BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 1/12 f. 14-15
  • Briri alpin​—Muzikë nga pema

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Briri alpin​—Muzikë nga pema
  • Zgjohuni!—2012
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Si bëhet briri alpin?
  • Përdorimet tradicionale
  • Si i bihet?
  • A ia vlen të jesh i ndershëm?
    Zgjohuni!—2012
  • Udhëtim në të kaluarën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Një mjeshtëri e pashoqe japoneze
    Zgjohuni!—2001
  • Shihni emrin në luginë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
Shih më tepër
Zgjohuni!—2012
g 1/12 f. 14-15

Briri alpin​—Muzikë nga pema

PËR shekuj me radhë, disa banorë të Alpeve të Zvicrës kanë përdorur një instrument unik komunikimi: bririn alpin. Mund të mos duket praktike, pasi disa nga këto instrumente janë dy herë më të gjata se ata që u bien. Megjithatë, bririn alpin mund ta marrësh me vete në dorë. Disa prej tyre madje janë të çmontueshëm dhe pjesët mund të futen në valixhe të posaçme. Tingulli i tij arrin deri në dhjetë kilometra larg, nga njëra anë e luginave të larta alpine në tjetrën.

Si bëhet briri alpin?

Tradicionalisht bëhet nga druri i bredhit të malit, prandaj është instrument tipik i Alpeve të bukura të Zvicrës. Fenomenet natyrore bëjnë që trungjet e bredhave që rriten në anë të shpateve të thepisura, të marrin një formë të lakuar në fund.

Pasi presin pemën që kanë zgjedhur, bërësit e bririt alpin me kujdes e çajnë më dysh për së gjati dhe e gërryejnë nga brenda duke përdorur dalta të posaçme. Vetëm për këtë punë mund të duhen deri në 80 orë. Pastaj, ky zejtar e lëmon pjesën e brendshme me limë e me letër smerili dhe i ngjit të dyja pjesët bashkë duke i mbërthyer fort me fibra nga lëvorja e bredhit. I bashkëngjit edhe një mbështetëse të vockël druri, e cila mban bririn kur i bihet. Në fund, pasi instrumentit i vë një gojëz të përshtatshme dhe pasi tytën e zbukuron duke e pikturuar ose gdhendur, zejtari e lyen bririn me llak për ta mbrojtur nga uji.

Përdorimet tradicionale

Për breza e breza, barinjtë i kanë rënë bririt alpin që lart nga lëndinat si për t’i sinjalizuar ëmbëlsisht familjet poshtë në luginë që «gjithçka shkon mirë». Mirëpo, kryesisht, e përdorin për të mbledhur lopët para mjeljes. Lopçarët zviceranë prej kohësh kanë besuar se tingulli i ëmbël i bririt alpin i mban lopët të qeta gjatë mjeljes.

Në dimër, kur lopët ktheheshin në stallat në luginë, shumë barinj shkonin në qytet me instrumentet e tyre ku u binin sa për të fituar ca para shtesë. Në të kaluarën, janë përdorur edhe për të dhënë kushtrimin për luftë.

Si i bihet?

Në pamje të parë, briri alpin mund të duket i lehtë për t’i rënë. Në fund të fundit, nuk ka as vrima, as çelësa ose valvula për të lëvizur. Vështirësia qëndron te kontrollimi i ajrit teksa kalon në këtë fyell të stërmadh në mënyrë që të përftohet toni i dëshiruar.

Briri alpin nxjerr vetëm 12 tone të thjeshta. Megjithëse me këtë instrument nuk mund të luash çdo lloj melodie, kompozohet enkas muzikë për të, dhe një muzikant i zoti mund të arrijë të interpretojë melodi të bukura e të larmishme.

Kompozitorë të famshëm kanë përfshirë në pjesë orkestrale tingujt e bririt alpin. Për shembull, Leopold Moxarti, babai i Volfgang Amadeus Moxartit, shkroi pjesën e tij «Simfonia Pastorela» të kompozuar për orkestër dhe corno pastoritio, që është një lloj briri alpin. Brahmsi kopjoi tingujt e bririt alpin zviceran duke përdorur flautet dhe kornot, kurse Bethoveni imitoi tingujt e bririt alpin në simfoninë e tij Pastorale për të krijuar atmosferën e jetës baritore.

Dokumenti më i hershëm në të cilin përmendet briri alpin është një libër llogarish i manastirit të shën Urbanit në Zvicër, që daton nga viti 1527. Sot, gati 500 vjet më vonë, jehona e butë e bririt alpin mund të dëgjohet ende në lëndinat madhështore të Alpeve të Zvicrës.

[Figura në faqen 15]

Briri alpin mund të çmontohet dhe të merret me vete

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo