Përdorimi i shkallëve: A i bëni këto kontrolle sigurie?
Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Irlandë
POLI duhej të ndërronte llambën e një pajisjeje ndriçimi jashtë shtëpisë së tij. Gjithashtu, duhej të pastronte dritaret e katit të dytë nga jashtë, pasi e shoqja ia kishte përmendur disa herë këtë. Por, ai vazhdonte t’i shtynte për më vonë këto punë. Përse? Sepse i duhej të përdorte shkallën.
Frika e tij ishte e arsyeshme. Ai e dinte se aksidentet me shkallë mund të shkaktojnë dëmtime të rënda e ndoshta vdekjeprurëse. Këto aksidente shpesh ndodhin sepse ai që ka punuar mbi to nuk ka menduar aq sa duhej se si ta përdorë në mënyrë korrekte shkallën.
Çfarë duhej të kishte parasysh Poli lidhur me shkallët, para se të merrej me këto punë? Këtu janë dhjetë sugjerime që e ndihmuan t’i bënte gjërat pa rrezik.
A është e sigurt shkalla?
1 Përdor shkallën e duhur. Nëse shkalla është tepër e shkurtër, mund të të duhet të zgjatesh më shumë sesa është e nevojshme. Nëse është tepër e gjatë, mund të të duhet ta vendosësh në një kënd të rrezikshëm. Shmang përdorimin e shkallëve lëvizëse dyfishe për të hipur në papafingo. Për papafingon përdor një shkallë më vete të përshtatur për të ose përdor shkallë me mbështetje në mur.
2 Kontrolloje shkallën me kujdes. A ka qëndruar jashtë shkalla? Shkallët prej druri bymehen kur ka lagështirë dhe tkurren kur ka thatësirë. Me kalimin e kohës, shkallaret mund të lirohen, duke e bërë shkallën jo të sigurt. A është ndonjë nga këto shkallare e krisur apo me shenja kalbjeje? Shpesh, poshtë secilës prej tyre ka një shufër përforcuese prej metali. A është kjo në vend dhe e fiksuar mirë? Mos ndoshta vidat dhe ribatinat që janë përdorur për t’i fiksuar pjesët metalike në këmbët vertikale janë thyer ose gërryer nga ndryshku? Shkallët më të mëdha të zgjatshme mund të kenë makara dhe litarë. A punon lirshëm makaraja? Mos ndoshta litari tregon shenja ngrënieje dhe a është ende mjaft i gjatë? Bëji menjëherë të gjitha riparimet ose zëvendësimet e duhura.
Shpesh, nëpër shkallare gdhenden lugje kundër rrëshqitjes. Sigurohu që të heqësh ndonjë papastërti që mund të jetë grumbulluar nëpër to. Të gjitha shkallët duhet të kenë nën këmbët e tyre veshje kundër rrëshqitjes. Kontrollo që këto veshje të jenë në vend dhe të mos jenë tej mase të ngrëna.
3 Transportoji shkallët në mënyrë të sigurt. Në një automjet, siguroje shkallën në një mbajtëse të përshtatshme shkallësh ose lidhe në një rimorkio, të paktën në dy vende. Po të jetë e gjatë, shkalla mund të dalë jashtë automjetit nga ana e prapme, prandaj lidh një copë në skajin e pasëm të saj për të paralajmëruar dhe për t’ia bërë të dukshme shkallën, atij që vjen pas me makinë.
Është më e sigurt që një shkallë të gjatë ta mbajnë dy veta. Por nëse të duhet ta mbash vetë shkallën dhe zgjedh ta mbash horizontalisht, mbaje fort në njërën shpatull, me njërin krah, duke përdorur krahun tjetër për të mbajtur ekuilibrin e shkallës. Për të mos goditur ndonjë, mbaje skajin e përparmë të saj mbi lartësinë e kokës. Por, mos harro që prapa teje shkalla ka të njëjtën gjatësi si përpara! Komeditë e bëjnë të duket argëtuese kur njerëzit marrin goditje nga shkallët. Por, në realitet, nuk është asnjëherë për të qeshur, veçanërisht nëse ai që goditet je ti.
Kur e mbart shkallën vertikalisht, merre peshën mbi vete, në pjesën e sipërme të trupit, duke përdorur njërën dorë për ta mbajtur dhe tjetrën, që duhet ta mbash mbi lartësinë e shpatullave, për ta ekuilibruar. Kujdes nga telat që janë mbi kokë, pajisjet e ndriçimit dhe tabelat sinjalizuese!
4 Vendose shkallën në pozicionin e duhur. Për arsye sigurie, shkalla nuk duhet të mbështetet tepër pjerrët, por duhet të formojë me dyshemenë një kënd prej 75 gradësh.
5 Siguro mbështetje sipër dhe poshtë shkallës. Ki kujdes se ku e vendos pjesën e sipërme të shkallës. Sigurohu që sipërfaqja e lartme ku ke mbështetur shkallën të jetë e qëndrueshme dhe jo e rrëshqitshme. Mos e mbështet asnjëherë shkallën mbi xham ose mbi sipërfaqe plastike. Në rastet kur është e mundur, lidhe mirë në ndonjë strukturë të palëvizshme, në mënyrë të tillë që pjesa e sipërme e shkallës të ngrihet rreth një metër mbi pikën e mbështetjes me murin.
Bëj kujdes të veçantë që kur të ngjitesh fillimisht në shkallë, ta lidhësh në pjesën e sipërme. Kjo ngjitje e parë nuk do të jetë e sigurt dhe as e fundit, kur të zbresësh pasi ta kesh zgjidhur pjesën e sipërme. Për ta bërë më të sigurt ngjitjen e parë dhe të fundit, mund të thërrasësh dikë që ta mbajë shkallën në pjesën e poshtme, kur të ngjitesh. Megjithatë, kjo nuk ka më vlerë kur shkalla është më e gjatë se 5 metra.
Nëse vendi ku ngrihet muri i ndërtesës është i pjerrët, vendos diçka të rëndë në fund të shkallës ose lidhe një nga shkallaret e poshtme në ndonjë strukturë të palëvizshme. Nëse terreni është i thyer, por i fortë, përdor një pykë për të krijuar një bazament horizontal. Nëse toka është e butë ose me material jo të qëndrueshëm, vër një pllakë druri ose ndonjë gjë të ngjashme për ta bërë bazamentin të qëndrueshëm.
ëse po përdor një shkallë lëvizëse dyfishe, sigurohu që të katërta këmbët të jenë mbështetur mirë në tokë dhe të dyja pjesët të jenë ndarë plotësisht, si edhe të jetë fiksuar mirë ndonjë gremç sigurie që mund të ketë.
A e ke siguruar veten?
6 Kontrollo këpucët. Para se të ngjitesh në një shkallë, sigurohu që tabani i këpucëve është i thatë. Hiq çdo gjë që mund të të bëjë të rrëshqasësh, si për shembull baltën.
7 Mbarti me kujdes gjërat. Me qëllim që t’i kesh të dyja duart të lira për t’u ngjitur, mundësisht mbaji veglat në një mbajtëse të lidhur në mes. Përpiqu të gjesh ndonjë metodë tjetër për të ngritur objektet kaba, por nëse të duhet të përdorësh patjetër shkallën, dorën e lirë mbaje gjithnjë në kontakt me shkallën, duke e rrëshqitur përgjatë njërës këmbë të shkallës, ndërsa ngjitesh. Ji i kujdesshëm e sistematik dhe mos nxito.
Nëse përdor pajisje elektrike, mos i përdor asnjëherë të dyja duart për të punuar me to. Trapanoja, për shembull, mund të ngecë ose të rrëshqasë papritur, duke bërë që të humbësh ekuilibrin dhe të biesh. Mos e fikso asnjëherë butonin e ndezjes së një pajisjeje në pozicionin «on», sepse pajisja mund të bjerë, ndërkohë që është ende në punë.
8 Trego konsideratë për të tjerët. Nëse punon në një vend publik, bëj diçka për ta bërë shkallën që të duket me lehtësi dhe mundësisht rrethoje me një kordon. Nëse do të të duhet ta spostosh shkallën pas ndonjë cepi ndërtese, mbaj parasysh se të tjerët nuk e presin këtë veprim. Bëj një paralajmërim miqësor dhe kontrollo për të parë nëse rruga është e lirë.
Kur je mbi shkallë dhe ke vegla me vete, mos harro se edhe një kaçavidë e vogël mund të shkaktojë dëme, po të bjerë nga një lartësi. Nëse të duhet të largohesh për ndonjë arsye dhe nuk ke pasur mundësi ta lidhësh fort shkallën, lër dikë që të bëjë roje ose shtrije shkallën përtokë derisa të kthehesh. Mos e lër shkallën pa mbikëqyrje.
9 Kontrollo gjendjen tënde shëndetësore. Meqë ngjitja ka të bëjë shumë me ekuilibrin dhe ritmin, mos u ngjit në një shkallë nëse ndihesh i sëmurë, nëse të vjen për të vjellë ose nëse të merren mendtë nga lartësia.
10 Sigurohu kur ngjitesh. Ji i vetëdijshëm në çdo kohë për rrezikun. Mos lër asnjëherë që dy ose më shumë njerëz të qëndrojnë në një shkallë në të njëjtën kohë. Mos u ngjit asnjëherë në shkallë kur fryjnë erëra të forta e të stuhishme. Mos qëndro asnjëherë në shkallaren e sipërme të një shkalle lëvizëse dyfishe ose mbi të katërtën nga lart, në një shkallë të gjatë. Mos e zgjat asnjëherë tepër shkallën e zgjatshme. Lër që të paktën tri shkallare të mbeten brenda. Mos u zgjat asnjëherë më shumë sesa duhet. Nëse përkulesh tepër kur je mbi shkallë, është e lehtë të humbësh ekuilibrin dhe të biesh. Në vend që të rrezikosh ndonjë dëmtim, lëvize shkallën, edhe pse kjo do të thotë të harxhosh më shumë kohë për ta bërë punën. Kur ngjitesh në shkallë, shiko drejt përpara.
Çfarëdo masash paraprake të marrësh, kur përdor shkallën do të ketë gjithnjë rrezik. Ndoshta mund t’i zvogëlosh këto rreziqe me anë të këtyre sugjerimeve. Këto e ndihmuan Polin. Duke ndjekur këto sugjerime, ai e vuri me sukses llambën në pajisjen e ndriçimit jashtë shtëpisë. Po për pastrimin e dritareve? Eh, këtë do ta bëjë një herë tjetër, . . . ndoshta!
[Figurat në faqet 22, 23]
1 Përdor shkallën e duhur
2 Kontrolloje shkallën me kujdes
3 Transportoji shkallët në mënyrë të sigurt
4 Vendose shkallën në pozicionin e duhur
5 Siguro mbështetje sipër dhe poshtë shkallës
6 Kontrollo këpucët
7 Mbarti me kujdes gjërat
8 Trego konsideratë për të tjerët
9 Kontrollo gjendjen tënde shëndetësore
10 Sigurohu kur ngjitesh