Nga lexuesit tanë
Veshkat Doja t’ju tregoja sa e prekur mbeta nga artikulli «Veshkat tuaja: Një filtër për jetën.» (tetor-dhjetor 1997) Mjeku im më ka informuar se kam një problem me veshkat. Për shkak të artikullit, tani ndihem më pak e vetmuar në sëmundjen time.
V. M., Shtetet e Bashkuara
Unë kam një sëmundje veshkash për të cilën u shtrova në spital për katër muaj. Leximi i artikullit tuaj më ndihmoi të kuptoja se sa i paditur isha për trupin tim. Tani mund t’ua shpjegoj më mirë gjendjen time të tjerëve.
S. H., Japoni
Ky artikull mbërriti në kohën kur gruas sime i thanë se kishte kancer në veshka. Edhe pse diagnoza ishte një tronditje për ne, mundëm të kuptonim qartë funksionet e ndryshme të veshkave, kur kjo gjë na u shpjegua nga një kirurg. Gruaja ime pati një nefrektomi dhe tani po merr veten nga operacioni.
G. S., Indi
Historia e një skulptori M’u ngroh zemra kur lexova «Diçka më e mirë se ajo që brohoret bota», përvojën e Celo Pertot. (22 gusht, 1997, angl) Para se të bëhesha e krishterë, po ndiqja një karrierë në muzikë e teatër. Natën para se të pagëzohesha, mora një telefonatë nga skenaristët e një serie shumë të njohur televizive. Kur u thashë se nuk isha më një aktore, më thanë: «Mos je çmendur?» Ashtu si Celo Pertot, e ndiej se Jehovai e ka bekuar vendimin tim në një masë të gjerë.
R. F., Shtetet e Bashkuara
Teologu rus Ju falënderoj shumë që keni shtypur artikullin «Dëshmitarët e Jehovait në Rusi». (22 gusht, 1997, angl) Kam shumë respekt dhe admirim për Sergej Ivanenkon, që pati kurajën dhe dëshirën për ta botuar të vërtetën rreth Dëshmitarëve të Jehovait.
S. M., Shtetet e Bashkuara
Urrejtja Seritë e artikujve «Pse kaq shumë urrejtje? Pse kaq pak dashuri?» (8 shtator, 1997, angl) kishin kapakët më të mirë që keni shtypur ndonjëherë. Artikujt më ndihmuan të kuptoja më qartë përse njerëzit nuk u besojnë të huajve dhe njerëzve nga kulturat e ndryshme.
J. M., Shtetet e Bashkuara
RSD: Një çrregullim i dhimbshëm E ndiej si një detyrim t’ju shkruaj pasi kam lexuar artikullin «RSD: Një çrregullim i dhimbshëm dhe enigmatik». (8 shtator, 1997, angl) Në janar mësova se kisha RSD. U përpoqa të gjeja disa informacione rreth këtij problemi. Për këtë arsye m’u mbushën sytë me lot kur pashë këtë artikull. Ishte praktik dhe iu përgjigj shumë pyetjeve të mia.
W. B., Angli
Vuaj që prej katër vjetësh nga RSD-ja. Ju faleminderit që merrni mundimin të bëni një kërkim të plotë mbi këtë temë. Bërja e kësaj tregoi me të vërtetë dashuri prej të afërmi nga ana juaj.
G. S., Gjermani
Burri im vuan nga RSD-ja dhe po gjenim shumë vështirësi për t’ua shpjeguar njerëzve sëmundjen. Tani që është trajtuar kaq gjerësisht në artikull, kjo është bërë shumë më e lehtë për ne. Ia kemi dhënë këtë material edhe mjekëve e qendrave të riaftësimit fizik. Kur lexova tregimin e luftës së Karen Orfit me RSD-në m’u duk sikur po lexoja jetën e burrit tim! Ashtu si Karen, edhe ne mezi presim botën e re, ku nuk do të ketë më dhimbje.
K. P., Australi
E falënderoj Karen për historinë e saj. Ajo është në mendimet e në lutjet e mia dhe shpresoj se vazhdon të bëjë përparim. RSD-ja më ka prekur kurrizin dhe këmbët deri në shputat e këmbëve. Ulja në mbledhje dhe ecja në shërbimin në fushë më shkakton shumë parehati dhe dhimbje. Megjithatë, me mbështetjen e Jehovait, këto probleme nuk më kanë sprapsur.
K. K., Angli