MËSIMI 8
Volumi i përshtatshëm
KUR një oratori publik i mungon volumi i nevojshëm, disa në auditor mund të fillojnë të dremitin. Në rast se një lajmëtar flet me zë shumë të ulët në shërbimin në fushë, i zoti i shtëpisë mund të mos e ndjekë më me vëmendje. Gjithashtu, kur në mbledhje jepen nga auditori komente pa volumin e duhur, të pranishmit mund të mos marrin nxitjen e nevojshme. (Hebr. 10:24, 25) Nga ana tjetër, nëse oratori e ngre volumin atëherë kur s’duhet, auditori mund të mos ndihet rehat, e madje, mund të mërzitet.—Prov. 27:14.
Mbaj parasysh auditorin. Para kujt po flet, para një individi, një familjeje, një grupi të vogël në një mbledhje për shërbimin në fushë, gjithë kongregacionit apo auditorit në një kongres të madh? Është e qartë se volumi që është i përshtatshëm në një situatë, mund të mos jetë i tillë në një tjetër.
Në raste të ndryshme, disa shërbëtorë të Perëndisë kanë folur para turmave të mëdha. Në ditët e Solomonit, kur u përurua tempulli në Jerusalem, nuk kishte pajisje akustike. Kështu, Solomoni qëndroi në këmbë mbi një platformë të ngritur dhe e bekoi popullin «me zë të lartë». (1 Mbret. 8:55; 2 Kron. 6:13) Shekuj më vonë, pas derdhjes së frymës së shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., një turmë njerëzish, disa të interesuar e disa për t’u tallur, u mblodhën rreth grupit të vogël të të krishterëve në Jerusalem. Duke treguar mençuri praktike, Pjetri «u çua . . . [dhe] ngriti zërin». (Vep. 2:14) Në atë rast u dha një dëshmi e fuqishme.
Si mund ta kuptosh nëse volumi që po përdor në një rrethanë është i përshtatshëm? Reagimi i auditorit është një nga treguesit më të mirë. Po qe se shikon që disa në auditor po sforcohen për të dëgjuar, duhet të përpiqesh ta rregullosh volumin.
Pavarësisht nëse je duke folur me një individ ose me një grup, është e mençur që të marrësh parasysh përbërjen e auditorit. Nëse dikush ka probleme me dëgjimin, mund të jetë e nevojshme që ta ngresh zërin. Por duke bërtitur nuk do t’u hysh në zemër atyre që ndoshta reagojnë paksa ngadalë vetëm për shkak të moshës së thyer. Kjo mund të shihet madje si shenjë vrazhdësie. Në disa kultura, volumi tepër i lartë shihet si shenjë zemërimi ose padurimi.
Mbaj parasysh zhurmat shpërqendruese. Kur merr pjesë në shërbimin në fushë, rrethanat pa dyshim që ndikojnë në volumin që duhet të përdorësh për të dhënë dëshmi. Mund të të duhet të përballosh zhurmën e trafikut, zhurmën e fëmijëve, të lehurat e qenve, muzikën e lartë ose volumin e lartë të televizorit. Nga ana tjetër, në disa zona ku shtëpitë janë afër njëra-tjetrës, i zoti i shtëpisë mund të vihet në pozitë të vështirë nëse ti flet me një zë aq të lartë sa të tërheqësh vëmendjen e fqinjëve.
Edhe vëllezërve që mbajnë fjalime në kongregacion ose në kongrese u duhet të përballojnë një shumëllojshmëri rrethanash. T’i flasësh një auditori në një mjedis të hapur është shumë më ndryshe sesa të mbash fjalim në një sallë që ka veti shumë të mira akustike. Në Amerikën Latine dy misionarë mbajtën në formë simpoziumi një fjalim publik në oborrin e shtëpisë së një të interesuari, ndërkohë që në sheshin aty pranë po shpërthenin fishekzjarre dhe një gjel po këndonte pa pushim!
Gjatë një fjalimi, mund të ndodhë diçka që kërkon ose një pauzë derisa të pushojë zhurma, ose rritje të volumit. Për shembull, nëse mbledhja po mbahet në një ndërtesë me çati prej llamarine, një rrebesh i papritur mund ta bëjë pothuajse të pamundur që auditori të dëgjojë oratorin. E qara e një fëmije ose ndonjë zhurmë e shkaktuar nga njerëz që vijnë me vonesë do të paraqesë patjetër një sfidë. Mësohu t’i mbulosh me anë të volumit gjërat që shkaktojnë shpërqendrim, me qëllim që auditori të nxjerrë plotësisht dobi nga informacioni që po i paraqet ti.
Pajisjet akustike do të jenë të dobishme nëse janë në dispozicion, por kjo nuk do të thotë që oratori s’ka nevojë ta rritë volumin kur e kërkojnë rrethanat. Në disa vende ku ndërprerjet e energjisë elektrike janë të shpeshta, oratorët janë të detyruar ta vazhdojnë fjalimin pa mikrofon.
Mbaj parasysh materialin që po trajton. Edhe natyra e materialit të fjalimit ndikon në përcaktimin e volumit që nevojitet. Nëse argumenti kërkon forcë, mos e zbut pjesën që po paraqet duke folur me zë tepër të butë. Për shembull, kur lexon denoncime nga Shkrimet, volumi duhet të jetë më i fortë sesa kur lexon këshilla se si të shfaqim dashuri. Përshtatja volumin materialit, por ji i kujdesshëm që të mos e bësh këtë në një mënyrë që tërheq vëmendjen te vetja.
Mbaj parasysh synimin tënd. Po qe se dëshiron ta nxitësh auditorin që të jetë i zellshëm, mund të të duhet të përdorësh një volum disi më të fortë. Nëse dëshiron të ndryshosh mënyrën e tyre të të menduarit, mos i shkurajo duke përdorur tepër volum. Në rast se po përpiqesh të ngushëllosh, zakonisht është më mirë të përdorësh një zë më të butë.
Përdore me efektshmëri volumin e lartë. Kur përpiqesh të tërheqësh vëmendjen e dikujt që është i zënë, shpesh të vjen në ndihmë ngritja e volumit. Prindërit e dinë këtë, prandaj ata e ngrenë zërin për t’i thirrur fëmijët kur është koha për ta lënë lojën e për të ardhur në shtëpi. Një volum më i lartë mund të jetë i nevojshëm edhe kur drejtuesi i një mbledhjeje kongregacioni ose i një asambleje i kërkon auditorit të zërë vend e të mbajë qetësi. Ndërsa marrin pjesë në shërbimin në fushë, lajmëtarët mund të përshëndetin me zë të lartë kur u afrohen njerëzve që po punojnë në një mjedis të hapur.
Edhe pasi e ke tërhequr vëmendjen e dikujt, është e rëndësishme të vazhdosh të përdorësh volum të mjaftueshëm. Një zë shumë i ulët mund të japë përshtypjen sikur oratori nuk është i përgatitur ose nuk është i bindur për atë që thotë.
E përdorur në rastin e një urdhri, ngritja e zërit mund t’i shtyjë njerëzit të veprojnë. (Vep. 14:9, 10) Në mënyrë të ngjashme, një urdhër i dhënë me zë të lartë mund të shmangë një katastrofë. Në Filipi, një gardian burgu ishte gati të vriste veten, sepse mendonte që i kishin ikur të burgosurit. «Pavli thërriti me zë të lartë, duke thënë: ‘Mos i bëj keq vetes, se ne jemi të gjithë këtu!’» Në këtë mënyrë, u shmang një vetëvrasje. Më pas, Pavli dhe Sila i dhanë dëshmi gardianit e familjes së tij dhe të gjithë e përqafuan të vërtetën.—Vep. 16:27-33.
Si ta përmirësosh volumin? Disa duhet të bëjnë më shumë përpjekje se zakonisht për të mësuar se si të përdorin një volum të përshtatshëm. Dikush mund të flasë me një volum të pamjaftueshëm sepse ka zë të dobët. Megjithatë, me përpjekje, është e mundur të bëhen përmirësime, ndonëse ai mund të vazhdojë të flasë me zë të butë. Kushtoji vëmendje frymëmarrjes dhe pozicionit të trupit. Mësohu të rrish drejt kur je ulur ose në këmbë. Tërhiqi shpatullat mbrapa dhe merr frymë thellë. Sigurohu të mbushësh me ajër pjesën e poshtme të mushkërive. Është kjo sasi ajri, e komanduar si duhet, që të jep mundësi të kontrollosh volumin tënd kur flet.
Për disa të tjerë, problemi është se flasin me zë tepër të lartë. Ndoshta e kanë zhvilluar këtë zakon ngaqë kanë punuar në një mjedis të hapur ose të zhurmshëm. Nga ana tjetër, mund të jenë rritur në një mjedis ku të gjithë bërtasin dhe ndërpresin vazhdimisht njëri-tjetrin. Si rrjedhim, mendojnë se e vetmja mënyrë për të marrë pjesë në bisedë është duke folur më fort se të tjerët. Ndërsa zbatojnë hap pas hapi këshillën e Biblës për t’u veshur me «përzemërsinë e butë të dhembshurisë, mirëdashjes, përulësisë së mendjes, butësisë dhe shpirtgjerësisë», ata do të bëjnë rregullime në volumin që përdorin kur bisedojnë me të tjerët.—Kolos. 3:12.
Përgatitja e mirë, përvoja që vjen nga pjesëmarrja e rregullt në shërbimin në fushë dhe lutjet drejtuar Jehovait do të të ndihmojnë të flasësh me volum të përshtatshëm. Pavarësisht nëse flet nga podiumi ose para një individi në shërbimin në fushë, përpiqu t’i përqendrosh mendimet e tua se si mund ta ndihmosh personin tjetër që po të dëgjon.—Prov. 18:21.