BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 11/99 f. 28-29
  • Një vështrim rreth botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një vështrim rreth botës
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Adoleshentët kanadezë dhe feja
  • Buburreca të shpejtë
  • Bakteri më i madh në botë?
  • Tepër kufoma në lumin Gang
  • S’ka më Limbo?
  • Biznesi i rrëmbimeve
  • Një udhëzues Web site për lutjen
  • Acidi dhe prishja e dhëmbëve
  • Zgjidhja me kukullat japoneze?
  • E vërteta për mëkatin
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • A duhen pagëzuar foshnjat?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
Zgjohuni!—1999
g 11/99 f. 28-29

Një vështrim rreth botës

Adoleshentët kanadezë dhe feja

Në gazetën Vancouver Sun thuhet se «një shifër befasuese prej 80 për qind e adoleshentëve kanadezë besojnë te Perëndia, por vetëm 15 për qind e tyre shkojnë rregullisht në ndonjë institucion fetar». Përse ky ndryshim? Disa largohen për shkak të «mërzisë së plotë që sjellin shumë shërbime fetare» dhe sepse «rreptësia doktrinale është një bezdi për të rinjtë». Në gazetë shtohet: «Pa dyshim, imazhi i fesë së organizuar është çjerrë keqas nga historitë e shkruara në faqet e para të gazetave për abuzimet seksuale të klerit të krishterë, për kryengritjet e aderuesve të sikizmit, për ekstremistët hebrenj dhe për militantët hinduistë. Anketat zbulojnë se vetëm 39 për qind e adoleshentëve kanadezë kanë besim te udhëheqësit fetarë, në krahasim me 62 për qind që ishte numri në vitin 1984.» Raporti mbyllej me fjalët: «Ose urimi i sinqertë i mirëseardhjes nga ana e klerit nuk po ndikon te të rinjtë, ose kultura masive është tepër armiqësore ndaj institucioneve fetare, ose mesazhi frymor nuk është i tillë që të tërheqë pjesën më të madhe të të rinjve, ose mund të jenë që të gjitha këto së bashku.»

Buburreca të shpejtë

Kushdo që është përpjekur ndonjëherë të kapë buburrecat, e di se kjo nuk është një punë e lehtë. Cili është sekreti i tyre? Së pari, disa qime të holla në secilën anë të barkut kapin çdo lëvizje të ajrit të shkaktuar nga armiqtë, si edhe zbulojnë drejtimin nga vijnë këto lëvizje. Gjithashtu, sistemi i tyre nervor duket se është jashtëzakonisht i efektshëm, pasi buburrecave u duhet vetëm një e njëqindta e sekondës për të reaguar dhe për t’u larguar. Në gazetën Berliner Morgenpost raportohet se kohët e fundit, me anë të një videokamere me shpejtësi të madhe, Xhefri Kamhi dhe kolegët e tij në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, kanë mësuar akoma më tepër. Ata kanë zbuluar se buburrecat mund të vrapojnë me shpejtësi rreth 1 metër në sekondë dhe me këtë shpejtësi ata mund të ndryshojnë edhe drejtimin e lëvizjes deri në 25 herë në sekondë. «Nuk dimë të ekzistojë asnjë sjellje e tillë orientuese në ndonjë kafshë tjetër, që të jetë e aftë për ta kthyer trupin me një frekuencë të tillë»,—tha Kamhi, fjalët e të cilit janë cituar në New Scientist. «Nëse buburrecat nuk do të ishin mysafirë kaq të padëshirueshëm në shtëpi, pa dyshim ata do të merrnin admirimin që e meritojnë kaq shumë.»

Bakteri më i madh në botë?

Hajdi Shulc, një shkencëtare nga Instituti Maks Plank për Mikrobiologjinë Detare, ka zbuluar një bakter gjigand në sedimentin e tabanit të oqeanit, në bregun e Namibisë, Afrikë. Organizmi arrin një diametër deri në 0,75 milimetra dhe është 100 herë më i madh se çdo bakter tjetër i njohur deri më sot. Në The Times të Londrës raportohet: «Sikur bakteri mesatar të kishte madhësinë e një miu të sapolindur, ky bakter i ri i zbuluar do të kishte madhësinë e balenës së kaltër.» Këta organizma, të quajtur Thiomargarita namibiensis janë të lidhur lirshëm me njëri-tjetrin si gjerdane perlash. Sipas The Times, bakteri «jeton me sulfide, të cilin e oksidon me ndihmën e nitrateve që gjenden në ujin e detit».

Tepër kufoma në lumin Gang

Në Electronic Telegraph thuhet: «Për shekuj me radhë, hinduistët i kanë zhytur të vdekurit në lumin Gang, sipas besimit se kjo gjë siguron mokshën ose lirimin e shpirtit nga cikli i ekzistencës trupore. Për sa kohë që lumi Gang, me gjatësi 2.500 kilometra, ishte i thellë, rrymat e tij të shpejta i transportonin tutje qindra trupat në dekompozim e sipër. Por, përgjatë viteve lumi është ngadalësuar dhe është bërë më i cekët, për shkak të ndotësve industrialë dhe të plehrave të hedhura në të.» Kjo ka sjellë si pasojë që kufomat «të ngecin për javë të tëra në llumin e në plehrat e lumit». Në fund të viteve 80, qeveria u përpoq ta zgjidhte problemin duke hedhur në lumin Gang mijëra breshka mishngrënëse. Por në vitin 1994 projekti u ndërpre, sepse kishte tepër kufoma dhe breshkat nuk ia dilnin dot t’i konsumonin të gjitha dhe, gjithashtu, vetë breshkat po kapeshin nga gjuetarët pa leje. Në një fushatë të re, qeveritarët po përpiqen t’i bindin njerëzit që t’i djegin kufomat e të afërmve të tyre ose t’i varrosin në rërën përgjatë lumit.

S’ka më Limbo?

Limbo, vendi ku sipas traditës katolike shkojnë shpirtrat e foshnjave të vdekura të papagëzuara, është zhdukur nga teologjia katolike. Edhe pse nuk u bë kurrë një dogmë, limbo qe «fryti i hamendjeve të bazuara në përvojat e kaluara nga ana e teologëve të shekullit të 12-të», të cilëve u nevojitej të gjenin një vend në «jetën e përtejme» për ata që nuk ishin destinuar as në qiell, as në ferr. Këtu përfshiheshin «të sapolindurit e pafajshëm që vdisnin pa arritur dot deri te pagëzorja» dhe «jobesimtarët që kishin bërë një jetë të ndershme». «Pasi u shpik, limbo u bë një pikë kyçe në doktrinën e mësuar nga kisha»,—shkruan komentuesi i Vatikanit, Marko Politi, në gazetën La Repubblica. Megjithatë, në katekizmat më të fundit, duke përfshirë katekizmin e përgjithshëm, të hartuar në vitin 1992, nuk ka asnjë gjurmë të limbos. «Faktikisht, i gjithë koncepti i jetës së përtejme ka ndryshuar në dekadat e fundit»,—shpjegon Politi. Shumë teologë tani thonë se fëmijët që vdesin pa u pagëzuar shkojnë drejt e në qiell. Teologu italian Pino Skabini thotë: «Sot ekziston prirja për të marrë në konsideratë elementet themelore të asaj që na është zbuluar: jetën e përjetshme, për të cilën foli Jezui dhe ringjalljen.»

Biznesi i rrëmbimeve

«Rrëmbimet janë . . . një biznes i suksesshëm në vende të tilla, si: Meksika, Kolumbia, Hong Kongu dhe Rusia,—pohon U.S.News & World Report.—Përreth botës, numri i marrjeve peng në këmbim të një shpërblese ka thyer rekorde në secilin nga tre vjetët e fundit.» Deri tani, numri më i madh i rrëmbimeve ndodh në Amerikën Latine, ku mes viteve 1995 dhe 1998 pati 6.755 marrje peng. Ky vend ndiqet nga Azia dhe Lindja e Largët (617), Evropa (271), Afrika (211), Lindja e Mesme (118) dhe Amerika e Veriut (80). Ndonëse pjesa më e madhe e atyre që merren peng janë tregtarë vendas dhe pronarë tokash, kushdo, edhe punonjësit e huaj të ndihmave humanitare, ata që udhëtojnë për biznes ose turistët, mund të jetë në rrezik. Kompanitë ndërkombëtare blejnë një dokument që quhet dëftesë sigurimi për raste rrëmbimesh dhe shpërblesash, për të mbuluar shpërblesën që duhet dhënë, si edhe koston e ndërmjetësve profesionistë dhe të këshilluesve psikologjikë. Rrëmbyesit janë të organizuar, duke bërë kërkime për tregun dhe duke llogaritur rrezikun për viktimat e mundshme. Zakonisht ata i trajtojnë mirë robërit e tyre, duke e kuptuar se kjo do të sjellë si pasojë më pak përpjekje për t’u arratisur dhe do t’u japë mundësi më të mira pagese. «Vetëm 1 në 10 rrëmbime në mbarë botën përfundojnë me vdekjen e personit të marrë peng,—thuhet në revistë, por jepet ky paralajmërim:—Ruhuni nga policia vendase. Shpesh ata janë ortakë me rrëmbyesit.»

Një udhëzues Web site për lutjen

Kohët e fundit, Kisha Anglikane ka nxjerrë në përdorim Web site-in (vendndodhje në rrjet) e vet në Internet. Brenda saj ka një udhëzues për mënyrën se si të bëhen lutjet. Duke këmbëngulur se Perëndia dëgjon çdo lutje, kisha i nxit njerëzit që të jenë krijues kur luten. «Përdorni muzikë, një gur, një pendë, një lule ose një qiri për t’u përqendruar», si edhe «përdorni duart. Gishtat mund të përdoren për t’[ju] kujtuar gjëra të ndryshme për të cilat të luteni». Për shembull, aty thuhet se gishti i madh, duke qenë më i forti, mund t’u sugjerojë të luteni për gjëra që janë të forta në jetën tuaj, si shtëpia dhe familja. Gishti i hollë i mesit mund t’ju kujtojë të luteni për «njerëzit që kanë pushtet në botë» dhe gishti më i vogël mund t’ju kujtojë të «luteni për veten». Duke komentuar për këto novacione, The Times thotë: «Përmbajtja e këtij website tregon se sa jofetar është bërë kombi, sipas Kishës. Ky Web site i kishës e krahason disiplinën e lutjes me mbajtjen e një diete ose me ujitjen e një kopshti: ‘Më e mira është pak dhe shpesh, por mos u dorëzoni.’»

Acidi dhe prishja e dhëmbëve

«Njerëzit nuk duhet të mendojnë më se vetëm sheqeri shkakton kavitete dhe duhet të përqendrohen në ushqimet që ua lënë gojën të athët»,—thotë Majk Edgar, një nga autorët e raportit Oral Health: Diet and Other Factors. Në këtë raport këshillohet që njerëzit të cilët pijnë lëng portokalli në mëngjes ose që hanë ushqime të tharta nuk duhet t’i lajnë dhëmbët të paktën për një gjysmë ore pasi kanë ngrënë. Përse? Sepse kur nivelet e acidit në gojë rriten mbi një pikë të caktuar, smalti i dhëmbëve zbutet dhe furça do të fillojë të gërryejë sipërfaqen e dhëmbëve. Siç pohon The Times e Londrës, në vend të kësaj rekomandohet që një person t’i neutralizojë nivelet e acidit duke ngrënë ushqime të pasura me proteina, si djathë ose kikirikë, por kjo brenda 20 minutave pasi ka ngrënë ushqimet e tharta.

Zgjidhja me kukullat japoneze?

Një firmë në Tokio ka gjetur zgjidhjen për gjyshërit që jetojnë larg nipërve dhe mbesave të tyre e që i shohin rrallë: mjafton t’i dërgojnë një fotografi të foshnjës dhe për gjashtë javë do të kenë një kukull që i ngjan asaj. «Por nuk mbaron këtu,—raportohet në New Scientist.—Një aparat regjistrimi me mikroqark shifror i integruar brenda kukullës regjistron gugatjet e para të foshnjës, kështu që kukulla i ngjan tamam foshnjës. Mjafton ta mbajnë kukullën për dore dhe ajo do të riprodhojë zërin e foshnjës ose çdo gjë tjetër që ata regjistrojnë. Sipas The Nikkei Weekly, kukullën 400-dollarëshe e porositin më shumë gjyshërit që i shohin rrallë nipërit dhe mbesat e tyre.»

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo