BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 6/98 f. 28-29
  • Një vështrim rreth botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një vështrim rreth botës
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Më e mirë se ndërhyrja e njeriut
  • Puna, tensioni dhe infarkti i zemrës
  • ‘Transporti më i efektshëm në botë’
  • Shantazhistët mbizotërojnë
  • Lindje normale apo me prerje cezariane?
  • Devocioni fetar në Greqi venitet
  • Hidhjani postën e pashpërndarë domateve
  • Ndihmë për ata me çrregullime të lëkurës
  • I foluri i prindit: Më shumë sesa tinguj qetësues?
  • Prepotenca: Disa shkaqe dhe pasoja
    Zgjohuni!—2003
  • Prepotenca: Problem botëror
    Zgjohuni!—2003
  • Të lirë nga prepotenca
    Zgjohuni!—2003
  • Po nëse më ngacmojnë «të fortët»?
    Të rinjtë pyesin
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 6/98 f. 28-29

Një vështrim rreth botës

Më e mirë se ndërhyrja e njeriut

The Daily Telegraph raporton se dhjetë vjet pasi një furtunë rrëzoi 15 milionë pemë në Angli në vitin 1987, u zbulua se zonat pyjore të paprekura nga ndërhyrja e njeriut kishin pasur rritjen më pjellore. Atje ku ishin rrëzuar pemët, toka kishte marrë më shumë dritë. Kjo shkaktoi që filizat dhe shkurret të rriteshin në një lartësi prej afro 6 metrash dhe që insektet, zogjtë e bimët të bëheshin, gjithashtu, pjellorë. Shumë lisa dhe pemë tisi që kishin rënë, nuk u kalbëzuan ashtu siç pritej dhe druri i tyre, tani i staxhionuar, ishte trefishuar në vlerë. Piter Rein, një përkrahës i ruajtjes së burimeve natyrore thotë: «Më shumë dëm u bë nga pastrimi [nga njerëzit] edhe pse me qëllim të mirë, sesa nga vetë furtuna. Shumë nga pemët e mbjella atë vjeshtë u mbollën me nxitim, jo siç duhet dhe u thanë.»

Puna, tensioni dhe infarkti i zemrës

Gazeta Frankfurter Rundschau thotë se tensioni mendor në punë është faktori i dytë më i rëndësishëm i rrezikut të problemeve të zemrës dhe të qarkullimit, pas duhanit që është faktori i parë. Duke përmbledhur një anketë të bërë nga Instituti Federal për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, në Berlin, Gjermani, raporti thotë: «Personat më në rrezik janë punëtorët që kanë liri të kufizuar për të marrë vendime dhe që kanë një punë me pak variacion. Nëse ata do të ishin nën presion edhe në kohën e tyre të lirë, për shembull, nëse janë duke ndërtuar shtëpinë e tyre ose janë duke u kujdesur për një familjar të sëmurë, rreziku i infarktit të zemrës rritet pothuaj nëntë herë.» Një specialist këshillon që punëtorëve t’u lihet një liri më e madhe në marrjen e vendimeve. «Edhe vetëm një diskutim në muaj mes gjithë punëtorëve në një repart mund t’i përmirësojë gjërat.»

‘Transporti më i efektshëm në botë’

Gazeta The Island e Kolombos, Sri Lanka, raporton se, kur udhëton për më pak se 8 kilometra në një zonë urbane, biçikleta mund të jetë më e shpejtë se makina. Grupi ndërkombëtar i ambientalistëve Miqtë e Tokës, biçikletën e quan «forma më e efektshme e transportit në Tokë». Raporti vëren se, ata theksojnë që një biçikletë mund të përshkojë 2.400 kilometra pa ndotur ajrin, duke u mbështetur në energjinë që vjen nga ushqimi, e cila është e barazvlefshme me vetëm 3,75 litra gazolinë. Raporti shton se përdorimi i biçikletës siguron edhe përfitime për shëndetin.

Shantazhistët mbizotërojnë

Një anketë e drejtuar nga Universiteti La Sapienza i Romës zbulon se shumë studentë përballojnë forma të ndryshme shantazhi që përfshijnë fyerje, abuzim, vjedhje të vogla, agresion fizik dhe kërcënime. Shkeljet u vërejtën veçanërisht në Romë, ku më shumë se 50 përqind e djemve dhe e vajzave kishin pasur episode shantazhi brenda një periudhe tremujore. «Gjatë bisedave më të thella,​—⁠shpjegoi kërkuesja Ana Kostanca Baldrej,​—⁠shumë vajza treguan episode me ngacmime edhe më të rënda, të cilat ato nuk i kishin raportuar, si për shkak të frikës, ashtu edhe . . . sepse i konsiderojnë disa lloje sjelljesh si normale»,​—⁠tha gazeta italiane La Repubblica.

Shantazhi nuk kufizohet vetëm te fëmijët. The Irish Times raporton se shumë të rritur përjetojnë shantazhe në vendin e punës, kryesisht nga eprorët e tyre. «Agresioni gojor, kritikat mbi punën e njerëzve dhe qarkullimi i thashethemeve rreth tyre janë taktikat më të preferuara për ata që bëjnë shantazh në vendin e punës»,​—⁠tha ajo gazetë. «Poshtërimi dhe vendosja e synimeve jorealiste në punë ishin, gjithashtu, të zakonshme.» Shantazhi është i lidhur me efektet psikologjike që përfshijnë «ankthin, irritimin, dëshpërimin, humbjen e vlerësimit për veten dhe izolimin»,​—⁠thotë gazeta Time. Në rastet ekstreme ky lloj shantazhi mund të çojë në «krizë nervore ose madje në vetëvrasje».

Lindje normale apo me prerje cezariane?

Mjekët dhe nënat braziliane shpesh preferojnë prerjen cezariane në vend se lindjen normale. Revista Veja raporton se mjeku thotë që «mund të përballojë më shumë lindje, mund të fitojë më shumë para në zyrën e tij dhe nuk i duhet të humbë fundjavën». Nënat «zgjedhin të mos kalojnë procedurën e lindjes normale për të shmangur dhimbjet (megjithatë, ka më shumë dhimbje për të marrë veten pas një lindjeje me prerje cezariane) dhe besojnë se procedura do të jetë më e dobishme nga ana estetike për trupin (gjë që nuk është e vërtetë)». Në spitalet publike një e treta e të gjitha lindjeve bëhen me prerje cezariane dhe në disa spitale private shkalla është 80 përqind. «Lindja e fëmijëve është bërë një produkt tregu,​—⁠thotë dr. Xhoao Luiz Karvalho Pinto e Silva, kreu i pavionit të Obstetrikës në Universitetin e Kampinas.​—⁠Njerëzit shpesh harrojnë se në kundërshtim me lindjen normale, prerja cezariane është një ndërhyrje kirurgjikale. Ka më shumë humbje gjaku, koha e zgjatjes së anestezisë është më e gjatë dhe mundësia e infeksionit rritet.» Veja thotë se sipas mjekut «prerja cezariane duhet të bëhet vetëm në tri raste: kur jeta e pacientes ose e foshnjës është në rrezik, kur nuk ka shenja lindjeje ose kur ka komplikime të papritura».

Devocioni fetar në Greqi venitet

Gazeta athinase Ta Nea kohët e fundit botoi një listë anketimi mbi fenë në Greqi, të ngjashme me atë që kishte bërë në vitin 1963. Rezultatet tregojnë një rënie në devocionin fetar të atij vendi. Brezin e mëparshëm, 66 përqind e njerëzve thanë se shkojnë në kishë të paktën dy ose tri herë në muaj, në krahasim me më pak se 30 përqind në listën e fundit. Më shumë se dy të tretat e 965 të rriturve që u anketuan në Athinën e madhe thanë se kisha i shërbente «pak» ose «aspak» shoqërisë, raportoi agjencia e lajmeve Rojters. Duke shkruar në Ta Nea, anketuesi i respektuar grek Elias Nikolakopulos, foli për «një ideologji jofetare graduale të shoqërisë greke», duke vërejtur se tani ekziston «dyshim dhe inat» ndaj kishës në Greqi.

Hidhjani postën e pashpërndarë domateve

Çfarë mund të bëjë një zyrë poste me 500 tonë postë të pashpërndarë në muaj, duke përfshirë katalogë dhe reklama të tjera? Zyra e postës Dallas⁠-⁠Fort Worth, në Teksas, ka filluar ta dërgojë pjesën më të madhe të saj për ta kthyer në përzierje plehrash kimike. The New York Times raporton se përzierja po përdoret për të rritur domate dhe lule kadife e rezultatet kanë qenë premtuese. Bakteret që e kthejnë postën e pashpërndarë të bërë copa⁠-⁠copa, në përzierje, janë ushqyer me birrë të prishur dhe nga pije të lehta, produkte dytësore të fabrikave të pijeve. Birra dhe soda përmbajnë sheqer, me anë të të cilit lulëzojnë bakteret. Joel Simsën, zëvendës⁠-⁠presidenti i shoqërisë së plehrave kimike që po bën këtë eksperiment, thotë: «E njëjta gjë që na bën neve të shëndoshë i bën ato baktere të shëndosha dhe të lumtura.»

Ndihmë për ata me çrregullime të lëkurës

«Shumë njerëz që vuajnë nga çrregullimet e lëkurës nuk kërkojnë mjekim, për shkak të sikletit dhe mund të kalojnë vite të tëra ‘duke vuajtur në heshtje’»,​—⁠raporton The Irish Times. Duke nxjerrë në pah gjendjen e tyre të mjerë, dr. Giljan Marfi thotë: «Kam pacientë me psoriazë, lëkura e të cilëve bie copa⁠-⁠copa kur ata heqin rrobat dhe vetë ata ndihen kaq të papastër dhe në siklet, saqë nuk qëndrojnë kurrë në një hotel ose nuk shkojnë në floktore.» Bill Kënlif, profesor i dermatologjisë në Universitetin Leeds, shton: «Aknet i prekin njerëzit fizikisht dhe mendërisht. Ekziston një nocion se ato janë të pista dhe infektive. Nëse dy njerëz [janë] paraqitur për një intervistë pune me të njëjtat aftësi, ai që është pa akne e fiton punën.» Kënlif thotë se ka pasur disa pacientë kaq të turbulluar pasi kanë pasur akne, saqë kishin tentuar edhe të bënin vetëvrasje. Mjekët e mbledhur në një Kongres të Akademisë Evropiane të Dermatologjisë dhe të Venerologjisë në Dublin, Irlandë, kohët e fundit, theksuan nevojën për të kërkuar një mjekim të hershëm. «Ky është një problem i tmerrshëm për disa njerëz,​—⁠tha një mjek,​—⁠por është e rëndësishme të mbajmë në mend se në dispozicion kemi mjekime shumë të mira.»

I foluri i prindit: Më shumë sesa tinguj qetësues?

Disa shkencëtarë thonë se prindërit që, duke luajtur i belbëzojnë foshnjave të tyre, mund të jenë duke i dhënë jo vetëm përzemërsinë e tyre të butë. Patricia Kul, nga Universiteti i Uashingtonit, bashkë me kolegët e saj studiuan të folurin që u drejtohej foshnjave në tri gjuhë të ndryshme: rusisht, suedisht dhe anglisht. Duket se modelet e të folurit tepër të ekzagjeruar të prindërve jo vetëm që tërheqin vëmendjen e foshnjës së tyre, por shërbejnë edhe si një bazë për mësimin e gjuhës nga foshnja. «Kur janë 6 muajsh,​—⁠thotë revista Science,​—⁠foshnjat mësojnë të ndajnë në kategori tingujt e zanoreve, duke i kushtuar vëmendje ndarjeve që kanë kuptim në gjuhën e tyre amtare, si për shembull dallimin mes tingujve ‘i’ dhe ‘a’, duke injoruar variacionet pa kuptim.»

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo