Beteja e Platesë: Një «Ari» gjunjëzohet
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË GREQI
DISA rrënoja të heshtura tempulli. Gurë të skalitur të braktisur dhe rrugica të shtruara me zhavorr. Një rrafshinë e zbrazët ndërmjet kodrinave valëzuese në brigjet e lumit Asopos, 50 kilometra në veriperëndim të Athinës, në Greqi.
Asgjë nuk tregon se po qëndrojmë tamam në vendin ku afro 2.500 vjet më parë u luajt një nga aktet e fundit të konfliktit të armatosur perso-grek. Kjo ishte skena e betejës më të madhe tokësore të luftërave perse: betejës së Platesë.
Shenja të konfliktit
Si një dokument i shkruar mirë, profecitë e Biblës e parathanë ngritjen dhe rënien e fuqive botërore shekuj përpara. Në përputhje me profecinë, fuqia botërore medo-perse, e simbolizuar nga një ari dhe nga një dash, zaptoi territore të reja në mësymjen ekspansioniste të drejtuar kryesisht drejt perëndimit. (Danieli 7:5; 8:4) Gjithsesi, në fushatën e tyre ushtarake kundër Greqisë, forcat perse nën mbretin Dar I pësuan një disfatë të rëndë në Maratonë, në vitin 490 p.e.s. Katër vjet më pas, Dari vdiq.
Profecia e Danielit fliste më tej për ‘tre mbretër që do të dilnin akoma në Persi’ dhe pastaj për një mbret të katërt pers, i cili do t’i «ngrinte të tërë kundër mbretërisë së Javanit [Greqisë, BR]». Ai mbret, nga sa u duk, ishte biri i Darit, Kserksi. (Danieli 11:2) Në vitin 480 p.e.s., në përpjekje për t’u hakmarrë për disfatën e persëve në Maratonë, Kserksi hodhi kundër Greqisë kontinentale forca jashtëzakonisht të mëdha ushtarake. Megjithatë, pas një fitoreje në Termopile që i kushtoi shtrenjtë, forcat e tij pësuan në fund një disfatë të hidhur në Salaminë.a
Mardoni: Një luftëtar ngurrues?
I zënë ngushtë, Kserksi u largua me të shpejtë drejt Lidisë, duke lënë pas 300.000 nga njerëzit e tij, nën komandën e luftëtarit të regjur Mardon, i ngarkuar të mbikëqyrte rajonet e pushtuara të Greqisë. Prej kampit të tij dimëror në Tesali, Mardoni u dërgoi athinasve një lajmëtar me një propozim, ku u ofronte falje të plotë, rindërtimin e tempujve të djegur, rikthimin e territorit dhe një aleancë të barabartë, si qytet i lirë autonom. Por athinasit e flakën tej propozimin dhe iu drejtuan Spartës për ndihmë ushtarake.
Grekët disidentë që mbanin anën e Mardonit, i kishin sugjeruar atij që mund të fitonte mbi grekët kokëfortë, duke blerë krerët e tyre. Por Mardoni e përbuzte përdorimin e mjeteve të tilla. Ai po përpiqej ende që të shmangte një konflikt të drejtpërdrejtë me grekët dhe u ofroi përsëri mundësi athinasve që të dorëzoheshin me kushte të favorshme. Megjithatë, ata mbetën të palëkundur në refuzimin e tyre.
Akti final
Kështu, episodi final i konfliktit mes Persisë dhe Greqisë u luajt në Platea, në gusht të vitit 479 p.e.s. Atje, rreth 40.000 këmbësorë grekë, që përfshinin spartanë, athinas dhe forca ushtarake nga qytete të tjera greke, nën Gjeneralin Pausanias të Spartës, dolën përballë 100.000 trupave të fuqishme të Mardonit.
Për tri javë, mes trupave kryesore të dy ushtrive, që i trembeshin një përleshjeje ballë për ballë, pati ndeshje të vogla përgjatë lumit Asopos. Sipas legjendës, të dyja ushtrive u qe premtuar fitorja nga falltarët e tyre, nëse do të qëndronin në mbrojtje. Sidoqoftë, kavaleria perse i sulmonte grekët pareshtur, duke zënë rob karvane që sillnin furnizime të nevojshme për ushtrinë dhe duke helmuar puset nga të cilat vareshin grekët për ujë.
Për Mardonin, fundi i luftës dukej se ishte në prag. Por komandanti pers e kishte nënvlerësuar aftësinë luftuese të kundërshtarit. Gjeneralin e kishte grishur shpresa për një fitore të menjëhershme dhe të bujshme. Kështu, ai e udhëhoqi me shpejtësi ushtrinë e tij përmes lumit dhe sulmoi.
Persët ngritën murin e tyre me mburojat prej xunkthi dhe që prapa tij lëshonin rrebeshe shigjetash mbi kundërshtarët. Disidentët grekë, aleatë të persëve, sulmuan 8.000 athinasit, ndërsa pjesa më e madhe e forcave të Mardonit u sul kundër 11.500 spartanëve. Për t’u mbrojtur nga vërshimi i shigjetave, spartanët u kërrusën nën mburojat e tyre. Por pastaj, si një falangë,b u lëshuan në një kundërsulm të organizuar. Me heshtat e tyre të gjata dhe të ngjeshur me armatura të rënda trupore, ata u turrën mbi persët.
Të zënë në befasi, persët u zmbrapsën. Ndërkohë, athinasit kishin mposhtur grekët tradhtarë. Ushtria e Mardonit, e mbrojtur nga kavaleria, ia mbathi me të katra përmes lumit. Mardoni ishte goditur prej kalit të vet të shaluar dhe kishte mbetur i vrarë. Ushtria perse, e mbetur pa udhëheqësin e saj, u shpërbë dhe u prapësua.
Në të njëjtën kohë, në bregdetin jonian të Mikalit flota ushtarake greke ngadhënjeu mbi atë pjesë të flotës perse, që mezi ia kishte dalë të mbijetonte nga disfata e Salaminës një vit më parë. Forcave të bashkuara të ushtrisë së fuqishme perse u qe dhënë një goditje përfundimtare.
Një «ari» i gjymtuar
Forcat ushtarake perse nuk do të luftonin kurrë më në tokë evropiane. Ushtria perse, si një makinë lufte, ishte rrënuar krejtësisht. Pas kësaj, siç thuhet në librin A Soaring Spirit, «Kserksi u tërhoq në kryeqytetet të tij luksoze dhe në kënaqësitë e haremit të tij. Herë pas here, ai ngrihej për të çuar përpara projektet e ndërtimit të të atit, duke i shtuar kryeqytetit zyrtar pers, Persepolit, pallate dhe ndërtesa publike madhështore. Por ai nuk kreu ndonjë gjë tjetër me rëndësi».
I mbrojtur pas sigurisë së jetës së oborrit, pushtuesi dikur ambicioz la që idetë e tij të kufizoheshin në një rreth meskin intrigash politike dhe thashethemesh të oborrit. Gjithsesi, edhe atje, ai u zhgënjye. Në vitin 465 p.e.s., një grup komplotistësh e vranë në krevatin e tij.
Libri A Soaring Spirit komenton: «Në radhët e mbretërve persë që pasuan, të paktën sipas pikëpamjes së shkrimtarëve grekë, që do të ishin burimi kryesor i informacionit rreth perandorisë në atë periudhë, askush nuk shfaqi fuqinë a madhështinë e Kirit ose të Darit. Nën sundimin e birit të Kserksit, Artakserksit I, mjeti kryesor i politikës perandorake perse u bë paraja e jo trupat ushtarake. Ai përdori monedhën e mbretërisë për të ndërhyrë në punët e grekëve, duke i dhënë rryshfete në fillim njërit [qytet-shtet] e më pas një tjetri, për të shkaktuar trazira . . . Monedhat, darikat e arta, kishin një portret të Darit që mbante një hark dhe një kukurë me shigjeta. Grekët, me tallje, i quanin këto monedha «harkëtarët persë».
Komplotet dhe vrasjet do të vazhdonin ta lanin me gjak pallatin mbretëror të Perandorisë Perse, deri në rrëzimin përfundimtar të tij. Perandoria po rrëshqiste drejt rënies së pashmangshme dhe dinastia perse filloi ta humbte pushtetin dhe aftësinë për të qeverisur.
Me gjithë përpjekjet e fundit për ta forcuar regjimin, pallati mbretëror ishte afër shembjes, në kohën kur Aleksandri i Madh, një njeri me plane dhe ambicie ekspansioniste si ato të Kirit, filloi të marshonte përmes pafundësisë së perandorisë, në shekullin e katërt p.e.s. Përsëri, profecitë e Biblës do të plotësoheshin deri në hollësitë më të vogla.
[Shënimet]
a Për hollësi të mëtejshme, shiko artikujt «Beteja e Maratonës: Poshtërimi i një fuqie botërore», në Zgjohuni!, 8 maj 1995, anglisht dhe «Disfatë e hidhur për Kserksin», në Zgjohuni!, prill 1999.
b Falangat në Greqinë e lashtë ishin njësi këmbësorësh të armatosur rëndë, të organizuar në rreshta dhe rradhë të ngjeshura mirë me njëra-tjetrën.
[Kutia dhe figurat në faqen 26]
Medo-Persia dhe Greqia: Dy shekuj konflikt
539 p.e.s. Medo-Persia bëhet fuqia e katërt botërore. Ajo pushton territore në tri drejtime kryesore: veri (Asirinë), perëndim (Joninë) dhe jug (Egjiptin) (Danieli 7:5; 8:1-4, 20)
500 p.e.s. Grekët e Jonisë (Azi e Vogël) rebelohen kundër sundimtarëve persë
490 p.e.s. Athinasit zmbrapsin persët në Maratonë
482 p.e.s. Kserksi ‘i ngre të tërë kundër Javanit [Greqisë, BR]’ (Danieli 11:2)
480 p.e.s. Fitore e persëve në Termopile, që u kushton shtrenjtë; persët shpartallohen në Salaminë
479 p.e.s. Athinasit dhe spartanët ngadhënjejnë mbi persët në Platea
336 p.e.s. Aleksandri bëhet mbret i Maqedonisë
331 p.e.s. Ushtria perse dërrmohet nga Aleksandri i Madh në Gaugamela; Greqia bëhet fuqia e pestë botërore (Danieli 8:3-8, 20-22)
[Figurat]
Harkëtar pers
Vargan i kavalerisë greke
[Burimet]
Musée du Louvre, Paris
Fotografi e bërë me mirësjelljen e Muzeut Britanik
[Kutia në faqen 26]
Rezultati përfundimtar i tërë luftërave të fuqive njerëzore:
«Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të çohet kurrë në rrënim. Dhe vetë mbretëria nuk do t’i kalohet asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive dhe ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pacaktuara.»—Danieli 2:44, BR.
[Figura në faqen 25]
Fusha e betejës së Platesë, ku u shkatërrua makina perse e luftës