BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 1/98 f. 28-29
  • Një vështrim rreth botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një vështrim rreth botës
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Martesa në rënie
  • «Efekti Moisi»
  • Turistë pa edukatë
  • Të ushqyerit e foshnjave: Një dilemë
  • Niveli sanitar i botës keqësohet
  • Shtëpia është më e rëndësishmja
  • Miqësi e pazakontë
  • Zbulohet Bibla Gutenberg
  • Të jetosh më gjatë
  • Gutenbergu: Sa e pasuroi botën!
    Zgjohuni!—1998
  • Nënat me SIDA hasin një dilemë
    Zgjohuni!—2000
  • Një ushtri në marshim
    Zgjohuni!—2003
  • Një libër i pashoq
    Zgjohuni!—2007
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 1/98 f. 28-29

Një vështrim rreth botës

Martesa në rënie

Në Kanada, martesa si një institucion po bie me ritme të shpejta. Sipas raportit të Statistikave në Kanada, në 15 vitet e fundit «numri i kanadezëve që thjesht bashkëjetojnë është trefishuar gati, nga 700.000 në 2 milion, një shpejtësi rritjeje vjetore sa gjashtëfishi i asaj të martesave»,​—⁠thotë The Toronto Star. Përveç kësaj, «gjysma e të gjithë atyre që janë çifte për herë të parë në Kanada, tani janë duke bashkëjetuar pa u martuar ligjërisht dhe numri i tyre në Kuebek shkon në katër nga çdo pesë lidhje martesore». Përse ky ndryshim? Lidhjet me bashkëjetesë janë «me sa duket pjesë e një revolucioni shoqëror, një nga seritë e hedhjes poshtë të institucioneve të themeluara në një rregull shoqëror që po del jashtë mode»,​—⁠thotë raporti. Artikulli i gazetës vuri re se «jetesa së bashku shihej një herë e një kohë si martesë provë, por tani shihet si një alternativë për të».

«Efekti Moisi»

Dy fizikanë nga Japonia kanë arritur të ndajnë me sukses ujin në kushte laboratorike, raporton New Scientist. Masakazu Ivasaka dhe Shogo Ueno nga universiteti i Tokios përdorën bobina të fuqishme elektrike për të krijuar një fushë të fortë magnetike përreth një tubi horizontal, pjesërisht të mbushur me ujë. Fusha magnetike, gati 500.000 herë më e fortë se ajo e tokës, e detyroi ujin të shkonte në skajet e cilindrit, duke lënë në mes të tij një pjesë të thatë. Fenomeni, të cilin shkencëtarët e zbuluan së pari më 1994, është kopjuar nga fizikanët në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Si funksionon fenomeni? Sipas Koiki Kitazava, një koleg në universitetin e Tokios, uji «është lehtësisht diamagnetik. Kështu, një magnet i fuqishëm e largon ujin dhe e drejton nga vendet ku fusha magnetike është e lartë në vendet ku kjo fushë është e ulët». Kitazava e ka quajtur fenomenin «Efekti Moisi».

Turistë pa edukatë

Trashëgimia e pasur kulturore e Italisë e bën atë një vendmbërritje të gjithanshme turistësh. Mjerisht, pushuesit atje shpesh e ulin vigjilencën e tyre kur vjen fjala për edukatën. Sipas Mario Loli Getit, përfaqësuesi i Firences për trashëgiminë e mjedisit dhe atë arkitekturore, «shumë ndihen të autorizuar për të bërë gjëra që as do të ëndërronin t’i bënin në shtëpitë e tyre». La Repubblica raporton se për këtë arsye, qyteti i Firences ka botuar një «Kartë të të Drejtave dhe Detyrave të Turistëve», e cila u kujton vizitorëve për atë që ata mund dhe nuk mund të bëjnë. Ja disa përkujtues: Mos i lani ose t’i vini këmbët në shatërvan; mos bëni piknikë përpara monumenteve dhe muzeve; mos hidhni shishe ose çamçakëz përtokë; mos vishni bluza pa mëngë kur jeni duke vizituar ndonjë muze dhe mos bëni banjo dielli me kostum banjoje nëpër kopshtet dhe sheshet historike. Sigurisht, turistët me edukatë janë akoma të vlerësuar dhe të mirëpritur.

Të ushqyerit e foshnjave: Një dilemë

«Për dy dekada, mjekët dhe agjencitë e shëndetit publik u kanë ofruar të njëjtën këshillë nënave në vendet e varfra: ushqejini me qumështin e gjirit foshnjat tuaja për të mbrojtur shëndetin e tyre»,​—⁠thotë The New York Times. «Por tani epidemia e SIDA⁠-⁠s po e zhvleftëson këtë këshillë të thjeshtë. Studimet po tregojnë se nënat e infektuara me virusin e SIDA⁠-⁠s mund ta transmetojnë atë përmes qumështit të gjirit në një përqindje të lartë të rasteve. . . . Kombet e Bashkuara kohët e fundit llogaritën se një e treta e të gjitha foshnjave me H.I.V. e morën virusin përmes qumështit të nënave të tyre.» Alternativa është një lloj qumështi artificial për foshnjat, por që ka edhe ai problemet e veta. Në shumë kombe nënat kanë mungesë mjetesh për ta blerë këtë qumësht ose për të sterilizuar shishet dhe nuk kanë në dispozicion ujë të pastër. Si rezultat, foshnjat vuajnë nga diarreja dhe çhidratimi, si edhe nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes dhe atij gastrointestinal. Familjet e varfra e hollojnë produktin, duke pasur si pasojë të ushqyerit e keq të foshnjave. Autoritetet në fushën e shëndetit po luftojnë tani për të drejtpeshuar të dyja këto çështje, dëshirën për ushqimin me qumështin e gjirit dhe rrezikun e virusit H.I.V. Anembanë botës ka mbi 1.000 raste të reja në ditë të infektimit me H.I.V midis foshnjave dhe fëmijëve.

Niveli sanitar i botës keqësohet

«Afro tre miliardë njerëz, më shumë se gjysma e popullsisë së botës, nuk kanë në dispozicion as WC⁠-⁠në minimale sanitare»,​—⁠raporton The New York Times. Këto gjetje, pjesë e sondazhit vjetor Progresi i kombeve që drejtohet nga UNICEF⁠-⁠i (United Nations Children’s Fund), zbulojnë edhe se «statistikat e nivelit sanitar janë midis atyre që po keqësohen më tej dhe jo të përmirësohen, në mbarë botën». Për shembull, disa vende që kanë bërë progres duke siguruar ujë të pastër për të varfërit dështojnë kur vjen fjala për depozitimin e mbeturinave. Kjo mungesë e higjienës themelore i kontribuon në mënyrë domethënëse shpërthimit të sëmundjeve të reja dhe përtëritjes së sëmundjeve të vjetra, thotë raporti. Është llogaritur se mbi dy milionë fëmijë vdesin çdo vit nga sëmundjet e lidhura me kushtet jo sanitare. Aktar Hamed Kan, autori i studimit, thotë: «Kur ke një nivel mesjetar sanitar, ke një nivel mesjetar sëmundjesh.»

Shtëpia është më e rëndësishmja

A është i dobishëm për fëmijët kujdesi i përditshëm, pra, mbikëqyrja e tyre nga të tjerët kur prindërit janë në punë? Këtë gjë donte të zbulonte një studim i ShBA⁠-⁠së, i bërë nga Instituti Kombëtar i shëndetit të fëmijës dhe i zhvillimit njerëzor. Kërkues të shquar mbi kujdesin e fëmijës në 14 universitete ndoqën nga afër 1.364 fëmijë që nga lindja deri në moshën tre vjeç. Më shumë se 20 përqind e fëmijëve morën kujdesin nga nënat e tyre në shtëpi, pjesa tjetër u dërguan në qendrat e kujdesit të përditshëm ose në shtëpitë e dadove të paguara. Rezultatet? «Kërkuesit vunë re se fëmijët ndaj të cilëve tregohej një kujdes i përditshëm i një cilësie të lartë, ai lloj kujdesi, në të cilin të rriturit u flasin shumë në mënyrë të ndjeshme, kanë pak më shumë përparësi ndaj fëmijëve për të cilët tregohej më pak kujdes, kur është fjala për aftësinë e të folurit dhe të të mësuarit,​—⁠vëren revista Time.​—⁠Por përfundimi kryesor ishte se ndikimi i kujdesit të përditshëm ishte shumë më pak i rëndësishëm për zhvillimin mendor dhe emocional të fëmijëve sesa karakteri i jetës së tyre familjare. . . . Kërkuesit përllogaritën se vetëm 1% e dallimeve midis fëmijëve mund t’i detyroheshin faktorëve të kujdesit të përditshëm, por 32% mund të shpjegohej nga cilësia e ndryshme e përvojave që kishin ata brenda familjeve të tyre. Cili është mesazhi? Shtëpia është qendra e mësimit që ka vlerë.»

Miqësi e pazakontë

Shkencëtarët janë mrekulluar për një kohë të gjatë nga marrëdhënia midis milingonave dhe pemëve afrikane të akacies. Pemët u sigurojnë milingonave ushqim dhe strehim. Milingonat, nga ana tjetër, sulmojnë insektet që dëmtojnë pemët dhe pickojnë kafshët që hanë gjethet. Duket se pemët varen nga kjo mbrojtje për mbijetesën e tyre. Por, pemët kanë nevojë edhe për insektet fluturuese që të pjalmojnë lulet e tyre. Duke pasur parasysh kujdesin e milingonave, si ia arrijnë insektet që mbartin polenin, të kryejnë punën e tyre? Sipas gazetës shkencore Nature, kur pemët janë në «kulmin e pjellorisë së luleve», ato lëshojnë një kimikat që duket se i largon milingonat. Kjo u lejon insekteve që të vizitojnë lulet «në momentin kyç». Pastaj, pasi lulet janë pjalmuar, milingonat kthehen në punën e tyre për të ruajtur pemët.

Zbulohet Bibla Gutenberg

Një pjesë e Biblës, e shtypur në shekullin e 15⁠-⁠të nga Johanes Gutenberg, është zbuluar në arkivin e një kishe në Rendsburg, Gjermani. Wiesbadener Kurier raporton se pas zbulimit të saj në fillim të vitit 1996, të 150 faqet e pjesës së Biblës u shqyrtuan me hollësi para se të njoftoheshin se i përkisnin vërtet Gutenbergut. Në mbarë botën dihet se ekzistojnë 48 Bibla Gutenberg, 20 prej të cilave janë të plota. «Biblat e famshme prej dy vëllimesh të shtypura nga Johanes Gutenberg shihen si vepra e parë më e madhe në shtypjen e librave»,​—⁠thotë gazeta. Ky zbulim i fundit «e ka akoma të paprekur zinxhirin e vet origjinal të librave, me të cilin Bibla lidhej në amvonë, për të parandaluar vjedhjen e saj».

Të jetosh më gjatë

Çfarë do ta ndihmojë një person që të jetë i shëndetshëm dhe të jetojë më gjatë? «Një prirje e personalitetit për të ruajtur një gjendje të qëndrueshme që është shumë e lirë nga shqetësimet psikologjike, mbështet shëndetin fizik shumë më tepër sesa ushtrimet ose zakonet e të ngrënit»,​—⁠thotë dr. Xhorxh Vajan i Brigham and Women’s Hospital në Boston. Opinioni i Vajan bazohet në një studim të vazhdueshëm të mbi 230 burrave, të cilët ishin rekrutuar fillimisht në vitin 1942. Në moshën 52 vjeç, burrat që ishin me shëndet të mirë u ndanë në tre grupe: ata që konsideroheshin «me shqetësime» (këta kishin abuzuar me alkoolin, kishin përdorur rregullisht qetësues, ose ishin konsultuar me një psikiatër), «pa shqetësime» (këta nuk kishin abuzuar kurrë me alkoolin, nuk kishin marrë barna që ndryshojnë humorin ose të kishin konsultuar ndonjë psikiatër) dhe «të mesëm» (këta janë mes dy grupeve të tjera). Në moshën 75 vjeç «vetëm 5 përqind e [atyre pa shqetësime] kishte vdekur, krahasuar me 25 përqind të grupit mesatar dhe 38 përqind të burrave me shqetësime»,​—⁠raporton Science News. Sigurisht, mbajtja e një mënyre të ngrëni të shëndetshme dhe ushtrimet e rregullta ndihmojnë për të mbështetur shëndetin e mirë. Por «jetëgjatësia, të paktën për burrat, duket se varet nga një prirje për stabilitet emocional që shmang dhimbjet ekstreme të depresionit»,​—⁠thotë Science News.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo