më shumë se 100 udhëheqës evangjelistë, të cilët u takuan kohët e fundit në Kembrixh, Masaçusets. Autorët e dokumentit pranuan se ata dhe krerët fetarë duhej «të pendoheshin për gatishmërinë e tyre, për t’u mbizotëruar nga normat e kulturës së përgjithshme». Veç kësaj, dokumenti pranonte se «metodat terapeutike, strategjitë e marketingut dhe vitaliteti i sferës së zbavitjes, shpesh kanë më shumë ndikim mbi atë që kisha dëshiron, mbi mënyrën e funksionimit të saj dhe të asaj që ofron, sesa Fjala e Perëndisë».